Sot 105-vjetori i lindjes së Petro Markos

Petro Marko ishte arsimtar, publicist, gazetar, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. Ai ka lindur në Dhërmi më 25 nëntor 1913. Me të kryer filloren në fshatin e lindjes më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932.

Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin” e Marksit. Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hil Mosin, asokohe ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jepte Asim Vokshi. U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për në Athinë, ku kishte të vëllaun Dhimitrin (Mimon).

Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut – verë 1935. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet ne Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve tjerë në kohen kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”. 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Romani “Çuka e shtegtarit” – 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s’ia pranuan e nuk u botua. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar.

Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik. Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi. Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës.

Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar.

Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara.

Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë ta botonte./ KultPlus.com

Letra që Ernest Hemingway i dërgoi Petro Markos

Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:

“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:
– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!
– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falënderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”./KultPlus.com

Propozojmë librat që duhet të lexohen gjatë muajit prill

Muaji prill veç sa ka nisur.

Jo që ky muaj ka dicka më të vecantë se të tjerët, por është një muaj ideal për të lexuar dicka. Hulumtim, dokument i vjetër, ri-lexim i këndshëm, një histori e guximit njerëzor, gjithcka do të jetë e mirëseardhur për lexim gjatë 30 ditëve të këtij muaji.

Po propozojmë kështu disa vepra dhe lexime që mund të bëhen gjatë muajit prill, me shpresën që do ti ndihmojmë lexuesit tanë të koncentrohen dhe të vendosin për një shfletim që na pasuron mendjen e shpirtin.

BASTARDJA E STAMBOLLIT – ELIF SHAFAK
Një libër fantastik i cili ballafaqon dy familje mes vete, me Turqinë, Amerikën dhe Armeninë si shtete ku personazhet udhëtojnë në kërkim të vetes dhe familjarëve. Asya Kazançi dhe Armanoush Tchakhmakhchian janë dy vajza të reja që e gjejnë një shoqëri për lakmi. Shkrimtarja e librit, Elif Shafak, gati sa nuk morri burg për këtë libër. Libri përngjan shumë me mentalitetin shqiptar, prandaj me një lexim secili mund të bëjë lehtë krahasime me shqiptarët. Libri është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ndërsa në origjinal është “The Bastard of Istanbul”.

FISET SHQIPTARE – HISTORIA, SHOQËRIA DHE KULTURA – ROBERT ELSIE
Robert Elsie, një prej albanologëve më të mirë, ka lënë pas vetes një trashëgimi të madhe të librave dhe hulumtimeve rreth shqipes e shqiptarëve. Gjatë muajit prill, mund të lexoni librin e tij rreth fiseve shqiptare. Libri hulumton 69 fise shqiptare, analizon kulturën dhe gjuhën e tyre, adetet, legjendat dhe historitë e tyre. Libri ju ndihmon të njihni më mirë shqiptarët dhe fiset shqiptare në Mal të Zi, në Shqipëri e në Kosovë.

INTERVISTË ME VETVETEN – PETRO MARKO
Libri “Intervistë me vetveten” i Petro Markos, u botua fillimisht në vitin 2000, pothuajse një dekadë mbas vdekjes së shkrimtarit. Është ndër librat që jehonën e ka të vazhdueshme, pikërisht për një dëshmi autentike, dramatike, për profilin e njeriut-shkrimtar, për atë qenësi vlerash të njeriut të letrave, i cili komunikoi dramatikisht me kolegët, me lexuesit. Libri i Petro Markos është një formë interesante për të shkruar për veten, por njëkohësisht edhe për të tjerët. Në rrëfimin e shkrimtarit ngjarjet zhvendosen siç zhvendosen pamjet e një filmi. Shkrimtari ka rrëfyer për ato gjëra ku i dhembte më tepër, aty ku shpirti i vlonte më shumë.

ALKIMISTI – PAULO COELHO
Ky është një nga romanet më të suksesshme të Paolo Coelhos dhe një prej librave më të shitur në botë përgjatë këtij shekulli. Briliant në rrëfim, magjik dhe i thjeshtë në mënyrën sesi komunikon me lexuesin. Është një gjetje fantastike për dhurata për të dashurit apo miqt tuaj. Alkimisti nuk duhet humbur. Santiago udhëton nëpër piramidat e Egjiptit pasi ka ëndërruar se atje do të gjejë një thesar. Ai dashurohet në Fatiman. “Kur dëshiron dicka, i tëri universi bashkohet për të të ndihmuar drejt realizimit” është një pjesë e librit, që në fakt cilësohet si pjesa bazë e tij. / KultPlus.com

Apologjia ime (Jetës)

Poezi nga Petro Marko.

