Përkujtojmë sot më 27 shtator 1944 ndarjen nga jeta të patriotit e burrit të shtetit Petro Poga, një nga figurat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe më pas ministër i shtetit shqiptar.
Mësimet e para i ndoqi në Erind të Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Stamboll në shkollën e drejtësisë “Mestebi Sultan” më 1883. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit, dhe të përkohshmen “Promitheu” në gjuhën greke. Më 1883-1885 vazhdoi rendin e dytë të shkollës së drejtësisë dhe në periudhën 1885-1886 punoi si avokat në kryeqytetin perandorak dhe dha mësim lëndën e historisë në liceun Stavrodhromit në Pera.
Në vitet 1886-1912, Poga punoi si avokat dhe këshilltar ligjor i Prefekturës së Gjirokastrës. Roli i tij qe i rëndësishëm në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës, të cilin me vonë e udhëhoqën atdhetarët Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha, Veli Hashorva dhe Elmaz Boçe. Më 1912 qe përfaqësues i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, Poga u caktua Ministër i Drejtësisë, si pjesë e Qeverisë së Parë Shqiptare.
Pas veprimtarisë në Vlorë, shkoi në Durrës ku iu dha posti i Ministrit të Drejtësisë në qeverinë Përmeti nën Princ Vidin. Së bashku me avokatët e shquar Kristaq Tutulani dhe Feim Mezhgorani hartoi Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane. Mori pjesë në hartimin e Legjislacionit Shqiptar dhe ndërtimit të Kushtetutës së Mbretërisë më 1928. / KultPlus.com