Pirro Mani është njëri prej personaliteteve më të shquara në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thekson se “muaji i Teatrit, nuk mund të kuptohet pa kujtimin e mjeshtrit të regjisë skenike, një shkollë për brezat e rinj, Pirro Mani”.
Pirro Mani lindi në 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Ai njihet më tepër nga publiku shqiptar si ndër regjisorët më brilant sidomos në Teatër.
Në fëmijëri ëndërronte të bëhej sportist, por e tërhiqte edhe skena, cirku si dhe muzika. Fati i tij u përcaktua kur iu dha e drejta për të ndjekur studimet e larta në Institutin e Lartë të Kinematografisë në Moskë.
Ishte koha kur regjisorët e diplomuar në shkollat e Europës Lindore, po burrëronin personalitetin e tyre artistik. Atje u shqua për talentin e tij të rrallë, sidomos në pjesën “Pamje nga ura”.
Në vitin 1961, u kthye në Shqipëri dhe u emërua regjisor në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës ku e drejtoi atë për 8 vjet.
Pirro Manin së bashku me Pandi Raidhi, bashkëshortët Dhorka dhe Dhimitër Orgocka, Thimi Filipin, Stavri Shkurtin e të tjerë, realizuan atje vepra me vlera të qëndrueshme e që lanë mbresa në kujtesën e artdashësit, si “Hijet e Natës” të Vedat Kokonës, apo që dëshmuan art të shquar regjisorial dhe aktorial.
Pas një nisje karriere të suksesshme, Mani do të emërohej regjisor dhe aktor në Teatrin Popullor të Tiranës. Vepra e parë që përgatiti për publikun kryeqytetas ishte “Cuca e maleve” e Loni Papës.
Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, Pirro Mani për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.
Në karrierën e tij artistike numërohen mbi 80 shfaqje. Roli i parë në film do të jetë ai i Stavri Larës në “Vitet e para” (1965). Më pas ai luajti një personazh që do ta identifikojë atë në vitet e mëvonshme, pikërisht rolin e Sali Protopapes tek “I teti në bronz” (1970).
Ka përgatitur shumë studentë për aktorë dhe regjisorë si pedagog i Mjeshtërisë së aktorit dhe regjisurës në Institutin e Lartë të Arteve, kurse në vitet 1974-1978 kreu si pedagog i jashtëm, detyrën e shefit të katedrës së Regjisurës në atë institut.
Ndihmesa që ai dha për ngjitjen dhe afirmimin e dramës shqipe në skenë, mbetet një nga meritat kryesore.
Regjisori Mani solli qysh herët në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës një frymë të re, që u përhap gjerësisht më vonë nga teatri shqiptar përgjithësisht.
Kjo ra në sy veçanërisht në ngulmimin e tij ndaj mënyrës realiste të lojës së aktorëve, vërtetësisë, kundër këngëzimeve, patetikës, emfazës, shfaqjeve të diletantizmit etj,.
Gjithashtu, Mani solli risi në njëmendësimin me mjete e forma ekspresive të mizanskenës, të dekoreve, aplikimin e guximshëm të konvencionit, ndërfutjen e spikamave ekspresioniste, simbolike apo të parimeve konstruktiviste në trajtimin e rrafshit skenik, si te dramat “Pamje nga ura (1961) e Artur Milerit, “Vdekja e Blanko Postnet” (1962) e Bernard Shout, “Këneta” (1964) sipas romanit të Fatmir Gjatës, “Hijet e natës” (1965) e Vedat Kokonës dhe “Rrethimi i bardhë”, (1966) e Naum Priftit.
Me shfaqjet e shumta në Teatrin Kombëtar, ai dalloi për vërtetësinë, ashpërsinë dhe konkretësinë e madhe në dhënien e konflikteve dhe tablove të jetës që funksionalizoheshin rëndom si gjendje apo trysni psikike, herë të llojit satiriko-dramatik dhe herë të llojit tragjiko –heroik si te “Fytyra e dytë”, (1968) e Dritëro Agollit, “I pazëvendësueshmi”, 1974 e Qamil Buxhelit “Përmbytja e madhe”, 1976 e Kolë Jakovës, “Monserati, 1983, e Robles apo te “ Prometeu” 1984, e Viktor Eftimiut.
Regjisori Mani është nderuar me shumë çmime si dhe i është akorduar titulli “Artist i popullit”.
Shfaqjet kulminante të regjisorit Mani janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të” , “Prometeu”, etj.
Ndërsa shfaqjen e fundit si aktor, Pirro Mani do ta ketë në vitin 1994 tek “Loin des barbares”, (Luan Kodra).
Pirro Mani u nda nga jeta në qershor të një viti më parë në Nju Jork ku jetonte së bashku me bashkëshorten, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen e tij./ KultPlus.com