Artisti Petrit Halilaj tërhiqet nga Bienalja e Beogradit pasi që organizatorët nuk ia njohin shtetësinë kosovare

Artisti Petrit Halilaj është tërhequr nga Bienalja e Beogradit pasi që organizatorët nuk ia njohën shtetësinë kosovare, shkruan KultPlus.

Kosovari do të merrte pjesë në këtë Bienale që organizohet nga Qendra Kulturore e Beogradit në Serbi, vend që ende nuk e njeh Kosovën si shtet.

Artisti u tërhoq pasi nuk u pajtua me organiztorët.

“Kur e mora ftesën në Bienalen e Beogradit isha i konfliktuar nga brenda, por gjithashtu e pashë atë si një mundësi për të krijuar një urë, për të hapur një dialog dhe për të eksploruar shtigje të reja të pajtimit përmes artit”, shkruan Halilaj.

Halilaj, i cili është me qendër në Berlin, ka shkruar një letër të hapur ku detajon përvojën e tij me ekspozitën, e cila zyrtarisht quhet Salloni i 58 Tetorit: Bienali i Beogradit.

“Serbia i ka shkaktuar shumë dëme Kosovës, një shekull shtypje dhe gjenocid”, shprehet mes tjerash ai.

Halilaj, që është i zhvendosur në Berlin ka shkruar edhe një letër të hapur në të cilën shfaq detajet dhe përvojat e tij me ekspozitën.

Në këtë letër të hapur Halilaj shkruan:

“Në vitin 2019 u ftova nga Ilaria Marotta dhe Andrea Bacci që të marrë pjesë në Bienalen e 58-të të Beogradit me titullin “Ëndërrimtarët”, organizuar nga Qendra Kulturore e Beogradit, dhe hapja pritej të bëhej më 2020.

U emocionova për bashkëpunimin dhe vajtjen në Beograd për herë të parë si artist kosovar. Aty do të ekspozoja një shfaqje teatrore të vënë në Runik, vendi ku jam rritur, që është një prej vendbanimeve më të hershme në rajon.

Kur filluam projektin, krijuam një bashkësi prej 80 njerëzve për t’i dhënë jetë zërit dhe kulturës së Runikut.

Pra, siç e dimë, Serbia nuk e njeh Kosovën si vend të pavarur. Pasi ndaloi shkollimin dhe jetën kulturore në vitet 98-99 Serbia ndërmori pushtim të armatosur ndaj kosovarëve, edhe unë isha pjesë e kësaj dhune që serbët ushtruan ndaj kosovarëve. Edhe pas pavarësisë më 2008, Serbia vazhdon ta trajtojë Kosovën si vend fiktiv, sikur të mos ekzistonte.

Unë isha njëri nga refugjatët e kampeve pasi që shtëpitë tona i dogjën, Ndihem me fat që kam shpëtuar. Ndaj kur e mora ftesën megjithëse isha i konfliktuar nga brenda e pashë si mundësi të mirë për ta krijuar një urë dialogu, dhe për të eksploruar shtigje të reja përmes artit.

Që të kalohet dikotomia midis “nesh” dhe “atyre”. Por fatkeqësisht u përballa me një realitet tjetër. Me këtë letër dua të lë gjurmët e asaj që kam përjetuar muajt e kaluar dhe që më çuan në tërheqjen time në qershor. Po e bëj publike sepse një tërheqje e heshtur do të ishte njëfarë pafuqie karshi asaj që kam përjetuar gjatë këtij procesi, shkruan ai mes tjerash në këtë letër. /artnetnews.com /KultPlus.com

Artisti kosovar Petrit Halilaj ka paraqitur ekspozitën e tij të parë personale në Spanjë

Artisti kosovar Petrit Halilaj ka paraqitur ekspozitën e tij të parë personale në Spanjë, me titull: Një korbi dhe uraganët që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar.

Hapur me 16 Korrik në Pallatin e Kristaltë në Madrid, artisti ka përdorur një gamë të gjerë elementesh për t’i eksploruar temat si shtëpia, kombi, dashuria dhe identiteti kulturor.

Kjo është ekspozita e parë që përurohet nga Muzeu Reina Sofía qëkur është mbyllur për shkak të pandemisë së COVID-19, e cila në Mars të këtij viti ndërpreu montimin e shfaqjes.

Halilaj e ka shndërruar Palacio de Cristal në një fole gjigante që lidh pjesën e brendshme me atë të jashtmen, duke bashkuar vizitorët me mjedisin rreth tyre me vendosjen e dritareve, instalimin e strukturave dhe vendosjen e hapësirave ushqyese për t’i joshur zogjtë dhe krijesat e tjera që jetojnë në Parkun Retiro ose që kalojnë përmes tij. Si veçori e përsëritur në veprën e tij, zogjtë simbolizojnë kapërcimin e kufijve që mendimi bashkëkohor ka vënë mes subjektit dhe objektit, mes kulturës dhe natyrës. Në veçanti, artisti është frymëzuar nga ritualet e jashtëzakonshme të çiftimit të zogjve të tendës (bowerbirds).
Ideja e këtij rituali lidhet ngushtë me biografinë e tij. Lulet e mëdha që zbukurojnë folenë, të punuara nga një kornizë delikate e çeliktë dhe me pëlhurë të ngjyrosur, janë rezultat i punës së përbashkët me partnerin e tij të jetës, artistin Álvaro Urbano. Përzgjedhja i tyre përbën një pjesë të historisë personale që i ndërlidh me njëri-tjetrin, dhe qëllimi i tij është ta kremtojë lidhjen e tyre.
Për Halilaj, është themelore t’i kalojë kufitë mes shfaqjeve publike që konsiderohen se janë të pranueshme ose meritojnë vëmendje dhe atyre që censurohen dhe përbuzen.

