Një histori vërtetë interesante, rrëqethëse dhe të duket disi e pabesueshme. Njihej si Akim Manuka, por realisht emri i tij është Hysni. Prejardhja i takon fshatit Luzni të Dibrës, ndërsa për shumë vite jetoi në Belgjikë.
Në vitin 1972, ai shpallet kampion bote në keç në peshën e rëndë dhe që asokohe fitoi shumë famë, duke u bërë një nga mjeshtrit e mbrëmjeve interesante në Bruksel.
Jeta e tij ishte e mbushur me suksese ne sportin qe ai kishte zgjedhur.
Një patriot që zemra i rrihte për atdheun e tij, ashtu si babai i tij Demir Manuka, i cili si një atdhetar i shquar në vite. Pas vitit 1950, familja Manuka arratiset sepse ishte në kundërshtim me regjimin komunist të asaj kohe. Për afro 15 vjet, jetojnë në Maqedoni, ose ish-Jugosllavi që quhej atëherë. Aty vërtet kalojnë një jetë plot peripeci, madje kampioni i ardhshëm i botës punonte në një fermë me panxhar. Pronari, një pasionant i mundjes, organizonte shpesh ndeshje mes djemsh të fortë dhe fituesi meritonte si shpërblim një kavanoz reçel, që ai ia dërgonte nënës për të kaluar një vakt bashkë me familjen e tij.
Ky sukses e shoqëronte atë të gjitha ditët e javës, sepse fitonte ndeshjen dhe bashkë me të, fitonte edhe kavanozin e reçelit. Më pas, familja ikën nga Maqedonia dhe sistemohet në Belgjikë. Falë cilësive të tij, ai nisi punën në një disko si ruajtës i qetësisë, falë edhe trupit që filloi t’i bëhej edhe më i bukur dhe muskuloz. Hysniu ishte trim dhe i vendosur. Ai guxonte të ndeshej me çdo lloj kundërshtari. Në një mbrëmje, në një nga lokalet që merreshin me organizime të lojës së keçit, kampioni i skenës kërkon një sfidant nga salla. Hysniu del dhe e fiton këtë duel, duke lënë shtangur të gjithë të pranishmit.
Që atë mbrëmje ai merr zemër, por tashmë fatin e tij e kishin në dorë menaxheret që iu vërsulën si shushunja, pasi panë një “peshk” të madh. Një nga shqetësimet e menaxhereve, që më së shumti ishin amerikanë dhe kroatë, ishte emri i tij. Për të rritur marketingun e tij në media, ata vendosën që të ndërrojnë emrin e tij. Por këmbëngulja e të atit ishte tejet e madhe. Demiri, babai i tij nuk pranonte edhe pse i afroheshin shuma të mëdha. Tashmë në Bruksel, ai ishte një lider në këtë sport dhe ethet për kampion bote kishin nisur.
Por kërkohej kjo marrëveshje e emrit. Me shumë vështirësi u gjet një emërues i përbashkët, që të ishte emri Akim, një hero i një filmi vizatimor në xhungël, që Hysniu e vendosi vetë, pasi menaxheret donin emër jugosllav. Me ndryshim e emrit, nis një histori e re. Falë stërvitjes dhe egos së tij, një mbrëmje e bukur e gjeti atë në SHBA, ku jetoi 3 vjet. Pas shumë garave dhe shfaqjeve brilante, vjen edhe dita e titullit kampion bote.
Ai kishte sfiduar më parë emra të mëdhenj të botës, si Manuel Soto, Kauzo, Rivera, Evans, etj. Shqiptari, që pakush e njihte si të tillë, bëri famë të madhe dhe pushtoi faqet e gazetave të asaj kohe. Ishte viti 1972. Por fakti qe ai kurrë nuk e mohonte origjinën e tij i prish shumë punë. Në një mbrëmje kur ai fitonte një tjetër finale të madhe, stafi i tij i bën një lojë të habitshme. Katër vajza jugosllave caktohen nga organizatorët që t’i dërgonin lulet në ring kampionit Manuka dhe këtë fitore t’ia faturonin Jugosllavisë. Madje njëra prej vajzave bie në dashuri me djaloshin shqiptar, i cili pa e ditur nga ishte ajo, pranon ftesën e saj të ndjenjës.
Që nga ajo ditë, ai u martua dhe jetoi për 25 vjet me vajzën kroate, të cilën e mori për grua dhe lindi 3 fëmijë. Komentatori në ring e quajti Manukën, kampionin e luleve, sepse ai kur mësoi se nga i vinin lulet dhe qëllimin e keq të menaxherëve dhe stafit nuk e pranoi këtë fitore për hir të ndjenjës patriotike që kishte, por pranoi vetëm lulet, sepse nuk e dinte adresën e tyre nga ishin. Një tjetër mbrëmje e jashtëzakonshme në karrierën e tij, ka qenë ndeshja në Montreal të Kanadasë, kur ndeshej dhe fitonte përballë luanit tjetër,
Eduardo Karpentier dhe fotot e kësaj ndeshje, do të hapnin faqet e gazetave të kohës. Akim Manuka ishte kthyer në një “përbindësh”, që dhuronte spektakël, garë dhe mjeshtëri. Ai ishte bërë personazhi i kohës në këtë sport, por prapaskenat e menaxherëve dhe drejtuesve të sportit, shkelën mbi djersën dhe historinë e tij, e cila u mbyll më shpejt sa meritonte ky kampion i madh. Më pas, ai rikthehet në Belgjikë ku vazhdon jetën e tij, duke u bërë vetë organizator i mbrëmjeve spektakël të keçit në lokalet më të mëdha të Brukselit.
Ai njihet nga të gjithë, si një prej specialistëve dhe njerëzve më të shquar, por edhe organizatorëve të rrallë, që zbulon talente të tilla në një sport, që në Belgjikë është kthyer në kult.
Akim Manuka u nda nga jeta më 1 prill 2016, në moshën 72 vjeçare./ Materiale marrë nga rrëfimi i Dëfrim Met’hasani / KultPlus.com