Nga t’ia mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu… T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit! Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut? Të bëhet çdo njeri që di shkrim e këndim nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik? Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi!
Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk.
Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve! S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë. Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, që u mbyll edhe ai, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë s’kanë për tu hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin epopullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përulur tek njëri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skll, evërit e të fuqishmëve, të bëhemi servila, deri sa të marrim një nëpunësi.
E pastaj? Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spiunazhit, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë që na verbon e na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam. Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi ar, miqtë e popullit. Se kështu është…
Petro Marko, njëri nga shkrimtarët që pati ndikim të madh në letërsinë shqipe, ishte publicist, arsimtar e gazetar, shkruan KultPlus.
Ai ka lindur në Dhërmi më 25 nëntor 1913. Me të kryer filloren në fshatin e lindjes më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932.
Sonte, KultPlus ju sjell një nga thëniet e njohura të këtij autori që la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe.
“Gruaja shqiptare sa eshte e re ka frikë nga babai; kur martohet ka frikë nga burri; e kur plaket ka frikë nga djali”/ KultPlus.com
Nga: Petro Marko (Marrë nga libri, “Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët)
Gjenerali u ngrit dhe bëri një shenjë gjithë nervozizëm. Dikush më mbërtheu nga qafa. Fola: “Es que vous parles français?”
Ai më pa dhe m’u përgjigj: “Ju polakët jeni të ndyrë!” I thashë frëngjisht se nuk isha polak, por shqiptar! Atëherë vetëtimthi më doli para syve figura e priftit që m’u ngjit e më pyeti se ku ishin shokët e tjerë.
Prandaj, u gëzova shumë dhe mora guximin dhe i thashë gjeneralit: “Luftë është, tani vdes unë, nesër ju. Sa për gjermanë unë njoh, madje dhe me emra.” Ai u ngrit më këmbë, i gëzuar më buzëqeshi dhe më tha: “Cilët janë?” Unë iu përgjigja: “Njoh Gëtën dhe Shilerin!”
Atij i ndryshoi menjëherë shprehja e fytyrës. Më tha: “Po ti ç’je?” “Jam një poet shqiptar. Po që të bindeni se unë jam shqiptar dhe informatori juaj ju ka mashtruar, ju lutemi i telefononi ministrit tonë Ernest Koliqi, që më njeh, që e di se kush jam e pastaj më vrisni.”
Gjenerali depërtonte në mendimet e mia duke më vështruar drejt e në sy. Unë rrija i qetë dhe i lumtur se nuk i paskëshin zënë të tjerët. Ishte prifti që më kishte spiunuar si polak… Togeri që përkthente quhej Tenente Kok. Gjenerali i foli gjermanisht togerit Kok dhe ky mori në dorë receptorin e telefonit.
Unë e dija përmendësh numrin e telefonit të Koliqit, se më parë kisha shkuar disa herë në zyrat e tij dhe sekretari, njëfarë Shestani, më kishte dhënë shumë pasaporta për malazeztë e për grekët, shokët tanë, ish-të dënuar (Koliqi më kishte pritur përzemërsisht dhe më kishte uruar që të shpëtoja e të shkruaja vjersha, pasi ai e dinte, qëkur e kisha profesor në Ujë të Ftohtë, se bëja vargje). Ia dhashë numrin togerit, i cili e mori menjëherë. Unë u shqetësova, se Koliqi, duke dëgjuar zërin e Gestapos, ndoshta do t’u thoshte se cili isha unë: luftëtar në Spanjë e të tjera.
Togeri Kok, që ishte tmerri i Romës (këtë e mora vesh më vonë), pas pak nisi bisedën:
– Na falni për shqetësimin, kemi këtu një… që pretendon se ju njeh. – …(Fliste Koliqi.) – Quhet Petro Marko… – … (Fliste Koliqi.) M’u drejtua mua: – Ku e keni njohur dhe çfarë ka botuar Koliqi?- Unë i flisja dhe ai përsëriste në telefon: Në Vlorë, e kishit nxënës, keni botuar “Hija e Maleve”, “Gjurmët e stinëve”…
Ju ka kushtuar dhe një vjershë në “Leka”… – …
(Fliste Koliqi.) – Ju faleminderit shumë dhe na falni për shqetësimin në këtë orë! – tha togeri Kok… Pastaj foli me gjeneralin, gjermanisht.
Ai bëri tri shenja. Më vështroi në sy dhe tha shkurt: – Falëndero Gëten dhe Shilerin. Më morën dhe që andej më shpunë në burgun “Rexhina Çeli”, në një birucë me tetë të tjerë. Aty ishte dhe një jugosllav e një grek. Pas ca ditësh erdhi në burg për takim sekretari i Koliqit.
Më tha të rrija i qetë se do të kujdesej Koliqi. E vërteta është që Koliqi më shpëtoi jetën, se atje ku më shpunë mua: Pensione Xhakarini, rruga “Sicilia”, 10, ishte qendër e Gestapos dhe që aty asnjë nuk kishte dalë i gjallë. Edhe nëse kishte dalë i gjallë ndonjë, kishte dalë invalid përjetë. Këto i mësova në birucë, nga shokët me të cilët flisja, që u thashë se ç’më kishte ndodhur.
Aty mësova se Pensione Xhakarini ditën përdorej si klub i klasit të parë, ku shkonin familje aristokrate dhe pinin ose kërcenin, kurse pas orës 22 kthehej në zyra të Gestapos si në Via Taso. Aty mësova se togeri Kok ishte tmerri i antifashistëve dhe patriotëve, agjent besnik i Hitlerit, kriminel i regjur. Pra, Koliqi më shpëtoi jetën dhe u interesua për mua duke më dërguar sekretarin e tij.
Pas pak ditësh erdhi për t’u takuar me mua peshkopi i Leros (unit). Më takoi dhe me një zë prej kallogjeri më thoshte: “Të na falësh, o bir, se ai nuk ishte prift, po djalli vetë, ai ishte djalli vetë”.
Më tha se e kishte dërguar vetë peshkopi i Via Po-së të më pyeste se ç’dëshiroja, ç’ndihma donim dhe ta dinim se ai i mallkuar nuk ishte prift, po djall i veshur tani vonë prift nga gjermanët. Siç mora vesh më vonë, atë dhe togerin Kok i vranë partizanët italianë.” /KultPlus.com
Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.
Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:
“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.
Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:
– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!
– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.
Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.
Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”. /KultPlus.com
Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja. U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur. -Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi. Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara. Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen… – Zoti e di se ku jemi! – Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa… Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë. Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës. Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam. Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen. – Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh. Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin. Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar. Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja… Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha. Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija. Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë. Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza? Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja: – Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi… Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë. Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin. Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës. Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë. Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin. – Spie! Spie! – (It.: Spiunë! Spiunë!) – A morte le spie che hanno causato miliaia di morti. – (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur). – Traditori! Spie di un cane! – (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!) Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit… Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër. Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor. Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin. – Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve! U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar? – Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë. Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart: – Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët. Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:
Avanti, popolo, alla riscossa bandiera rossa triomfera…
Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë… Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur. Ne tundeshim në erë duke kënduar. /KultPlus.com
Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. /KultPlus.com
Ai do të vijë Ti do ta çosh patjetër Ne do të dalim dhe do ta presim Me tupan e me zurna Do ta marrim do ta hipim Lart mbi supe Do t’i brohoritim Derisa të mos kemi zë
Ai do të vijë Se ne e presim Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin Do të shkelë këmbëzbathur Mbi Dheun tonë Do të ndezë qirinj Te varret tona
Ai do të vijë Ne e shohim ëndërr përnatë Është kripëgjatë Dhe nuk i trembet bishës Që s’na lë të dalim Nga portat e qytetit
Ai do të vijë Ta therë në fyt bishën Do t’i pastrojmë puset Do të gjuajmë peshk Dhe shpesë dhe kafshë Do t’i njomim flitë përsëri
Ai do të vijë Se ne e presim Se ne vdesim përditë e më shumë Se qyteti bie erë kufomë.
Petro Marko (Dhërmi, 25 nëntor 1913 – Tiranë, 27 dhjetor 1991) ishte arsimtar, publicist, gazetar dhe shkrimtar shqiptar i shquar. Ai do të vlerësohet për prozën e tij moderniste, duke thyer rregullat e metodës së realizimit socialist, ndonëse krijimtaria e tij është bërë pikërisht në atë periudhë.
Petro Marko u lind në fshatin Dhërmi, në Himarë, nga prindët Marko e Zoica. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët. Me të kryer filloren në fshatin e lindjes në vitin 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë.
Pasi kreu shkollën vjen në Tiranë dhe me ndihmën e Hilë Mosit, që asokohe ishte ministër Arsimi, caktohet mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhrovjan të Dropullit. Gjatë kohës së qëndrimit në këtë zonë, pati probleme dhe emigron për herë të parë në Greqi, ku qëndron fillimisht në Korfuz dhe më pas shkon në Athinë, ku kishte të vëllanë, Dhimitrin (Mimon). Atje hyn në fakultetin e letërsisë.
Petro Marko kthehet në Tiranë ku Branko Merxhani dhe Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së gazetës “Koha e Re” si organ i qeverisë. Gazeta mbyllet pas pak kohe ndërsa Petro marko shëtit nga një gazetë në tjetrën (“Illyria”, etj.), dhe në vitin 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të. Atë e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogara, k ulirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos. Bashkëpunon në “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t’ia vinte për antipod “Hyllit të Dritës”. Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksist i detyruar nga censura e kohës.
Petro Marko largohet sërsh në Athinë dhe më pas merr anijen për në Marsejë dhe prej andej shkon në Albacete ku ishte qendra e Brigadave Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingëay, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble.
Shkon në Itali nga fundi i ’39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë (maj 1940)… mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit të Jugut të Italisë nga forcat aleate anglo-amerikane largohet sëbashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, E. Koliqit. dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.
Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet ne Shqipëri. Pas çlirimit ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, ku nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. Në vitin 1957 dërgohet mësues në teknikumin “8 Nëntori”. Në vitin 1973 i hiqet e drejta për botim. Në vitin 1975 e fusin në burg të birin, Jamarbërin.
Më 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni.
Thënia që po e sjellim më poshtë është njëra nga më të njohurat e Petro Markos:
“Aty ku flet dhe nuk të dëgjojnë, ku hanë dhe nuk të japin, ngrihu e ik se nuk është vend për ty” /KultPlus.com
Dhe as ajo nuk e kuptoi dot pse u bë dy Ana-Maria!
Njëra ngulte këmbë e thoshte:
-Do të vijë se më pëlqen. Ai është njeri i vërtetë. E ka kuptuar se këtë jetë nuk e bëra ngaqë më pëlqente, po më zvarritën.Ai më do se dhe unë e dua. Do të vijë, se, kur është pranë meje ëndërron, çlodhet, bëhet trim kundër atyre që tallen dhe shkulin lulet e dashurisë. Do të vijë patjetër, patjetër. Kështu ma thotë zemra. E në ardhtë, ç’do t’i them? Nuk do t’i them asgje. Vetëm të jetë pranë meje. Është nata e fundit… Ah, sikur të kishte të tillë rojë dashuria…
Tjetra ia priste:
-Nuk ka për të ardhur, jo. Nuk vjen. Ç’më do mua? Ai e dëgjoi historinë e jetës sime. Ca më shumë shtoi dhe ai katili që deshi të më merrte shpirtin. Pse të vijë këtu? Të flejë me mua? Ai s’eshtë nga ata! Të më premtojë? Ai nuk premton! Të më pushtojë, se është nata e fundit? Të më mbajë? Jam, a s’jam në vete?! Ai është officer…Ai ka rrugën e tij. Ç’më do mua? Të tallen shokët e tij me të? Pse t’i bëhem ferrë! Ai është kaq i mire! Më dha dritë jete… Më bëri të kuptoj se në këtë botë paska edhe njerëz të vërtetë! Po ku janë këta njerëz të vërtetë? Vetëm një, vetëm Leka…Leka. Sa ia di për nder! Ndaj nuk vjen… Nuk do që unë të vuaj më… Nuk vjen,se ai s’di të tallet… Nuk vjen… Nuk vjen…
-Do të vijë patjetër…
-Nuk vjen! Kot e pres. E në ardhtë, ç’kuptova? Nesër unë iki…iki.
-Jo, unë e pres… dhe s’dua të iki. Ku do të vete? Kush më pret mua? Ë. Kush më pret mua?
-Unë e pres, se e dua, apo e pres, se shpresoj mos më mbani këtu? Këtu… se atje më pret fundi…fundi! Ah, tani që njoha dashurinë…
Luftë mendimesh!
Dhe, ndërsa nata, me këngën e saj të yjeve dhe të valëve përpiqej ta qetësonte, ajo vlonte nga një ankth që e lëndonte, e mundonte… Lotët që rridhnin lehtë, zor e kishin ta ngushëllonin, ta lehtësonin! /KultPlus.com
Rilindi madhështore shkaba dykrenore! Rozullitmin çuditi! Në shkëlqim Orizonti shqiptar është’ dhe n’lulzim Fara e kopshtit të vjetër, madhështore Triumfoj prej zgjedhjes s’madhe e shekullore… Engjëlli jetprurës, me mundim Flet, përpiqet e, m’von në mbarin, Liri thërret q’andej prej Vlore!… Agoj… Shkaba u shkund dhe mal mi mal Me mall prej Vlore vallen zuri. U tund Arbnia, zgjohet me nga dal, Rrezët e dritë shikon që i pruri, I kombësis fatos Ismail Qemal. Rroft, emri i Tij, dhe lart, oh, lart Flamuri!
