Sot shënohen plot 89 vjet nga lindja e piktorit të njohur, Adem Kastrati.
Kastrati, u lind më 15 janar 1933 në fshatin Karaçevë të Dardanës së Kosovës, në një familje të madhe bujare, me veprimtari patriotike dhe arsimdashëse.
Ishte e njohur familja e tij nga babai në këtë anë, por edhe nga ana e nënës së tij të Dajkocit (daja i tij, ishte disidenti politik e atdhetari Metush Krasniqi). Piktori e pedagogu i artit figurativ, krijuesi letrar, mbledhësi, shënuesi dhe publikuesi i thesarit popullor, analisti i marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe euro-botërore. Ai i takon gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore. Kohërat e stuhishme në të cilat është rritur, pjekur dhe formuar si piktor, sigurisht që do të lënë një gjurmë të madhe te veprimtaria e tij.
Emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurative të cilët kanë jetuar dhe krijuar vepra në Jugosllavi. Kastrati është një prej doajenëve mes piktorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut , shteti ku ka jetuar dhe krijuar për më tepër se dyzet vjet.
Adem Kastrati (mbi)jetoi periudha të qeta, paqësore dhe progresive, por jo rrallë u ndesh edhe me situata te ndërlikuara e të turbullta kohore, të përcjella me ngjarje, trazira dhe okupime gjatë jetës së tij. Dhe në një moment gjendja kulmoi me luftën e përgjakshme që populli shqiptar në Kosovë e përjetoi në fundshekullin XX. Katër herë ndërroi shtetësinë, duke u bërë shtetasi i Mbretërisë së Jugosllavisë, Mbretërisë Shqiptare, Jugosllavisë komuniste dhe në fund fare i Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, biografia e tij jetësore, më mirë do të pasqyrohej nëpërmjet përshkrimit të sekuencave dhe rrëfimeve në lidhje me biografinë, prejardhjen dhe rrugëtimin e shkollimit të tij.
Edhe në bisedat konfidenciale dhe pikturat e tij kishte bindjen se familja është bërthamë e një shoqërie të rehatshme, ndaj edhe ndjeshëm e artistikisht i pikturonte pamjet kur nëna ishte e përkushtuar me mish e me shpirt për fëmijën, shtëpinë e familjen, sofër, familje e skena të tjera. Temat të cilat i përpunon në veprat e tij më së shumti lidhen me njeriun e zakonshëm. Një theks të veçantë i jep nënës, të cilën e paraqet si rojtare të shtëpisë. Nëna, gruaja, është ajo e cila i jep kuptim jetës, kërkon, por edhe jep ëmbëlsi, dashuri, mirësi. Meshkujt janë gjithmonë seriozë, kur punojnë, qëndrojnë ulur, lëvizin. Kjo është tradita e tyre. Folklori i pasur është padyshim prezent në krijimtarinë e tij, gjë me të cilën do të mbetet përgjithmonë i dalluar në veprat e tij dhe gjë të cilën ai e thekson akoma më tepër me anë të teknikës së tij specifike, të pazakontë dhe të vetme të dheut shumëngjyrësh. Preokupimet e tija pikturore ndjehen edhe gjatë përshkrimit të fshatit, tokës dhe banorëve të tij. Shohim si bujku e lëvron arën me që e paramendë, duke e dërguar të shesë në treg mallin e vjelur dhe me ato mjete financiare të blejë sende të domosdoshme për shtëpinë e familjen. Pikturon edhe pamje të drejtëpërdrejta nga tregu.
Kafshët shtëpiake e të buta i ka si motive në pikturat e tij, si ajo kur bariu me kopenë e dhenve mbart në krahëror edhe librin “Lahuta e Malcis”, kaprojt në pyll duke vrapuar. Kafshët ishin mjet pune e transporti dhe të luftërave sportive të barinjve e fshatarëve. Adem Kastrati spikatës si mbledhës, shënues dhe botues i folklorit e etnografisë si bashkëpunëtor i devotshëm i Instituti Albanologjik i Prishtinës, por edhe skicues e pikturues i imazheve nga loja e filxhanave ose kapuçave, këngëve e valleve të grave dhe të burrave të Anamoravës dhe Karadakut e arealit etnografik mbarë shqiptar. Dashamirët e kureshtarët e kësaj fushe i kënaqi edhe me pikturat për dasmat me krushq nëpër borë. Në pikturat e tij Adem Kastrati sajon njerëz-burra të ashpër e tejet të vëmendshëm në valle e punë dhe njerëz-gra tejet lirike në valle e këngë dhe shumë besnike e të sinqerta në punët e shtëpisë e të familjes. Krijimet artistike të Adem Kastratit shpesh u edhe kronikave socio-histoike, që përmes mjeshtërisë së ngjyrosjes dhe ekspresivitetit artistik, shquhen me objektivitet e impresione, si janë piktura që tregon pamje nga turma e mbledhur në stacionin hekurudhor të Shkupit dhe që presin të shpërngulen në Turqi nga sundimi i gjenocidal i Rankoviçit ndaj shqiptarëve. Treni është sinonim i ndarjes edhe i të dashuruarve, ajo që shpreh varfërinë e skajshme dhe lypsarinë e nënës me kalamajt e saj. Adem Kastrati nuk ishte vetëm piktor me famë botërore, por edhe analist i historik e diplomatik i marrëdhënieve shqiptaro-sllave e evrobotërore, autor i dhjetëra dramave e tregimeve, artikujve publicistikë, që shumicën e tyre i nënshkruante me R. Kosova e pseudonime të tjerë. Kjo figurë poliedrike e pikturës dhe letrave shqipe dy vjet para se të vdiste si amanet një miku e ish-nxënësi të tij ia la në besim tufën shkrimeve autobiografike e qasëse, me kusht që ato të botohen pas vdekjes së tij, dëshirë që iu realizua në vitin 2009.
