‘Një roje shqiptar’, kryevepra e piktorit serb

Paja Jovanović është një nga piktorët më të mëdhenj serbë. Shqiptarët mërguan për herë të parë në Egjipt si ushtarë dhe mercenarë në gjysmën e dytë të shekullit 18, duke bënë emër dhe duke fituar respekt në luftën osmane për të dëbuar trupat franceze në vitet 1798–1801. Mehmet Ali Pasha (1769–1849) themeloi dinastinë shqiptare të Egjiptit, e cila zgjati deri në vitin 1952.

Në shekullin 19 dhe fillimin e shekullit 20, shumë shqiptarë të tjerë u vendosën në Egjipt për arsye ekonomike dhe politike. Pas rënies së dinastisë, me Revulucionin egjiptian të vitit 1952, komuniteti shqiptar u zvogëlua dhe humbi ndikimin.

Nëpërmjet kësaj pikture, mjeshtri përcjell një reale që ngjall edhe sot pas kaq vitesh një ëndje të nxitur nga një ser komponentësh, të cilët e shndërrojnë këtë vepër në një simbolikë shprehëse të asaj tradite, e cila ka mbetur e plazmuar në histori, si një vezullim. Piktori serb, një nga mjeshtrat më të zëshëm të pikturës realiste, jo vetëm me tablonë “Një roje shqiptar”, por edhe me një seri të begatë krijimi, ka përcjellë përshkueshmërinë e të vërtetës së atij ceremonialiteti dhe asaj bukurie, asaj force dhe atij impakti burrëror të rojeve dhe ushtarakëve shqiptarë që i shërbyen dinastisë shqiptare të Egjyptit.

Dritshmëria, me të cilën Paja Jovanović skalit një reale kaq imponuese, është në vetvete ai vezullim, ajo hijeshi dhe ajo krekosje ceremoniale. Edhe sot ajo ka kaq shumë impakt, kaq ndikim dhe joshje, aq sa çdo koment, shkujdersje dhe përfytyrim hiri të krenarisë së luftëtarëve, që është skalitur në atëkohjen mbetet i njëjë pasqyrues i vërtetë dhe realist, sa vetë piktura e mjeshtrit serb. Çdo komponent dhe element dëshmues në këtë tablo, që nga veshja, armatura, stolisja, deri tek shprehia e fytyrës, mënyra e qëndrimit të këtij rojeje, janë një ansambël hijeshije dhe force imponuese.

Ky roje nuk është në këtë krekosje pompoze për të imponuar frikë, por bukuri dhe energji. Karakteristikat dalluese e bashkëafrojnë atë me gjithë sivëllezërit e tjerë që i shërbyen kësaj dinastie të fuqishme, dhe u bënë subjekt i lakmueshëm për mjeshtrat e tablosë, të cilët përcollën jo vetëm shkëqlimin e Egjiptit nën Mehmet Ali Pashain, por edhe rëndësinë dhe vlerat që kumtoi shpura e mercenarëve dhe bestarëve të oborrit të pashait shqiptar që nisi karrierën si taksambledhës dhe përfundoi me shndërimin e Egjiptit në një Perandori të fuqishme civilizimi. /albertvataj/ KultPlus.com

‘Rojtari’ shqiptar i piktorit serb konfiskohet në Beograd

“Rojtari”, vepër e piktorit të njohur serb, Paja Jovanoviq, është konfiskuar në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, kanë raportuar mediat në Serbi. Një udhëtar kishte tentuar ta kontrabandonte veprën duke e fshehur në bagazh.

“Një 39-vjeçar nga Beogradi, duke marrë bagazhet u nis drejt daljes së aeroportit nëpër zonën e gjelbër, ku kalojnë ata që s’kanë çfarë të deklarojnë për doganim. Kur bagazhet e tij u kontrolluan, midis gjësendeve personale u gjet edhe vepra e kornizuar ‘Rojtari’, me dimensione 70 me 56 centimetra”, kanë njoftuar autoritetet doganore të Serbisë.

“Rojtari” muajin e kaluar u shit në ankand në “Dorotheum” të Vjenës.

Në fakt, edhe kjo vepër, njashtu si shumë të tjera të Jovanoviqit (16 qershor 1859 – 30 nëntor 1957), paraqet shqiptarin. Piktori i njohur ka një seri veprash ku portretizohen shqiptarët në Egjipt me kostume të dallueshme tradicionale.

Pos veprës, doganierët të premten kanë gjetur te ky udhëtar edhe faturën origjinale me shumën prej 137 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat. Më 7 qershor, vepra tashmë e konfiskuar, arriti të shitej për 110 mijë euro në njërën prej shtëpive më të njohura të ankandeve, “Dorotheum”, e themeluar në vitin 1707. Pos “Rojtarit” – në po të njëjtin ankand të veprave të shekullit XIX – u shit edhe vepra tjetër e Jovanoviqit, e titulluar “Albaneze” që paraqet ushtarin shqiptar, me dimensione 16 me 12 centimetra. U vlerësua prej 12 mijë deri në 16 mijë euro, në ankand shpresuan ta shisnin për 20 mijë euro, por e kaloi edhe këtë shifër, tek e arriti çmimin prej 38 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat. Edhe “Rojtari” theu rekord. U llogarit të shitej për 20 deri në 30 mijë euro, por arriti trefishin.

