Në kuadër të ciklit “Sekrete mjeshtërie”, Ministria e Kulturës ka publikuar historinë e veçantë të Bledi Luzit të cilit të gjitha rrugët e jetës i lidhen me muzikën si dhe me pasionin e tij për akordimin dhe riparimin e pianove.
Bledi Luzi është biri i një violinisti, që ka studiuar për oboe dhe punon si instrumenstist profesionist në Orkestrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Në fillimet e karrierës së tij ishte kureshtja e përzierë me trashëgiminë, që më vonë do të kthehej në pasion dhe zanat.
“Kam kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve për degën: oboe. Prej 23 vitesh jam instrumentist në Orketrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kohës që isha student më lindi një dëshirë, ndoshta e fshehur, që të studioja për akordimin dhe riparimin e pianove. Duke ndenjur pranë mjeshtërve profesionistë, u dashurova pas tij dhe sot e vazhdoj si një profesion primar”, shprehet Luzi teksa tregon për fillesat e karrierës së tij.
Luzi pohon se ka qenë një fëmijë mjaft kureshtar dhe me këtë profesion është dashuruar që në momentet e para.
Ai thotë se, “nuk mund të them se është i trashëguar plotësisht, është një profesion pas të cilit u dashurova që në momentin e parë. Edhe im atë ka qenë violinist pranë Ansamblit të Ushtrisë dhe në mënyrë autodidakte është marrë me riparimin e intrumenteve, të violinës, violës… Instrumentistët e oboes, në përgjithësi, kanë qëlluar tepër kërkues, kureshtarë, që duan të provojnë, të hulumtojnë. Unë kam qenë kureshtar që fëmijë”.
Kur flet për punën që i duhet për të diagnostikuar “sëmundjen” e një pianoje, duket sikur zhvendoset në një tjetër dimension.
“Sekretet janë disa, por të rëndësishme janë përqëndrimi dhe përkushtimi maksimal. Janë procese pa fund për riparimin e një pianoje. Janë rreth 9600 detaje. Gjithçka është shumë e imët, si një ekuacion me shumë të panjohura, por është shumë e veçantë dhe e bukur”, tregon Luzi.
Ai tregon se profesioni i tij është mjaft i veçantë në Shqipëri ku thotë se, “për këtë profesion në Shqipëri nuk ka, ndërsa në botë po. Të mësosh më shumë varet nga dëshira dhe pasioni i njerëzve, që merren me të. Sot, në kohët e zhvillimit të teknologjisë, gjithçka është e mundur. Ke mundësi të komunikosh dhe të konsultohesh me kolegë jashtë vendit për çdo lloj problemi apo të mësosh mbi të rejat e fundit”.
Për zanatin e tij për akordimin dhe riparimin e pianove ai ndihet si një kirurg që duhet të kujdeset për 9600 detaje.
“Çdo piano ka sekretet e veta, obsione të ndryshme, në varësi të markës, modelit, vitit të prodhimit etj. Ndërkohë që problematikat janë nga më të larmishmet. Duke qenë se janë shumë procese, që lidhen me njëri-tjetrin, është e vështirë të gjesh se ku qëndron problemi me vetëm një të parë. Janë si damarët e një trupi, që janë të shpërndara, por edhe të lidhura me njëra-tjetrën”, shpjegon Luzi.
Si një kirurg që kujdeset për pianot ai tregon në detaje dhe sëmundjet e tyre dhe sesi duhet të mirëmbahen ato.
Luzi thotë se, “lidhen shumë me ambientin ku mbahen, me temperaturën, lagështirën.. që janë armiqtë kryesorë. Pianoja si çdo gjë tjetër ka nevojë për mirëmbajtje. Për të qenë i sinqertë, kultura e mirëmbajtjes është shumë e ulët, në një kohë që është prioritare. Në momentin që ti merr një piano, ajo bëhet si pjesë e shtëpisë dhe ka nevojë të mirëmbahet. Me kalimin e kohës ka nevojë për zëvendësime, riparime, kontrolle teknike”.
Bledi Luzi gjatë këtij zanati mjaft interesant i cili kërkon përkushtim dhe pasion ka përjetuar momente të ndryshme për të cilat thotë se,” nuk mund të them se ka shumë momente “dramatike”, pasi me impenjim dhe përkushtim, i gjendet zgjidhja çdo lloj defekti. Do veçoja atë momentin kur e gjen defektin, e riparon dhe çdo gjë del perfekt, lumturia është e papërshkrueshme. Është zanat i lodhshëm, pasi kërkon një punë shumë të imët, kërkon kohë pa limit, duhet të bësh kërkime, hulumtime mbi markën, kontekstin etj., por shumë e bukur, që të jep një kënaqësi shumë të madhe, sidomos kur arrin të shohësh përfundimin dhe të bësh krahasimin mes asaj që ishte dhe që është. Po edhe më pas, kur merr edhe falenderimet e të zotit”.
Luzi vijon se, “shpesh herë na ka ndodhur që instrumentisti të jetë në dilemë nëse duhet ta mbajë apo ta shesë pianon, të investojë për ta restauruar ose jo. Unë gjithnjë u them të mos nxitohen dhe këtë e bëj, jo për të pasur punë, por sepse ndarja me një instrument si pianoja është e dhimbshme dhe sot gjithçka është e mundshme për të sjellë një ndryshim rrënjësor tek një instrument”.
Luzi tregon se më përpara pianot nëpër shtëpia numëroheshin me gishta por tani me ndryshimin e kohërave ato janë shtuar dhe ka një sërë të tillash me firma nga më të ndryshmet që gjenden në shtëpitë e shqiptarëve.
“Më herët piano kishin vetëm muzikantët, kompozitorë, instrumentistë, që ua jepte institucioni apo Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Numëroheshin me gishta.. Ndërsa sot kanë ndërruar kohët. Piano nuk kanë vetëm profesionistët, por edhe amatorët, madje përdoren dhe për arredim. Dhe nuk i gjen vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, thotë Luzi.
Ai vijon se, “përpara viteve ’90 gjeje më së shumti pianon çeke “Petrof”, atë gjermane “August Forster”, kishte edhe piano kineze. Por mund të kishte edhe piano të vjetra të trashëguara nëpër shtëpi, të tipit “Hoffler”. Pas viteve ’90 pati prurje të markave nga më të ndryshme”.
Nëse këtë pasion të tij Luzi do ja trashëgonte fëmijëve të tij ai tha se, “me dëshirën më të madhe. Unë kam dy djem, të cilët kanë bërë kurse pianoje, jo për profesion, dhe të dy janë në hapat e duhur për vazhdimësinë e këtij zanati. Ata po e shohin edhe vet përkushtimin tim maksimal, përqëndrimin dhe transportimin në një botë tërësisht tjetër. Është si puna e një mjeku që duhet të bëjë ekzaminimet deri në qelizën e fundit, që të gjejë arsyen e sëmundjes. Dhe deri tani shoh që jo vetëm janë kuriozë, por edhe janë në hapat e duhur drejt këtij profesioni”. /a.a/