“Frymëzimi fillestar vjen prej një historie personale, e cila është kremtimi i lidhjes sime me Alvaron, por në të vërtetë të gjithë ne jemi të ftuar dhe të inkurajuar ta përjetojmë këtë ekspozitë si hapësirë të lirisë dhe dashurisë. Dhe, fatkeqësisht, kur flasim për dashurinë, shtresa kremtuese është vetëm pikëmbërritja e rrallë dhe fatlume pas një shtegu të gjatë e kompleks.” ka thënë Halilaj në fjalën e tij të hapjes. “Në fakt, ekspozita flet për shtigjet e rënda dhe shpeshherë dramatike që duhet t’i ndjekim për të arritur te pika ku mund ta dashurosh dikë, për ta ndier njohjen e dashurisë sonë, së pari nga vetë ne dhe pastaj nga familja dhe miqtë, dhe më pas nga e gjithë shoqëria.” – ka vazhduar ai.

Sikur foletë në natyrë, hapësira e stisur nga Halilaj nuk mund të shihet si autonome ose e ndarë nga mjedisi, vizitorët dhe aktivitetet e tyre. Përkundrazi, është vazhdimësi e tyre.

‘Zogjtë gjithmonë kanë pasur një vend të posaçëm në mendjen dhe veprën time. Prej kohës së luftës mes Serbisë dhe Kosovës mes viteve 1998-99 kur jetoja si refugjatë me familjen time, i shikoja zogjtë me shpresë. Për mua, ata trupëzonin lirinë e lëvizjes që nuk e kisha në atë kohë, por që e dëshiroja tepër. Zogjtë i kalonin kufijtë gjeografikë që njerëzit nuk mund t’i kalonin. Prandaj doja të isha zog.’ – është shprehur ai në hapjen e ekspozitës për mediat botërore.

Në ekspozitën e Halilajt që për publikun hapet më 17 Korrik në Madrid, ka diçka të çuditshme dhe joproporcionale për madhësinë e folesë, për shkallën gjigante të luleve dhe për rehatnë e centralitetin që ky ambient ua ofron zogjve. Kështu, artisti pezullon pikëvështrimin logocentrik që njeriun e shtyn të mendojë që është qendra dhe masa e çdo gjëje, duke na inkurajuar ta shohim vetën thjesht si një element shtesë në mesin e shumë të tjerëve.
Një korbi dhe uraganët që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar është ekspozita e parë që përurohet nga Muzeun Reina Sofía qëkur është mbyllur për shkak të pandemisë së COVID-19, situatë cila ndërpreu montimin e shfaqjes se Halilajt në Mars 2020.

Manuel Borja-Villel kurator i ekspozitës dhe njëherit drejtor i Muzeut Reina Sofia është shprehur: “Vepra e Petrit Halilajt është e lidhur ngushtë me biografinë e tij, me historinë e vonshme të vendit të tij dhe me pasojat e tensioneve politike dhe kulturore në rajon. Kujtimet e fëmijërisë të zhytura në dramën e luftës dhe të jetës si refugjat shfaqen e rishfaqen në artin e tij, i cili përqafon temat sikur shtëpia, kombi dhe identiteti kulturor përmes mediumeve të llojllojshme që përfshijnë vizatimin, skulpturën, videon, instalacionet dhe madje shkrimin. Sidoqoftë, ai nuk pandeh një shkeputje mes personales dhe intimes dhe mes historikes e sociales, por në vend të asaj percepton një marrëdhënie dhe vazhdimësi që mund të gjendet në intervenimin e tij për Pallatin e Krisaltë në Madrid.” / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi është takuar me artistin Petrit Halilaj

Ministrja e Ministrisë së Kulturës Vlora Dumoshi  ka takuar artistin shqiptar Petrit Halilaj, shkruan KultPlus.

 Ministrja Dumoshi po qëndron në Berlin, ku do të jetë e pranishme në premierën e filmit “Exil”, me regji të Visar Morinës.

Ndërkohë, Dumoshi ka njoftuar që Halilajn po e takon pas 9 viteve, kur edhe e ka takuar për herë të parë.

Halilaj është një ndër artistët më me ndikim, i cili është shpërblyer edhe në Bienalen e Venecias./KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Fotografisë, artisti i njohur shqiptar në kolonën e refugjatëve

Është një fotografi e cila ka shëtitur botën, duke treguar kolonën e shqiptarëve që kërkojnë shpëtim.
kësaj lufte e cila padyshim është pjesë e formimit të mëvonshëm të popullit të Kosovës.

