‘Moshe: Një tregim në vazhdim’ nga Orhan Kurtolli, një mospajtim për atë se çfarë po ndodhë

Era Berisha

Pikturat e vendosura në muret shumëngjyrëshe po merrnin frymë nën ashpërsinë kaotike të ngjyrave intensive të cilat përplasnin vëmendjen e të pranishmëve në mëdyshjen e zbulimit të enigmës së fshehur e cila ndoshta është një gjëegjëzë e shkëlqyer e veprave artistike të Orhan Kurtollit që mbrëmë erdhën në ekspozitën e titulluar ‘Moshe: një tregim në vazhdim’, të kuruar nga Albert Heta në Klubin e Boksit, shkruan KultPlus.

Në një hapësirë që i ngjasonte një labirinti që nuk kishte një rezultat apo përfundim të menduar, audienca fillimisht pati rastin t’i admiroj dy piktura të përmasave të mëdha të cilat ishin të vendosura në hyrje të ekspozitës e po një lloj si ambienti, këto piktura po portretizonin një gjendje fort të ngatërruar e cila shprehej në një dominim të ngjyrës së verdhë që stimulonte emocione dhe ndjenja të strukura në thellësinë e ndezur nga prezenca verbuese e pikturave.

Ndërkohë, disa piktura të cilat ndodheshin në kënde të vetmuara, ishin pikërisht ato që komunikonin një vetmi e një brengë të errët por që frymonin në ngjyra krejtësisht të gjalla. Ngjyra rozë që kishte kapluar atmosferën në këto piktura, po rrëmbente edhe kuriozitetin e secilit për të soditur britmat e heshtura të cilat mbyteshin brenda trubullimës së shkaktuar nga plotësimi shpirtëror i qetësisë së pikturave.

Tutje në vazhdim ndodheshin edhe piktura të cilat vinin në kontrast me pikturat e mëparshme për arsye se tani në një imazh monokromatik po shfaqej një përsosje e pandryshuar e gjendjes së njeriut në boshllëkun e mendimeve çoroditëse të cilat ishin të rafinuara kujdesshëm nga mëndafshi i penës që ka mbizotëruar mbi kanvaset e definuara në kënde nga një vijë e bardhë që përshtatej këndshëm me prapavijën e murit të bardhë.

Kurse krejt në fund të ekspozitës, të vendosura ishin piktura të cilat dukshëm dëshmojnë edhe periudhën kohore të tyre. Prandaj, për të folur më shumë rreth përmbajtjes së tyre, për KultPlus foli artisti Orhan Kurtolli, i cili tregoi se përmbajtja e tyre ndahej në tre faza.

“Një pjesë janë nga një cikël më i hershëm, një pjesë janë piktura pak më të vjetra që kanë të bëjnë kryesisht me preokupimin tim në pikturë, me kaosin urbanistik që ka ndodhur në qytet dhe pasojat e atij kaosi. Disa punime reflektojnë një tjetërsim apo tërheqje në vetmi. Pastaj, piktura më të qeta nga tërë ajo tollovi që është formuar në qytetin tonë dhe në fund shfaqet një cikël i pikturave që datojnë qysh nga viti 1970, të realizuara në mënyrë mjaft interesante sepse kam qenë shumë i ri kur i jam rikthyer pasionit tim përsëri”, thotë Kurtolli.

Sipas tij, ky tregim ende po vazhdon sepse ‘Moshe: një tregim në vazhdim’ është ekspozita e tretë personale e artistit e cila erdhi si pasojë e një bisede të zhvilluar me kuratorin i cili ka përzgjedhur këto punime të gatshme që vulosën pikënisjen e kësaj ekspozite.

“Pikturat janë realizuar pa menduar për një ekspozitë sepse janë thjesht një punë të cilën unë e zhvilloj në një vazhdim më ndryshe nga ekspozitat e kaluara por me probleme të njëjta. Ndërsa, ajo se çfarë dominon është situata dhe atmosfera surreale ku gërshetohet nostalgjia dhe situatat e tanishme ku unë si krijues jam munduar ta reflektojë një mospajtim për atë se çfarë po ndodhë”, thotë Kurtolli për KultPlus.

Tutje ai ka falënderuar miqtë dhe artistët që ishin prezent në ekspozitë ku ai shpresonte se të gjithë janë ndarë të kënaqur.

“U ndjeva mirë sepse ishte një hapje jo e rëndomtë sepse papritmas u hap dera dhe filloi ekspozita e cila do të qëndroj për një muaj”, përfundon ai.

Kjo ekspozitë konsiderohet shfaqja e parë e një projekti hulumtues në vazhdim sepse artisti tashmë ka realizuar dy ekspozita personale ndërsa ekspozita e tretë me emrin “Moshe: Një tregim në vazhdim” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, x-print dhe DZG.

“Moshe: Një tregim në vazhdim” është pjesë e Programit Hapësinor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. / KultPlus.com

Zake Prelvukaj me ekspozitë në Shkup, ‘RREGULLAT E REJA’ paraqet ndryshimin tonë përmes kohës dhe teknologjisë

Era Berisha

Ekspozita ‘’Rregullat e Reja’’ nga Zake Prelvukaj vjen me një performancë, 7 piktura masive rreth 2 metra të larta dhe të gjera që janë punuar në vitin 2021 me një kolorit i cili përsëritet qysh nga vitet e 90-ta, 9 fotografi dhe 4 video arte me ç’rast lajmëron ndryshimin e ndjeshmërisë sonë ndaj ngjarjeve të papritura, ekspozitë kjo e cila këtë muaj do të prezantohet në Galerinë Nacionale në Shkup në objektin ‘Çifte hamam’, shkruan KultPlus.

Koncepti i ekspozitës ngërthen në vete kohën në të cilën njerëzit janë duke jetuar dhe ballafaquar me ngjarje apo përditshmëri të papritura. Në këtë shekull është menduar që njerëzit kanë ecur me disa hapa jo të lehtë duke e jetuar transformimin e shtetit tonë. Prandaj, në këtë tranzicion ka pasur edhe disa pika të mira sepse edhe kjo kohë ka një gjatësi, Zake si artiste absorbon informacione, ndonjëherë me vetëdije e ndonjëherë edhe pa të.

Se si erdhi ideja për të krijuar një ekspozitë të tillë në bashkëpunimin me kuratoren Ana Frangovska, për KultPlus ka treguar Zake Prelvukaj.

“Në vitin 2020 jam ftuar nga kuratorja Ana në programin e Shkupit të Galerisë ‘Çifte hamam’, që është një galeri prestigjioze në Maqedoninë e Veriut, por ekspozita e menduar për 11 maj është shtyrë për shkak të rrethanave pandemike”, thotë Prelvukaj.

Sipas saj, në vitin 2007 në një ekspozitë me mediume të ndryshme artistike në ‘’Malla Stanica’’, kuratorja e ka parë artisten dhe e ka ftuar atë duke e ditur që deri në këtë kohë është punuar një art ndryshe, që i përshtatet kohës dhe aktualitetit dhe kështu kuratorja ka pasur dëshirë që Prelvukaj të prezantohet me punën e saj të fundit në një vazhdimësi të punëve të tjera të vitit 2010 por kryesisht punime të vitit 2021 që përputhen me konceptin.

Gjithashtu, Prelvukaj ka dashur që këtë ekspozitë ta përfundojë në muajin maj prandaj edhe ekspozita do të ketë hapjen e saj më 25 maj. Ndërsa, ekspozita e saj kësaj radhe do të vijë në disa ngjyra më transparente, me motive të ndryshme ku nuk janë përdorur më elementet teknologjike.

“Është bërë kjo vazhdimësi e çdo mediumi, por baza kryesore që do të jetë në hyrjen e Galerisë do të jetë njëfarë performance që e bëj unë me pasqyra dhe një monolog me vetveten në njëfarë rrethi dhe pastaj brenda janë dy fotografitë e mija që asnjëherë nuk janë parë. Do të vi me një performim të gishtave, më ndryshe se e zakonshmja”, tregon Prelvukaj për KultPlus.

Ajo tutje ka bërë të ditur se kuratoja veçse e ka bërë renditjen e këtyre punimeve sipas konceptit dhe hapësirës që është lejuar për të realizuar konceptin dhe mesazhin që përcjell ekspozita.

“Sipas mendimit tim, çdo gjë çka ne parashohim, e parashohim si diçka të panjohur. Unë nuk e parashoh të ardhmen, por parashoh diçka, që ne si gjenerata e pas luftës, kemi me qenë të përqendruar në monitor duke e humbur kështu prekshmërinë, ndjeshmërinë dhe atë se çka jemi si qenie njerëzore”, tregon ajo.

Për Zaken, ky përjetim do të jetë shumë më shumë optik përmes virtuales dhe ajo e ka parë se është drejtuar aty ku do të jetë një botë ndryshe, qoftë me dëshirën apo pa dëshirën e secilit. Prandaj, as nuk mund të thuhet se është diçka e mirë apo e keqe sepse nuk është e njohur por që duhet të pranohet sepse nuk është duke u luftuar me kohën sepse koha na mund secilin, por këto janë vetëm paralajmërime që artisja i sjell si një individ dhe qytetare për shpjegimin e rregullave të çrregullta, për njerëzit, por ndoshta edhe të rregullta për gjeneratat e reja që po vijnë duke u bazuar në ndjenjën e saj që diçka po ndryshon.

“Edhe pse koha ka qenë e tmerrshme, është diçka interesante sepse unë në këtë vit jam vetvetja dhe mjaft e disponuar sepse e kam kuptuar dhe po e kuptoj çdo ditë se jeta nuk duhet të jetohet duke u marrë me gjëra të cilat na bëjnë nervoz, me njerëz që nuk kanë disponim të mirë. Këtë e kam parë edhe në ngjyrat që po i përdori, të cilat janë shumë më transparente, më të mira dhe më të disponueshme edhe për mua si autore por edhe për shikuesit dhe artdashësit që do ti shohin punimet”, rrëfen ajo.