Gjatë ekspozitave të tija individuale dhje kolektive nëpër galeritë botërore kritika artistike theksonte origjinalitetin e stilit dhe teknikës së tij, mjeshtërinë ekspresive, dinamizmin emocional dhe porosinë utilitare të krijimeve. Vlera e pikturave dhe e mendimit të tij shkencor është e pavdekshme dhe frymëzuese dhe sot e kësaj dite është e paarritshme në artin shqiptar të këtushëm, embleme kulturore e joheve e brezave krijues. Vdiq në Shkup, më 24 shtator të vitit 2000 nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme.
Talentin e tij, Adem Kastrati e ka manifestuar qysh si i vogël duke e shprehur atë nëpërmjet modelimit dhe vizatimit mbi pllakat prej baltës shumëngjyrëshe të vendlindjes së tij. Por, talentin e njëmendtë ai e ka shfaqur në bankat e shkollës fillore duke treguar interes ndaj lëndëve artistike: poezisë, muzikës, por kuptohet që më shumë ai është dalluar si vizatues i talentuar. Në lidhje me kontaktet e tij të para me artin figurativ, Kastrati flet për vizatimet e tij të para me laps, për çka mësuesi, Mehmet Turani, e ka lëvduar gjithmonë para nxënësve. Pastaj e përkujton edhe një moment tjetër që ndërlidhet me talentin e tij, kur ai si nxënës i shkollës fillore e kishte vizatuar me laps portretin e gjyshit të tij. Gjyshi i kënaqur me vizatimin e nipit të tij i kishte premtuar Adem Kastratit se “do ta bënte inxhinier”. Ashtu si gjithë moshatarët e tjerë të vendlindjes së tij, edhe Adem Kastrati fëmijërinë e ka kaluar me punët e shtëpisë, sidomos duke ruajtur bagëtinë. Kuptohet, para se gjithash ishte puna, por një fëmijë nuk privohej dot as edhe nga loja e tij. Përveç lojërave të ndryshme tradicionale që i luanin fëmijët, mjaft e preferuar për ata ka qenë, sidomos, loja me baltë që përroi i fshatit Karaçeva e kishte me bollëk. “Me baltën me ngjyra të llojllojshme bënim figura të njeriut, kafshëve, shtazëve dhe shpezëve të ndryshme, por më shpesh unë modeloja pëllumbin duke fluturuar. Nga ajo baltë bëja pllaka mbi të cilat skicoja figura të ndryshme”, përkujton Kastrati. Dhe kështu, dalëngadalë, piktorin e përvetësonte bota e vizatimit dhe modelimit me baltë, dhe dita ditës bëhej e qartë që ai kishte ardhmëri në fushën e artit. Por, si gjithmonë, Kastratit i dilte ndonjë pengesë që ia prishte sdopak ëndrrën e tij. Si rrjedhojë piktori kujton një përjetim jo edhe gjithaq të këndshëm nga koha e rinisë shkollore. Lëndën e vizatimit në Normalen e Gjakovës e ka dhënë mësuesja, Lirie Tanefi, e cila asnjëherë nuk i ka shënuar Kastratit notë më të lartë. Edhe pse vetë piktori pohon se asokohe nuk ka ditur as për perspektivën e as për dritë – hijen, por as edhe për fshehtësitë e tjera të mjeshtërisë së vizatimit e pikturimit, por atë notë e shënuar në lëndën e vizatimit nga mësuesja, Tanefi, ai gjithmonë e ka përjetuar si tendencioz dhe padrejtësi ndaj tij. “Ajo nuk besonte se unë i bëja vetë vizatimet. Mësuesja ime nuk ishte e kënaqur pasi që mendonte se gjoja e kisha kopjuar një punim të piktorit, Gjorgje Andrejeviq – Kun”, ka deklaruar piktori në shtypin e kohës.