Artisti Petrit Halilaj është emër i njohur për artdashësit shqiptarë. Por, përtej një Petriti artistik, një fotografi e sjellë edhe nga New York Times tregon se një artist si Petriti, një fëmijë i vogël, e përjetoi edhe vet në lëkurën e tij luftën e Kosovës.

Halilaj, fitues i disa çmimeve artistike prestigjioze, asokohe ishte vetëm 11 vjeçar, në vitin 1999, kur edhe u realizua fotografia nga Andrew Testa. Petriti nuk e ka harruar përvojën dhe madje lufta ka qenë fokus i shumë prej punëve të tij artistike të mëvonshme.

Po e sjellim fotografinë sonte. / KultPlus.com

“Shkrepëtima” e Petrit Halilajt nën qiellin e hapur të Lumbardhit të Prizrenit

Filmi u shfaq mbrëmjen e të enjtes para një publiku të madh në numër në kinemanë verore “Lumbardhi”, në kuadrin e festivalit DokuFest në Prizren.

Një qendër kulturore fshati, prej kohësh e shndërruar në gërmadhë, i ka shërbyer piktorit Petrit Halilaj si frymëzim për të realizuar filmin “Shkrepëtima”. Filmi i ka marrë titullin revistës shkollore “Shkrepëtima” që e botonin arsimtarët dhe nxënësit e shkollës fillore të fshatit Runik të Drenicës, që është dhe vendlindje e Petritit, shkruan albinfo.ch.

Po ashtu “Shkrepëtima” në rrafshin e ideve është emër i qëlluar për të identifikuar një periudhë iluminimi e shpërthimi kulturor të popullatës së fshatit në fjalë e më gjerë.

Petrit Halilaj është piktor që gëzon një shkallë të lartë të njohjes në qarqet artistike ndërkombëtare prandaj dhe “Shkrepëtima” e tij ka bërë një jehonë të konsiderueshme në këto qarqe. Vetë filmi është realizuar si ilustrim për performancën e tij artistike me po këtë emër, që ai e ka shfaqur prej më shumë se një viti në qendra të ndryshme evropiane të artit.

Ndërsa filmi u shfaq mbrëmjen e të enjtes para një publiku të madh në numër në kinemanë verore “Lumbardhi”, në kuadrin e festivalit DokuFest në Prizren.

Filmi “Shkrepëtima” flet me një gjuhë specifike, do të thoshim autoriale artistike, që e cilëson edhe shprehjen e Halilajt në pikturë dhe performancë. Një krijim arti me një figuracion të pasur dhe jo lehtë të zbërthyeshëm për publikun e gjerë, shkruan albinfo.ch. Megjithatë, ajo që kuptohej nga të gjithë ishte fryma humane dhe  kulturëdashëse që përshkon gjithë filmin.

Duke marrë fjalën gjatë prezantimit, para dhe pas shfaqjes së filmit, Petrit Halilaj ka theksuar se është impresionuar shumë nga puna të cilën e kishte bërë gjenerata e “Shkrepëtimës” për ndriçimin kulturor e arsimor të popullatës së Runikut e më gjerë.

Së këndejmi, Halilaj veç tjerash ka thënë: “Kur gjenerata e prindërve tanë na e ka lënë një trashëgimi të tillë shpirtërore, artistike të krijuar në kushte të vështira, a nuk është detyrim i yni që edhe ne të mendojmë çfarë t`u lëmë trashëgim brezave që po vijnë pas nesh?”.

Në rrjedhën e filmit, autori ka ndërfutur pjesë nga një numër dramash të luajtura në teatrin që ka funksionuar në kuadrin e shtëpisë së kulturës të fshatit Runik. Prandaj tani, rreth 30 ose 40 vite pas shfaqjes së tyre të parë, kemi parë, tashmë në ekran filmi,  inskenimin e sërishëm të fragmenteve nga shfaqjet si “Toka e jonë”, “Hakmarrja” etj., tipike për repertorin e teatrove tona amatore të asaj kohe, shkruan albinfo.ch.

Në inskenimin e tyre për nevoja të filmit, janë angazhuar aktorë të njohur profesionistë nga Kosova por edhe amatorë ose qytetarë të thjeshtë që kanë hyrë në magjinë e shprehjes artistike të Halilajt.

Ndërsa një pjesë e madhe, mbase mbizotëruese, e rrëfimit filmik, është realizuar përmes lojës koreografike. Figura mitologjike vallëzojnë mbi kokën e djaloshit të fjetur në një ambient imagjinar të vendosur në gërmadhat e shtëpisë së Kulturës, në Runik.

Një prani të konsiderueshme në këtë rrëfim e ka edhe okarina, një instrument i thjeshtë frymor nga koha e neolitit, i cili është gjetur pikërisht në fshatin Runik të Skënderajt. Okarina si instrumenti më i vjetër, këtu simbolizon vazhdimësinë ose ripërtëritjen e jetës, ruajtjen e trashëgimisë. Pikërisht të asaj trashëgimie të cilën autori i filmit, Halilaj, apelon që t`ua bartim brezave të rinj… / albinfo.ch / KultPlus.com

Petrit Halilaj me ekspozitë personale në Tate

Artisti Petrit Halilaj do ta ketë ekspozitën e tij të parë në Tate St Ives.

