Performanca energjike nga ‘P.I.N.T’, AJ Tracey dhe Skepta arriti në perfeksionim në “Sunny Hill”

Era Berisha

Mbrëmë festivali “Sunny Hill” ka mirëpritur natën e tretë me radhë me një numër të madh të artistëve të cilët kanë ndezur audiencën si asnjëherë më parë. Kjo u dëshmua edhe atëherë kur publiku kishte zënë vendin afër skenës në një numër të madh, për të qenë sa më afër atyre që i kanë në zemër. Artistët e njohur kombëtarë e ndërkombëtarë pushtuan mbrëmë skenën kryesore me këngë që publiku i këndonte njëzëri me ta, shkruan KultPlus.

Edhe kësaj here, fundi i publikut nuk shihej aspak dhe kjo veçse e bënte këtë natë aq më të magjishme. Por, ishte zëri i gjithsecilit që jehonte dukshëm kur artistët në skenë ndalonin për t’i lënë hapësirë të pranishmëve që të këndonin këngët e tyre, dhe kjo vazhdoi për gjatë gjithë natës.

Duke nisur qysh nga artistët si: Lluni & Semi, Kamal, Ledri & Lumi B, Mc Kresha & Lyrical Son, AJ Tracey si dhe kryesuesin për këtë mbrëmje, Skepta, këngët e tyre më të njohura erdhën në një mënyrë krejtësisht të veçantë. Energjia e tyre dukej sikur nuk kishte fund, ndërsa dashuria e tyre për Kosovën shprehej nëpërmjet fjalëve që gjenin vend nëpër mesin e këngëve.

Të emocionuar për të qenë mbi skenën e “Sunny Hill” dhe për të mbështetur kauzën e Dua Lipës, secili artist pati diçka për të thënë. Duke nisur qysh nga Ledri Vula që ka përmendur problemin me çështjen e vizave e deri tek Skepta i cili ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka dëgjuar për Kosovën por që ka premtuar se do të kthehet përsëri dhe atë do ta bëjë më shumë kënaqësi.

Me këngët si: “Papi Chulo”, “No Security”, “Lunatic”, “Madness”, “It ain’t safe”, “Kiss and tell”, “Stay far away”, “Praise the world”, “Pure water”, “No security”, Skepta ka ngritur në këmbë publikun që të njëjtit kanë kënduar e kërcyer në vazhdimësi deri në orët e para të mëngjesit. Ndërsa, ishte skena e ndriçuar me reflektorë të ndryshëm ajo që i ka dhënë një tjetër hijeshi secilës këngë të interpretuar. Me drita të llojllojshme që shponin ajrin në vijëza të holla dhe audion në një nivel perfekt, nata e tretë e “Sunny Hill” kulmoi deri në fund me zërin e publikut që për asnjë sekondë nuk u ndal.

Përveç Skeptës, në skenën e “Sunny Hill Festival” u ngjitën edhe artistët shqiptarë të cilët njashtu kanë qenë një me publikun. Nga kënga në këngë, audienca filloi të shpeshtohej akoma më shumë teksa atmosfera bëhej akoma edhe më aktive.

“Du me pi”, “Tërmet”, “Narcos Albania”, “Menime”, “JBMTQR”, “Private”, “Amsterdam”, “Hotel Mahalla”, “Semafori”, “Lej Flleshat”, “Pasite”, “Era”, “Luv luv”, “Filmi i fundit”, “Hip Hop”, “Çele Çadren”, ishin vetëm disa nga këngët shqipe që u interpretuan mahnitshëm. Duartrokitjet dhe brohoritjet e vazhdueshme në publik dëshmuan për talentin e çdo artisti që mbrëmë ka qenë mbi skenë.

Ndërkaq, sonte duke filluar nga ora 18:00 në skenë do të ngjitën artistët si: Adrian, Rrrron, Bookie, Caboo, Vertigeux, Art Haliti, Jimpong, Labi Ramaj, Romeo Blanco, Burak Yeter dhe Regard. Kurse, Diplo është artisti që do kryesojë natën e katërt dhe njëkohësisht të fundit të “Sunny Hill Festival”. / KultPlus.com

Lyrical Son dhe McKresha publikojnë albumin e ri “Muzikë e alltisë” (VIDEO)

Lyrical Son dhe McKresha kanë publikuar të mërkurën në mbrëmjen, albumin e tyre, të titulluar “Muzikë e alltisë”.

Bashkë me albumin e ri, dy reperët e famshëm kosovarë kanë publikuar edhe këngën e parë me videoklip nga albumi, të titulluar “Hotel Mahalla”.

Pjesë e albumit janë edhe shumë këngë të tjera tashmë të publikuara si audio, siç janë: “Stuhi mbi oqean”, në bashkëpunim me Elvana Gjatën, “J.C.V.D” në bashkëpunim me Ledrin, “Gunners”, “Këngë e Shahirav”, “Rrugë e gjatë”, “Nji Lot”, “Inati”, “Recepti”, “Paret Lejla” dhe “Rammstein”.

Këngët janë të gjitha të zhanrit hip-hop/rap dhe priten të shndërrohen në hite.

Lyrical Son dhe McKresha janë dy artistë që vazhdimisht ndër vite kanë sjell projekte të përbashkëta. / KultPlus.com

Nesër publikohet albumi “Muzikë e alltisë” nga Lyrical Son dhe Mc Kresha

Kanë kaluar thuajse 3 vjet prej kur një album i ri nuk është lansuar nga ta. Por, tani dyshja fantastike, Mc Kresha dhe Lyrical Son do të publikojnë albumin “Muzikë e alltisë”.

Data 12 janar duket të jetë datë e rëndësishme për adhuruesit e repit kosovar meqenëse tashmë është paralajmëruar publikimi i albumit të radhës i titulluar “Muzikë e Alltisë”, që është i katërti me radhë i realizuar nga dyshja e famshme.

Derisa janë vetëm disa orë larg lansimit, dyshja ka publikuar në llogaritë e tyre në Instagram pjesë nga këngët që e përbëjnë albumin.

Gjithsej, 11 këngë do të jenë pjesë e projektit më të fundit nga themeluesit e labelit “P.I.N.T”, e disa prej tyre pritet të jenë bashkëpunime me artistë të ndryshëm duke përfshirë këngëtaren Elvana Gjata dhe reperin Ledri Vula.

“Kangë e Shahirav”, “Hotel Mahalla”, “Inati”, “Recepti”, “Nji Lot”, “Paret Lejla”, “Stuhi mbi oqean”, “J.C.V.D”, “Rrugë e gjatë”, “Rammstein” dhe “Gunners”, janë titujt e këngëve pjesë e albumit “Muzikë e Alltisë”. / KultPlus.com