{Pjesët janë shkëputur nga publicistika e Petro Markos e vitit 1936, e shkruar pak kohë para zgjedhjeve parlamentare. Ato janë botuar në organet e shtypit “Arbëria” dhe “Vatra”. Ajo që të bie në sy, është se sa pak kanë ndryshuar kohët, ose më mirë deputetët}
Një hallexhi erdhi në Tiranë. Kishte ardhur edhe herë të tjera, disa muaj më parë, por s’ia kishte vënë njeri veshin. Iu lut deputetëve të krahinës së vet që ta shoqëronin gjer në ministri, por ata, të zënë me plot punë të tjera, u mjaftuan duke i dhënë vetëm kartëvizita për kopistët e arkivistët. Këtë radhë, hallexhiu, s’kishte nevojë për njeri. Por të tjerët kishin nevojë për të. Kur ai po shkonte në ministri, i pari deputet i krahinës së vet që e takoi, desh ta shoqëronte: -O, mirë se erdhe Mehmet Aga! -Mirë se të gjeta, bej. -Ku po shkon kështu? -Ja gjer në ministrinë e… -Po si bëhet, mor jahu, që nuk më ke thënë mua? Unë do të bëj ç’të mundem, për të të plotësuar dëshirën. Ti e di se sa jam kujdesur për popullin që përfaqësoj. -Po, mor tungjatjeta. Të faleminderit, por mundem ta kryej vetë këtë punë. -Jo, xhanëm, si do ta kryesh vetë? Duhet të kesh me vete një deputet, kur shkon te ministri. Përndryshe s’të dëgjohet fjala. -Të faleminderit, por… Katundari desh t’ia thoshte se s’kishte nevojë për të. Mirëpo deputeti nuk e la të mbaronte fjalën. E kapi për krahu që ta shoqëronte në ministri. Hallexhiu, s’kuptonte pse janë bërë kaq të mirë deputetët këto vitet e fundit… (Se afronte koha e votimit dhe deputetët kishin nevojë për votën e tij. Shënim i autorit). Si do të priten deputetët Më falni dhe mos e merrni për ters, mor jahu, se deputetët tanë s’priten kollaj. Fjalën e kam këtu, se qysh tani bëhen përgatitje të mëdha, për të pritur “baballarët” triumfonjës, se e plotësuan mirë detyrën e tyre. -Nga t’ia mbajmë? I thoshte pardje një deputet sivëllait të afërt. -Them t’iu bëj një telegram që të dalin dhe të më presin, se unë e di që ushqej simpati të madhe në popullin bujar të qytetit tim. -Po, po, e kam marrë vesh. Unë mendoj se ku do ta shkoj verën, se që të vete në fshat nuk guxoj, vallahi të them. Dikush më shkroi se janë bërë gati të më presin me saze e gërneta. Unë s’vete se e di që do të më futin në valle… unë mezi lëviz e jo të kërcej. Dhe u mbetet hatri, kur s’kërcen me ta. Atëherë thonë: “Ky s’pranon”, dhe hajde në vjeshtë t’u marrësh ndonjë votë. Meazallah, se s’u bën qejfin, të lënë fare… Prandaj, do të preferoj që të shkoj jashtë dhe të mos piqem fare me asnjë. Se dije, që të çmohesh shumë, mos para eja në kontakt me ta se të njohin. Se më duket, më dolli kripa më, mor katran. -Kam marrë vesh, shtoi një tjetër, që kudo bëhen pritje të mëdha. Gjithë atdheu është në lëvizje. -Mor mirë thua ti, ia priti tjetri, unë kam kohë që lloisem se ç’ këmbë do të hedhim të fundit atë ditë të zezë që do të dalim përgjithmonë nga kjo vatra jonë e shenjtë. E vras mendjen mor jahu… -Jo, mor të vraftë. Për këto lloisesh ti? Po të hedhësh të djathtën, atëherë mot ishalla, do të jesh i partisë së djathtë, e po të hedhësh të mëngjrën, do të jesh i së mëngjrës. -Ç’ janë këto që më thua. Kalama jam unë, apo rezervist që do të më bësh mua talim. Unë them që po të hedhësh këmbën e djathtë do të presin mirë mileti. E po të hedhësh të mëngjrën do të të nxjerrin avaze. Këtë e kam kënduar në “Kujtimet e Nastradinit”. Ndërsa në Tiranë bëhen këto bisedime, ndër katunde dhe qytete përgatisin, pritje të mëdha. Ndër disa vende thonë se do të bëjnë “arco di trionfo” nga do të kalojnë baballarët e kombit, të cilët, në zgjedhjet e ardhshme do të emërohen jo gjyshërit, por stërgjyshërit e kombit. Importimet tona dhe deputetët Një deputet i ynë shkoi te një dyqan mobiliesh për të blerë një sallon. Këto mobilie bëhen këtu, janë të forta, të mira e të lira. Deputeti s’ kishte pëlqyer plaçkat që i dëftuan. Dyqanxhiu i kishte lavdëruar këto dhe i kishte thënë se në Shqipëri s’mund të bëhen më të mira se ato dhe fjalimi kishte vazhduar kështu: Deputeti: – Pffff… S’ më pëlqejnë! Më mirë të sjell nga jashtë një sallon. Dyqanxhiu: – Po ne me se të rrojmë, kur njerëzia të sjellë nga jashtë mobiliet? Deputeti: – Po unë dua mall të mirë dhe me që s’ka këtu, do ta sjell nga Vjena. Dyqanxhiu: – S’kini të drejtë, z. deputet. Me të vërtetë, malli i Vjenës është më i mirë se ai i Shqipërisë. Mirëpo, kjo mund të thuhet edhe për… deputetët. Edhe ne e dimë se deputeti i Anglisë ose i Zvicrës mund të jetë më i mirë se ai i Shqipërisë, por, megjithatë, deputetët nuk i biem nga ato vende dhe kënaqemi me ata që kemi këtu!..
Ata që duan ta marrin vesh se cili është deputeti në fjalë, le të drejtohen në zyrat e “Arbërisë”. /KultPlus.com
Dhe as ajo nuk e kuptoi dot pse u bë dy Ana-Maria!
