Kritikët anglezë të filmave Oscar e krahasojnë Gresa Pallaskën me Monica Belluccin

Filmi i metrazhit të gjatë “Pikë uji” ka qenë në nominim për garën e Oscar, garë në të cilën ka marr pjesë Shqipëria, shkruan KultPlus.

Filmi me skenar dhe regji të Robert Budinës e me prouducente Sabina Kodra sjell një histori të Aidës (Gresa Pallaska), e cila është një grua në karrierë, por që jeta e përplasë me një problem familjar, problem pastaj që shpërfaqë fuqinë e politikës, drejtësisë.

Së fundi, në një podkast filmi që zhvillohet nga dy kritikë anglezë të njohur, Theo Neumann dhe Woodiwiss, është përmendur në veçanti roli i aktores Gresa Pallaska.

Zakonisht, dy kritikët flasin rreth filmave të huaj që kanë marr pjesë në Oscars. Njëri prej tyre e shpall filmin “Pikë uji” filmin e muajit dhe Gresa Pallaskën e konsideron si një Monica Bellucci shqiptare.

“Arsyeja pse unë e dua këtë film kaq shumë është prezenca e aktores Gresa Pallaska, aktorja kryesore që luan rolin e Aidës. Ajo është pikërisht se çfarë kërkoj unë në një film. Mund të them se është një Monica Bellucci shqiptare. Ajo është e mrekullueshme dhe gjatë tërë kohës është vazhdimisht duke pirë cigare, duke gënjyer, duke kërcënuar njerëz, duke mësuar se çfarë fëmije të keq ka krijuar. Isha gjithmonë në emocione duke e shikuar. Duhet të thellohesh shumë për të kuptuar filmin. Është një pjesë ku ajo shkon për të parë një hapësirë dhe është duke ecur, shikon diçka jashtë e i bën fotografi. Pra, ka shumë detaje dhe duhet të jesh i vëmendshëm duke parë këtë film. E dua stilin në këtë film. Duke e shikuar këtë film kupton jetën e një gruaje të tmerrshme që ka një jetë të tmerrshme por mundohet të bëjë më mirë. Ka shumë skena të tjera të mira, sidomos takimi mes një gruaje që nuk ka aspak shpirt dhe gruas tjetër që është e gjallëruar komplet. Dua të falënderoj Shqipërinë për këtë film dhe sidomos për skenën ku Gresa është duke e pirë një cigare shumë të hollë dhe silueta e saj vihet në pah derisa ajo mbështetet tek dikush duke i treguar për një sekret të sajin. U dashurova pas çdo sekonde të këtij filmi. Ky film ka nëntëdhjetë minuta dhe unë isha aty për të gjitha”, ka thënë ai.

Në këtë film, përpos Gresa Pallaskës me role të tyre janë përfshirë edhe aktorët: Arben Bajraktaraj, Adem Karaga, Gerhard Koloneci, Kodjana Keco, Paolo Iancu,  Henri Topi./ KultPlus.com

“Pikë uji” u prezantua me premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Varshavës, i nominuar në tri kategori

I nominuar në tri kategori: për regjisorin më të mirë, filmi më i mirë dhe çmimi special i jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, filmi “Pikë uji” është prezantuar mbrëmë premierë në këtë festival prestigjioz, shkruan KultPlus.

Me skenar të Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja e me regji të Robert Budinës, filmi është një bashkëproduksion i Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, dhe Rumanisë, ku luajnë aktorët kryesorë nga Kosova dhe Shqipëria, përfshirë Gresa Pallaska, Arben Bajraktaraj, Adem Karaga dhe Astrit Kabashi.

Po ky film tashmë është propozuar nga shteti shqiptar për çmimin Oscar, ndërkohë, pas premierës në Shqipëri, kjo është paraqitja e parë në nivel ndërkombëtar.

Për premierën e këtij filmi ka shkruar në rrjete sociale edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, i cili poashtu ka ndarë edhe fotografi nga ceremonia./ KultPlus.com

Kanë filluar xhirimet e filmit “Pikë uji”, në rolet kryesore Gresa Pallaska, Astrit Kabashi e Arben Bajraktaraj

Me skenar të Doruntina Bashës, Robert Budina e Akola Daja e me regji të Robert Budina kanë filluar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pikë uji”, xhirime që për momentin janë duke u realizuar në Pogradec, shkruan KultPlus.

Bëhet e ditur se në këtë film me role kryesore janë përfshirë tre aktorë të mrekullueshëm si; Gresa Pallaska, Astrit Kabashi e Arben Bajraktaraj, kurse ky projekt filmim është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë Rumanisë e Kosovës me produksionet Rafilm- Avanpost, Redibis dhe Iliria Film./ KultPlus.com