…Marrëzi, turp turp dhe mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngahera më pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
ne ç’dhera e në ç’dete?!
-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti
dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pa dritë, pa liri?
-Njeri!
Nga vete, as më thua?
-S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lermë, o jete, ç’ke me
mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n’agim kam nisur
të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese drite…
-O mëkatar,
as faliu ligjes sime,
bindu i çmendur ëndërrtar,
s’jeton me shqetësime!…
-Mu thell’ në brendësirë
ku ndjenja rron e lirë,
ku dhembja dhemb e prekur
nga ligja jote e fuqiplote,
në gjirin tim si hekur,
si hekur e çelik,
qëllo, qëllo, o me kamxhik;
pa frik’ e pa mëshirë
e pa pendim,
se mu në thellësirë
të shpirtit, në një kënd,
lindi një shqetësim
që çeli varrin tënd…

26 vite nga vdekja e Petro Markos

Petro Marko ishte arsimtar, publicist, gazetar, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. Ai ka lindur në Dhërmi më 25 nëntor 1913 dhe ka vdekur në Tiranë më 27 dhjetor 1991, ku edhe është varrosur sipas amanetit pa ceremoni.

Me të kryer filloren në fshatin e lindjes më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin” e Marksit.

Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hil Mosin, asokohe Ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jepte Asim Vokshi.

U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për n’Athinë, ku kishte të vëllan Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu.

Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut – verë 1935.

Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet ne Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve tjerë në kohen kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe.

Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”. 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Romani “Çuka e shtegtarit” – 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s’ia pranuan e nuk u botua. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.

Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.

Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij.

Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare.

Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë t’a botonte./ KultPlus.com

Petro Marko, apostulli i shkrimtarisë shqiptare

Shkruan Dorian Koçi

Nëse bilingulizmi do të vlerësohej ndonjëherë si vlerë e veçantë në Ballkan, pa dyshim fshati Dhërmi do të ishte një nga vendet që do të përmendej si tillë.

Ky fakt edhe nëse është hipotetik pasi Ballkani ende vuan nën etnocentrizmin e vet dhe shoqëritë ballkanike me shumë vështirësi e pranojnë kulturën e “Tjetrit”, nuk duhet të na trembë dhe as të na trishtojë pasi vetë këto shoqëri dhe mikrokozmose të vogla lindin dhe personalitete që me ndërgjegje të hapur dhe të lirë kontribuojnë në kulturën me dimensione më universale sesa në atë lokale.

Një rast i tillë është fenomeni letraro-kulturor e politik Petro Marko që ka shënjuar gjithë skenën kulturore e politike të gjysmë shekullit të kaluar duke na lënë dëshmi të plota me veprat e tij të karakterit të çuditshëm e jo lehtësisht të përshkueshëm të shqiptarit modern. I ndërgjegjshëm se në galerinë e personazheve të veta më së shumti risjell atmosferën e njohjeve të para në jetë në fshatin e tij Dhërmi, në librin e tij madhor “Retë dhe gurët-Intervistë me vetveten” pohon me zë të plotë dhe pa mëdyshje se i përket me shpirt, por jo vetëm me të , por edhe me gjak, kulturës, gjuhës dhe kombit shqiptar sikur do t’u tregojë hartuesve të skenarëve më të vonshëm të telenovelave nacionaliste testamentin e vet por edhe përkatësinë e fshatit të vet. E çuditshme, për të mos thënë e paimagjinueshme që një shkrimtar të intervistojë vetveten për së gjalli, por ngaqë kumtet besoj që dëshiron të lërë janë të rëndësishme dhe ai vet e kupton me frymëmarrjen e rënduar se nuk ka kohë që të presë pyetje nga të tjerë , në një atmosferë Borhesiane në një shtëpi në bulevardin që mbante emrin e një njeriu në emër të të cilit në rininë e vet kish luftuar në Spanjë (Bulevardi Stalin-Sot bulevardi Zogu I), rrëfen pa asnjë mëdyshje 50 vjet histori e kulturë të socializmit të lodhur shqiptar.