Njëra ngulte këmbë e thoshte:
-Do të vijë se më pëlqen. Ai është njeri i vërtetë. E ka kuptuar se këtë jetë nuk e bëra ngaqë më pëlqente, po më zvarritën.Ai më do se dhe unë e dua. Do të vijë, se, kur është pranë meje ëndërron, çlodhet, bëhet trim kundër atyre që tallen dhe shkulin lulet e dashurisë. Do të vijë patjetër, patjetër. Kështu ma thotë zemra. E në ardhtë, ç’do t’i them? Nuk do t’i them asgje. Vetëm të jetë pranë meje. Është nata e fundit… Ah, sikur të kishte të tillë rojë dashuria…
Tjetra ia priste:
-Nuk ka për të ardhur, jo. Nuk vjen. Ç’më do mua? Ai e dëgjoi historinë e jetës sime. Ca më shumë shtoi dhe ai katili që deshi të më merrte shpirtin. Pse të vijë këtu? Të flejë me mua? Ai s’eshtë nga ata! Të më premtojë? Ai nuk premton! Të më pushtojë, se është nata e fundit? Të më mbajë? Jam, a s’jam në vete?! Ai është officer…Ai ka rrugën e tij. Ç’më do mua? Të tallen shokët e tij me të? Pse t’i bëhem ferrë! Ai është kaq i mire! Më dha dritë jete… Më bëri të kuptoj se në këtë botë paska edhe njerëz të vërtetë! Po ku janë këta njerëz të vërtetë? Vetëm një, vetëm Leka…Leka. Sa ia di për nder! Ndaj nuk vjen… Nuk do që unë të vuaj më… Nuk vjen,se ai s’di të tallet… Nuk vjen… Nuk vjen…
-Do të vijë patjetër…
-Nuk vjen! Kot e pres. E në ardhtë, ç’kuptova? Nesër unë iki…iki.
-Jo, unë e pres… dhe s’dua të iki. Ku do të vete? Kush më pret mua? Ë. Kush më pret mua?
-Unë e pres, se e dua, apo e pres, se shpresoj mos më mbani këtu? Këtu… se atje më pret fundi…fundi! Ah, tani që njoha dashurinë…
Luftë mendimesh!
Dhe, ndërsa nata, me këngën e saj të yjeve dhe të valëve përpiqej ta qetësonte, ajo vlonte nga një ankth që e lëndonte, e mundonte… Lotët që rridhnin lehtë, zor e kishin ta ngushëllonin, ta lehtësonin! /KultPlus.com
Banonim në pallatin numër 64, një pallat i verdhë në formë L-je, pranë maternitetit të vjetër të Tiranës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” atëherë, sot “Zogu i Parë”. Nuk di si ia kanë ndryshuar ngjyrat tani, por atë kohë mbahej si nga pallatet më të mirë. Familja e Petro Markos banonte në shkallën e dytë, kati i dytë djathtas, pikërisht mbi hyrjen e pallatit dhe përballë kishte familjen Fishta, familje dëshmori. I biri, Jamarbër, ishte djalë me një fantazi të zhvilluar dhe pak më i madh se ne në moshë. Arianitës apo Tekës, siç e thërriste Safua, i pëlqente piktura dhe çokollatat. Më vonë, kur familja u bë me halle shumë, ajo mbajti mbi supe gjithë barrën e saj. Ai pallat kishte pesë hyrje dhe mjaft fëmijë që ta mbanin zgjuar pallatin gjithë ditën, me përjashtim të orës 3-5 pasdite, gjatë verës, ku nuk duhej të pipëtinte asgjë. Në atdhe akoma mbahet ky orar pushimi, ne këndej përtej oqeanit e kemi harruar fare. Petro Marko, burrë i pashëm, portreti i të cilit është përjetsuar në skicën e famshme të së shoqes, Safos, në profil , me kaçurelin në ballë e cigaren në buzë, për ne fëmijët ishte autori i ‘Shpellës së Piratëve’. Tek ai shikonim Rusman El Namsurin dhe Mejreme El Mejrem al Katar… Kur doli novela e ftuan në shkollë të na fliste për të. Shkolla jonë fillore, “Lidhja e Prizrenit”, qe vetëm një rrugë më tutje, fill pas murit të Dervish Hatixhesë… Eh, këtu më zgjohen kujtime të tjera, por nuk do të ndalem tek to, për të mos u larguar nga tema. E vërteta është që në atë moshë që ishim ne, shkrimtari nuk na dukej i MADH. Petro Marko ishte si të gjithë prindërit tanë, bënte edhe ai pazar me ato rrjetat plastike, nëse ju kujtohen, që nuk di pse u këputeshin fijet e domatet binin rrugës. Dyqanet ishin aty rrotull. Kur nuk kishte rrjeta në dorë, mbante duart prapa e cigaren në buzë. Shëtiste. Njëherë mbajti këmbët e ktheu kokën pas. Sapo kishte kaluar një grua e bukur. Ne gocat e klasës së katërt fillore vumë dorën tek buzët e kukurisëm pak dhe pastaj vazhduam lojën. Luanim sa shqepeshim, tërë ditën e ditës. Për ne fëmijët shejtanër të pallatit 64, oborri qe dhurata më e madhe që mund të na bëhej. Mënyra se si qe ndërtuar ai, si bryl që bashkonte rrugën e Fortuzit me bulevardin, kishte krijuar nga brenda një oborr të madh trekëndësh, që na mbante tërë ditën aty. Madje ftonte edhe fëmijë të tjerë nga pallatet përreth. Aty luanim me top, luftash, shtetesh, pincash dhe kumançe. Kjo e fundit ishte lojë e preferuar për ne, por jo për banorët që ankoheshin, sepse ne përdornim hyrjet e shkallëve të pallatit si “pozicione” e bënim zhurmë. Zakonisht, shkalla e parë dhe e dyta ishin më të mirat se aty fqinjët ishin “më të urtë”. Shkalla e dytë, me xhamat e thyera, ku banonte familja Marko, na jepte dorë më shumë. As shkrimtari e as e shoqja nuk u ankuan asnjëherë nga ne, ndërkohë që nga shkallët e tjera na përzinin. Një pasdite shiu, tek ishim mbledhur aty duke treguar barcaleta, shkrimtari mbajti këmbët e më zuri bishtalecin. Bashkë me të qe edhe e shoqja, Safoja. – Ja, për këtë vajzë të kam thënë t’i bësh një portret… – Ah, mbesën e nënë Davës! – tha ajo, duke vënë buzën në gaz. Me gjyshen time ata kishin muhabet. Petro vinte për vizitë dhe i dëgjoja që flisnin për tema interesante, për zakone të krahinave e tradita historike. Madje aty më zuri veshi për herë të parë që thuhej se himariotët mendohet të jenë nipër të mirditorëve. Flisnin për origjinën e emrave katolikë të bregdetit. Tregonin edhe një gojëdhënë, të cilën nuk e harrova tërë jetën. Qe për Kurveleshin. Unë kisha parë në shtëpinë e gjyshes librat e Petros Markos “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit”. Nga nëna kisha dëgjuar që Petro kishte qenë luftëtar në Spanjë. Një djalë i ri nga bregdeti shqiptar kishte shkuar të luftonte për Spanjën! Tek ne vinte shpesh për vizitë edhe Dr. Konçita, mjekja e talentuar spanjole, mikeshë e mamasë, e ndonjëherë vetiu lidhej biseda për Petro Markon, që kishte luftuar në Spanjë. Atje kishte qenë edhe Heminguej, por luftëtari shqiptar i Spanjës pat rënë në burg. (Thonë që e liroi romani i tij “Hasta la Vista” meqë edhe kryeministri i vendit kishte luftuar në Spanjë). Ja një fragment nga letra, që Heminguej i madh i kish dërguar Petro Markos: “I dashur Petro, mora romanin tuaj “Hasta la Vista” dhe ju falënderoj. Mjerisht unë nuk e lexoj dot se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari që do njerinë dhe vdes për të, shkruan mirë”. Ernest Heminguej”. Jeta fluturon shpejt, kujtimet zbehen, por Petro Marko ka për të mbetur i pavdekshëm për lexuesin për veprën që la dhe i paharruar për të gjithë ata që e kanë njohur personalisht, për portretin njerëzor, qoftë edhe për portretin e tij në atë skicën e thjeshtë bardhë e zi, profilin me një kaçurel në ballë, një cigare në gojë e tymin e saj që dridhet në ajër. /KultPlus.com
Petro Marko gjatë kohës që qëndroi në Spanjë me brigadat internacionale, pati rastin të takohej me shumë personalitete të artit dhe letërsisë. Ndër personazhet më të rëndësishëm që ka takuar është edhe shkrimtari amerikan Ernest Hemingway.