Artisti i njohur nga Kosova, një prej emrave që gjithmonë përmendet kur flitet për artin bashkëkohor dhe thumbimin me anë të këtij zhanri, do ta ketë ekspozitën e tij të parë personale në Angli.

Tate kësisoj ka treguar disa prej ekspozitave që do të zënë vend në vitin 2020-të, mes tyre edhe Halilaj.

She, fully turning around, became terrestrial.

Halilaj eksploron trashëgiminë kulturore dhe kujtesën me anë të instalacioneve të cilat përfshijnë objekte të gjetura ndër vite, forma të kafshëve, mbetje, si metaforë për zbulime e transformime.

Ekspozita është paralajmëruar në vjeshtën e vitit 2020-të. Tate do të hapë ekspozita në katër galeritë e saj.

Një ekspozitë për Andy Warhol do të mbahet në pranverë të vitit tjetër, ndërsa një tjetër me fotografi dhe realitet të komunitetit LGBT do të hapet në verën e 2020-ës, punë të artistit Zanele Muholi.

Halilaj është 36 vjeçar, fitues i Mario Merz Price dhe i Mirënjohjes Speciale në Bienalen e Venecias. / KultPlus.com

Petrit Halilaj, një prej emrave në Bienalen e Lionit në Francë

Artisti Petrit Halilaj do të jetë njëri prej pjesëmarrësve në Bienalen e Lionit.

Një prej artistëve më përfaqësues nga Kosova viteve të fundit, fitues i disa çmimeve prestigjioze, mes tyre edhe Mario Merz Prize dhe mirënjohje speciale në Bienalen e Venecias, Halilaj do të paraqitet me punët e tij në këtë organizim.

Bienalja e Lionit këtë vit mban edicionin e 15-të, prej 18 shtatorit 2019 e deri me 5 janar 2020.

Where the Waters Mix – Ku ujërat përzihen, është koncepti i këtij edicioni, kuruar nga Jean de Loisy.

Artistët do ta paraqiten me punët e tyre në Les Usines Fagor në Lion të Francës.

Mes punëve më të mira të Halilajt ndër vite kanë qenë pjesëmarrja e tij në Bienalen e Venecias, Petrit Halilaj: RU në New Museum dhe pjesëmarrje tjera. / KultPlus.com

Petrit Halilaj dhe Banksy, në mesin e 45 artistëve që lanë gjurmë këtë vit

Një ndër artistët që ka lënë gjurmë në art gjatë këtij viti është edhe Petrit Halilaj.

Artisti kosovar, i cili edhe këtë vit nuk është ndalur me ekspozitat në mbarë botën dhe me projektet e tij të ndryshme artistike, është përfshirë në listën e My Art Guides në mesin e 45 artistëve që lanë gjurmë për sivjet, shkruan KultPlus.

Halilaj madje sfidon edhe Banksy – artistin e njohur misterioz anglez, i cili gjendet në listë.

Në këtë listë kanë arritur të futen edhe Alfredo Jaar dhe Tomas Saraceno, mes artistëve tjerë.

Marrë paraysh sa vështirë është të futesh në këtë listë, Petriti vazhdon të na bëjë krenarë.

Halilaj momentalisht e ka të hapur ekspozitën “Shkrepëtima” në Fondazione Merz, deri me 3 shkurt. Vitin e kaluar Halilaj morri Mirënjohje Speciale nga Bienalja e Venecias në Itali. / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita personale e Petrit Halilajt në Los Angeles

Ekspozita e tij e parë personale në Los Angeles do të hapet sonte.

Deri me 20 janar të vitit tjetër, Hammer Projects prezantojnë artistin kosovar Petrit Halilaj, një emër i njohur në artin bashkëkohor momental.

Qilimat e famshëm të cilët ai i prezantoi në Bienalen e Venecias vitin e kaluar, do të zënë hapësirën e Hammer Museum në Los Angeles. Për këtë ekspozitë, siç shkruan koncepti, Petriti ndërton botëra të çuditshme nga krijesat fantastike dhe reliktet e rimëkëmbura, nisur gjithmonë duke përthekuar përvojën e tij personale.

Shkopinjtë, balta dhe pëlhura janë elemente të cilat Petriti i sjellë në këtë ekspozitë. Ekspozita është një vazhdimësi e obsesionimit që Halilaj ka me kafshët: u shndërrua në zog, në qen, ndërsa tani prapë merret me kafshët, gjegjësisht me molën apo tenjën, që i përngjanë fluturës, shkruan KultPlus.

Për Petritin, ky inspirim përfaqëson zbulim, transformim dhe fshehje, duke dashur ti lartësojë insektet shpesh të këqija në një pozitë më të mirë në botën e mbretërisë së kafshëve.