Pikturat e Kastratit, e mbështetur në traditën e mimetizmit realist, paraqet sekuenca të drejtpërdrejta të figurës së njeriut dhe të botës animaliste, rëndom në përputhshmëri me ngjashmëritë dhe iluzionet pamore të tyre. Duke u nisur nga konteksti i misionit institucional të pikturës, Kastrati, mundësitë e kësaj gjinie figurative i përdor si një praktikë sociale të shkëmbimit dhe interpretimit të vlerave të imazhit, që vijnë si shfaqje reale ose si konstruksione vizuale. Pikturat e tij, si një sistem kompleks prezantues, nëpërmjet një diskursi të ndjeshëm-emergjent vë në lëvizje praktikat e prodhimit, paraqitjes, pranimit, konsumimit dhe interpretimit të sipërfaqeve dydimensionale në funksion të përfaqësimit vizual të botës reale apo imagjinare. Nëpërmjet tematikës së begatshme dhe motiveve të shumëllojshme vjen në shprehje edhe koloriti i pasur i përshtatur me idenë dhe konceptin estetik – figurativ, si dhe jetësohen karakteristikat e specifikave artistike e stilistike në krijimtarinë e tij. Koloriti në pikturat e shumta, me kalimin e kohës, përsoset dhe arrin pjekurinë e plotë, bëhet më i kërkuar, më i ngjeshur, pse jo edhe më intensiv dhe më me shkëlqim. Realizimet figurative nëpërmjet këtij koloriti arrijnë premisat metaforike, me transponime të sakta simbolike, të përshkruara kryesisht nga tërësitë (bi)kromatike dhe polikromatike. Shtresimet e koloritit, në kuptimin e sendërtimit të konceptit artistik, që shquhen edhe për kah rëndësia vizuale dhe ndjeshmëria estetike, piktori në mënyrë origjinale kryesisht i zbërthen nëpërmjet gërshetimit të figuracionit nëpër enterierë dhe eksterierë. Përdorimi i vijave të gërryera në pikturë shfaqet si një element i vazhdueshëm i cili e begaton teksturën të cilën piktori e shfrytëzon duke i vënë ato në një koherencë me elemente tjera figurative, të cilat bashkërisht e pasurojnë dhe e konsolidojnë gjuhën figurative, kurse pikturën e tij e bëjnë më kuptimplote. Janë antologjike pikturat e tij të punuara me këtë teknikë, si: “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Duke i dhënë gji fëmijës”, “Gratë duke u larë”, “Mikpritja”, “Darka”, “Dasmorët”, “Duke çuar drekën”, “Nga Historia”, temat e tij të fundit janë të ndërlidhur me tragjedinë e kombit shqiptar të ndodhur në luftën e Kosovës 1998-1999, ndërsa pikturat e tij të punuara me motive legjendash popullore janë: “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër”, “Krushqit e ngurosur”.
Nuk ekziston pothuajse motiv nga ikonografia tradicionale figurative që nuk haset në krijimtarinë e piktorit, Adem Kastrati. Ashtu siç ka shfrytëzuar një larmi temash të llojllojshme, ai ngjashëm veproi edhe me materializimin e atyre temave nëpërmjet motiveve të caktuara, të cilët pothuajse janë të pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Motivet paraqesin format pamore të përmbajtjeve tematike. Shumicën e motiveve e ka pikturuar sipas modeleve të ikonografisë tradicionale figurative, duke filluar që nga peizazhi, enterieri, portreti, autoportreti, akti, natyra e qetë, animalizmi, arkitektura, karikatura, etj, duke lënë kështu një opus të pasur veprash me vlera estetike, por edhe me domethënie pamore dokumentare. Në veprat e Adem Kastratit dominojnë motivet e familjes, të cilat me një ndjeshmëri të rrallë i inkorporon në paraqitjen e fshatit, tokës, kafshëve e sidomos te kujdesi i nënës ndaj fëmijëve. Përmes motiveve autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen ai shpaloi momente të mbushura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajton “fshataren”, këtë qënie sipas tij “të drejtpërdrejtë”, që i jep kuptim jetës e që për piktorin ishte gjithmonë e njëjtë: si kur lëviz, si kur punon, si kur këndon ninulla për fëmijën e saj në djep. Gratë në motivet e tij janë me tipare karakteristike me sy të mëdhenjë e me plot rrëfim e ëndrra brenda tyre, që për piktorin ishin pasqyra të shpirtit. Ndërkaq burrat duken të rëndë, sepse, sipas piktorit këtë e kanë traditë. Ata janë të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur vallëzojnë në dasma, që për piktorin ishin bukuria fizike e tyre.