Në librin autobiografik ‘Retë dhe gurët’ Petro Marko e kujton Hemingwayn si më poshtë:“Para se të mbaronim kursin në Pozo Rubio, erdhën shumë personalitete dhe na folën. Mbaj mend kur na erdhën Hemingueji dhe Ehremburgu. Isha kureshtar për këto dy figura të njohura dhe u shkoja pas. Pas fjalimeve që mbajtën-i pari foli për luftën e bashkimit dhe të clirimit të Shteteve të Bashkuara, i dyti për luftën e Napoleonit në Rusi-na dhanë cigare.
U shkoja pas. I tha Ehremburgu Heminguejit:- Shumë i rënduar je me këta hekura në sup e në kurriz!(se Hemingueji ishte i ngarkuar me aparate kinematografike, me armë, me dylbi, me bomba, xhironte filma nga fronti dhe i shiste për Republikën.) –
Më shumë më rëndojnë mendimet sesa hekurat! iu përgjigj Hemingueji.
Unë i kisha parë këta dy shkrimtarë në Konferencën e Shkrimtarëve Antifashistë, që u mbajt në Valencia.
Mbaj mend se nga Bashkimi Sovjetik ishin Aleksej Tolstoj, Ehremburgu e të tjerë. Nga Gjermania-Ana Segers, Ludvig Reni. Ishin aty Pablo Neruda, Nikolas Guilen, Cezare Valejo, Neksoe, Andre Marlo e shumë e shumë shkrimtarë e poetë nga Anglia, Amerika Latine, Evropa. Unë isha si i ftuar dhe dëgjoja zërin e kulturës botërore nga goja e njerëzve më të shquar të letërsisë së këtij shekulli”./KultPlus.com
Ideja ishte e Asimit dhe e Demirit. “Të botojmë një revistë”. Këtë ide e pranuan edhe shumë shokë të tjerë, sidomos Skënder Rusi, Zef Mala, Vasil Shanto, Vasil Kushi, Reshat Këlliçi, të cilët më vonë u bënë edhe si kolegjium i redaksisë. Të tjerët, që pretendojnë të kenë qenë në këtë nismë dhe në këtë kolegjium (këtu nuk po përmend emra), as që e dinin se ku qe redaksia e “ABC”-së dhe as që i pamë ndonjëherë. E vërteta është se unë u kërkova të gjithëve bashkëpunim, por thirrjes sonë iu përgjigjën menjëherë vetëm Dhimitër Shuteriqi dhe Shevqet Musaraj. Të tjerët nuk na dërguan asnjë shkrim për numrin e parë. Kryeartikulli u shkrua nga të gjithë (Asim Vokshi, Vasil Shanto, Reshat Këlliçi, Vasil Kushi, Skënder Rusi), por më në fund u vendos që ta kopjonte në gjuhën e mesme Reshat Këlliçi. Artikullin programatik e shkroi Tajar Zavalani, me pseudonimin ZAKS. Artikullin për rininë e shkroi Branko Merxhani. Një artikull problematik ekonomiko-shoqëror e shkroi Bedri Pejani, me pseudonimin “Sos”. Të hollat i mblodhi Asimi, nga grupi i oficerëve që kishin rroga të mira dhe ndihmonin kurdoherë. Shtypshkronjën e gjeti Asimi. Ishte shtypshkronja e vogël “Ora”, ku botohej dhe organi i Komunitetit Mysliman. Numri i parë doli në shkurt me tirazh 10.000 copë. Ishte tirazhi më i madh që ishte parë gjer atëherë. Revista u shit menjëherë. Në Kuçovë dërguam 3000 copë dhe Rexhep Luga, që punonte aty në postë, na dërgoi të hollat dhe kërkesa për të shkruar artikuj për punëtorët e Kuçovës, që ishte qendra më e madhe e punëtorëve…
Migjeni na shkroi një letër të gjatë, ku na këshillonte që të mos nxitoheshim e të mos i binim murit me kokë. Ai do të bashkëpunonte me revistën, por ne duhej të kishim shumë kujdes e të mos linim rast për masa administrative nga ana e qeverisë. Ne ishim për zhurmën, alarmin, paçka se revista mund të mbyllej. Na kishin thënë disa herë shokët se duhej ta shfrytëzonim këtë rast të “shtypit të lirë”, që la përkohësisht qeveria liberale e Mehdi Frashërit. Mua më caktuan si drejtor politik dhe unë iu drejtova qeverisë për lejen e botimit të një reviste artistiko-kulturore…
Përveç Migjenit, edhe Branko Merxhani, me të cilin bashkëjetoja në një dhomë, nuk e pëlqeu vrullin tonë. Ai ishte i mendimit që ne të merreshim më shumë me art e kulturë për popullin, sesa me ngritje problemesh themelore për jetën dhe shoqërinë tonë. Prandaj nuk na dha ndonjë shkrim tjetër për numrin e dytë të revistës. Më kujtohen fjalët e tij: “Keni një revistë në dorë. Mbajeni që të hani bukë ti, Asimi, Demiri e te tjerë. Po me një kusht: mos shkaktoni zemërimin e qeverisë. Ju kërkuat leje për një revistë artistiko-kulturore dhe e kthyet në manifest politik revolucionar! Kush t’i lejon këto, more Petro! Ju ende nuk e keni kuptuar mirë politikën e Zogut! Ai është i mprehtë dhe kërkon të mbretërojë i qetë dhe jo me andralla. Edhe ju e pësuat si Fan Noli! Dale, more djema! Mos u nxitoni, se Zogu nuk lejon propagandimin e hapur të komunizmit dhe të revolucionit”.
