Anel Hyseni, historia e pasionit të një djali autik për pianon

Anel Hyseni është vetëm 8 vjeç dhe vijon klasën e dytë në shkollën fillore “Musa Zajmi”, por pasioni i tij për pianon i zbuluar krejt rastësisht, e kanë drejtuar atë edhe për në Shkollën e Muzikës në Gjilan ku ai vijon mësimet për këtë instrument, shkruan KultPlus.

Aneli ka autizëm, gjë që e bën pak më të vështirë për të komunikimin me të tjerët, por kur ulet para një pianoje, ai shndërrohet në një person tjetër.

Dashuria e Anelit për pianon u shfaq krejt rastësisht. Mami i tij, Lindita, e cila se kishte as idenë më të vogël që djali i saj kishte interes për këtë instrument, atë e kuptoi në një ndejë tek mikja e saj.

“Dëshirën dhe interesin e Anelit për piano e kam kuptuar në një ndejë tek një shoqe, ku isha e ftuar që të shkoj bashkë me Anelin, në mënyrë që ai të qëndrojë pranë fëmijëve të saj për socializim. Gjatë atij qëndrimi, Aneli papritmas e hapi pianon dhe filloj të luaj, reagimi i vajzës së saj ishte i menjëhershëm: “Mam ai po i zen notat”, dhe kjo ishte një shtytje që të interesohesha për këtë pjesë pasi vajza e shoqes sime ishte në Shkollë të Muzikës për piano. Deri në atë moment, unë kurrë nuk e dija që Aneli ka interes dhe dëshirë për piano”, tregon Lindita, nëna e Anelit për KultPlus.

Aneli me nënën

Nga ky moment, prindërit e Anelit vazhduan të interesoheshin për talentin e tij ku ai po tregonte një aftësi të natyrshme për këtë instrument. Ata vunë re se kur luante, ai ishte në gjendje të përqendrohej për periudha pak më të të gjata, pasi sipas prindërve ai është edhe hiperaktiv. Andaj prindërit e tij vendosën të ushqejnë talentin e tij dhe e regjistruan në mësimet e pianos në Shkollën e Muzikës në Gjilan.

“Shumë shpesh, kur kam kaluar nga objekti i vjetër i Shkollës së Muzikës në Gjilan, jam lutur Zotit që atyre nxënësve të ju mundësohet ndërtimi i një objekti të ri sepse ishte shumë i vjetër, por çudia më e madhe është se asnjëherë nuk e kam menduar që kur lutja ime të realizohej, pikërisht në vitin e parë të këtij objekti të ri (viti 2022) do të vijojë mësimin për piano djali im autik, më i dashuri në botë për mua, Anel Hyseni”, shprehet nëna Lindita teksa na emocionon me dashurinë e saj të pakusht për djalin e saj.

Regjistrimi në këtë shkollë, ishte nisja e një rruge që ndoshta Anelin do ta ndihmojë shumë në të ardhmen. Mësuesit e shkollës, kuptuan menjëherë që pasionin e tij për muzikën ishte më i fortë se çdo vështirësi e tij, andaj ata punuan me shumë dashuri me këtë fëmijë kaq të veçantë.

Përkushtimi i Anelit u shpërblye shpejtë, pasi më datë 8 Mars ai pati edhe paraqitjen e tij të parë para publikut, në koncertin e klasës së parë të pianos për vitin shkollor 2022/2023 e nga ku mori lëvdata të shumta.

“Ky sukses i Anelit erdhi falë përkushtimin të madh të mësueses Hajrie Bislimi, e cila është vetë mrekullia dhe vazhdon të bëjë mrekulli me djalin tonë dhe falë mbështetjes së drejtorit të shkollës, Kushtrim Jakupi. Uroj që ky të jetë vetëm fillimi i sukseseve të Anelit në fushën e muzikës, që të cilën nuk e kam ëndërruar asnjëherë”, shprehet Lindita e cila deri vonë kishte besuar shumë që djali i saj do të bëhet sportist si babi.

Pavarësisht suksesit të tij, Aneli ende lufton me disa aspekte të jetës së përditshme. Megjithatë, luajtja e pianos i jep atij një ndjenjë qëllimi dhe përkatësie. Është një mënyrë që ai të komunikojë me të tjerët pa pasur nevojë të përdorë fjalë.

Prindërit e tij janë jashtëzakonisht krenarë për të dhe arritjet e tij. Ata besojnë se talenti i tij është një dhuratë dhe se ai ka potencial për të bërë gjëra ende më të mëdha. Ata shpresojnë se historia e tij do të frymëzojë të tjerët fëmijë me autizëm që të ndjekin pasionet e tyre dhe të mos kufizohen nga gjendja e tyre.

Historia e tij është një kujtesë se të gjithë kanë diçka të veçantë për të ofruar, dhe me punë të palodhur dhe përkushtim, gjithçka është e mundur.

