Orkestra e Filharmonisë sjell koncert dedikuar muzikës së kompozitorit Philip Glass

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës vjen me një mbrëmje të jashtëzakonshme dedikuar muzikës së kompozitorit ikonik Philip Glass, nën drejtimin e dirigjentit Gregory Charette, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert të veçantë Orkestra do t’ju shpie në një udhëtim përmes veprave më ikonike të Glass-it, duke filluar me Koncert për Violinë Nr. 2 – “American Four Seasons”, me violinistin e shkëlqyer Maximilian Haft. Derisa mbrëmja do të vazhdoj me Simfoninë Nr. 1 – “Low”, të frymëzuar nga albumi legjendar “Low” i David Bowie-t, i vitit 1977.

Ky koncert dedikuar muzikës së së kompozitorit Philip Glass vjen si gërshetim unik i minimalizmit dhe tingujve orkestralë frymëzuar nga rock-u.

Koncerti mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve – Prishtinë, më 5 prill, në ora 19:30./ KultPlus.com

‘Duke ardhur’, poezi motivuese nga Philip Larkin

“Duke ardhur” nga Philip Larkin vlerësohet si një nga poezitë më të bukura dhe motivuese. Autori edhe pse shprehet i mërzitur prej ngjarjeve të jetës së tij, beson se së shpejti do të vijë pranvera dhe do të ndihet si një fëmijë, do të jetë më i lumtur. Besime të tilla janë ato që dallojnë një optimist nga pesimisti dhe teksa kalon nga vargu në varg, e ndien se autori këmbëngul tek idetë optimiste, duke na bindur se duhet të jemi të tillë.

“Duke ardhur”
Sa shumë po zgjaten mbrëmjet,
Drita e verdhë dhe e ftohtë
Lag ballin e qetë të shtëpive.
Te pema e dafinës,
Në kopshtin e zhveshur
Këndon një mëllenjë.
Zëri i saj i ri të befason,
Muri me tulla.

Së shpejti do të vijë pranvera,
Së shpejti do të vijë pranvera.
Dhe unë me fëmijërinë time për dore,
Harruar prej mërzisë,
E ndiej veten si një fëmijë,
Që vjen pikërisht
Kur të rriturit bëjnë paqe,
Dhe nuk kupton asgjë,
Përveç një buzëqeshje të pazakontë,
Dhe fillon të jetë i lumtur.