Këto nuk janë fotografi, janë piktura. Këto nuk janë thjeshtë piktura hiperrealiste, por shprehje e forcës për të interpretuar me të njëjtin puls dhe shpirt, çastin që orvatet të mëtojë realen përmes një mjeshtërie të mahnitshme, përmes atyre penelatave të holla, delikate dhe të gjalla, të cilat janë vetë ai vullnet i lartë që i krijon, i mëkon duke u përpjekur të ofrojë përkimet e njerëzores me shenjtërinë e asaj energjie qiellore krijimi që bën gjithçkanë për të qenë ajo çfarë ne e pranojmë si shpërblim.
“Piktura nuk ka të bëjë me paraqitjen e thjeshtë të një sendi, por me ngjyrën dhe dritën e tij”, thotë Luciano Ventrone dhe është kjo qasje, me të cilën ai u tregon njerëzve se arti nuk pretendon të imitojë natyrën, por t’i japë zë asaj pëshpëritje që dëgjojmë ne teksa biem në kurthin e ngjyrave, të dritës dhe të bukurës që na deh me joshje.
Ai vijon se “Subjekti nuk mund të shihet siç është por si një element abstrakt,”, dhe si i tillë ai ta përshkojë nëpërnmjet një meditimi, të tillë që i jep shkas artistit të lejojë përshkueshmërinë e dritës që sheh objektin, që ta zotërojë deri në caqet e shpirtërores së krijimit përmes ngjyrës.
Luciano Ventrone vlerësohet nga institucioni italian i artit, muzetë, kuratorët dhe kritikët si një nga eksponentët kryesorë të zhanrit të tij dhe festohet gjerësisht si piktori më i mirë hiper-realist italian dhe pasardhësi i pikturës metafizike.
Ai zhytej në pothuajse të gjitha rrymat dhe stilet artistike, si një mjet për të ushqyer dhe zhvilluar gjuhën e tij artistike. Ventrone mori ndikimin e tij nga Caravaggio, dhe Giorgio Morandi, dhe ishte një student i drejtpërdrejtë i Giuseppe Capogrossi. Qasja e tij e vetmuar dhe thirrja artistike i atribuohet kësaj disipline jashtëzakonisht rigoroze dhe hollësisë në studimin e tij të ngjyrës dhe formës. Vizatimet e tij jetësore u botuan në librin Akademik Anatomia e Njeriut – sistemi nervor qendror, nga Prof Gastone Lambertini. Duke jetuar në Itali midis brigjeve të Detit Mesdhe, artisti kalonte dymbëdhjetë orë në ditë në studion e tij duke punuar në kompozimet.
Pika e kthesës në karrierën e artit të Ventrone ishte kur Frederico Zeri, studiuesi i madh i artit, trokiti në derën e studios së tij në 1983. Ventrone kishte ekspozuar tashmë në galerinë më prestigjioze të artit në Londër, Wildenstein, dhe pas vizitës së Zeri, ai u prezantua në Tokio si më i miri. Me mbështetjen e historianëve dhe kritikëve më të frytshëm të artit, Achille Bonito Oliva dhe Edward Lucie-Smith, Ventrone u vendos si një artist bashkëkohor i rëndësishëm i brezit të tij. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com