Krejt për fund, Lindita ka edhe një urim: “Aneli u bëftë shembulli më i mirë dhe më i mbarë për Kosovën tonë të dashur.” / KultPlus.com

Vdes pianisti amerikan Derek Han, miku i artistëve kosovar

Ka vdekur pianisti Derek Han si pasojë e Covid-19, shkruan KultPlus.

Derek Han është pa dyshim midis pianistëve kryesorë amerikanë të brezit të tij. Megjithëse ai fillimisht u identifikua me koncertet e Mozart, Haydn dhe Beethoven – jo më pak sepse i regjistroi të gjithë për një përgjigje kritike përgjithësisht të favorshme – ai zotëron një repertor të gjerë që përfshin koncertet e Mendelssohn, Chopin dhe MacDoëell, gjithashtu si koncerte individuale nga Rachmaninov, Tchaikovsky dhe Shostakovich, përveç një numri të madh të veprave solo dhe dhomës.

Stili i Hanit është origjinal megjithëse mjaft i drejtpërdrejtë në tonet e tij të kthjellëta, karakterin shpirtëror dhe rrjedhshmërinë dhe saktësinë teknike.

Vdekja e tij ka pikëlluar edhe shumë artistë shqiptar, të cilët e njohën e punuan me të. Han ishte edhe pjesë e një prej edicioneve të festivalit “Kamer Fest”.

Violinisti Blerim Grubi, përmes rrjetit social facebook, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për vdekjen e Han.

“Sonte mora lajmin e trishtë nga Amerika që miku i gjithë artistëve Kosovar pianisti Derek Han, ka ndërruar jetë ku ishte i prekur nga mortaja COVID-19.

Jemi mirënjohës i gjithë komuniteti artistik shqiptarë, i cili na ka dhuruar kontributin e ti të paskajshëm e jashtëzakonisht të madh në skenën artistike në të gjitha trojet Shqiptare këto 20 vite.

Miku jonë i shtrenjtë, të faleminderit për kontributin dhe punën që ke bërë për ne. Pushoft shpirti yt në parajsë e u takofshim në një skenë tjetër së bashku.” – ka shkruar Grubi. / KultPlus.com

Viktor Guraziu rikthehet në atdhe për të performuar në ish-kampin e internimit në Tepelenë

Pianisti shqiptar, Viktor Guraziu do të rikthehet në atdhe për të performuar në ish – kampin e internimit në Tepelenë, sonatën e Bethovenit.

Performanca e tij në Shqipëri do të jetë në koncertin “Tingujt në Heshtje”, që do të mbahet në kuadër të projektit “Remote”, mw 1 shtator në qytetin e Tepelenës.

Guraziu shkollimet e tij në Itali i filloj qysh në moshën 10 vjeçare pranë Konservatorit “G.Tartini” të Triestes dhe u diplomua nga Konservatori “B. Marcello”, Venecia e Universität Muzarteum, Salzburg.

Ai ka fituar çmimin “Alfredo Casella” në edicionin e fundit të konkursit prestigjioz “Premio Venezia” dhe është pjesë aktive e skenave të qyteteve kryesore italiane. Ndërkaq projekti “Remote”, pjesë e të cilit është Viktor Guraziu, ka për qëllim të vendosë vëmendjen drejt hapësirave të braktisura të kujtesës kolektive për ti dhënë një shtysë zhvillimit të turizmit kulturor. / KultPlus.com

EPSON DSC Picture

Vdes pianisti i famshëm Leon Fleisher

Pianisti i famshëm amerikan Leon Fleisher ka vdekur në moshën 92-vjeçare nga kanceri, njofton BBC.

Fleisher kishte bërë famë si supertalent në vitet 1940-ta, por karriera e tij ishte penguar nga një lëndim i dorës së djathtë. Ai më vonë kanalizoi karrierën e tij duke dhënë mësime dhe duke mjeshtëruar të luajturit në piano me dorë të majtë.

Tri dekada më vonë, pas një serie të terapive, ai e rifitoi përdorimin e dorës së djathtë dhe shkëlqeu sërish në rikthimin e tij në skenë.

Fleisher është lindur në San Francisco në vitin 1928, nga prindër që kishin emigruar në SHBA nga Evropa Lindore. Ai filloi të luante piano në moshën katërvjeçare dhe në moshën nëntëvjeçare ishte ftuar për të qenë nxënës i pianistit ikonik Artur Schnabel.

Në moshën 16-vjeçare debutoi në Orkestrën Filharmonike të New Yorkut dhe bëri famë ndërkombëtare më pas. Por, në vitin 1964 zhvilloi një problem neurologjik që ia pamundësoi të luante me dorën e tij të djathtë.

Pas dy vjetëve mungesë, ai u përqendrua në dhënie të mësimeve në Institutin Peabody në Baltimore. Dhe po ashtu në përformim me dorën e majtë.

Ai u kthye në skenën e të luajturit me dy duar në vitin 1995 dhe regjistroi dy albume të famshme. Një nga to e quajtur, Dy Duar, është po ashtu titulli i një dokumentari të nominuar për Oscar. / KultPlus.com