Nga Qerim Kryeziu
Në Malmö të Suedisë, jo larg bregdetit, aty ku sheshohet këmba e parë e urës gjigande mbi detin Öresund, jeton dhe vepron artisti shqiptar Salih Lutolli – Agi. I larguar prej vitesh nga Kosova dhe i shtrënguar të gjallojë në mërgim, ai nis kujdesshëm këto ditët e ngrysura të nëntorit pa trembur bukurinë e qetësisë së vet shpirtërore. Në dukje i qetë – si haik Tranströmeri atëherë kur intuita krijuese i kap formën e dëshiruar, vjen e trazohet sakaq në vazhdim – si akt surealizmi atëherë kur empirika krijuese s´ia gjen dot përmbajtjen e kërkuar.
Në Prishtinë Salih Lutolli- Agi mbaroi Akademinë e Arteve, degën e Grafikës.
Si fëmijë shkolle, shokët e thërrisnin piktor, meqë gjithë ditën e kalonte duke vizatuar nëpër mure, pluhur e shuplakë dore flutura, zogj e bukureza.
Si i rritur, Lutolli la emrin e vet plot shkëlqim në historinë e arteve figurative të Kosovës si grafist, ilustrues, dizajnues grafik e piktor.
Në vendlindje punoi një kohë mësues frëngjishteje pastaj në Televizionin e Prishtinës, në “Zërin e Rinisë” dhe në “Rilindje”.
Një mëngjes të tmerrshëm prilli të vitit 1998, ushtarë e paramilitarë serbë, me tyta armësh të ngjeshura në shpinën e tij, e larguan nga Prishtina.
Me vete arriti të marr vetëm ato pak gjëra, pa të cilat as në varr nuk do të shkonte, një valixhe me ca tablo artistike.
Ankthin dhe trishtimin e atij mëngjesi prilli nuk e harroi kurrë. Në Malmö e shprehu artistikisht në shumë grafika e tablo të reja, si inerci artisti, si shpërthim shpirti kundrejt tragjikes e absurdit të asaj kohe. Edhe sot kur vrojton veprat e Lutollit për tragjiken e gjymtyrëve, fatalitetin e kokave e diasporën e trupit, përveç kënaqësi artistike përjeton edhe dhembje shpirti. Koncize si në tekste epitafesh, në tablotë e piktorit Lutolli sheh katrahurën që përjetoi vendi e populli në fund të shekullit njëzet.
Në Malmö poshtë pallatit ku banon ka atelienë e vet, në të cilën zakonisht i ngrys ditët duke vizatuar dhe i zbardhë shpesh herë netët duke ëndërruar.
Në shpirt, si një Albert Dyrer, në dukje si një Salvador Dali, piktori shqiptar luan aktet e vokacionit të tij, herë duke skicuar e herë duke dizajnuar vepra të reja.
Gjithmonë në këmbë, pranë kavaletës në atelienë e vogël, ai u bënë nder legjendave shqiptare, u hedh syrin depërtues miteve e epikës sonë, u flet kullave të moçme e simboleve tona kombëtare. Të gjithave, duke u dhënë në grafika kuptime e trajta të bukura vizuale.
Salih Lutolli vazhdon të aplikojë stilin surrealist si veçori të shprehjes së vet kreative, ndërkohë që realizmin e respekton dhe dokumentaren e kultivon.
Lutolli shfleton përmallshëm të kaluarën, gjykon arsyeshëm të tashmen dhe tjerr mendueshëm të ardhmen. Pastaj në kavaletë, tri kohëve u jep forma e përmbajtje të përsosura figurative. Nganjëherë provon edhe magjinë e artit poetik në të shkruar, i bindur se poezia dhe piktura janë vëlla e motër. Pikturat e Lutollit janë në të vërtetë poezi të rafinuara që flasin pa fjalë. Arti i tij figurativ nuk imiton, është shembull i krijuesit që jetën e shndërron në art.