Po ashtu, artisja është shprehur se ajo jetën po e dashuron shumë më shumë tani sepse e ka parë që rëniet njerëzore të popullatës asnjëherë nuk janë paralajmëruara. Prandaj, ajo çdo minutë dhe çdo mot të kthjellët e shfrytëzon qoftë edhe duke dalur deri në ballkon sepse sipas saj çdo gjë duhet të përjetohet në mënyrën më të mirë në mundësitë që ofrohen.

Punimet e kaluara të artistes janë cilësuar se ato vazhdimisht po flasin njëjtë ku edhe në këtë kohë që janë rikthyer, ato ende po flasin, me ç’rast Prelvukaj është shprehur se po ndjehet mjaft e lumtur për ciklin e ri që po fillon sepse është një vazhdimësi e viteve 96/97-ta të cilat kanë qenë një lojë me instrumente.

“Këtë lojë e kam përpunuar më ndryshe duke përfshirë rregulla, motive dhe objekte shumë më ndryshe që lidhen me diçka të pa parashikuar dhe mund të them që për mua janë pikërisht këto vepra të vitit 2021, vepra të mira për kohen që i kam punuar”, ka potencuar ajo.

Teksa ajo flet për vështirësitë e hasura ajo ka treguar se vështirësia e vetme që ajo parasheh është vetëm transporti sepse punimet janë masive dhe organizimi nuk është i lehtë. Kurse, për të ardhmen ajo shpreson se njerëzimi të mos sundohet më nga njerëz të ‘veçantë’ por që secili të ketë një barazi që kontribuon në ndërtimin e shtetit.

“Nëse e hulumtoj vetveten se pse jam kaq e disponuar, e gjej veten duke menduar që më është hapur një dritare e re sepse nuk e di çfarë është por po shoh diçka të mirë. Në tërë këtë tmerr më është hapur njëfarë porti që po shoh vetëm pozitivitet. Ashtu po ndjehem mirë por nuk e di pse”, thotë Prelvukaj.

Në këtë intervistë për KultPlus ajo ka bërë të ditur se punimet në këtë ekspozitë janë historia e saj dhe e botës në një periudhë kohore të tillë. Po ashtu, ajo këtë ekspozitë e ka cilësuar si një paralajmërim i idesë që njerëzit janë ata që nuk çuditen më. Kurse, ajo se çka pëlqehet nga artistja është se njerëzit e kanë kuptuar që të gjithë në këtë botë, sido qofshin ata, ata janë njerëz të njëjtë.

Kështu, krejt në fund ajo ka shpalosur edhe synimet e saj për të ardhmen të cilën ajo e sheh si një mundësi për të krijuar edhe më shumë duke u shprehur se ky virus i ka shtyrë njerëzit të mendojnë më thellë.

“Dëshira ime në të ardhmen është kontributi që pikturat e krijuesve kosovar dhe ndërkombëtarë ta gjejnë një shtëpi të përjetshme për të cilën Kosova ka nevojë si një aspekt i politikës kulturore”, përfundon Prelvukaj. / KultPlus.com

Vajzat rome me ekspozitën ‘’E ardhmja jonë’’, synojnë një të ardhme të mbushur me diversitet

Era Berisha

Pikturat shumëngjyrëshe të cilat krijuan iluzionin se po vallëzonin në një horizont ylberi e po shpalosnin ëndrrat dhe shpresat e shumta të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, janë prezantuar sot në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës përmes një ekspozite të titulluar ‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e realizuar nga vajzat rome, shkruan KultPlus.

Ky projekt për qëllim pati thyerjen e barrierave dhe luftën ndaj stereotipave të shoqërisë në përgjithësi, ku vajzat rome patën rastin të prezantojnë rreth 50 piktura, nëpërmjet së cilave shpaloset se si ato e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e shoqërisë kosovare.

Pikërisht për të arritur këtë qëllim, fuqia e artit është konsideruar pikënisja më e mirë për të drejta të barabarta pa dallim të religjionit, ngjyrës, gjinisë apo moshës dhe njëkohësisht edhe për qasjen në aktivitete dhe programe socio-kulturore e edukativo-sportive.

Kjo ekspozitë që ngërthen në vetë një mesazh shumë të fortë dhe mjaft domethënës ka pritur sot vizitorë të shumtë të cilët patën rastin që nga afër ti ndjenjë emocionet dhe ndjenjat e veçanta me të cilat vajzat rome frymojnë dhe shpresojnë çdo ditë për ekzistencën totale të diversitetit.

‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e zhvilluar nga mentorja dhe kreatorja e cila ka punuar me vajzat nga Mitrovica, duke i realizuar pikturat së bashku dhe duke dhënë kështu mesazhin se piktura më e mirë është ajo e cila ka më shumë ngjyra dhe që po e njëjta vlen për shoqërinë. Pra, shoqëria më e mirë është ajo e cila ka më së shumti diversitet.

Pas hapjes së parë të kësaj ekspozite në Parlament me 8 mars, ku i është dhuruar veçanti temës për gruan dhe fuqinë e saj, tani në hapjen e dytë është fokusuar po e njëjta temë, me ç’rast përmes pikturave të cilat burojnë ngjyrë për diversitet në mbarë botën, mendohet të arrihet një e ardhme më e mirë për këto komunitete.

Në mesin e llojllojshmërisë së ngjyrave të vendosura në muret e korridorit, të pranishëm ishin edhe organizatorët e këtij projekti si: UN Women dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar si dhe Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.

Ai që nisi këtë hapje ishte vetë Berisha, i cili ka shprehur se për të është një kënaqësi që ai ndodhet në mesin e të pranishmëve duke shpresuar kështu për më shumë bashkëpunime të tilla.

“Është kënaqësi shumë e madhe që për fatin tonë të dashur na keni mbushur muret ngjyrë. Por është ende më e veçantë që për këto punime janë përkujdesur vajzat rome. Në të ardhmen do kisha dëshirë që të ndodhin pikërisht këto bashkëpunime për realizimin e këtyre projekteve e në veçanti projektet të cilat ndërlidhen me të gjitha komunitetet në Kosovë”, thotë Berisha.

Ndërsa, Jacob Webber nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ka falënderuar Komunën e Prishtinës për këtë mundësi.

“Është një kënaqësi e madhe që sot jam këtu dhe që kemi mbështetur këtë projekt sepse është një pjesë e një projekti të madh në Kosovë, për arsye se ka qenë një vit shumë i vështirë dhe mundësitë për këtë projekt janë shumë të rëndësishme për shpresën e këtyre komuniteteve’’, tha ai.    

Po ashtu, Vlora Tushi Nuzi nga UN Women është shprehur se ky projekt për të ishte njëri ndër projektet më të bukura përmes së cilës janë bashkuar të gjitha forcat për të dhënë kontributin në mirëqenien e qytetarëve.

“Një falënderim i veçantë shkon për Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, për mbështetjen e tyre sepse ky projekt kontribuon në mirëqenien e këtyre komuniteteve dhe në të gjitha kombinimet e kushteve me të cilat ne jemi detyruar të jetojmë në këtë izolim”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka falënderuar vajzat rome për kreativitetin dhe guximin e tyre dhe ka shpresuar që ende të ekspozohet puna e tyre edhe në ndërtesa të tjera, pasi që tashmë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ka shprehur dëshirën e saj që të ketë pikturat e vajzave rome në zyrën e saj.

Gjithashtu, vetë mentorja e këtyre pikturave Mirjeta Qehaja, ka shprehur kënaqësinë e saj për një mundësi të tillë duke e pasur parasysh se këto vajza janë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian por të cilat shumë nga to nuk merren me art.

“Fatkeqësisht për momentin unë jam e para dhe e vetmja e diplomuar në këtë drejtim dhe ende nuk kemi asnjë të regjistruar në fakultet. Prandaj, për mua është një përgjegjësi e dyfishtë jo vetëm për karrierën time por edhe për të gjitha vajzat dhe të rinjtë e komuniteteve që të arrijnë sa më shumë në art dhe që arti të zhvillohet sa më shumë në Kosovë”, thotë Qehaja.

Ajo tutje ka thënë se procesi i pikturimit ka qenë tepër i mirë sepse puna me këto vajza ishte një veçanti e bukur.

“Unë shpresoj shumë që në të ardhmen do të kemi më shumë artistë që i përkasin këtyre komuniteteve. Vajzat janë gëzuar shumë që kanë pasur një mundësi të tillë sepse jo çdo herë jepet kjo mundësi duke e pasur parasysh që arti është shumë i kushtueshëm, prandaj për vajzat e reja duhet të ekzistojnë fonde të posaçme ku jepet mundësia për ti shfrytëzuar ato materiale për të paraqitur talentin e tyre”, shpreh Qehaja për KultPlus.

Sipas saj, përderisa ngjyra e lëkurës vlerësohet më shumë sesa ngjyra e syve do të thotë se gjithmonë do të ketë një luftë në botë. Ndërsa, gëzimi i saj më i madh ishte gëzimi i vajzave rome kur ato panë materialet dhe kur filluan të pikturojnë.

Krejt në fund, teksa të pranishmit po bisedonin rreth pikturave dhe domethënies unike të tyre, drejtori i Kulturës për KultPlus është shprehur se piktura që atij i ka lënë më së shumti përshtypje, ishte piktura me një prapavijë të verdhë ku shihen katër vajza duke vallëzuar me njëra-tjetrën dhe të gjitha ato kanë një ngjyrë ndryshe nga njëra-tjetra dhe në vallëzim ato janë duke e krijuar një siluetë të një vajze që po buzëqesh.

“Unë e kuptova që vajzat rome e shohin shoqërinë duke vallëzuar me njëra-tjetrën pa dallime të ngjyrës së lëkurës dhe buzëqeshja do të ishte ajo e cila do të simbolizonte atë valle të cilën po e hedhin ato”, përfundon Berisha për KultPlus.

Ky projekt është realizuar nga UN Women, IPKO Foundation dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa nikoqire e këtij projekti është Komuna e Prishtinës.

