Rezultatet e testit “PISA”: Kosova në katër vendet e fundit

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.

Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se këto kanë qenë rezultate të pritshme duke pasur parasysh problemet me mësimin gjatë pandemisë.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

Fillon testi PISA, rezultatet në dhjetor 2023

Rreth 7 mijë nxënës, nga sot e deri më 20 maj, i nënshtrohen Testit Pisa. E rezultatet përfundimtare pritet të dalin në dhjetor të vitit 2023. Testi i sivjetmë ishte paraparë të mbahej në vitin 2021, por është shtyrë për shkak të pandemisë.

Dy nxënëset e shkollës se mesme te mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, Adea Jashari e Emira Ejupi janë në mesin e shumë nxënësve të përzgjedhur për testin PISA. Ndonëse thonë se janë të përgatitura mjaft mirë, ato thanë se është sfidues një test i tillë, por që presin rezultate të mira.

“Normalisht është pak sfidues për çka ne si nxënës të Republikës së Kosovës presim që gjithmonë e më shumë ta ngrehim shtetin tonë në nivele sa më të larta dhe ndenje si përgjegjësi tonën që me ngrit shtetin tonë”, thotë Emira Ejupi, nxënëse në SHMM “Ali Sokoli”.

Edhe Adea Jashari, nxënëse në SHMM “Ali Sokoli”, thotë se janë të informuar për testin PISA.

“Na kanë njoftuar profesoresha e teknologjisë edhe na ka tregu paraprakisht edhe do testet potenciale, që na e kemi përgatitë dhe kemi ushtruar në shkollën tonë. Presim rezultate të mira”, thotë ajo për RTK-në.

Edhe koordinatorët e përcaktuar për mbarëvajtjen e Testit Pisa, theksojnë se janë bërë përgatitjet e nevojshme për testimin e nesërm i cili do të jetë online.

“Për me pas një rezultat më të lartë, nxënësit janë informuar në mënyra të ndryshme nga ana ime, përmes platformës, kemi organizuar teste potenciale të cilët na i kanë dërguar koodinatorit, janë përgatit nxënësit se si do të jetë mënyra e testimit me qenë se testi do të jetë online dhe kanë me qenë para kompjuterit”, thotë Natyra Berisha, Koordinatore e Testit Pisa në SHMM “Ali Sokoli”.

Rreth shtatë mijë nxënës të moshës 15 vjeç do t’i nënshtrohen testit pisa. Ministria e Arsimit thotë se për këtë test, janë përzgjedhur 237 shkolla në nivel vendi.

Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit shprehin vështirësitë që mund të këtë ky vlerësim, marrë parasysh dy vitet e pandemisë .

“Dy vite të pandemisë ka pasur çrregullime të jashtëzakonshme në gjithë sistemin e arsimit. Mos pjesëmarrja fizike e nxënësve ka bërë të vetën po ashtu mësimi online deri diku nuk ka arritur të përmbush pritshmërit e gjithë mësimdhënësve, drejtorëve te shkollave po edhe vet ministrisë. Megjithatë, këtu testohen nxënës që kanë punuar për arritjet e tyre gjatë 9 viteve të shkollimit”, thotë Ilirana Pylla, Këshilltare për media në MASHT.

Nxënësit do të testohen në fushën e Leximit, matematikës dhe shkencave. Nxënësit në fillim do ta plotësojnë testin që është i ndarë në dy pjesë, dy herë nga 60 minuta dhe në fund një pyetësor që zgjat rreth 35 minuta. /RTKlive / KultPlus.com

“Rezultatet do të jenë drithëruese”, Kosova nën ethet e PISA-s

Njohuritë e nxënësve kosovarë do t’i nënshtrohen edhe njëherë testit ndërkombëtar PISA.

Shtatë mijë nxënës, nga 15 vjeç, të përzgjedhur nga 237 shkolla të Kosovës, do të testohen në ditë të caktuara nga 25 prilli deri më 20 maj.

PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.

Në vitin 2015 dhe në vitin 2018, ky test, i cili bën vlerësimin në lexim, matematikë dhe shkencë, e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore.

Këtë herë thuhet se po bëhen përgatitje më intensive, me nxënës që mbajnë orë shtesë, pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar këtë javë Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë, ku ka takuar Melik Fetahun dhe Medina Shalën – të dy nxënës të përzgjedhur për testin PISA.

Të dy ata, pasi mbajtën orë shtesë në lëndën e matematikës, thanë se presin që ta kalojnë me sukses testin.

“Po mundohemi dhe po angazhohemi së bashku me arsimtarë që të kemi rezultate të mira. Shpresoj t’ia dalim mirë”, tha Medina.