Megjithatë, numri i dytë qe edhe më revolucionar. E dërguam në shtyp. Unë shkrova kryeartikullin “Urra, mbi Tiranë”, ku thosha se të gjithë duhej të vinin në Tiranë, se vetëm në Tiranë kishte bukë, kishte jetë. Kisha shkruar dhe një artikull për punëtorët e Kuçovës: “Bajrami në Kuçovë”, ku tregoja jetën e mjerë të punëtorëve të Kuçovës, që banonin në kasolle të bëra me karton dhe thasë çimentoje. Numri i dytë mbaroi së shtypuri dhe unë me Asimin po e paketonim në shtypshkronjën e vogël “Ora”, kur na erdhën dhjetë xhandarë, me në krye kapitenin Zef Prenushi, të cilin e njihte mirë Asimi. Ai na tregoi shkresën: “Drejtori i revistës, Petro Marko, të arrestohet dhe revista të digjet!”. Ai qeshte dhe, kur hapi revistën e nisi ta shfletonte, theksonte me zë: “Bobo, ç’paska këtu! More Asim (i tha me zë të ulët), merr ca kopje dhe nxirri shpejt, se do ta djegim këtu në oborr”. I ndihmuar nga një radhitës, Asimi nxori nja pesëqind kopje që qarkulluan më vonë ilegalisht. Mua më lidhën dhe më shpunë drejt e te ministri i Punëve të Brendshme, Zoti Ethem Toto. Sapo hyra i lidhur në zyrën e tij, ai u ngrit më këmbë dhe i egërsuar më thirri: – Jo ti, po 3000 Leninë të jenë në Shqipëri, nuk e bëjnë dot komunizmin! Aq sa bëhet limoni në Peshkopi, aq bëhet dhe komunizmi në Shqipëri. Unë e kam lexuar dhe e lexoj “Kapitalin” e Marksit, por komunizmi është për vendet e zhvilluara, me industri të madhe, ku ka miliona punëtorë dhe jo këtu, ku popullin jeton në mizerie. – Pastaj e uli zërin dhe, duke më shikuar në sy, më tha:
– Agjent i Moskës! Na gënjeve, prandaj ta dhamë edhe lejen e revistës. Çt’i bëj tim vëllai, që ka besim te ju! Unë iu afrova dhe e vendosa këmbën mbi tryezë. Këpuca ishte grisur, dukeshin gishtërinjtë e këmbës… – Po të isha agjent, si thoni ju, do të kisha edhe këpucë! Unë jam agjent i atyre që janë si unë, këmbëzbathur, kurse ti, që je këtu, në këtë kolltuk, je agjent i Romës. Moska nuk ka nevojë për agjentë!”. – Hiqe këmbën! më thirri.
Unë nuk e hiqja. Atëherë ai më shtyu dhe rashë në dysheme i lidhur. Në atë çast hyri brenda Ismeti, vëllai i tij dhe i bërtiti: – Ç’bën kështu, more i marrë! – dhe m’u afrua e më ngriti. – Hiqja zinxhirin nga duart! – bërtiste Ismeti, dhe më mbante pranë. Erdhi xhandari dhe më hoqi prangat… Atëherë ministri iu kthye të vëllait, Ismetit: – Pa shiko se çfarë reviste kanë nxjerrë! Revistë bolshevike! – dhe tundte numrin e dytë të “ABC”-së, që mbante në duar. – Këta na kërkuan leje për një revistë kulturore, ashtu siç më the dhe ti, por përfituan, ia bënë fora. Po lejohet kjo? I lejon Lartmadhëria e tij këto botime bolshevike?
Më shpunë në zyrat e policisë, andej nga Rruga e Dibrës. Më mbajtën gjithë natën. Të nesërmen në orën 10.00 më çuan në Kryeministri. Më futën në sallën e pritjes. Qëndroja më këmbë. Hyri Mehdi Frashëri, kryeministri, i cili, sapo më pa të lidhur, urdhëroi menjëherë të më hiqeshin prangat. Më tha të ulesha në një kolltuk shumë të rehatshëm. Edhe ai u ul pranë meje. Më hodhi dorën në qafë dhe pak a shumë më tha këto: – Edhe unë jam persekutuar për tridhjetë vjet e ca, por nuk jam mërzitur! – Po ju, nga kush jeni persekutuar? – i thashë. Ai qeshi me të madhe:
– Nga kush persekutohet njeriu i ndershëm, ë? Ti je i ri. Mos u mërzit, dhe pa dëgjomë pakëz! – e më shikonte në sy. Ishte një burrë simpatik, që, sipas meje, nuk i bënte keq as mizës. – Ne e dimë që jemi populli më i varfër i Evropës. Por pa më thuaj pakëz, si rrojmë? Kemi një dhi, kemi një dele, një lopë, një pulë, një copë arë, hamë ndonjë kukurec, ndonjë kokë të pjekur, bëjmë përshesh me dhallë e me kos. Diçka hamë, prandaj dhe jemi gjallë, apo jo? Po ju, me shkrimet që bëni, na nxitë fare! S’kemi e s’kemi. Po, s’kemi mend në kokë! Nuk punojmë, nuk dimë të punojmë, jemi dembelë, presim nga Perëndia. Nuk dimë, jemi një popull injorant. S’themi të mos shkruani, por shkruani që jemi dembelë, që duhet të punojmë, të shtojmë bagëtinë, të shtojmë ugaret, të shtojmë pemët, të lëvizim, ta bëjmë tokën pjellore. Kemi një tokë të mirë. Apo jo? Ja, këto shkruani, more bir! Të zgjohet fshatari! Por fshatari nuk di të lexojë fare! Ç’të shkruani! Mos e bëni edhe ju si një katundar që qahej e thoshte: “S’kam gjë prej gjëje, po më vdes fëmija për bukë!”. Por ai kishte një lopë, kishte dhjetë dhi, kishte pula, kishte me se të rronte, po ama përditë avazin e Mukës: s’kam asgjë, po vdes nga uria. Ndillte të keqen. I ngordhi lopa. I ngordhën dhitë, i ngordhën dhe pulat. Aman more djalë, mos na ndillni zi, se diçka kemi. Duhet të lëvizim e të punojmë, të çalltisim, të jemi më të gjallë dhe jo të ndjellim babëzinë. Ju, si të rinj me kulturë, që e doni popullin, mësojeni popullin të jetë më i gjallë. Ai fliste shumë dhe mendimet i ilustronte me fjalë të urta të popullit. Pastaj më mori për krahu dhe më futi në kabinetin e tij, ku ishin mbledhur gjithë ministrat, këshilli ministror. Me dorën e tij në qafën time, ai, sapo u fut, tha: – Ja ku e kemi! Shiheni! Ç’t’i bëjmë, ta varim? – dhe buzëqeshi.