Halilaj është fitues i Mirënjohjes Speciale në Bienalen e Venecias ndërsa ka fituar edhe Mario Merz Prize. Ai ka lindur më 1986 në Kostërrc, ndërsa jeton midis Prishtinës dhe Berlinit. / KultPlus.com

“Shkrepëtima” e Petrit Halilajt edhe në Torino

Performanca unike e artistit kosovar, e cila për herë të parë u prezantua në Runik në muajin korrik, vazhdon rrugëtimin si ekspozitë në Torino të Italisë.

“Shkrepëtima” do të shpaloset në “Fondazione Merz”, prej datës 29 të muajit tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 3 shkurt të vitit të ardhshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas Runikut, performanca e Halilajt, për një muaj, prej 20 korrikut deri më 19 gusht, qe prezantuar edhe në Bernë të Zvicrës në “Zentrum Paul Klee”. Petrit Halilaj është fitues i edicionit të dytë të “Mario Merz Prize”, çmim bienal ndërkombëtar i themeluar nga fondacioni me të njëjtin emër që ka për qëllim nxjerrjen në pah të artistëve të jashtëzakonshëm.

Sipas njoftimit të revistës online newyorkeze,“BlouinArtInfo”, pjesë e kësaj ekspozite do të jetë edhe një seri veprash të realizuara më parë, ku artisti eksploron të kaluarën e vendlindjes së tij, Runikut.

“Pasi që ka përjetuar luftën dhe shpërnguljen bashkë me familjen e tij gjatë fëmijërisë së tij në Kosovë, praktika e Petrit Halilajt zakonisht përfshin një narrativë personale optimiste, poetike dhe disi me humor”, ka shkruar “BlouinArtInfo”. Aty po ashtu thuhet se me “Shkrepëtimë”, Halilaj eksploron identitetin kombëtar, adreson kufijtë gjeografikë dhe vë në pikëpyetje formën e historisë kolektive nëpërmjet videove, vizatimeve dhe skulpturave të tij./ KultPlus.com

“Shkrepëtima” nga Petrit Halilaj vazhdon rrugëtimin në Zvicër

Të enjten në Bernë të Zvicrës në Zentrum Paul Klee, artisti Petrit Halilaj do të hap ekspozitë e tij “Shkrepëtima”.

Gjithashtu para hapjes së ekspozitës artisti së bashku me kuratorin Leonardo Bigazzi do të flasin për ekspozitën por edhe për projektin me të njëjtin emër i cili u shfaq në Runik, shkruan KultPlus.

Ekspozita e Petrit Halilajt në Zentrum Paul Klee është pjesë e një serie projektesh në Nju Jork, Runik (Kosovë), Bernë dhe Turin, në të cilat artisti eksploron historinë, identitetin dhe mjedisin e vendlindjes së tij. Halilaj është laureat i Çmimit Mario Merz 2018.

Ekspozita sillet rreth fshatit Runik, vendlindjes së artistit.

Petrit Halilaj në këtë projekt shfaqë faktin se fshati Runik, i rindërtuar pas luftës, është vendosur në qendër të një prej vendbanimeve më të mëdha neolitike në Evropën Juglindore, ku edhe sot, fshatarët gjejnë artefakte neolitike.
Puna aktuale e artistit sillet rreth pyetjes se çfarë roli kulturor dhe social kanë këto artefakte në komunitetin e Runikit, ose çfarë roli mund të luajnë ato në të ardhmen.

Në mungesë të infrastrukturës kulturore, njohuria për të kaluarën e largët mbetet e zbehtë. Kështu artefaktet e gjetura nga e kaluara stimulojnë imagjinatën popullore dhe spekulimet rreth origjinës janë të shumta.

Me anë të tregimit të historisë së këtyre objekteve, video instalacioni i artistit, “Çatitë ishin aq afër sa edhe një mac e përgjumur mund të kalonte Runikun pa prekur në tokë (2017)”, ofron një portret të Runikut bashkëkohorë dhe të Kosovës si një komb i ri ende i pasigurt për historinë dhe identitetin e saj.

Paralelisht me ekspozitën Halilaj prezantoi edhe ngjarjen e madhe kulturore “Shkreptima” në ish-shtëpinë e kulturës në Runik duke shpresuar që ajo do të nxisë zhvillimin kulturorë në komunitet.

Në anën tjetër si pjesë e ekspozitës në Zentrum Paul Klee, Halilaj do të paraqesë vizatime, studime konceptuale dhe skulptura që ai ka prodhuar në kuadër të përgatitjeve për këtë ngjarje.

Këtu, objektet nga e kaluara neolitike janë rikthyer në mënyrë poetike duke u transferuar në zogj migrues dhe specie të tjera që udhëtojnë, eksplorojnë dhe vendosen përkohësisht në vende të ndryshme – qoftë në Runik, Neë York, Bernë ose Turin.

Si pjesë e hapjes së ekspozitës, artisti dhe kuratori Leonardo Bigazzi do të japin një prezantim mbi hulumtimet dhe aktivitetet që kanë bërë në Runik./KultPlus.com

Kultura si pika e fortë e Kosovës

Arbër Selmani

Vitin e kaluar, në Bienalen e Venecias në Itali, Petrit Halilaj morri një Mirënjohje Speciale për punën e tij si artist. Çdokush që e njeh artin e Kosovës e njeh edhe emrin Petrit Halilaj. Petriti, me disa pjesëmarrje të tija në këtë Bienale arti, bëri që Kosova të depërtonte në këtë organizim artistik prestigjioz, kësisoj duke thyer kufijtë e arritjeve.