Luciano Ventrone, italiani i famshëm i pikturës hiperrealiste

Këto nuk janë fotografi, janë piktura. Këto nuk janë thjeshtë piktura hiperrealiste, por shprehje e forcës për të interpretuar me të njëjtin puls dhe shpirt, çastin që orvatet të mëtojë realen përmes një mjeshtërie të mahnitshme, përmes atyre penelatave të holla, delikate dhe të gjalla, të cilat janë vetë ai vullnet i lartë që i krijon, i mëkon duke u përpjekur të ofrojë përkimet e njerëzores me shenjtërinë e asaj energjie qiellore krijimi që bën gjithçkanë për të qenë ajo çfarë ne e pranojmë si shpërblim.

“Piktura nuk ka të bëjë me paraqitjen e thjeshtë të një sendi, por me ngjyrën dhe dritën e tij”, thotë Luciano Ventrone dhe është kjo qasje, me të cilën ai u tregon njerëzve se arti nuk pretendon të imitojë natyrën, por t’i japë zë asaj pëshpëritje që dëgjojmë ne teksa biem në kurthin e ngjyrave, të dritës dhe të bukurës që na deh me joshje.

Ai vijon se “Subjekti nuk mund të shihet siç është por si një element abstrakt,”, dhe si i tillë ai ta përshkojë nëpërnmjet një meditimi, të tillë që i jep shkas artistit të lejojë përshkueshmërinë e dritës që sheh objektin, që ta zotërojë deri në caqet e shpirtërores së krijimit përmes ngjyrës.

Luciano Ventrone vlerësohet nga institucioni italian i artit, muzetë, kuratorët dhe kritikët si një nga eksponentët kryesorë të zhanrit të tij dhe festohet gjerësisht si piktori më i mirë hiper-realist italian dhe pasardhësi i pikturës metafizike.

Ai zhytej në pothuajse të gjitha rrymat dhe stilet artistike, si një mjet për të ushqyer dhe zhvilluar gjuhën e tij artistike. Ventrone mori ndikimin e tij nga Caravaggio, dhe Giorgio Morandi, dhe ishte një student i drejtpërdrejtë i Giuseppe Capogrossi. Qasja e tij e vetmuar dhe thirrja artistike i atribuohet kësaj disipline jashtëzakonisht rigoroze dhe hollësisë në studimin e tij të ngjyrës dhe formës. Vizatimet e tij jetësore u botuan në librin Akademik Anatomia e Njeriut – sistemi nervor qendror, nga Prof Gastone Lambertini. Duke jetuar në Itali midis brigjeve të Detit Mesdhe, artisti kalonte dymbëdhjetë orë në ditë në studion e tij duke punuar në kompozimet.

Pika e kthesës në karrierën e artit të Ventrone ishte kur Frederico Zeri, studiuesi i madh i artit, trokiti në derën e studios së tij në 1983. Ventrone kishte ekspozuar tashmë në galerinë më prestigjioze të artit në Londër, Wildenstein, dhe pas vizitës së Zeri, ai u prezantua në Tokio si më i miri. Me mbështetjen e historianëve dhe kritikëve më të frytshëm të artit, Achille Bonito Oliva dhe Edward Lucie-Smith, Ventrone u vendos si një artist bashkëkohor i rëndësishëm i brezit të tij. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Pikëpyetjet mbi autorësinë e pikturës që u shit si vepër e Da Vincit

Një dokumentar francez ka hedhur dyshime të reja mbi pikturën më të shtrenjtë në botë, “Salvator Mundi”, të Leonardo da Vinci, duke shkaktuar një përplasje diplomatike midis Francës dhe pronarit të saj saudit.

Vepra me portretin e Jezu Krishtit, e njohur edhe si “mashkulli Mona Lisa”, u shit në një ankand të “Christie’s” në vitin 2017, në New York, me çmim rekord prej 450 milionë dollarësh.

Blerësi sekret më vonë u zbulua se ishte princi saudit, Mohammed bin Salman, megjithëse kjo ende mohohet në Riad. Por ka kohë që ka pasur pikëpyetje nëse ajo është tërësisht një vepër e Da Vincit.

Çështja doli në pah përsëri kur piktura nuk u shfaq ashtu siç ishte planifikuar në muzeun “Louvre Abu Dhabi” në vitin 2018, dhe pastaj një vit më pas në ekspozitën e paralajmëruar nga Muzeu i Louvreit në Paris.

Tash dokumentari “The Savior for Sale” (Shpëtimtari për shitje) nga regjisori Antoine Vitkine, që do të shfaqet premierë në televizionin francez javën e ardhshme, synon të zbulojë se çfarë po ndodh prapa skenave.

Në film zyrtarë të lartë nga Qeveria e presidentit Emmanuel Macron, të paraqitur me pseudonime, konfirmojnë që analiza shkencore të kryera nga Louvrei dolën në përfundimin se gjersa vepra është realizuar në atelienë e Da Vincit, vetë mjeshtri vetëm “kontribuoi” në pikturë. Kjo me sa duket ndikoi te sauditët.

“Gjërat u bënë të pakuptueshme”, ka thënë një nga zyrtarët francezë në lidhje me filmin. “Kërkesa nga ‘MBS’ (bin Salman) ishte shumë e qartë: shfaqeni ‘Salvator Mundin’ pranë ‘Mona Lizës’ dhe paraqiteni si pikturë të realizuar 100 për qind nga Da Vinci”.

Sauditët ofruan marrëveshje të ndryshme, thotë zyrtari, por rekomandimi i tij për Elysee ishte që kjo të dërgonte “në pastrim parash për një punë artistike prej 450 milionë dollarësh”.

Dokumentari pretendon se disa anëtarë të Qeverisë franceze, përfshirë ministrin e Jashtëm Jean-Yves Le Drian, lobuan në emër të kërkesës së bin Salman. Ata ishin të shqetësuar për ndikimin në marrëdhëniet e gjera strategjike dhe ekonomike të Francës me Arabinë Saudite.

Por sipas dokumentarit, Macron në fund të fundit vendosi të refuzonte kërkesën e Bin Salmanit, duke ia lënë në dorë Muzeut të Louvreit për të negociuar me sauditët se si duhet të ekspozohet piktura në ekspozitën retrospektive me veprat e Da Vincit. Nuk u arrit asnjë marrëveshje dhe Muzeu nuk ka pranuar të komentojë rastin.

“Sauditët kanë frikë nga ky debat mbi vërtetësinë”, ka thënë në dokumentar Chris Dercon, i cili kryeson një nga organet kryesore të muzeut në Francë dhe këshillon Qeverinë Saudite për artin.

“Ata kanë frikë se njerëzit do të thonë, brenda dhe jashtë vendit: ‘ju i keni shpenzuar të gjitha këto para për diçka që nuk u realizua nga Da Vinci’”.

Piktura u ble fillimisht në vitin 2005 për vetëm 1 mijë e 175 dollarë nga një tregtar arti në New York dhe u restaurua në Shtetet e Bashkuara.

Disa ekspertë britanikë vërtetuan se piktura e humbur prej kohësh është e Da Vincit dhe u prezantua si e tillë në Galerinë Kombëtare të Londrës në vitin 2011 para se t’i shitej një oligarku rus për 127.5 milionë dollarë dy vjet më vonë. / Koha.net / KultPlus.com

“Salvator Mundi” u shit në një ankand të “Christie’s” në vitin 2017, në New York, me çmim rekord prej 450 milionë dollarësh

Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e pikturave të Van Goghut dhe Frans Halsit

Muzeu “Singer Laren”, ku vepra artistike “Kopshti pranveror” i Vincent Van Goghut ishte vjedhur, është mbyllur për publikun për shkak të shpërthimit të pandemisë në Laren, Holandë.

Policia holandeze ka vënë në pranga një të dyshuar për dy vjedhje të ndara të pikturave të mjeshtërve holandezë Vincent Van Gogh dhe Frans Hals nga muzetë kur këto ishin të mbyllura për shkak të pandemisë.

“Këtë mëngjes kolegët e mi kanë arrestuar një burrë 58-vjeç në Baarn dhe ne dyshojmë se ai ka vjedhur dy piktura nga Frans Hals dhe Van Gogh”, ka thënë zëdhënësja e policisë Maren Wonder në një video-deklaratë të lëshuar në Twitter. Nuk janë dhënë hollësi të tjera në lidhje me të dyshuarin.

Ajo ka shtuar se pikturat nuk janë rikthyer dhe i ka bërë thirrje publikut që të sjellë çfarëdo informacioni për vendndodhjen e veprave.

Në mars të vitit të kaluar hajdutët vodhën pikturën e Van Goghut “Lentetuin” (Kopshti pranveror), që daton nga viti 1884 dhe paraqet kopshtin e famullisë në Nuenen, e cila ndodhej në Muzeun Singer Laren në Laren pranë Amsterdamit.

Pesë muaj më vonë hajdutët hynë në një muze të vogël pranë qytetit të Utrechtit dhe morën me vete një pikturë të mjeshtrit holandez të epokës së artë, Frans Hals.

Vepra “Two Laughing Boys”, që daton nga viti 1626, ishte vlerësuar rreth 15 milionë euro nga një ekspert. Ishte vjedhur dy herë në historinë e saj katërshekullore, përfshirë edhe një në maj të vitit 2011, në po të njëjtin muze. Policia arriti të rikthente më vonë gjatë atij viti, pasi arrestoi katër burra që u përpoqën ta vidhnin veprën. / Reuters / KultPlus.com

(Foto: Reuters / Piroschka Van De Wouw)

Vepra artistike e paekspozuar e Van Gogut shitet për 13.09 milion euro në Paris

Një pikturë e mjeshtrit holhandez Vincent Van Gogh e vitit 1887, e cila ka qëndruar më shumë se 100 vjet pas dyerve të mbyllura, është shitur në vlerën e 13.09 milion euro në Francë.

Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” tha se vlera e arritur ishte një rekord për artistin hohlandez. Vepra që nga ajo kohë ka qenë në pronësi të një familjeje franceze.