Nuk i vura re fytyrat e të tjerëve. Shikoja fytyrën e Et’hem Totos. Ai u ngrit e tha: – Do ta gjykojë gjyqi politik! Ka shkelur ligjet tona. Kemi ligje në fuqi. Tani jemi mbledhur këtu t’i heqim lejen e revistës. Unë ju propozoj që lejen t’ia heqim, se ka shkelur ligjet. Ka botuar një revistë revolucionare. Ja se ku është lutja që ka bërë për lejen. (E lexoi lutjen ku kërkoja leje për një revistë artistiko-kulturore). Pra, revista që nxori ky, nuk është artistiko-kulturore, po revolucionare. Kërkoj nga ju të gjithë që t’i hiqet leja. U pranua unanimisht heqja e lejes. – Tani ne s’kemi punë më me të. Punë ka gjykata politike! – përfundoi Ethem Totoja, që ishte më këmbë. Pas një ore më çuan në gjyqin politik. Aty gjeta dhe Asimin, në bankën e të akuzuarit. Më buzëqeshi dhe me këtë deshi të thoshte: “Mos çaj kokën”. Prokurori: Kiço Bisha. Kryetari i gjyqit: Bilal Nivica… Pyetjet që më bënin, ishin që të dinin se cilët fshiheshin pas pseudonimeve. U përgjigjesha se, përderisa isha përgjegjës politik i revistës, pranoja se të gjitha shkrimet ishin të miat. Më pyetën nëse kishte shkruar Asimi. Ua përsërita: – E marr unë përgjegjësinë për të gjitha shkrimet që janë botuar pa emër ose me pseudonime! Gjyqi nuk zgjati shumë. Vendimi: Internim në Porto Palermo, gjashtë muaj. Kështu u mbyll historia e revistës sonë “ABC”. Pas Çlirimit, numrin 2, që u ndalua, ma dha Ali Bakiu, që e kishte fshehur, ose, më saktë, ma dha kur i shkova në shtëpi, ku gjeta dhe Gogo Nushin. Aliu aso kohe ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. E njihja nga Demiri dhe Asimi. Ai na ruante shume shkresa dhe shtypin ilegalqë vinte nga jashtë. Atij i dhashë dhe disa fotografi që i bëra në Korçë, gra që demonstronin para prefekturës dhe xhandarë që i shtynin me bajoneta. Ishin të mira dhe u botuan disa herë me raste përkujtimesh të demonstratave. Aliu doli në kopsht, gërmoi me kazmë dhe nxori një tub të vogël prej llamarine. E hapi dhe nxori numrin 2 të “ABC”-së. E kam ruajtur, – më tha… /KultPlus.com
Petro Marko për tërmetin
e 1967-s. Prologu dhe Epilogu i një tërmeti.
Nga Gëzim Llojdia
Shkrimtari
Petro Marko kishte vite i gjendur në hije nga pushteti
i kohës, shpesh pa punë dhe me degdisje larg dhe nën frikën e
arrestimit. Duhej tërmeti i vitit 1967-s që dikush do të
ndërmendej për shkrimtarin e njohur. Në kujtimet e tij ai e shqyrton edhe këtë
rast. Ndërsa te gazeta letrare e kohës gjejmë shkrimin e tij: “Prologu dhe
Epilogu i një tërmeti”.
1.
Ja çfarë shkruan shkrimtari Petro Marko në vitin 1968 vetëm pak muaj pas tërmetit të vitit ’67. Ky tërmet, kaq vite më vonë ndodhte në bregun e qytetit të lashtë të bukuroshes së Durrësit, mirëpo ai përsëritej, shqiptarçe njësoj.
“Ra tërmeti,
shkruan P. Marko. Dëme të mëdha! Dimër. Shtëpi të rrënuara. Fëmijë dhe pleq
përjashta. Thirrja dhe vendimi i Partisë dhe i Qeverisë: “Të gjithë banesat të
ndërtohen brenda muajit. Falas dhe cilido, me dëshirë, le të dalë vullnetar për
të ndihmuar”.
…”Midis
kolonave të makinave, karvanëve të kuajve, të njerëzve që mbushnin
rrugët dhe monopatet e ngrira, ne do të shohim dhe një të ri
dymbëdhjetë vjeçar. R. S. Ballën nga Uraka e Librazhdit. Që natën e parë nga
fshati i tij u nis një karvan me kuaj e mushka. Ky karvan i ngjitej
malit . Dhe stuhia zemërake kërkonte që ta ndalonte marshimin e
këtij karvani, që shkonte në zonat e Çermenikës së zezë për të ndihmuar.
Burrat, duke mbajtur kuajt dhe mushkat nga kapistra me kujdes të madh
kapërcenin shtigje shumë të rrezikshme. Në fund të karvanit dëgjohet një këngë.
Ata që ishin në bisht të kësaj kolone dëgjuan: “Cili do jetë?”
Kënga
vazhdonte. Zëri i atij, që e këndonte këtë këngë revolucionare, herë
bëhej si zë vajze dhe herë si zë fëmije…Ndalën. Presin. Dhe shohin një të ri që
tërhiqte mushkën e tij. E këshilluan të kthehej prapa. Se rruga
ishte e gjatë dhe vështirë. Po pionieri Ramazan u tha:
-Kot e
kini! Unë do të vij me ju….Jam pionier…As tufani dhe as tërmeti nuk më tremb.
Burrat
u këshilluan midis tyre dhe pasi e panë, që ky pionier nuk kthehej kurrë
prapa,vendosën që ta merrnin. Dhe ky u tha:
-Ju
falem nderës? Tani një gjë ju lutem!
-Çfarë
kërkon më?
-Të
këndoni, bashkë me mua…
Dhe
kënga krisi. Tufani frynte më me zemërim. Po kënga përzihej me
uturimën e tij .
2.
