Përkujtohet “Piktori i Popullit”, Abdurrahim Buza

Më 7 nëntor 1968, ndërroi jetë “Piktori i Popullit”, Abdurrahim Buza.

Buza lindi më 1905, në Shkup, në një familje me origjinë nga Gjakova. Në moshën 8-vjeçare mbeti jetim dhe shkollimi i tij kaloi nën tutelën e figurës më me ndikim në Malësinë e Gjakovës, Bajram Currit. Mësimet fillore i mori në në Shkodër dhe Tiranë dhe më pas, ndoqi Normalen e Elbasanit (1923-1928).

Në vitin 1928 fitoi bursë njëvjeçare në Akademinë e Arteve të Bukura në Torino, ku pati si bashkëstudent një prej skulptorëve më të njohur shqiptarë, Odhise Paskalin. Më tej, vijoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence.

Në vitin 1933 kthehet në Tiranë, ku punoi si mësues në Shkollën e Vizatimit në Tiranë. Më 1947-n, u punësua si mësues vizatimi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku edhe doli në pension në vitin 1966.

Pikturat e tij të para janë frymëzuar nga qëndrimi i tij në Pogradec. Motivet etnike nga Gjakova, Kosova dhe veriu i Shqipërisë bëhen subjekt i shpeshtë i krijimtarisë së tij. Disa prej veprave të tij më të njohura, janë: “Dasma kosovare”, “Pogradeci”, “Nusja kosovare”, “Azem Galica dhe luftëtarët”, “Refugjatët” etj. Punimet e Buzës u ekspozuan për herë të parë në nivel kombëtar në prill 1945. / KultPlus.com