Halilaj, me disa punë të tij në këtë Bienale, mbushi hapësirën e Arsenale – lokacionit të madh ku vendosen punët e artistëve pjesëmarrës. Ai punoi disa qilima tradicionalë, me ndihmën e nënës së tij e cila është bashkëudhëtare tanimë e Petritit në disa punë artistike. Në një Bienale ku përfaqësohen mbi 80 shtete dhe qindra artistë bëjnë të pamundurën të marrin vëmendjen e vizitorëve, lëngojnë për pak kritikë të shikuesve apo profesionistëve, Petrit Halilaj i la të gjithë pas tij. Dikur një refugjat dhe djali i vogël nga fotografia legjendare e refugjatëve, Petriti i theu kufinjtë edhe për Kosovën.

Edhe këtu dua të dal. Artistët e tejkalojnë limitin gjeografik, shkëmbejnë përvoja por edhe reflektojnë, dhe e vendosin Kosovën në hartën kulturore të kontinentit. Dhe kjo hartë nuk është një hartë dosido, por është një soj i arenës së boksit ku etnitë e ndryshme vijnë me luftëtarët e tyre më të fortë – në këtë rast artistët, me anë të të cilëve mund të ndërrohet pse jo edhe një mendësi kolektive dhe mentalitet popullor.

Dhe ja pra, kaq afër Evropës jemi ne.

Jo vetëm me Petritin, por me anë të kulturës më shumë sesa me anë të sektorëve tjerë të jetës, kemi arritur të futemi mirë në skenën – arenën kulturore të Evropës.

Ta përmendim këtu Sislej Xhafën. Punët e tij fokusohen në turizëm, në varfëri, në statusin legal të Kosovës, në siguri e në qëndrueshmëri. Së fundmi, një telefon që nuk cingëron asnjëherë, më përpara një varr prej graniti, një anije kozmike, dhe punë të tjera të Sislejit nga Peja që jeton midis Evropës e Nju Jorkut, janë dëshmia e gjallë se si një shtet i vogël si Kosova mund të futet në listë me shtetet ku arti është kryefjala dhe djepi i shoqërisë, kjo me anë të emrave që çdo ditë e më shumë nga Kosova po e prezantojnë veten në ekspozita e në ngjarje kulturore të rëndësisëshme.

Kompleksitetet e Kosovës kësisoj po i shfaqen syve të Evropës, dhe kjo mbetet një meritë e kulturës. Realiteti social, ekonomik e politik i Kosovës po prezantohet përmes artit e kulturës vis-à-vis modernitetit evropian. Mund të themi lirshëm që artistët nga Kosova kanë bërë më shumë sesa që është pritur nga ta, në aspektin e diplomacisë. Ata, nëse jo diç tjetër, kanë krijuar një “autoritet kulturor” në Kosovë, duke i treguar Evropës se një shtet i vogël dhe i sapo-lindur ka potencial të shëndrisë artistikisht, edhe me problemin e vizave dhe me problemet tjera financiare.

Dhe kjo është mbi të gjitha, fuqia e kulturës, kur çon kanarinat dhe dheun e Kosovës në Bienalen e Venecias (Petrit Halilaj), kur shkronja N nga NEWBORN prezantohet në ekspozitë në Londër (Fisnik Ismaili), kur i fton refugjatët për një gotë çaj dhe për diskutim (Alketa Xhafa Mripa), kur Placido Domingo lavdëron një tenor shqiptar dhe shprehë dëshirën të koncertojë në Kosovë (Ramë Lahaj), kur billbordat me gratë e vrara nga Kosova bëhen lajm në The Guardian (HAVEIT) dhe shembuj e shembuj të tjerë ku kultura nga Kosova po futet në ekspozita e në ngjarje në të cilat diçka e tillë as nuk do të paramendohej para rreth dy dekadave.

E vërtetë, Kosova ka plot tregime, ka plot kujtesë, ka plot drejtësi që nuk erdhi asnjëherë e ka plot telefona që nuk cingëruan kurrë. Megjithatë, kemi artistët që shumë qartë e kanë shprehur mesazhin e tyre gjithandej, që Kosova është e pasur kulturalisht dhe e fuqishme artistikisht të jetë pjesë e hartës kulturore të Evropës, pa marrë parasysh çmimin.

Marrë nga EUICC ( http://euicc-ks.com/sq/kultura-si-arma-e-forte-e-kosoves/ )

Dokumentari për Runikun e Petrit Halilajt shfaqet në Washington (VIDEO)

Kultplus ju sjellë artikull në të cilin artist Petrit Halilaj flet për artefaktet që mungojnë, imigrim, mungesën e lëvizjes së lirë shpendët dhe metaforën e tyre. Artisti mbi këto dhe shumëçka tjerë ka diskutuar nga Washingtoni për Zërin e Amerikës.