Piktura është pjesë e një serie veprash që Van Gogh krijoi ndërsa qëndronte në Paris me vëllain e tij Theo në 1886 dhe 1887.

Ajo portretizon një nga mullinjtë e erës që përshkonte Montmartre në një kohë kur ishte thjesht një fshat në periferi të Parisit.  Eksperti i Van Gogh, Martin Bailey, shprehet se piktura ishte “një vepër kalimtare e Van Gogh, kur ai pikturonte me ngjyra të errëta dhe tokësore. “

“Në Paris ai zbuloi Impresionistët dhe kjo e bëri që të eksploronte ngjyrën,” shton Bailey.

Sipas studiuesit të artit Bailey, skena e përshkruar në pikturë ishte vetëm një shëtitje e shkurtër larg nga banesa ku Vincent dhe vëllai i tij po jetonin atëherë. Kisha e famshme Sacré-Cœur që tani dominon zonën ishte në ndërtim e sipër.

“Në kohën e tij, mullinjtë ishin bërë një qendër argëtimi,” vazhdoi ai. “Pa dyshim që Vincent hynte herë pas here për të pirë, kur kishte disa franga në xhep.”

Van Gogh u largua nga Parisi për në jug të Francës në 1888. Ai vdiq afër Parisit në korrik 1890. /ora/ KultPlus.com

Botiçeli, piktori i bukurisë ideale

Në qiellin e shndritshëm të rilindjes fiorentine, midis protagonistëve të padiskutueshëm ndodhet edhe Sandro Filipepi, i njohur si Botiçeli, interpretuesi më magjepsës i humanizmit toskan.

Madhështia e Botiçelit qëndron në stilin vërtet origjinal, që e zbulon veten, thuajse si në ëndërr, në kuptimin estetik inovativ. Stili i Botiçelit është i çuditshëm, shumë personal, që gjen korrespondencë vetëm në kontekstin sienez ose nordik, por që është e pamundur të dimë nëse ka pasur kontakte të drejtpërdrejta apo jo. Karakteristikat themelore të stilit të Sandro Botiçelit janë: kërkimi i një ekuilibri kompozicional harmonioz, ku zgjedh rëndom kompozimet e lira, ritmike; një kompozim i hijshëm dhe shumë i gjallë, me një linjë precize dhe valëzuese që modulon konturet e modeleve dhe i lehtëson ato. Linja është thelbësore për Botiçelin, pasi në tablotë e tij gjithçka bazohet në gjurmët dhe gjestet mëkatare të modelit. Format duken të lehta, pa peshë, madje duket se janë prerë nga këto portretizime të hijshme dhe emocionuese. Sfondet janë të cekëta, madje-madje ngjasojnë me mure vizatuara ose të qëndisura. Ngjyrat shpesh janë të ftohta dhe të panatyrshme – edhe këto janë abstrakte.

Piktura e Botiçelit është ajo e një bote imagjinare, e gjitha onirike, e cila jeton vetëm në imagjinatë dhe jo në realitet. Është plot referenca dhe kuptime intelektuale shumë komplekse, të lidhura me elitën kulturore Mediçis, të cilat edhe sot e kësaj dite vijojnë të jenë misterioze, madje gati të padeshifrueshme.

“Venusi i Botiçelit” – një nga kryeveprat e padiskutueshme të Sandro Botiçelit, e konsideruar si kulmi i përfaqësimit femëror, një homazh i feminitetit. Realizuar në harkun kohor trevjeçar (1482-14485), “Lindja e Venusit” u porosit te Botiçeli për vilën “Castello”, në pronësi të Mediçi, Popolani. Pëlhura e “Venusit” bashkëndan me një tjetër vepër të piktorit të njohur, “Pranvera”, jo vetëm karakteret ikonografike dhe alegorike, por edhe të njëjtën vendndodhje. Mbase këto dy piktura ishin pjesë e të njëjtit cikël, i cili, së bashku me “Pallade e il centauro” (“Palada dhe centauri”), plotësojnë triptikun me temë mitologjike. Realizimi i ciklit do të vendoset në prag të qëndrimit të piktorit fiorentin në Romë, madje ka studime të ndryshme për temat e trajtuara nga Botiçelli, siç janë tre shembujt e venusit: njëri në Gemäldegalerie në Berlin, një tjetër në “Galleria Sabauda” në Torino dhe e treta është në një koleksion privat në Gjenevë. Edhe pse emërtimi mund të jetë mashtrues, vepra rrëfen jo lindjen e perëndeshës klasike, por zbritjen e saj në ishullin e Qipros, e shtyrë nga bashkimi i erërave të Zefirit që përqafon nimfën Clori (nganjëherë identifikohet si era Bora ose Aura). Në breg, për të mirëpritur perëndeshën, është një nga Orët, nimfat që përfaqësojnë alternimin e stinëve, që i shtrin një mantel të çmuar me zbukurime lulesh.

Ikonë bukurie

Botiçeli e merr frymëzimin nga referencat e famshme klasike, të tilla si “Venere Anadiomene”, një statujë që me siguri e pa pasi tashmë ishte në pronësi të Mediçis. Fytyra e perëndeshës është frymëzuar nga muza e Botiçelit, Simoneta Vespuçi, e konsideruar nga Firence e asaj epoke si gruaja më e bukur e lindur ndonjëherë. Sidoqoftë, që nga krijimi, vepra është konsideruar si një nga përfaqësimet më të larta të skemave të përfaqësimit të femrave. Afërdita është bërë një simbol jo vetëm i Firences mediçiniane, por një nga veprat më të famshme të artit të Rilindjes në botë.

Filozofia neoplatonike përshkon tërë paraqitjen alegorike, në të cilën Afërdita me bukurinë e saj trupore përfaqëson përsosmërinë dhe pastërtinë e shpirtit. Ajo përfaqëson dashurinë si energjinë dhe forcën lëvizëse të Natyrës. Puna përqendrohet në një alegori neoplatonike të bazuar në konceptin e dashurisë si energji jetëdhënëse, si forca lëvizëse e natyrës. / Konica.al / KultPlus.com

Piktura e Botticellit shitet për 80 milionë dollarë

Një pikturë e artistit të madh italian të Rilindjes, Sandro Botticelli u shit për 80 milionë dollarë në një ankand në internet, konfirmoi shtëpia e ankandit Sotheby’s në një postim.

Çmimi, i cili arriti në 92,2 milionë dollarë bashkë me taksat, ishte një rekord për shitjen në ankand të një vepre nga Botticelli (1445-1510).

Sotheby’s nuk e ka emëruar blerësin.

Shtëpia e ankandeve theksoi ”se portreti, i cili përshkruan një të ri me origjinë të panjohur, konsiderohet si një nga pikturat më domethënëse të Rilindjes në duart e individëve.

“Një nga portretet më domethënëse të çdo periudhe që është shfaqur ndonjëherë në ankand dhe një vepër që përcakton Rilindjen fiorentine arrin në 92,2 milionë dollarë”, shkroi në Twitter Sotheby’s. /atsh/ KultPlus.com

Piktura me Tintinin shitet për 3.2 milionë euro

Një pikturë e heroit të librave komikë Tintin, që mbahej prej vitesh në sirtar, është shitur të enjten në Paris për 3175 milionë euro, ka njoftuar shtëpia e ankandeve “Artcurial”.

Piktura është vepër e ilustruesit belg Georges Remi, i njohur me llagapin Herge, që ishte autor i librave komikë me Tintinin. Ai vdiq më 1983.

Herge e kishte bërë pikturën për botuesin e tij si propozim për kopertinën e albumit të para Luftës së Dytë Botërore për Tintinin “The Blue Lotus”, bën të ditur shtëpia e ankandeve, e cila kreu shitjen.

Por botuesi i Herges hodhi poshtë pikturën, dhe një tjetër imazh i Hergës u përdor si kopertinë. Imazhin e refuzuar ilustruesi ia dha si dhuratë Jean-Louis Castermanit, pasardhës i shtëpisë botuese që botoi librat për Tintinin.

Piktura u ruajt nga Castermani, e mbyllur në një sirtar. Deri në vdekje ai i hodhi poshtë ofertat për ta shitur veprën, duke thënë se e çmonte si dhuratë prej Herges, ka thënë Eric Leroy, ekspert i librave komikë në “Artcurial”.

Çmimi i shitjes prej 3.2 milionë eurosh është para se t’i jenë shtuar tarifat e ankandit. Blerësi ishte një koleksionist privat, të cilin shtëpia e ankandeve nuk e identifikoi.

Çmimi tejkaloi vlerësimin e vendosur nga ekspertët e ankandeve prej 2.8 milionë eurosh.

Imazhi në pikturë paraqet gazetarin e ri e të guximshëm Tintin, me veshje orientale dhe me qenin e tij Snowy, që fshihet në një vazo prej një dragoi të kuq e të egërsuar. Piktura, me bojë dhe ngjyra uji, ende ruan shenjat kur është krijuar.

“Është më e bukura që ishte në treg në duart e një privati”, ka thënë Leroy para shitjes. / Koha/ KultPlus.com

Piktura 280 000 euroshe i shpëton një fundi fatkeq

Një vepër arti me vlerë 280 000 euro (339 570 dollarë), i piktorit surrealist francez, Yves Tanguy, u shpëtua nga një fund fatkeq kur u zbulua në koshin e riciklimit të letrave në një aeroport, sipas policisë gjermane.

“Një biznesmen e kishte harruar pikturën, e paketuar në një kuti kartoni, në aeroportin e Dusseldorfit, para se të nisej për në Tel Aviv”, tha ajo në një deklaratë.

Sapo pronari i pikturës e kuptoi se e kishte harruar pas bagazhin e tij të vlefshëm, u përpoq të gjente përgjigje në Izrael, por pa sukses.

Nipi i tij, nga Belgjika, u nis për në Dusseldorf dhe raportoi për pronën e humbur.

Policia e atjeshme kontaktoi me kompaninë e pastrimit, e cila kontrolloi të gjitha letrat e hedhura imtësisht.

“Në fakt, piktura e vlefshme ishte pikërisht në fund të koshit”, sqaroi policia.

