Artisti nga Kosova, Petrit Halilaj ka hapur ekspozitën e parë personale në Holandë, që përfshinë projektet e tij “RU” dhe “Shkrepëtima”. Ekspozita është hapur në Muzeun e njohur holandez Fries Museum në Leeuwarden.
Nga praktika tashmë e njohur e artistit Halilaj, ekspozita përmban instalacione, vizatime dhe video-pamje, duke përdorur biografinë e tij, identitetin kulturor, kombëtar dhe trashëgiminë. Puna e tij artisitike përmban zogj dhe kafshë të tjera si metaforë e transformimit.

Në një ceremoni ku morën pjesë shumë personalitete holandeze nga arti e kultura, artistë dhe pjesëtarë të diasporës tonë, u vlerësua lartë puna dhe misioni i Petrit Halilajt. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Hagë, Ambasadori Dren Doli, Këshilltari Besnik Ramadanaj dhe Sekretarja e Tretë Ardita Halilaj.
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, artisti Halilaj tha se ndjehet shumë i lumtur që po e paraqet punën e tij për herë të parë në Holandë.
Ambasadori Doli e vlerësoi lartë punën e artistit Petrit Halilaj, për të cilin tha se po vazhdon të na bëjë krenar dhe po dëshmon për potencialin artistik të popullit tonë.
Edhe drejtori i përgjithshë i Muzeut Kris Callens dhe kuratorja Judith Spijksma e vlerësuan punën e Halilajt po ashtu.
Ekspozita e Halilajt do të jetë e hapur për publikun deri më 5 mars 2023. / KultPlus.com