Duke
vijuar me skicën e shkrimtarit të njohur Petro Marko në pjesën e dytë të
titulluar: “Epilogu”, shkruan:
“Kur
Ramazani kthehej fitimtar nga betejat në fshatin Mirakë, kooperativistët kishin
shtruar një drekë për vullnetarët nga Përmeti dhe Cërriku. Shtëpitë e dëmtuara
rëndë ishin ndërtuar, të rejat kishin përfunduar shtatë ditë para afatit. Dhe
tymi dilte nga oxhaqet e gjithë fshatit të vogël, i cili një vit kish që ishte
bërë kooperativë dhe bukën e kishte prodhuar, për një vit e gjysmë,
kurse më parë nuk bënte bukë as për pesë muajt e vitit…”
Shkrimtari P. Marko në këtë pjesë vijon të përshkruajë kohën kur përfundoi ndërtimi banesave të shkatërruara nga tërmeti, kjo fatkeqësi natyrore është fiks sipas një proverbi shqiptar: “E gjen nga s’e pandeh” të godet kur nuk e pret, por për vullnetarët që kishin lënë vatrat e tyre në ndihmë të vëllezërve puna dhe entuziazmi nuk reshtnin. Këngë e valle, shkruan shkrimtari. Autori përmend edhe drejtuesit politikë të kësaj zone që gjendeshin në këtë vend. Me poshtë thotë: “Vajza dhe djem, dorë më dorë me specialistët nga Përmeti dhe nga Cërriku, hidhnin vallen fitores.” Shkrimtari, duke e përshkruar këtë çast rindërtimi, thotë se një vashë e re, të cilës shtëpinë ia rrafshoi tërmeti, pasi shprehu mirënjohje për ndërtesën e re, i fali kooperativës, dy qetë që kishte si pasuri të vetme. Vasha e re që besonte në këtë ideal të kohës thoshte: “Se puna im dhe ëndrra ime i kushtohet fshatit tim. Kënga u ndez edhe më shumë. Të tjerë fshatarë nisën t’i falnin kooperativës së tyre të re malore atë që kishin. Kryetari në emër të shokëve mori angazhime të reja. Për faljen e borxheve. Për ndriçimin e fshatit me dritë elektrike… Duke përmbyllur këtë episod nga zona malore ku tërmeti i vitit 1967 dëmtoi fshatra të tërë në dimrin e atij viti, shkrimtari P. Marko thotë: “…Ky ishte epilogu, pas fitores kundër armikut, që na sulmoi në befasi nga fundi i dheut dhe që e dërmuam brenda tre javëve….”
“Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët.
U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur!
Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit…
Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:
Gjunjëzohuni!
Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.
– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!
Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.”
(Pjesë e shkëputur nga “Intervistë me vetveten”) / KultPlus.com
Petro Marko, njëri nga shkrimtarët që pati ndikim të madh në letërsinë shqipe, ishte publicist, arsimtar e gazetar, shkruan KultPlus.
Ai ka lindur në Dhërmi më 25 nëntor 1913. Me të kryer filloren në fshatin e lindjes më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932.
Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin” e Marksit. Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hil Mosin, asokohe ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jepte Asim Vokshi. U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për në Athinë, ku kishte të vëllaun Dhimitrin (Mimon).
Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut – verë 1935. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet ne Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve tjerë në kohen kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”. 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Romani “Çuka e shtegtarit” – 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s’ia pranuan e nuk u botua. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni.
Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar.
Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik. Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi. Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës.
Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar.
Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara.
Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë ta botonte.
Për nder të 106 vjetorit të lindjes së tij, KultPlus ju sjell njërën nga poezitë e tij më të bukura, që mban titullin ”Deri kur?”
Deri kur?
Deri kur i arratisur
i pastrehë në mërgim
deri kur, o shpresëngrysur,
do të endesh pa drejtim?
Kthehu lumëmadh në atdhe, mbaje në gji atë flamur që valon i fshehtë atje! Bëhu burrë! Po deri kur… / KultPlus.com
Nga t’ia mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu… T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit! Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut? Të bëhet çdo njeri që di shkrim e këndim nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik? Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi! Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk. Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve! S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë. Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, që u mbyll edhe ai, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë s’kanë për tu hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin epopullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përulur tek njëri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skllevërit e të fuqishmëve, të bëhemi servila, deri sa të marrim një nëpunësi. E pastaj? Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spiunazhit, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë që na verbon e na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam. Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi armiqtë e popullit. Se kështu është…
Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk.
Nga t’ia mbajmë? (shkruar në vitin 1936) Petro Marko
Nga t’ia mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu… T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit! Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut? Të bëhet çdo njeri që di shkrim e këndim nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik? Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi!
Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk.
Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve! S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë. Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, që u mbyll edhe ai, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë s’kanë për tu hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin epopullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përulur tek njëri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skllevërit e të fuqishmëve, të bëhemi servila, deri sa të marrim një nëpunësi.
E pastaj? Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spiunazhit, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë që na verbon e na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam. Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi armiqtë e popullit. Se kështu është…
Një ndër autorët më të mirë shqiptarë, i cili për fat të keq vlerësohet jo aq sa duhet, është Petro Marko. Me librat e tij “Nata e Ustikës”, “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit” e të tjerë, ai krijoi të parat vepra shqipe të letërsisë së brezit të humbur.
Fati kishte dashur që një herë e një kohë, ai të takohej me laureatin e mimit Nobel, shkrimtarin e madh Ernest Heminguej.
Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:
…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.
Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:
-Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!
-Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.
Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin “Hasta la vista”. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta “I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë”.
Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: “I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”
Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste
Sot e atë mot E varim në dardhë Dashurinë e tij të madhe Dhe kryqin e marrim në shpinë Duke pritur të ndodhë mrekullia Eshtrat i bëjmë grumbull Në Kodrën e Kafkave/KultPlus.com
Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë.
Gjatë viteve ’70 më erdhën në shtëpi Esat Mekuli, Hasan Mekuli, Rexhep Qosja Ali Aliu, i cili vendosi që të bënte një biografi për mua. Ai shkroi librin “Krijuesi dhe koha” për jetën e veprimtarinë time letrare dhe me atë punë mbrojti doktoratën.
Kam marrë shumë letra nga lexues të thjeshtë, nga studentë, nga njerëz të artit e të kulturës dhe nga familjarët e heronjve dhe luftëtarëve të Spanjës. Tek unë në Shqipëri erdhën të më takonin: Mahiri, i vëllai i Xhemal Kadës, Luljeta, e bija e Emrush Myftarit, një djalë i mrekullueshëm kosovar, i cili u kthye gjallë nga lufta e Spanjës dhe e gjeti vdekjen në Kosovë nga dora e serbit Milladin. Mahir Kada më telefonoi e më njoftoi se kishte dalë në treg seria e plotë e veprave të mia në Kosovë dhe se duhej të shkoja atje për të marrë shpërblimin që më takonte si shkrimtar, kurse unë në telefon iu përgjigja: “Asnjë shpërblim nuk pranoj, por ato që më takojnë do t’i vini në shërbim të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës me emrin e Asim Vokshit që po ndërtoni.”
Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë deri më sot. Mbeti një ëndërr. Këtë dëshirë e kam shfaqur me të gjithë kosovarët. Për çudi, për mua kufiri ishte i papërcaktueshëm. Edhe kjo është një nga dhimbjet e mia. E dua Kosovën gjer në dhimbje, se është Shqipëri!