Piktura iu rikthye pronarit të saj./atsh/ KultPlus.com

Francezja me dimija, e dashura e piktorit shqiptar që u bë motiv për artin e tij

Një pikturë në vaj që mbanë një histori më vete. Kjo është Nadége, një grua franceze që i rastisi jeta të vizitojë Kosovën e të provojë edhe dimijat, veshje kjo që gratë shqiptare e kanë përdorë për një kohë të gjatë, e ende sot i hasim në disa vende të Kosovës, shkruan KultPlus.

Piktori shqiptar i cili jeton dhe vepron në Austri, Gazmend Freitag, ka ndarë për herë të parë për lexuesit e KultPlus një histori mjaft të bukur nga jeta e tij.

Një pikturë ku shihet një grua franceze e veshur me veshje tradicionale shqiptare (dimija), në fakt prapa saj qëndron një fotografi e cila e ka inspiruar piktorin.

Me Nadége, artisti kosovar ka qenë në lidhje dashurie për 3 vite me radhë (2012 – 2014). Ajo është franceze, ndërsa ka studiuar në Francë gjuhën gjermane, ku pastaj është punësuar si mësuese e gjermanishtes në Linz, Austri ku edhe jeton aktualisht. Përveç punës, në Gjermani Nadége gjeti edhe dashurinë. E pikërisht kjo dashuri e dërgoi në një vend që deri atëherë për të ishte i panjohur, në Kosovën tonë të bukur.

Në vitin 2012, Nadége me vetë dëshirë ka ardhur në Kosovë për pushime verore e shoqëruar nga gruaja e vëllait të piktorit. Në vendlindjen e tij, në fshatin Pataçani i Poshtëm, Nadége qëndroi për disa ditë me radhë ku edhe u njoftua me doket e zakonet shqiptare.

Takimi me prindërit e piktorit dhe vizitat në Kosovë e kanë fascinuar francezen e cila nuk la po i fokusuar këto momente për t’i ruajtur përgjithmonë në fotografi.

Këto qindra fotografi, artistit i kanë shërbyer si baza për të pikturuar motive nga Kosova.

“Nadege ka qenë e fascinuar nga jeta idilike, nga natyra e peizazhet piktoreske. Ndërsa qyteti i Prizrenit i ka mbetur i ngulitur në kokë. Ka fotografuar edhe shkollën e gjimnazit në Prizren, aty ku unë kam përfunduar mësimet e këto fotografi janë bërë bazë për punën time artistike”, ka thënë Freitag për KultPlus. Ai tutje rrëfen se si ishte impresionuar nga gjesti i Nadége-s kur e kishte parë të veshur me dimija.

“Ajo e adhuronte gjuhën shqipe, Kosovën, traditat tona, kulturën por edhe kuzhinën shqiptare. Francezja e pat vizituar edhe Kalanë e Prizrenit dhe Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit dhe ka realizuar mbi 500 fotografi.”

Nadége nuk u kthye në Austri duarbosh. Me vete mori tri dhurata për të dashurin e saj. Djepin, fyellin dhe çiftelinë, ndonëse sot i ndarë me Nadégen, piktori i ruan me shumë nostalgji.

“Nadége ma pat fresku kujtimin për vendlindjen që u pat akumuluar mbi 20 vite. Gjithë dashuria ime për atdheun shpërtheu në vepra arti që i krijova nga zemra”, thotë Gazmend Freitag.

Nadége u bë edhe modele për pikturën e titulluar „Baresha“ e që artisti e ka shumë të çmuar.

Arti i tij lidhet ngushtë me Nadége-n, andaj piktori nuk e ndau kurrë atë nga jeta e tij artistike. / KultPlus.com

Vidhet për herë të tretë piktura e Frans Halsit “Two Laughing Boys”

Grabitësit kanë vjedhur të enjten pikturën e mjeshtrit holandez të kohës së artë, Frans Hals, në një muze të vogël afër qytetit holandez të Utrechtit, ka bërë të ditur policia.

Me një vlerë që sipas ekspertëve shkon në 15 milionë euro, kryevepra, që daton nga 1626-a, është marrë nga “Hofje van Aerden Museum” mëngjesin e hershëm të së enjtes kur hajdutët kanë hyrë në ndërtesë prej derës së pasme.

Kjo është vjedhja e dytë e një pikture në një muze të mbyllur në Holandë për shkak të pandemisë me Covid-19, pasi në mars ishte vjedhur një pikturë e Van Goghut nga “Singer Laren Museum”.

“Rreth orës 3:30 të mëngjesit, alarmi ka rënë, dhe agjentët kanë hyrë drejt e në muze”, ka thënë policia përmes një kumtese teksa ka bërë thirrje për dëshmitarë.

“Pasi menaxheri i Muzeut mund të jepte qasje për hapësirën dhe ndërtesën, qëlloi që dera e pasme ishte e hapur dhe një pikturë qe vjedhur”.

RTL Nieuws ka cituar ekspertin e artit Arthur Brand i cili e ka vlerësuar pikturën rreth 15 milionë euro.

“Kriminelët e dinë se muzetë kryesorë kanë siguri të mjaftueshme”, ka thënë ai për transmetuesin holandez, por muzetë më të vogël regjionalë kanë më pak siguri.

“Ata mbase kanë menduar se kjo pikturë kishte vlerë goxha të madhe të parave, dhe ishte relativisht e lehtë të vidhej”.

Piktura “Two Laughing Boys” është vjedhur dy herë rresht në historinë e saj katërshekullore, përfshirë edhe një të fundit në maj të 2011-s kur qe vjedhur prej të njejtit muze. Policia e riktheu atë më vonë gjatë po të njejtit vit kur arrestoi katër burra që po përpiqeshin ta shisnin atë.

Piktura e Van Goghut është marrë në Laren, “Spring Garden” e 1884-s, nuk është gjetur.

Hals, një bashkëkohës i piktorit holandez Rembrandt van Rijn, ishte lindur në fillim të viteve 1580 në Antwerp dhe si fëmijë që vendosur në qytetin holandez të Haarlemit.

Ai nisi të punonte si restaurues arti para se të bëhej piktor portretesh. Njihet më së shumti prej pikturës së tij “The Laughing Cavalier” ashtu si dhe prej një grup portretesh të tjera. Ka vdekur në Haarlem më 1666.

Folegj: Me një vlerë që sipas ekspertëve shkon në 15 milionë euro, kryevepra, që daton nga 1626-a, është marrë nga “Hofje van Aerden Museum” mëngjesin e hershëm të së enjtes kur hajdutët kanë hyrë në ndërtesë prej derës së pasme. / Koha.net / KultPlus.com

​George Bush pikturon portrete të migrantëve dhe shkruan një libër për ta

George W. Bush mund të jetë një ish-guvernator dhe president, por siç rezulton, ai është gjithashtu një piktor, dhe çfarë është më e mira, ai është me të vërtetë shumë i mirë në këtë drejtim.

Ish-presidenti së fundmi ndau një sekret të vogël në Instagram se si e kalon kohën e tij – si në karantinë, ashtu edhe më parë.

“Për 18 muajt e fundit kam pikturuar portrete dhe shkruaj histori për 43 migrantë që kam takuar. Unë jam i kënaqur të botoj një libër dhe ekspozitë të re në [The Bush Center] për nder të amerikanëve të rinj që kanë kontribuar në pasurinë kulturore, gjallërinë ekonomike, frymën e ndërmarrësisë dhe patriotizmin e përtërirë të vendit tonë. Siç thashë nga Zyra Ovale në vitin 2006: ‘Amerika mund të jetë një shoqëri legjitime dhe një shoqëri që pranon’”, shkroi ai poshtë fotografisë së tij në të cilën pikturon në studion e tij.

Libri i tij do të jetë në dispozicion nga data 2 mars e vitit të ardhshëm.

“Shpresoj se shumë do të ndihmojnë në përqendrimin e vëmendjes sonë të përbashkët në efektet pozitive që migrantët kanë në vendin tonë,” shkruan George W. Bush. / KultPlus.com

Kryevepra e Van Gogh, zbulohet se piktura tregon historinë e orëve të fundit të artistit

Pamja e një kartoline ka ndihmuar në gjetjen e zonës së mundshme ku Vincent van Gogh pikturoi kryeveprën e tij të fundit, thonë ekspertët e artit. Zbulimi është bërë nga Wouter van der Veen, drejtor shkencor i institutit Van Gogh.

Sipas tij kartolina që i përket periudhës 1900-1910 ka ngjashmëri të shumta me “Rrënjët e pemëve”, piktura e famshme e Van Gogh-ut. Kartolina tregon pamjet e disa pemëve mbi një kodrinë në Auvers-sur-Oise në Francë. Kjo zonë është vetëm 150 metra larg nga Auberge Ravoux, bujtina ku Van Gogh qëndroi për 70 ditë para se të vetëvritej në 1890-ën.

Ka pasur debate të shumta se cila ka qenë vepra e fundit e realizuar nga piktori. Në një letër Andries Bonger, kunati i Theo van Gogh, përshkruan se si artisti pikturoi pamje nga një pyll plot diell dhe jetë, mëngjesin para se të vdiste.

Të dhënat e kësaj letre janë përdorur për të mbështetur pretendimet se “Rrënjët e pemëve” është vepra e fundit e realizuar nga Van Gogh. Bazuar në teorinë e tij që lindi prej kartolinës, Van der Veen mendon se Van Gogh ka qenë duke punuar mbi këtë pikturë deri në orët e fundit të jetës së tij.  / KultPlus.com

Mimoza Rraci: Jam njeri i lirë, i tillë është edhe arti im

Xhemile Hysenaj

Një artiste mjaft e re në moshë, që artin e konsideron më shumë se jetë e më shumë se një mënyrë jetese. Bëhet fjalë për Mimoza Rracin, një artiste e cila njihet per muralet, pikturat, punimet me dorë, skulpturat e punimet në tekstil, përmes së cilave çdoherë bartë mesazhe të ndryshme e kuptimplotë për artdashësit e adhuruesit e saj.

