Pilotja që bombardoi Serbinë për 200 orë rresht

Me gradën “Majore”, pilotja amerikane, Nicole Malachowski, është dekoruar me medaljet e çmimet më të larta të Ushtrisë Amerikane si “Meritorious Service Medal”, “Air Medal”, “Air Force Commendation Medal”, “Air Force Achievement Medal”, si dhe medaljen “4th Fighter Wing”s”, të cilën e ka marrë si një heroinë e madhe gjatë fushatës së bombardimeve ajrore në Kosovë, për mbrojtjen e civilëve gjatë bombardimeve.

Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat. Besohet se Nicole është një grua e guximshme dhe mjaft e aftë, e para femër amerikane në historinë 60-vjeçare të aviacionit që është pjesë e skuadronit bombardues luftarak “Pilotët e vdekjes”.

Malachowski u trajnua në bazën ushtarake “Columbus Air Force Base”, në Misisipi, me fluturakët bombardues “F-15E” e më pas, në bazën Seymour Johnson Air Force Base në Karolinën ë Veriut. Prioriteti i saj ka qenë stërvitja me “Pilotët e vdekjes” (Thunderbird). Më tej, Nicole shërben në bazën RAF Lakenheath, në Angli dhe kthehet sërish në bazën, “Seymour Johnson Air Force Base” në Karolinën e Veriut. Ajo do të shërbejë si oficere edhe në bazën “Camp Red Cloud” në Korenë e Jugut. Nicole ka marrë pjesë në krejt fushatën e sulmeve ajrore ndaj bazave e caqeve serbe në Kosovë e Serbi, si dhe në operacionin “Liria e Irakut” (Operation Iraqi Freedom). Ajo shihet në SHBA si femra që ka bërë histori. Në muzeun e “Pionierëve të fluturimit”, hapur në Washington D.C, asaj i është rezervuar një pavijon i veçantë me fotot, videoxhirimet, shkrimet dhe kujtimet e pilotes nga Britania e Madhe, Kosova e Iraku.

Fushata e sulmeve ajrore, e cila vuri në shënjestër caqet ushtarake serbe në territorin e saj dhe në bazat e vendosura në Kosovë zgjati 78 ditë dhe përfundoi me fitoren e NATO-s. Ajo është konsideruar si lufta më e suksesshme e kohëve moderne të Aleancës Veri Atlantike, NATO.

Kosova, aty zë një vend të posaçëm, pasi atje pilotja amerikane ka kryer mëse 200 orë fluturime bombarduese gjatë fushatës së vitit 1999. Siç dihet, më 24 mars 1999, është edhe dita kur nisën sulmet ajrore kundër bazave ushtarake serbe në Kosovë dhe në territorin e Serbisë. / KultPlus.com