Ejona Veselaj
Mbrëmjen e 8 tetorit është mbajtur koncerti i dyfishtë i natës përmbyllëse të edicionit të XXIII të festivalit ReMusica, ku me interpretime të shumta e me një koncert autorial, u shënua edhe 75-vjetori i lindjes së themeluesit të këtij festivali, kompozitorit të njohur Rafet Rudi.
“Meloditë e Zemrës” me mezzo-sopranen Flaka Goranci dhe kitaristen Tringa Sadiku, hapën koncertin duke u përcjellë me duartrokitje të shumta. Koncerti nuk kishte se si të fillonte më mirë se sa me tingujt e qetë të kitarës nga Tringa Sadiku, kombinuar me zërin fantastik të sopranos Flaka Goranci. Që të dyja bënë një udhëtim të mrekullueshëm në këngët popullore, duke nxjerrë në pah pjesë të paharruara të Manuel de Falla dhe Heitor Villa-Lobos. Në programin e tyre kishin përfshirë këngë nga Carlo Domeniconi, Manuel de Falla, Antonin Dvorak e Violeta Parra.
Flaka Goranci është mezzo-soprano e dalluar që shquhet për interpretimin e shumë roleve operistike. Teatri i Vjenës, Opera e Magdeburgut, Festivali i Operës Langenthal në Zvicër, Teatri i Operës Ostrava, Salla e Koncerteve në Berlin, Salla e koncerteve në Vjenë, janë vetëm disa nga institucionet ku ajo merr pjesë. Flaka bashkëpunon me dirigjentë të njohur si N. Harnoncourt, U.Windfuhr, L.Suganandarajah, E.Delamboye, D.Spaë, R. Rudi,C.V. Kerssenbrock etj. Poashtu ka performuar nën regjinë e U.E. Laufenberg, S.Lawless etj.
Në një intervistë për KultPlus, Goranci u shpreh se përgatitjet për këtë koncert kanë shkuar shumë mirë dhe se provat kanë zgjatur shumë.
“Përgatitjet kanë shku shumë mirë, ne jemi përgatitur edhe në Graz të Austrisë bashkë me Tringën ku kemi pas dy prova të gjata dhe pastaj këto ditë kemi ardhur në Prishtinë ku kemi bërë prova çdo ditë. Është dashur të përgatitemi shumë pasi shumicen e programit e kemi luajtur për here të pare sonte dhe e kemi sjell premierë një program të posaçëm për këtë festival”.
Ndërsa, kitaristja Tringa Sadiku u shpreh se përgatitjet për këtë festival kanë qenë shumë natyrale dhe se ka qenë një kënaqësi për të që të bashkëpunojë me mezzo-sopranon Flaka Goranci.
Mbrëmja ka vazhduar me pjesën e dytë të koncertit që iu kushtua shënimit të 75-vjetorit të profesorit Rafet Rudi. Në skenë u ngjitën Zana Abazi me flaut dhe Andi Duraku në piano, duke sjellë “Impresione” para publikut që ishin mbledhur në Atelien e Pallatit të Rinisë në këtë mbrëmje të veçantë.
Pas një pauze të shkurtër, radha ishte për dy gra të mrekullueshme, Lirika Pula në piano dhe Sihana Badivuku me violinë, sollën “Fantasia in Si”.
Mbrëmja vazhdoi nën magjinë që sollën kitaristët Petrit Çeku, Diar Aliu dhe Tringa Sadiku, të cilët për pak minuta bënë që e gjithë vëmendja të kthehej tek ata, duke interpretuar “Three albanian songs” apo “Tri këngë shqiptare”.
E pas përgatitjeve të skenës që zgjatën pak minuta, dritat e skenës ranë mbi Korin e Filharmonisë së Kosovës, të cilët nën drejtimin mjeshtëror të dirigjentit Marcio da Silva, dhe nën shoqërimin e tingujve të kitares nga mjeshtri Petrit Çeku, sollën interpretimin e veprës “Deti i varrëve të hapura”, që është vepër e vet kompozitorit Rafet Rudi.
Soliste në interpretimin e kësaj vepre ishte Elona Sadiku, e cila për KultPlus u shpreh se për të ishte nder e kënaqësi që t’i besohej pjesa solistike e veprës.
“Nuk ishte aspak e vështirë të punoj me profesionist të tillë siç është edhe dirigjenti Marcio da Silva, për mua ka qenë kënaqësi të më besohet pjesa solistike e veprës nga vet kompozitori Rafet Rudi, për të cilin edhe jemi mbledhur sot”, u shpreh Sadiku për KultPlus.
Tutje, Sadiku u shpreh se përgatitjet nuk kanë zgjatur sepse i kanë pasur vetëm dy vepra të cilat Filharmonia e Kosovës i ka kënduar edhe herë të tjera pasi janë pjesë e pashkëputur e reportuarit të tyre.
Kurse, në mbyllje të këtij koncerti, është interpretuar vepra “In A”, nga sopranot e njohura Adelina Paloja dhe Kaltrina Miftari. Në piano ishte Andi Duraku dhe Lekë Salihu, kurse në perkusione Patris Berisha, Meriton Zajmi dhe Kenan Bytyqi.
Në një bisedë të shkurtër, Adelina Paloja u shpreh për KultPlus se ndjehet shumë e emocionuar dhe se ka pranuar ftesën me shumë kënaqësi në këtë koncert autorial të Rudit, për dy arsye shumë të veçanta.
“Kam pranuar ftesën me shumë kënaqësi për dy arsye të veçanta. E para sepse gjithmonë kam pasur një bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës dhe e dyta sepse profesori Rafet Rudi ka qenë mbështetje e imja qysh në fillet e mia të para, që nga mosha 6 vjeçare kur veçse kam filluar të merrem me këndim dhe piano”, u shpreh Paloja për KultPlus.
Ajo tha se është shumë e lumtur që të festojmë jetën e tij si një personalitet shumë i rëndësishëm i komunitetit të tyre dhe jetik për rrjedhën e muzikës klasike.
E për fund, natyrisht që një prononcim i shkurtër nuk mund të mungonte nga protagonisti i mbrëmjes, kompozitori dhe profesori Rafet Rudi. Ai tha se është i lumtur me revolucionin që ka pësuar ReMusica.
“Unë edicionin e shiqoj vetëm nga anash pasi nuk jam i përfshirë në organizimin e tij më. Më duket interesat sepse ka ndërru fizionomia e festivalit, Donika si presidente e festivalit dhe Viktori si producent kanë bërë një lloj revolucioni. Një ndryshim të fizionomisë që ka qenë mjaft frytdhënës dhe mbaroi me sukses”, u shpreh Rudi për KultPlus./KultPlus.com