Krijimtaria e Adem Kastratit, është shumë e pasur artistikisht, shumë e gjerë numerikisht dhe akoma më e shpërndarë gjeografikisht. Zhvillimin e saj e ka përcjellë një dinamikë tejet intensive, duke përjetuar ngritje të vazhdueshme artistike. Dhe ajo që duhet veçuar, ka të bëjë me faktin se, krijimtaria e tij në masë të madhe është shprehur nëpërmjet dy gjinive figurative: pikturës dhe vizatimit. Duke qenë një artist tejet aktiv dhe shumë produktiv, kërkues dhe novator, përmes veprave tij ai u bë projektues vizual i të kaluarës, por edhe dëshmitar i ngjarjeve të mëdha të historisë më të re kombëtare shqiptare. Krijimtaria e tij e ngriti atë në një protagonist i cili nuk mbeti pa u vërejtur nga publiku dhe sidomos nga syri i kritikës. Për të krijuar një pasqyrë më të qartë për zhvillimin e krijimtarisë së tij, do ta trajtojmë më hollësisht teknikën dhe teknologjinë e vizatimit dhe pikturës, efektet e koloritit, si dhe pasqyrimin e zhvillimit të krijimtarisë artistike të tij nëpër disa faza. Adem Kastrati punoi në mënyrë permanente dhe me një fanatizëm e vullnet të pashoq. Një jetë të tërë e shpenzoi në kërkim formash e teknikash të reja, synoi prore individualitetin e tij si krijues dhe arriti që si rrallë ndonjë tjetër të jetë i veçantë.
Duke u nisur nga rrethanat e krijuara ky numër asnjëherë nuk do të dihet saktësisht. Kuptohet, që një numër i konsiderueshëm i veprave padyshim që akoma ruhet në fondin e familjes së tij. Familja e Adem Kastratit për një numër prej tyre ka dijeni se ku ndodhën. Por, pjesa tjetër, pothuajse më shumë se gjysma e veprave të krijimtarisë së tij, nëpërmjet shitjes apo dhurimit, janë shpërndarë në të katër anët e botës. Ndonëse autori është përpjekur të mbajë një evidencë për veprat e tij, megjithatë, e ka pasur të pamundur që t’i evidentojë të gjitha. Piktori ka shkruar se qindra piktura të tij ndodhen në adresa të ndryshme nëpër botë. Shumë vepra sot janë pronë e galerive dhe institucioneve, e koleksionistëve dhe e personaliteteve të ndryshme, e miqve dhe e adhuruesve të artit të tij. “Ja një kështu është fati i piktorit. Njëherë rropatet me idenë, pastaj me punën rreth realizimit të pikturës, që më vonë ajo pikturë të merr udhën, kurse tek autori të mbeten vetëm adresat, por jo edhe paratë! Sepse ato para të gjitha treten, të gjitha shpenzohen për sigurimin e materialeve për të punuar, për të organizuar ndonjë ekspozite të re, rreth botimit të ndonjë katalogu. Është mjaft shtrenjtë, kurse unë gjithçka bëj vetë…” është shprehur, Adem Kastrati. Sipas një shënimi tjetër nga notesi i piktorit mësohet se numri më i madh i veprave të tij është shpërndarë nga Dubrovniku, nga ku shumë piktura kanë përfunduar nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas evidencës që ka lënë Adem Kastrati, mund të llogaritet se fondi i përgjithshëm i tij, numëron rreth 830 vepra artistike. Sa mund të merret e saktë kjo shifër është për t’u diskutuar, por është e vërtetë se ka rreth edhe 300 vepra të pa ekspozuara, ku bëjnë pjesë piktura dhe vizatime që ruhen në fondin familjar. Këtu duhet llogaritur edhe një numër të konsiderueshëm të pikturave të realizuara në teknikën e dheut dhe vajit në pëlhurë të pa vendosura në blind – kornizë, të cilat janë dëmtuar aty kah fillimi i viteve të 80 – ta nga plasja e një gypi të kanalizimit në podrumin e banesës së familjes Kastrati. Po aty, dhe sipas një evidence të tij, mësohet se: në Francë ndodhen mbi 50 piktura, mbi 30 vepra janë në SHBA, 27 në Gjermani, 20 në Itali, 8 në Belgjikë, 6 në Suedi, 4 në Shqipëri, 5 në Danimarkë, 2 në Skoci, 3 në Finlandë, 1 në Brazil dhe 1 në Australi. / KultPlus.com