Në një intervistë për KultPlus, Mimoza ka shpalosur më shumë rreth të qenurit artiste, rreth asaj se çfarë paraqet përmes artit të saj dhe patjeter edhe për përvojën e saj prej artisteje në ditët e izolimit si pasojë e pandemisë.

Mimoza tregon për KultPlus se talentin e saj për art nuk e ka zbuluar edhe aq herët, mirëpo edhe pse ‘me vonesë’ ajo ka arritur të bëhet një nga artistet më të njohura të gjeneratës së saj, në të njëjten kohë duke premtuar shumë në këtë fushë.
‘Unë nuk jam person që bëjë plane afatgjata, rruga nëpër të cilën po kaloj së bashku me artin, është shoqëruesi më i mirë. Prandaj, le të vazhdon të mbetet kështu’, tregon tutje Mimoza.

Si çdo vepër arti dhe si çdo artist, edhe Mimoza ka frymëzimet e saj, që siç tregon ajo, frymëzimin e gjen tek jeta e përditshme, e në Kosovën tonë të vogël inspirim ke ngado që të shkosh.
‘Zakonisht inspirohem nga veprimet e njerëzve, nga ndonjë ngjarje që kam përjetuar apo dëgjuar, të thëm më shkurt, inspirohem nga çdo gjë që më rrethon’, vazhdon tutje Mimoza.

Mimoza ka provuar veten pothuajse në të gjitha fushat e artit pamor, ajo tregon se në secilin prej tyre, ka punuar me shumë vullnet e dashuri, sipas saj, secili është bërë në kohë dhe në aryse të caktuar dhe secili e ka vlerën e vet.
‘Ekziston një ndjesi shumë e çuditshme sepse duke krijuar një vepër, hynë aq shumë brenda saj, saqë të duket sikur ke shkrirë çdo pjesë tënden aty. Shpesh edhe të dhimbset kur ajo vepër ndalon së qenuri e jotja, por në anën tjetër nuk ka ndjenjë më të bukur se sa të ekzistoj në një vend, të kesh një jetë, të jetosh e të frymosh në çdovend përmes veprave tua’, shprehet me emocion të madh Mimoza.

Secili artist me kohë fillon e njihet nga stili të cilin e posedon, duke bërë kështu që të ata të njihen përmes veprave të tyre dhe jo vepra përmes tyre. Mimoza, në këtë rast, cilësohet për stilin e saj mjaft të veçantë. Stilin e saj Mimoza e konsideron të lirë, asaj nuk i pëlqejnë kufizimet, nuk i pëlqen të ndalet dhe të kufizohet në një stil apo të ndikohet nga ndonjë artist speçifik.
‘Jam njeri i lirë, i tillë është edhe arti im. Dua që edhe kur nënshkrimi im nuk gjendet në punimet e mia, njerëzit të njohin artin tim, duke e njohur kështu që ajo ide dhe ajo mënyrë e lirë e qetësuese e punimit është diçka Mimoze’, tregon Mimoza.

Ditët në karantinë kanë bërë që shumë artistë të shpalosin kreativitetin e tyre, të zbulojnë anë të reja të artit të tyre, e të jenë më afër se kurrë pranë artdashësve. Sigurisht se edhe Mimoza ka qenë pjesë e këtij grupi artistësh që kanë qenë mjaft kreativ gjatë atyre ditëve aspak të lehta. Në ato ditë izolimi, arti i Mimozës zuri vend në tekstil, ku me një stil Mimoze (pikërisht ashtu siç dëshiron ajo të njihet), ajo në tekstil me një kombinim të mahnitshëm ngjyrash, paraqiste figurën e gruas ashtu siç ne rrallë herë jemi mësuar të shohim.

‘Njihem si tip që ka dëshirë të zbukuroj çdo gjë që më rrethon, më jep ca ngjyra dhe një brushë dhe ashtu ndihem si në parajsë. Arsyeja pse arti në tekstil, tek i cili kësaj radhe protoganiste ka qenë më së shumti portreti i gruas, ka ardhur kështu: Cili është subjekti më i mirë për të shprehur ndjenjat dhe për të marrur vëmendjen e njerëzve më shumë se portreti i një gruaje?! Pasiqë është mjaft e vështirë për të gjetur një më të mirë se ato, gratë janë një nga mrekullitë më të mëdha të botës.’

Pandemia që ka kapluar botën ka shqetësuar secilin dhe ka qenë një periudhë mjaft stresuese për të gjithë, fatkeqësisht akoma vazhdon të mbetet e tillë. Mirëpo Mimoza, këtë periudhë e ka parë me mjaft optimizëm, duke e konsideruar si një ‘luks’ për punë intenzive.
‘Mendoj që në kohë stresi dhe trazirash lindin disa nga idetë më kreative. Besoj se kjo ka ndodhur edhe me mua gjatë kësaj periudhe, jam pajtuar me realitetin dhe po mundohem të shoh vetëm anën pozitive të kësaj situate’, shprehet tutje Mimoza.

Mimoza, një artiste e cila nuk ndalon kurrë së eksploruari botën e pafundme të artit, në moshë shumë të re, erdhi para artdashësve me një mori veprash artistike që përjetësisht do të bartin vulën e saj.
‘Le të ndriçojmë, frymëzojmë dhe motivojmë të gjithë rreth nesh’, përfundon intervistën ajo. / KultPlus.com

U dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, restaurohet piktura murale “Bashkimi i principatave shqiptare” në Muzeun Historik

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore tha sot se është ndërhyrë për restaurimin e kompozimit “Bashkimi i principatave shqiptare” që ndodhet në Muzeun Kombëtar.

Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit pranë IKTK kryen gjatë javës së fundit ndërhyrje me karakter konservues – restaurues në kompozimin “Bashkimi i principatave shqiptare”, që ndodhet në pavijonin e Mesjetës, në Muzeun Historik Kombëtar.

“Kjo pikturë murale me përmasa 2.45 m gjerësi dhe 7.95 m gjatësi është realizuar nga piktori Fatmir Haxhiu në vitin 1981 dhe u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Piktura pësoi dy çarje të konsiderueshme vertikale në të dyja anët e saj si dhe çarje horizontale e dëmtime të tjera në qendër të kompozimit”, shprehet IKTK.

Po ashtu, IKTK  shprehet se “ndërhyrjet konservuese – restauruese që u kryen konsistuan në ringjitjen e disa copëzave të shkëputura, konsolidimin e shtresave përgatitore dhe pelikulit piktorik në disa zona, stukimin dhe integrimin piktorik”. atsh / KultPlus.com

Piktori Ferdinand Paci

Nga: Fritz Radovani

Oborri i shkollës Pedagogjike e ma vonë salla e vizatimit e prof. Simon Rrotës, na lidhi si shokë me Ferdinand Pacin e, ma vonë si piktor të rijë, por edhe përjetsisht miq. Kujdesi dhe dashnia e prof. Rrotës për ne, na bani me dashtë artin për të cilin, atëherë ishte sakrificë e madhe me dashtë me tregue të vërtetën që na mësonte profesori po, që, edhe na këshillonte si djelmët e Tij për me e ndjekë ate.

E, ndoshta, sot mund të duket edhe e pabesueshme ajo që profesor Simoni, na fliste e na kshillonte…Na po përgatitëshim për mësues, por penelat e prof. Rrotës, na zbukuruen shpirtin me aq kujdes, sa përjetsisht mbetëm nxanësit e Tij, edhe atëherë, kur, vazhduem me kenë nën kujdes të prof. tjetër të pikturës Vladimir Janit, në rrethin e shtëpisë së kulturës. Ferdinandi ishte një talent i vërtetë dhe gjithmonë i njajti njeri i thjeshtë, i dashtun, i sinqertë dhe kurr egoist. Nuk dij asnjë rasë që të konstatonte në punimin tem ose të një shokut tjetër dishka të gabueme dhe të rrinte indiferent por, me dashamirsi, merrte penelin apo lapsen dhe vazhdonte korrigjimin e gabimit…

Ferdinand Nush Paci, u le nga prindët Nush e Luçia Paci, me datën 30 Maji 1940, pra plot 80 vjet ma parë në qytetin e lashtë të Shkodres. Baba i Tij Nushi, ishte mjeshter argjentar, po edhe një prind model si në dashamirsi ashtu edhe në sjelljen e Tij prej qytetari të njohun shkodranë, gjithmonë i ndihmuem nga zonja e Tij e nderueme Luçia.

Në shkollën pedagogjike Ferdinandi ishte ndër nxanësit e shkelqyeshëm në të gjitha landët, kjo kishte formue një përshtypje aq të mirë tek drejtori i shkollës prof. Gani Daiu, sa kur kemi mbarue shkollën, Ai na propozoi që të na jepej nga Ministria e Arësimit “madalje ari”, që për arësye biografije nuk e morem asnjeni as unë, as Ai.

Ferdinandi, shkoi në punë në repartin e pikturës së qytetit, ndersa, unë disenjator në kabinetin pedagogjik të arësimit.

Ferdinandi mbas shumë përpjekjesh e nderhymjesh e nga ana e prof. Vladimir Janit, ma në fund, mujti me shkue me disa provime plotsuese në Liceun Artistik në Tiranë, prej ku, me rezultatet e Tija të shkelqyeshme hyni në Institutin e Lartë të Arteve.