Artisti Petrit Halilaj ka filluar që t’i përveshet projektit të tij të radhës. Ai është duke qëndruar në Washington ku në Muzeun e Historisë së Natyrës është shfaqur një dokumentar për Kosovën.

Dokumentari është realizuar nga vetë artisti dhe në të flitet për Runikun, fshatin e Komunës së Skenderaj, nëntoka e të cilit përmban objekte arkeologjike të epokës së neolitit. Diçka që e ka nxitur imagjinatën e artistit Petrit Halitaj i cili është rritu në këtë fshat.

“Është një histori e cila vjen prej kohëve të lashta e që është shumë aktuale në jetën e përditshme edhe në identitetin e ri të shteti të ri tonë, Kosovës”, është shprehur Petrit Halilaj për kronikën e realizuar nga Zëri i Amerikës mbi punën e artistit.

Dy koleksione me 1 mijë e 248 njësi nga fond i Muzeut të Kosovës janë zhvendosur në vitin 1999 prej Muzeut të Kosovës në Serbi. Arsyetimi i organizmave udhëheqëse të asaj kohe ka qenë se do të organizohen disa ekspozita. Një bashkëpunim ky në mes të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës ose Autoriteteve të Muzeut të Kosovës të asaj kohe. Disa nga këto artefakte kanë qenë pikërisht nga Runiku të cilat qytetarët edhe sot i kujtojnë.

Kuratori nga Firenca Leonardo Bigazza ai i cili ka qenë në Runik me Petritin është shprehur se ajo që e ka çuditur ka qenë marrëdhënia që banorët kanë me objektet të cilat ata i gjejnë rastësisht.

“Mungesa e institucioneve dhe e muzeut dhe ndjesia se objektet ashtu si shpendët fluturojnë dhe nuk kthehen më kanë lënë një hapësirë për imagjinatë. Prandaj njerëzit spekulojnë dhe krijojnë lloj-lloj mitesh diçka që është po ashtu e veçantë”, është shprehur kuratori.

Artisti Petrit Halilaj ka riprodhuar disa prej objekteve të humbura dhe i ka paraqitur ato në një formë artistike duke i bërë të ngjashme me shpendët që lëvizin apo takohen dhe dashurohen. Një mënyrë kjo e tij për të shprehur nostalgjinë për artefaktet të cilat nuk janë më në Runik.

Institutin Smithsonian sjellë njerëz nga gjithë bota për tu marrë më hulumtime mbi temat të cilat ndërthurin natyrën dhe trashëgimin kulturore. Një mundësi kjo të cilën ky institut ia ka dhënë edhe artistit nga Kosova.

“Ajo që është interesantë për dokumentarin e Petrit është se ai na jep historitë dhe rrëfimet që kanë mbet të varrosura nën këmbët e njerëzve dhe që shfaqën në kopshtet e tyre”, është shprehu antropologu Joshua A. Bell, drejtor i programit në Institutin Smithsonian.

Më e vështirë sipas artistit Petrit Halilaj është krijimi i një identiteti të ri ku të gjithë do të kenë vend. “Kultura për mua është një prej instrumenteve që mundemi me e kuptu se sa është e rëndësishme që të gjithë të jemi pjesë e një shoqërie. Jo vetëm një etni, një gjini apo një fe. Për fat të keq në historinë e kaluar institucionet jo gjithmonë kanë ditë më e përdorë potencialin që kultura ju jep njerëzve për me kuptu”, është shprehur ai.

“Në botë kam udhëtuar me qejf dhe më zor. Më zor janë kujtimet e viti 1998-1999 kur kam migruar si refugjatë në Shqipëri diçka që është pjesë e kujtimeve të mia. Si artist që kur kam filluar të studioj në këto 10-të vitet e fundit, migrimi dhe udhëtimi nëpër botë është esenciale dhe inspirim për mua për me e zhvillu aktivitetin tim dhe jetën time”, ka thënë Halilaj, duke theksuar se ajo që po kërkon në institutin Smithsonia është relacioni në mes zogjve emigrues dhe njerëzve. Tregimin sesi zogjtë nuk kanë vetëm një vend po ekzistojnë duke ju falënderuar mundësisë me fluturu edhe me kalu kontinente, dete e oqeane.

“Unë vijë prej Kosovës, një shtet që është akoma një prej shteteve të fundit në Evropë qytetarët e të cilit pa viza nuk mundëm me udhëtu në Evropë edhe liria për një jetë më të mirë, apo liria e lëvizjes është diçka që më preokupon jo vetëm mua por edhe krejt qytetarët e Kosovës”, përfundon Petrit Halilaj. /KultPlus.com

Artisti Petrit Halilaj, dikur një fëmijë i ngujuar në luftë

Është një fotografi e cila ka shëtitur botën, duke treguar kolonën e shqiptarëve që kërkojnë shpëtim.

Nuk ka ndodhur shumë vite më parë lufta në Kosovë, dhe kësisoj në përvjetorin e pavarësisë së shtetit duhet të reflektojmë e kujtojmë edhe momente të kësaj lufte e cila padyshim është pjesë e formimit të mëvonshëm të popullit të Kosovës.

