Vdes gazetari investigativ holandez, u qëllua nëntë ditë më parë

Gazetari i njohur holandez në fushën e krimit, Peter de Vries, i cili u qëllua dhe u plagos rëndë në Amsterdam nëntë ditë më parë, ka vdekur.

Të afërmit e tij kanë thënë se “Pjetri luftoi deri në fund, por nuk ishte në gjendje të fitonte betejën”.

Të shtënat më 6 korrik tronditën Holandën, të njohur me hetimet e De Vries ndaj mafiozëve të drogës. Dy të dyshuar u arrestuan.

De Vries, 64 vjeç, u qëllua në kokë disa minuta pasi u largua nga një studio televizive.

Ai ishte vlerësuar lartë për raportimin e tij në nëntokën holandeze – përfshirë rrëmbimin e milionerit të birrës Freddy Heineken në vitin 1983.

“Ai është i rrethuar nga njerëzit që e duan atë”, thuhej në deklaratën e të afërmve. “Pjetri ka jetuar me bindjen e tij: ‘Në gjunjë të përkulur nuk ka asnjë mënyrë të jesh i lirë'”. / Koha.net / KultPlus.com

Gazetari De Vries qëllohet në kokë derisa po hulumtonte nëntokën holandeze

Si sulm ndaj gazetarisë dhe sundimit të ligjit e ka cilësuar Mbreti i Holandës tentativë vrasjen e gazetarit hulumtues, Peter de Vries.

Gazetari i njohur është në gjendje kritike, pasi që u qëllua në kokë në rrugët e Amsterdamit.

Mbreti Williem-Alexander e ka cilësuar rastin si sulm të tmerrshëm ndaj vetë demokracisë.

De Vries është i njohur për raportimet e tij rreth nëntokës holandeze.

Policia ka arrestuar dy persona lidhur me sulmin, njëri shtetas holandez dhe tjetri një polak. Ndërkaq i arrestuari i tretë është liruar.

Motivet e sulmit nuk janë bërë të ditura.

Gazetari, 64-vjeçar, për një kohë të gjatë ishte në cak të kriminelëve për të cilët kishte raportuar.

Rasti i tij ka shokuar Holandën dhe ka nxitur pakënaqësi nëpër Evropë, ani pse sulme të tilla janë të rralla në vend.

Në vitet e fundit vrasja e gazetarëve hulumtues në Sllovaki dhe Maltë kishte nxitur shqetësime për sigurinë e gazetarëve në shoqëritë e zhvilluara dhe demokratike. / Koha.net / KultPlus.com