Salih Lutollit- Agi vizatimin e parë e publikoi kur ishte 17 vjet. Atë ditë, rrugëve të Prishtinës nuk ecte por fluturonte nga gëzimi i publikimit. Më vonë, edhe një herë i rastis të gëzohet e të qajë nga gëzimi, atëherë kur nën përkujdesjen e vet, në shtëpinë botuese “Rilindja” i ra në dorë i ngrohtë, ekzemplari i parë i “Mesharit” të Gjon Buzukut. Atëbotë, të piktori gëzimi dhe vaji u bashkë dyzuan. U gëzua sepse kishte bërë vetë gati botimin, lotoi sepse vlera e librit të botuar ia ndizte fitilat e krenarisë kombëtare në kohën kur na shkelej kjo krenari. Vizatimet e Lutollit i referohen historisë, jo për të ngelur aty por, për t´u frymëzuar nga ajo. Legjendave u jep gojë, epikës i jep zë, kullave domethënie, simboleve dimensione të reja kuptimore. Tabloja “Portreti i udhëve të pafund “ flet me tri elemente sugjestive: rrugës, vesë dhe rrotës. Të tri elementet japin pafundësinë, në kuptimin e rrugës që s´ka fund, pyetjes (veza apo pula?) që s´ka përgjigje dhe rrotës që s´ka të ndalur. “Gjeli dhe Kulla” është një vepër tjetër rreth së cilës nuk përfundon përsiatja kurrë. Tabloja “Diaspora e trupit” shfaq tragjiken e ekzistencës sonë të ndarë në pesë pjesë etnike, të shpërndarë në pesë kontinente. “Kalaja e Ulqinit” flet për besën dhe tradhtinë ndërsa tabloja “Kthimi i motrës” ri aktualizon motivin e moçëm që vlerëson lart fjalën e dhënë dhe shfaq bukur me vija po atë përmbajtje që në letërsi e ka thënë me fjalë prej kohesh Kadare. Të grafika “Quo Vadis” heton motivin politik, ndonëse për politikë Agi nuk flet. Kokat ndjekin udhët e panjohura, trupat s´kanë koka. S´ka shprehje figurative më të fuqishme se kjo, për një vend që s´ka udhëheqje, drejtues, kokë. Te “Ploja në Abri” dëgjojmë dhembjen që flet, vdekjet që nënkuptojnë jetën, lirinë që injoron robërinë. Lutolli ka punuar shumë me tush, tushit ia njeh edhe imtësitë, me tush ka dhënë më fuqishëm se me çfarëdo kolori tjetër të bukurën dhe të shëmtuarën. Një grafikë e Lutollit e punuar në ekzil e paraqet Suedinë jo me borë e akullnaja siç e merrte me mend dikur por, si një lis gjigand që ngjitet gjallërisht në qiell dhe lëshon butësisht rrembat mbi tokë. Kur e pyes pse e jepni me këtë imazh Suedinë, me përgjigjet “sepse kështu e gjeta, të gjelbër, të harlisur drejt qiellit”. Kur vrojton më thellë në këtë tablo, në sfond të shfaqet një siluetë gruaje e parë nga mbrapa. Gruaja shpërfaq këtu femëroren të lidhur ngushtë me vetë emrin e shtetit-Suedi-a.
Edhe në veprat tjera të Lutollit gruaja paraqitet sovrane, me shpirt të lirë e territor të pashkelur. Te “Bekimi i nënës” , “Nëna me hënë” , “Kur qielli vritet” e ndonjë vepër tjetër, femra edhe pse e sprovuar, në momente ekzistenciale, gjithmonë është në harmoni me shpirtin e trupin, e shkrehur në qetësinë e vet, e paepur në trazimin e saj.
Lutolli, sa është artist në shprehje figurative vizuale po aq është stilist në emërtimin e veprave të tij. Titujt: “Urë e gji”, “Eklipsi i familjes”, “Vatër në shekuj”, “Rrënimi i shtyllës”, “Udhët e kokës”, “Vdekja fisnike” dëshmojnë kulturën e tij letrare, dëshirën e tij të pashuar për të lexuar. “Asnjë ilustrim nuk kam kryer pa lexuar në tërësi veprën që do të ilustroja” –me thotë Lutolli në intervistën për Televizionin AlbSe.
Agi punon me zell, me dashuri e me finesa artistike. Figura e mendjes së tij jep ide të qarta e lëshon mesazhe të thella. Vijat e gishtërinjve të tij janë të durueshme, të derivuara kurse kompozicionet madhështore. Në historinë e vizatimit, ilustrimit, grafikes e dizajnit artistik në Kosovë nofka e tij e shkurtër AGI do të rrijë përjetësisht, si emri që i bëri nder të madh kësaj gjinie artistike.
Me rastin e botimit të monografisë krijuese “Salih Lutolli – Agi, Kalorësi i udhës pa fund” (The endless road rider). Monografinë e përgatiti Abdullah Zendeli, e botoi Shtëpia Botuese /Publishing House “FAIK KONICA” në Prishtinë 2023. / KultPlus.com