Artisti Petrit Halilaj është emër i njohur për artdashësit shqiptarë. Por, përtej një Petriti artistik, një fotografi e sjellë sot edhe nga New York Times tregon se një artist si Petriti, një fëmijë i vogël, e përjetoi edhe vet në lëkurën e tij luftën e Kosovës.

Halilaj, fitues i disa çmimeve artistike prestigjioze, asokohe ishte vetëm 11 vjeçar, në vitin 1999, kur edhe u realizua fotografia nga Andrew Testa. Petriti nuk e ka harruar përvojën dhe madje lufta ka qenë fokus i shumë prej punëve të tij artistike të mëvonshme.

Po e sjellim fotografinë sonte. / KultPlus.com

Abetarja dhe bankat e shkollës së Petritit vizitojnë Parisin (FOTO)

Fluturat e Petrit Halilajt tanimë kanë arritur në Paris.

Artisti kosovar, më i pranishëm në skenën e artit se asnjëherë tjetër, në datë 1 dhjetor ka hapur ekspozitën e radhës në Francë.

Ekspozita “Abetare (Fluturat)” e hapur në galerinë Kamel Mennour prezanton punime të reja të Halilajt, një instalacion dhe disa skulptura, që sjelli histori personale të artistit por edhe një copëz nga historia e Kosovës.

Një pjesë e ekspozitës sjellë ciklin “Abetare” nga Halilaj, punë e vitit 2015-të por gjithmonë e perfeksionuar edhe gjatë këtij viti. Ky është një dedikim për librin i cili në një kohë regjimi serb ishte e vetmja mënyrë e dëshmisë së identitetit kulturor shqiptar dhe një mënyrë e mësimit të fëmijëve me gjuhën amtare shqipe.

“Abetare” bëhet gjithmonë më personale, kur secila shkronjë asocon me një fjalë, që mund të jetë kafshë ose objekt, shkruan KultPlus. Shkronja P është fjala Petrit, ndërsa F qëndron për Fluturat.

Pjesa e dytë e ekspozitës sjellë një instalacion me skulptura dhe me tavolina. Tavolinat janë marrë nga një shkollë fillore ku Halilaj ka kaluar fëmijërinë e tij, shoqëruar edhe me fjalë dhe imazhe tjera të kohës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 28 janar të vitit 2018-të. / KultPlus.com

Përmbyllet Bienalja e Venecias, numër rekord i vizitorëve nga mbarë bota

Ekspozita e 57-të e Artit në Bienalen e Venecias këtë vit është vizituar nga 615 mijë vizitorë.

Për gjashtë muaj sa ka qenë e hapur kjo Bienale e Venecias, me pjesëmarrjen edhe të Pavijonit Kosovar dhe atij Shqiptar, rritja e vizitorëve ka ndodhur për 25 për qind nga Bienalja e vitit 2015-të.

31 për qind e audiencës kanë qenë fëmijë nga vende të ndryshme të botës. 120 artistë janë përfshirë në ekspozita, 86 shtete: Antigua, Kiribati dhe Nigeria për herë të parë, dhe 23 organizime artistike kanë ndodhur paralelisht me ekspozitën.

68 universitete nga mbarë bota janë akredituar për ta vizituar këtë Bienale këtë vit, e cila u hap në muajin maj dhe për të cilën shkruam edhe ne si KultPlus, me praninë tonë në hapjen e ekspozitës dhe Bienales në Venecian e bukur të Italisë.

4 mijë shkrime nëpër gazeta kanë pasur fokusin në Bienale, me gjithsej 3400 gazetarë të akredituar. / KultPlus.com

Petrit Halilaj çon Okarinën e Runikut në New Museum në Amerikë

Një ekspozitë e artistit Petrit Halilaj do të hapet nesër në një prej institucioneve artistike më prestigjioze në Nju Jork.

Bëhet fjalë për New Museum, ku Halilaj nga data 26 shtator do të ekspozojë projektin e tij më të ri që ka pikënisje Runikun, qytetin ku ai ka lindur dhe një pjesë me vendbanimet më të hershme neolitike, ku një pjesë e mirë e artefakteve janë gjetur gjatë gërmimeve, shkruan KultPlus.

Mes tyre është edhe Okarina e Runikut, e cila paraqet një trashëgimi të palejueshme për Kosovën pasi është pjesë e koleksionit të objekteve që mbahen nga Qeveria Serbe.

Halilaj, siç përshkruhet në konceptin e ekspozitës, do ti japë formë trashëgimisë e cila ekziston vetëm në imagjinatën e njerëzve.

Halilaj para pak muajsh ka marrë Mirënjohje Speciale në Bienalen e Venecias, në kuadër të ekspozitës Viva Arte Viva. Puna e tij gjithmonë është si provokim artistik për tema të ndryshme, midis tyre edhe një Muze i Natyrës në Kosovë.

Ekspozita në New Museum në Nju Jork ka për kuratore Helga Christoffersen. Kjo ekspozitë vërteton edhe një herë sa i rëndësishëm është artisti Halilaj dhe me sa hapa të fuqishëm po ecë drejt galerive dhe muzeve më prestigjiozë në botë. / KultPlus.com