Atje u laurue si piktor në qershor të vitit 1965, vit në të cilin edhe unë përfundova Liceun Artistik me korespondencë. Vazhdonim Ai dhe unë rregullisht me marrë pjesë në ekspozitat lokale të pikturës në Shkoder ndërsa, mbasi u laurue Ai u ba pjestar edhe i ekspozitave kombëtare në Tiranë si dhe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistave të Shqipnisë, tue theksue se këta arritje ishin vetëm për merita artistike dhe asnjëherë me rrugë tjera të terthorta ose të pandershme…

Në vitin 1966, Ferdinandi mbajti fjalën e rastit kur unë hapa ekspozitën personale, dhe për këte iu terhoq vërejtja nga Lidhja e Artistave, mbasi nuk duhet ta bante për një njeri me biografi si të temën…Menjëherë, mbas vitit 1967, Ferdinandi ishte Ai që më sinjalizoi për rrezikun që më kercnohej nga i famëshmi “Revolucion Kultural”…

Miqësia e jonë dyfishohej edhe nga piktori Ndoc Gurashi, i cili, ishte jo vetem një mik besnik po, dhe, një këshillues i pjekun ndër shumë rrethana të kohës për ne të dy, ndonse, me Ferdinandin lidhej edhe familjarisht. Ferdinandi ishte një pedagog i nderuem dhe për këte dëshmojnë shumë ma tepër se vetë të gjithë ish nxanësit e Tij, të cilët, edhe sot e kujtojnë me respekt emnin e mësuesit të vet.

Me datën 3 shtator 1975, në Shkoder, u hap lajmi i zi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në Thethin e Dukagjinit, ku humbën jetën katër përsona në moshë të re, ndër të cilët ishte edhe Ferdinandi…Nuk ishte e meritueshme për një njeri si Ferdinand Paci një fund jete aq tragjik dhe i dhimbëshem…Asnjëherë, nuk mund të shlyej nga kujtesa eme, Atë portret aq fisnik të Ferdinandit, që kishin shkallmue shkrepat e Alpeve tona, me atë pamje të mnershme që unë përjetova në morgun e spitalit civil të Shkodres, atë natë…kur e pashë shokun tem të fëminisë dhe, nuk e njihshe cili asht mes atyne viktimave të asaj nate të zezë…pamje e cila aq mu tipos në trunin tem sa, mbas disa ditësh e ripërtrina në një vizatim…ku, tue e shikue sa herë e mendoj: “Pse, o Zot, a mundet kush me veprue pa vullnetit Tand, me vra një njeri si Ferdinandin..?”

…Ora e dorës që më dha një infermjere aty, tregonte ende shkapetjet…ndër gurë!

Atë, orë, njëditë…ia ktheva djalit të Tij, Adrianit…piktorit t’ardhëshem…sot, Burrë!

Ferdinand Paci u nda nga jeta në moshen 35 vjeçare…plot 45 vjet ma parë…

Veprat e artit që Ferdinandi i la familjes dhe Atdheut në galeritë e arteve Ate, e rëndisin ndër Artistët e Kombit tonë.

FERDINAND PACI, asht i paharrueshem nga Qytetaria e Shkodres, Ai asht artist i Pavdekshëm po, edhe Pedagog i Nderuem i brezit të ri, për moralin dhe dashninë e madhe që kishte për artin dhe Atdheun, ndjesi që Ai, edukoi dhe frymzoi tek Rinia e nderueme Shkodrane!

Ai ishte një zambak i bardhë i qytetit të Shkodres…Se, ashtu kishte edhe Shpirtin e Tij..

Në shenjë kujtimi ia kushtoj këta pak rreshta në këte 80 vjetor…

Melbourne, 30 Maji, 2020. /KultPlus.com

Henri Fantin-Latour, ai që krijoi simfoni në pikturë nëpërmjet idilikës së luleve

Ai nuk pikturoi vetëm lule, por ata mbetën për të më të preferuarat dhe për kritikën më përfaqësueset. Bukuri e luleve të Henri Fantin-Latour është një bukuri që tejkalon perceptimin klasik të së bukurës, asaj të sipërfaqshme. Ai bëri pranverë në çdo stinë e të jetës së tij artistike. Ribëri natyrën duke e sjellë përmes luleve si përmes formës më delikate dhe më shprehëse.

Besoi në këtë tharm se do të krijonte një botë idilike, të cilën ai kishte po kaq nevojë të përjetësonte nga shpirti i tij, sa ç’ta përjetojmë ne nëpërmjet asaj ëndje që e ribën atë forcë shpirtërore, e ringre atë gjendje në lartësinë prej eteri të perceptimit estetik. Ai nuk ka qasje të imitojë natyrën, por të rikonceptojë atë sipas ndjimit të shpirtit, ta ribëjë botën e luleve nëpërmjet mënyrës se si sytë dhe zemra e tij e sheh dhe e ndjen botën e tyre delikate dhe mahnitëse. Sfondi që ai zgjedh, objektet shoqëruese shpesh, vendvendosja në vazo, etj., nuk janë gjetje të rastësishme, të atyshme e kalimtare, ato janë e harmonishmja e këtij këtij muzikaliteti, e gjalla e kësaj loje me ribërjen e natyrës, e zhvendosjes së e saj kudo ku njeriu ndodhet, si me qëllimsi të nevojës që ne kemi për të jetuar kudo me natyrën, me lulet si shembullin më tipik dhe përfaqësimin më të dinjitetshëm të shpërthimit së dehjes që stina, natyra kredhin.

Henri Fantin-Latour ishte një piktor francez i njohur më së miri për interpretimet e tij delikate dhe të një tejpërshkueshmërie ndjesore të së bukurës së luleve, vëzhgimit shpirtërorë të asaj delikatese që pjesëmerr në jetën tonë. Megjithëse i lidhur me Impressionistët dhe Édouard Manet në veçanti, Fantin-Latour mbeti një piktor tradicional akademik gjatë gjithë karrierës së tij. Lindur më 14 Janar 1836 në Grenoble, Francë, ai vazhdoi të studiojë në École des Beaux-Arts dhe të kopjojë piktura të mjeshtrave të Vjetër në Luvër. Punimet e Fantin-Latour janë në koleksionet e Institutit të Artit të Chicikagos, Muzeut të Hermitation në Shën Petersburg, Muzeut Metropolitik të Artit në New York, Musée d’Orsay në Paris, Rijksmuseum në Amsterdam dhe Galerisë Tate në Londër, ndër të tjera. Ai vdiq në 25 gusht 1904 në Buré, Francë.
Si i ri, Henri Fantin-Latour mori mësime për vizatim nga babai i tij, i cili ishte një artist. Ai tërhoqi vëmendjen në Angli, ku jetësimet artistike, vazhdueshme u shitën aq mirë sa ato ishin “praktikisht të panjohura në Francë gjatë jetës së tij”. Përveç pikturave të tij realiste, Fantin-Latour krijoi litografi imagjinative të frymëzuar nga muzika e disa prej kompozitorëve të mëdhenj klasikë.

Në vitin 1875, Henri Fantin-Latour u martua me piktoren, Victoria Dubourg, me të cilën ai kaloi verën duke shijuar pasuritë e vendit dhe në praninë e të familjes së gruas së tij në Buré, Orne në Normandinë e Poshtme, ku vdiq në 25 gusht 1904. Prehet në Varrezat Montparnasse, Paris, Francë
Marcel Proust përmend punën e Fantin-Latour në “Kërkimi të kohës së humbur”, si vijon: “Shumë duar të grave të reja do të ishin të paafta për të bërë atë që unë shoh atje,” tha Princi, duke treguar ngjyrosjet e papërfunduara të Mme de Villeparisis. Dhe ai e pyeti nëse ajo kishte parë pikturën me lule nga Fantin-Latour e cila ishte ekspozuar së fundmi.
Ekspozita e tij e parë kryesore e galerisë në Mbretërinë e Bashkuar u zhvillua në Muzeun Boëes në Prill 2011. Musée du Luksemburg prezantoi një ekspozitë retrospektive të veprës së tij në 2016-7 me titull “À fleur de peau”.
Megjithatë lulet e Henri Fantin-Latour mbeten një prej simfonive më të bukura dhe më dehëse të tablosë. Përmes sajë ne nuk njohim vetëm botën e magjishme të luleve, por edhe shpirtin e piktorit, atë brendi të ndezur ndijimesh kaq delikate, sa ç’mund t’i shërbejë në shndërrimin e luleve në monument. /Albert Vataj /KultPlus.com

Momenti kur hajduti vodhi pikturën 3 milionë eurosh të Van Gohgut nga muzeu

Pamjet e sigurisë kanë treguar momentin kur një hajdut ka thyer xhamat për të hyrë në muzeun holandez Singer Laren dhe ka vjedhur një pikturë të çmuar të Vincent van Gogh.

Hajduti ka qenë i armatosur dhe mesa duket ka përfituar nga izolimi i vendit, masë e marrë për parandalimin e koronavirusit, raportojnë mediat e huaja.

Ai vodhi “Kopshtin Parsonage në Nuenen në pranverën e 1884” nga Muzeu i Singer Laren në orët e para të 30 marsit, vlera e të cilës është 3 milionë euro.

Në kamera hajduti shihet me pikturën në krahë dhe duke vrapuar.

Askush nuk është arrestuar për vjedhjen e pikturës, e cila ishte marrë hua nga një muze tjetër Holandez, Muzeu Groninger.

Policia nuk ka publikuar videon e plotë kur hajduti u largua nga muzeu për të mbrojtur hetimet e tyre. / KultPlus.com

“Itali të dua”, artistët e peizazhit, ekspozitë online kushtuar Italisë

10 artistë të njohur të peizazhit, anëtarë të shoqatës “Plein Air Albania”, kanë organizuar një ekspozitë virtuale kushtuar Italisë në shenjë solidariteti pas goditjes nga pandemia Covid -19.

Ekspozita e titulluar “Itali të dua” do të sjellë online disa nga veprat e piktorëve të realizuara gjatë vizitave të të artistëve shqiptarë në Itali.

“Kushtuar Italisë sonë të dashur që sot është në situate kaq të vështirë … ‘Në këtë kohë pandemie të COVID-19 që ka pushtuar planetin, solidariteti, kultura, kujdesi janë armët më të mira për t’u përballuar’, shprehen artistët.

Ekspozita “Plein air 2020 Italia , tiamo !-Itali të dua! Organizohet me pjesëmarrjen e Agim Kadillarit, Agron Polovinës, Arsen Kurtit, Buron Kacelit, Nikolin Ivanajt, Pashk Pervathit, Sadik Kasës, Sefedin Stafës, Spiro Panaritit, Vangjo Vasilit dhe Xheneta Kadillari. / KultPlus.com

Vërtetohet origjinaliteti i pikturës së Van Gogut

Është konsideruar për vite me radhë, si joorigjinal. Portreti i rrallë i Vincent van Gogh-ut, rezulton së fundmi, të jetë vepër autentike e mjeshtrit holandez.