Por, një ditë pas konfiskimit, autoritetet e kryeqytetit të Serbisë kanë dalë me plane për “Rojtarin”.

Nënkryetari i Beogradit, Goran Vesiq, të shtunën ka thënë se kjo vepër do të ekspozohet për publikun e gjerë. Ka bërë me dije se ajo do të zërë vend në Muzeun e Qytetit të Beogradit. Ka zbuluar edhe një tjetër detaj: vetë qeveria lokale e kryeqytetit serb, kishte synuar ta blinte atë në ankandin e shtëpisë austriake.

“Nuk kemi guxuar ta zbulojmë faktin që ishim të interesuar ta blejmë këtë vepër, sepse do t’ia rrisnim çmimin. E kemi lutur një kompani perëndimore që vepron në Beograd që ta blejë atë dhe t’ia dhurojë Muzeut të Qytetit të Beogradit. Ajo ishte e gatshme ta paguajë deri në 50 mijë euro në ankand, por ajo arriti çmimin prej 110 mijë eurosh”, ka thënë Vesiq.

Veprat e mjeshtrit Paja Jovanoviq, ka kohë që ofrohen për shitje nga shtëpi të njohura ankandesh. Vetëm “Dorothemum” ka shitur 12 vepra të këtij autori. Muajin e kaluar, Dimitra Reimüller, kuratore e artit të klasicizmit në këtë shtëpi, kishte zbuluar se si kishte arritur te ta vepra “Rojtari”.

“Edhe kjo vepër i përkiste një koleksioni privat. Erdhi te ne nga Italia dhe ishte në pronësi të së njëjtës familje mbi 100 vjet. Hulumtuan për prejardhjen dhe e rikonstruktuam historinë. Sipas të gjitha gjasave, është blerë, gjegjësisht i është porositur direkt artistit”, kishte thënë Reimüller për mediat në Serbi.

Në prillin e vitit 2018, u thye rekordi në çmimin e një pikture të Jovanoviqit. Vepra “Dy bashibozukë para portës” u shit mbi gjysmë milioni euro në ankandin e shtëpisë së njohur londineze të ankandeve, “Sothby’s”. Paja Jovanoviq llogaritet të ketë bërë tetë piktura me temë shqiptare, ndër të cilat veprat: “Lufta e gjelave”, “Zbukurimi i nuses” apo “Shqiptari me duhan”. Edhe në “Dy bashibozukët para portës” dallohen lehtë kostumet shqiptare. /koha/ KultPlus.com

Madhështia e shqiptarit në penelin e piktorit serb

Pavlo Paja Jovanoviç ishte një piktor serb me origjinë kroate, i cili njihet më së shumti për stilin realist.

Punimet e tij të para përfshijnë piktura me motive orientale të cilat ishin mjaf të arrira nga pikëpamja artistike. Ai është konsideruar si “orientalisti” më i madh serb.

Por për shqiptarët pikturat e Jovanoviçit thojnë shumë më tepër se një stil i artit pamor, pikturat e tij dëshmojnë traditat dhe folkun shqiptar të fund shek. XIX me gjithë krenarinë që e karakterizon atë. Gjatë periudhës së parë të krijimtarisë së tij u shqua me tablotë ku pasqyrohet jeta piktoreske në Shqipëri. Pas vitit 1893 filloi një seri kompozimesh të konceptuara në formë dekorative. Më vonë (1906) iu kushtua kryesisht gjinisë së portretit.

Jovanoviçi ka udhëtuar disa herë në vendin tonë. Në Shkodër ka qëndruar më shumë për t’u njohur me kostumet kombëtare, objektet e orendi me ornamentikë të pasur popullore.

Nisur nga kjo krijimtari e popullit e nga zakonet e vendit, ai realizoi disa tablo ku pasqyroi me besnikëri tipa dhe karaktere shqiptarësh.

Gjatë qëndrimit në Shkodër u miqësua me iktorin tonë të shquar të Rilindjes Kombëtare, Kolë Idromenon. Dashuria për kulturën shqiptare dhe dëshira për t’i pasqyruar në art i lidhi ngushtë.

Thuhët se në një tablo të Jovanoviçit, Idromenoja ka pikturuar një figurë malësori me veshje kombëtare. Kjo është bërë me kërkesë të Jovanoviçit, në shenjë respekti për kolegun shqiptar.

Kolë Idromenoja piktor i shquar shkodran, ishte mik i Jovanoviç.

Mendohet se Jovanoviçi ka bërë 8 tablo me temë shqiptare. Më të njohurat janë: “Vallja e shpatave”, “Këngë për Skënderbeun”, “Mësimi i shpatës”, “Përgatitja e nuses shqiptare”, “Tregim nga Kosova”, “Vajza me çifteli”, “Lufta e gjelave”.

Veprat origjinale me temë shqiptare të Jovanoviçit ruhen në muzetë dhe galeritë e Londrës, Vjenës dhe Beogradit.

Pikturat e mëposhtme të Jovanoviçit e paraqesin shqiptarin krenar deri në mendjemadhësi.

(Referencat marrë nga libri “Arti në Ballkan”, A. Kosta) / KultPlus.com