Edicioni i 12-të i festivalit të muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest’ tashmë ka filluar rrugëtimin e tij të suksesshëm, përcjell KultPlus.
Festivali më i madh i muzikës klasike i organizuar në Kosovë, këtë vit pritet të ketë 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara të ndryshme e aktivitete kulturore. Do të jenë të ftuar kompozitor e pianistë nga vende të ndryshme të Evropës të cilët do të shpalosin para publikut kosovar veprat më të mëdha në piano.
Ndërkaq sonte do të performoj pianisti i shquar François Dumont, nën “Piano Recital”, koncert ky që vjen në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, duke filluar nga ora 20:00.
Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja. / KultPlus.com