Në këtë përfundim, studiuesit kanë arritur pas kërkimeve thuajse 6-vjeçare. Aktualisht i ekspozuar në muzeun “Van Gogh” në Amsterdam, piktura vlerësohej si origjinale deri në vitin 1070-të, kur specialitët ngritën dyshime mbi teknikat e pazakonta dhe përzgjedhjen e ngjyrave.

Studiuesi Louis van Tilborgh, vlerëson si devijim nga stili i zakonshëm, nuancën e jeshiles së errët në flokë, që piktori nuk e përdorte zakonisht. Por, sipas tij, kanavaca, pigmentet dhe detajet e tjera, ishin tipike të piktorit hollandez, shkruan Konica.al

“E vetmja gjë e pazakontë, janë ngjyrat e errëta të portretit, që mendojmë të jenë përdorur për të treguar, se kemi të bëjmë më një person të sëmurë”, tha Louis Van Tilborghe.

Autoritetet pranë muzeut “Van Gogh” në Amsterdam, u shprehën se, sipas të gjitha gjasave, kjo është e vetmja vepër e piktorit, realizuar gjatë një episodi psikotik, verën e vitit 1889-të, kur ai u shtrua në spital, në qytezën franceze, Saint Remy.

Van Gogh ka luftuar me problemet mendore gjatë gjithë jetës. Ai vrau veten me armë zjarri, në 1890-ën, në moshën 37-vjeçare. /KultPlus.com

Sefedin Stafa, piktor i filozofisë së ngjyrave dhe dritës

Piktori i njohur rrëfen rrugëtimin e tij mes dy periudhave, asaj të realizmit socialist dhe sfidave në kohët moderne. Si u kthye nga Greqia në Shqipëri, për të ruajtur identitetin dhe stilin. Gjithashtu në intervistën për Report TV, Stafa flet edhe për problemet e arteve figurative dhe mungesën e vëmendjes ndaj krijuesve në Shqipëri, sidomos nga institucioni i Galerisë Kombëtare. Piktori Sefedin Stafa thotë se “piktura monumentale është kulturë e humbur tek ne” .

Këto peizazhe, portrete, trazime të natyrës, të punuara me bojëra vaji, shpërfaqin idenë e një harmonie të thellë mes subjektit, objektit dhe shpirtit. Ndërsa hyn në studion e piktorit  Sefedin Stafa, vizitori mund të prek të gjitha raportet e harmonisë. Shpërthejnë ngjyrat dhe ashtu të derdhura në telajo me ato flukse drite të prekin në emocione.

Ndjeshmëria ishte e para, pikërisht ajo që dhjetë vjet më parë e ka detyruar piktorin që të ndjek ritmin e zemrës e të kthehet kundër rrymës në kohë të vështira në atdhe. Sefedin Stafa, autori i disa veprave të strehuara në galeritë e Greqisë, Gjermanisë, Italisë, Zvicrës apo në Kanada e gjetkë  punon pa e hequr penelin nga dora dhe nuk ndihet kurrë i lodhur. Në të kundërt, rruga e tij e artit nuk do të ishte kaq e gjatë.

“Rruga ime ka filluar shumë herët. Unë kam filluar që 8 vjeç të punojë me bojëra vaji. E kam filluar pikturën me një profesor Tahir Tahiraj në Burrel, që tani nuk jeton më, dhe me kalimin e viteve kam pasur profesor për gati pesë vjet Fatmir Haxhiun, një piktor skrupuloz, një piktor batalist që i mungon artit tonë. Dhe tek profesor Fatmiri ishte tamam një shkollë, jo një lice, por ishte një Akademi. Më vonë pastaj, gjatë studimeve në Akademinë e Arteve kam pasur fatin që të kem profesor Sali Shijakun, Guri Madhin, Hektor Dulen, piktorë dhe skulptorë tepër të talentuar. Janë ata që kanë vënë gurët e artit shqiptar. Ne në atë kohë, pavarësisht se ishte art i realizmit socialist, por e vërteta është se nuk mund të ekspozohej në atë kohë, nëse nuk kishte vlerë artistike, kishte kompozime. Sot kanë filluar të bëjnë një pikturë pak të lehtë, është futur një lloj filozofie brenda, por është një pikturë që nuk të mban. Ne me brezin tim dhe disa piktorë të plenerit dalim e pikturojmë në natyrë, dhe janë pasuruar veprat me këto elementë, dhe nga ana tjetër nxjerrin në pah vlerat e bukura të natyrës në vendin tonë.

Më tej, Sefedin Stafa tregon se shkolla shqiptare ku ka studiuar ishte një stimul shumë i madh.

“Sot mua më duket se janë të dobët pedagogët në Universitetin e Arteve”. Unë mendoj se janë të papërgatitur edhe nga ana teorike dhe unë nuk e di sesi do të dalë ky brez nga shkolla.” -thotë piktori Stafa.

Ai rrëfen se çdo artist e nis rrugën e tij duke punuar dhe pastaj e gjen rrugën e vet. Ndërsa vetë është piktor realist, Stafa  ka një mesazh për të rinjtë që synojnë artin modern. “Të rinjtë të bëjnë arte moderne, por edhe të edukohen me pikturën. Dhe arti ka qëllim që artisti të shohë të bukurën. Nuk mund ta bëjë e shëmtuara artin. E shëmtuara është e shëmtuar.

I pyetur se pse zgjodhi të ruante stilin klasik në sfidat e artit të sotëm modern, Sefedin Stafa thotë se:

E vërteta është që në Greqi unë kam punuar artin klasik, por me spikatje edhe të një lloj impresionizmi, edhe me elementët e hiperealizmit brenda për të bërë artin tim. Mjetet që përdor unë, janë ato që bëjnë pikturën. Kështu që edhe në Greqi pjesën dërmuese të pikturave e kam pasur të stilit tim, por bëja edhe piktura moderne, sepse m’i kërkonin, por aty nuk isha unë. Madje, unë për të ruajtur atë që ishte emri im, stili im, erdha këtu. Gruan e vajzën i kam lënë atje, djali ka ardhur këtu. Pra, unë u ktheva për të ruajtur emrin, tim.”

Duke ruajtur një marrëdhënie të fortë të harmonisë së dritës me tokën, Sefedin Stafa krijon raporte të dritës me kontrastin e hijes dhe koloritin që preferon. “Kolori është shpirt, -thotë Sefedin Stafa, -është çështje ndjesie.”

Ndërsa i kujtojmë pikturat që ka bërë me motive afrikane, Stafa sjell shembullin e organizimeve të ekspozitave në Greqi, ku njëra prej tyre ishte me piktura nga Afrika. Sigurisht piktori u tërhoq edhe nga ngjyra dhe bukuria fizike e afrikanëve dhe ka bërë dhjetëra punë me portretet dhe imazhet afrikane. Ai thotë se në atë ekspozitë u shit pjesa dërrmuese dhe u dërguan të ardhurat në ndihmë të fëmijëve. Ky organizim i grekëve, e kujton piktorin të sugjerojë bërjen e ankandeve të veprave të artit për qëllime bamirëse.

Në Shqipëri, na mungon menaxhimi i veprave të artit. Na mungon kritika për artin. Autorët janë lënë jashtë vëmendjes së shtetit dhe është për të ardhur keq që për dramën, muzikën pikturën mund të studiosh në klasë të dhjetë dhe asgjë më shumë. Ç’do të thotë kjo. Duke mos u edukuar me kulturën, ne shkatërrojmë kulturën e një kombi.”, thotë Stafa.

Piktori ngre zërin për pikturën monumentale, kulturë që është në zhdukje. Duke kujtuar muralen e Muzeut Kombëtar që po dëmtohet, Sefedin Stafa thotë se ka ndalur procesi i bërjes së pikturave monumentale.

“Për gjykimin tim duhet që të punohet në këtë drejtim, sepse nëse shihet jashtë vendit edhe zyrat e kryeministrave janë me piktura murale të vjetra. Na mungon dëshira për të bërë gjërat e duhura.”

Sefedin Stafa është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, i specializuar në pikturën monumentale në vitin 1978. Edhe pse ka lënë gjurmë të thella me krijimtarinë individuale, sërish piktori Stafa nuk e sheh dot atë të shkëputur nga krijimtaria kombëtare. Ai ngre zërin dhe shpreson shumë që ta dëgjojnë:

Sefedin Stafa, është përpjekur për gjallërimin e jetës artistike. Gati dhjetë vjet më parë çeli Galerinë “Colosseu” në Durrës, një kontribut që u vlerësua edhe nga shkrimtari i madh, Ismail Kadare, por duke mos pasur asnjë mbështetje dhe vëmendje nga institucionet, së fundi kjo galeri u mbyll. Mbyllja e galerive, por edhe lënia pas dore e Galerisë Kombëtare të Arteve, e shqetëson artistin.

Nuk mund të lihen artistët në rrugë. Galeria Kombëtare e Arteve është shtëpia jonë, ndërsa tani ne nuk e dimë as çfarë bëhet atje”, thotë Stafa.

Këndvështrimi i artistit të befason. Sefedin Stafa nuk e koncepton pikturën e tij vetëm si art për syrin, ai thellohet në esencën e lidhjeve të forta që ka me natyrën. Pas kësaj piktura e Sefedin Stafës kthehet në një univers shumështresor përsiatjesh.

Ai ka pasur disa ekspozita individuale në në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, dhe më pas në Athinë, në Greqi.

Ai është shpërblyer disa herë me çmime. Shumë prej veprave të Sefedin Stafës gjenden sot në disa galeri dhe koleksione private në Greqi, në Gjermani, Itali, Zvicër, por edhe në shtetet e bashkuara të Amerikën e në Kanada. /KultPlus.com