Dikur njeriu që mban emrin e bulevardit ku ai ka shtëpinë i ka quajtur shkrimtarët si “inxhinierë të shpirtrave” ndoshta i nisur dhe i joshur nga ideja se shkrimtarët do ta ndihmonin të projektonte një nga ëndrrat më të vjetër të diktatorëve, modelimin sipas dëshirave të shpirtit njerëzor. Por Petro Marko, është ndryshe nga të tjerët, edhe pse vet ka luftuar për utopinë e komunizmit, ai është shumë njerëzor dhe universal dhe nuk bie në grackën që për dogmën të sakrifikojë ndërgjegjen. Në të kundërt në gjithë veprat e tij kërkon utopinë ta kthejë në shërbim të njerëzimit, ndaj nuk joshet nga subjekte të vogla dhe lokale por heronjtë e romaneve të veta i ka internacionalë. Janë të radhë shkrimtarët ballkanikë, në mos edhe ata evropianë që të kenë pasur një jetë të vrullshme por edhe një pjesëmarrje në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit si ka qenë jeta e Petro Markos dhe aktiviteti i tij shoqëror, kulturor e politik. Lufta e Spanjës , internimi në Ustikë, përjetimi i burgjeve të komunizmit, dhimbja familjare për djalin, kthimi i veprave në karton, moslejimi i publikimit janë seri ngjarjesh të denja për të krijuar mllef e urrejtje por Petro Marko e tejkalon vetveten dhe habit dhe gjithë bashkëkohësit e vet. Ai ndërton një botë të vetën të ngjarjeve dhe personazheve ku Mbretëria shqiptare, Lufta e Dytë Botërore dhe Socializmi real shqiptar ngjajnë më tepër si dinozaurë të frikshëm për shkak se dhunojnë lirinë dhe ndërgjegjen e të gjithëve sesa i kanë ndonjë borxh shkrimtarit.

Në mes të fitores së krekosur të një populli të vogël që dilte nga lufta gjen mundësinë të përshkruaj ata që kanë pësuar disfatë njerëzorë në fatet e tyre dhe presin të pashpresë të kthehen në atdhe. “Qyteti i Fundit” është nga të vetmit romane në letërsinë shqipe që thyen konvencionet tradicionale bardhë e zi të personazheve dhe dashurinë dhe ndjenjat njerëzore i përshkruan si fllad që i përshkon të gjithë , të mundur dhe fitimtarë. Në Ustikë aty ku jeta njerëzore poshtërohet, ai rindërton sërish tempullin e dashurisë dhe si ballkanas që është mund të pritet që në zëmërin e sipër ta shkatërrojë, por në të kundërt ndodh çudia që shpirtërat njerëzorë edhe pse të munduar nga tallazet e nacionalizmit ballkanik, në fakt bëhen bashkë të pandarë duke projektuar një të ardhme më të mirë. Ç’gjë tjetër mund të dëshirojë një autor, sesa të depërtojë kaq thellë në shpirtin njerëzor e për rrjedhojë të jetë i lexueshëm për breza të tjerë. A nuk i përket përjetësisë një shkrimtar që përcjellkumte të tillë?

Nuk ka rëndësi se në këtë 100 vjetor të lindjes së tij nuk gjen një monografi të plotë studimore të veprës së tij, e për më tepër askund të shkruar e zezë mbi të bardhë se është themelues i romanit modern shqiptar, as një emër rruge në Tiranë ku jetoi që nga vitet 30’ ,e rëndësishme është se me veprën e vet madhore ka krijuar një gjeografi të shpirti rebel shqiptar që endet sa në brigjet e Ebros, në Ustikë , Vlorë, Labëri, Durrës e Tiranë si për të na kujtuar se në letërsi nuk vlejnë rekomandimet as emërimet por mesazhi dhe magjia e fjalës që bën sot e kësaj dite çdo të ri shqiptar në të gjithë hapësirat shqipfolëse ta ndjekë e ta lexojë Petro Markon, apostullin e shkrimtarisë shqiptare. Letërsia e vështirë dhe e mundimshme e një populli të vogël nuk mund të gjente një apostull më të mirë sesa Petro për të përçuar mesazhin e vet, ndaj ajo por edhe ne jemi me fat që kishim Petro Markon mes nesh./ KultPlus.com