Marubi, mjeshtri i fotografisë artistike, historike e dokumentare

Në kuadër të “Muajit të Fotografisë”, ministrja e Kulturës Elva Margariti, publikoi sot një foto të të mirënjohurit Pjetër Marubi.

“Fotografia është nga ato mediume me vlera jo vetëm artistike, por edhe historike e dokumentare, si kjo foto e mjeshtrit Pjetër Marubi”, shkruan ministrja, në postimin e saj në rrjetet sociale.

Pietro Marubi ose Pjetër Marubi, siç njihet në mbarë Shqipërinë, ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.

Marubi u vendos në Shkodër pas shpërnguljes nga Italia, i detyruar për shkak të pjesëmarrjes së tij në Lëvizjen Garibaldine. Me vendosjen në Shkodër, ai hapi të parën studio fotografike, të cilën e emërtoi “Dritëshkronja”, duke sjellë shqip fjalën fotografi, pra të shkruash me dritë. Studioja u themelua më 1856 e sot mban emrin Fototeka Kombëtare “Marubi”.

Pjetër Marubi përveç se fotograf, ishte edhe skulptor, arkitekt e piktor.

Ai la një trashëgimi të pasur fotografike, e cila përtej vlerave artistike, ashtu siç thekson edhe ministrja Margariti, ka vlera dokumentare e historike që dëshmojnë për periudhën në të cilën ai jetoi e veproi.

Veprën e tij artistiko-dokumentare e çoi përpara Kel Kodheli, i cili trashëgoi studion dhe për nder të mjeshtrit, mbajti mbiemrin Marubi. / KultPlus.com

Zbulohet koleksioni i fotografive të Marubit në Stamboll

Në arkivin e Sulltan Abdylhamitit II në Stamboll, një prej më të rëndësishmëve në botë për fotografinë, është zbuluar një koleksion i fotografit Pietro Marubi.

Lucjan Bedeni, Drejtor i Muzeut Kombëtar “Marubi” ka rënë në gjurmët e këtij koleksioni teksa hulumtonte për doktoraturën, punë që ka të bëjë me jetën dhe veprën e fotografit italian, i cili e zhvilloi aktivitetin në Shkodër.

“Stoli vërtet magjepsëse, të Marubit, në Stamboll.

Këto fotografi, që janë riprodhime nga origjinalet, që kemi ne në arkivin tonë, në imazhe ‘cabinet carte’, siç quheshin gjatë shekullit XIX, vijnë të rrethuara nën zbukurimet me motive lulesh”, – thotë Bedeni.

Arsyet pse fotografitë e Marubit mbërritën në Stamboll, janë në kuadrin e hipotezave.

“Arsyet i kërkojmë në histori. Në fund të jetës së tij, ky sulltan u bë paranojak se mos e vrisnin, gjë që e detyroi atë të izolohej. Një mënyrë tepër origjinale që ai gjeti për të shikuar zhvillimet e perandorisë, ishte komisionimi i studiove fotografike. Pietro Marubi është një prej fotografëve që është komisionuar nga sulltani, ndaj ne gjejmë praninë e këtyre albumeve në Stamboll”, – thotë Bedeni.

Një tjetër hipotezë mbi mbërritjen e koleksioneve ne Stamboll, është ajo që pashallarët që drejtonin vilajetet, i bënin dhurata sulltanit, pamje nga perandoria. Nga gjithë koleksioni ka vetëm një pjesë që muzeu Marubi nuk e ka.

“Pjesa më e veçantë, apo më e magjishme, e këtij koleksioni, atë të cilën ne nuk e kemi, janë fotografitë e pikturuara me bojëra vaji, me velatura të lehta”, deklaron Bedeni, por që sipas tij, është fakt i njohur që ai pikturonte. /konica/ KultPlus.com