Nga shkolla “Dardania”, PISA-s do t’i nënshtrohen 19 nxënës. Koordinatorja e grupit të nxënëseve pjesëmarrës, Arlinda Idrizaj- Zeqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se mësimdhënësit janë përkushtuar për përgatitjen sa më të mirë të tyre.

“Kemi marrë material nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, shembuj të pyetjeve dhe të mënyrës se si duhen përgatitur nxënësit teknikisht. Unë i kam përgatitur në mënyrë teknike, kurse mësimdhënësit e matematikës dhe të gjuhës janë duke i përgatitur vazhdimisht, aq sa kanë mundësi dhe kohë”, thotë Idrizaj-Zeqiri.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës konfirmojnë se “nxënësit janë njoftuar me natyrën e pyetjeve të testit dhe me mënyrën e plotësimit të testit në kompjuter”.

“Janë përzgjedhur 7,000 nxënës nga 237 shkolla dhe janë siguruar hapësirat me kompjuterë, ku do të mbahet testi”, thuhet në një deklaratë të MASHTI-t për REL-in.

Ekspertë të fushës së arsimit, megjithatë, nuk janë optimistë për rezultate të mira në PISA.

“Rezultatet do të jenë drithëruese”, thotë për Radion Evropa e Lirë Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit.

Sipas tij, cilësia në arsim edhe më herët nuk ka qenë e kënaqshme, por në dy vjetët e fundit është përkeqësuar, për shkak të mësimit në distancë që, kohë pas kohe, ka imponuar pandemia e koronavirusit.

“Ne, kur kemi qenë edhe në kushte më të mira, rezultatet kanë qenë shqetësuese”, thotë Halimi.

Ngjashëm shprehet edhe Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit në organizatën “Ed-Guard”, me seli në Prishtinë.

“Testi PISA nuk duhet të jetë qëllim më vete. Synim duhet të jetë përmirësimi i cilësisë së arsimit, si interes shtetëror për zhvillimin socio-ekonomik, e jo vetëm për rezultate të testit”, thotë Qehaja për Radion Evropa e Lirë.

Rezultatet e testit të parë PISA, që është mbajtur në Kosovë në vitin 2015, janë publikuar në vitin 2016. Kosova, asokohe, është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.

PISA e dytë në Kosovë është mbajtur në vitin 2018 dhe nga rezultatet e publikuara më 2019, Kosova ka dalë e 77-ta në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar testimit.

Testi i sivjetmë ka qenë i paraparë të mbahet në vitin 2021, por është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Cilësia e arsimit në Kosovë është kritikuar edhe në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, në të cilin është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se shteti duhet të investojë në digjitalizimin e mësimit.

“Në shkollat tona ende mësohet me shkumës e tabelë, e madje tekstet shkollore nuk korrespondojnë me kurrikulën dhe mësimdhënësit gjithmonë janë të sfiduar dhe në telashe për ta mbajtur si duhet mësimin”, ka thënë kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari.

Kosova duket se ka cilësi më të dobët të arsimit edhe në krahasim me vendet fqinje.

Në testin PISA më 2018, e para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor ka qenë Serbia, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Ministrja e Arsimit nuk është optimiste për testin PISA që mbahet sivjet

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se Kosova do të marrë pjesë edhe sivjet në testin PISA ku herën e fundit ishte radhitur gati krejt në fund të listës.

Nagavci, në Klan Kosova, ka thënë se kanë nisur punën për pjesëmarrjen në këtë test, derisa shton se duhet punuar shumë më tepër për të pasur rezultatet e pritura.

“Ne kemi marrë vendimin që edhe sivjet të marrim pjesë në testin e vlerësimit të nxënësve, PISA, i cili do të organizohet në pranverë të këtij viti. Natyrisht të gjitha shtetet pjesëmarrëse sivjet do t’i kenë sfidat e tyre për shkak të situatës së krijuar me pandeminë. Ne kemi pasur goditje të sistemit të arsimit për shkak të pandemisë, prandaj fokusi ynë edhe si ministri ka qenë të rikthehemi me mësim me prani fizike, t’i bëjmë të gjitha ato që janë në kompetencat tona që të ofrojmë një mësimdhënie cilësore për nxënësit dhe t’i rikuperojmë humbjet që janë shkaktuar. Përtej kësaj do të marrim pjesë edhe në testin PISA ku në këtë drejtim ka një planifikim dhe ka një varg aktivitetesh që po ndërmerren në mënyrë që të jemi të suksesshëm në këtë test, por duke i pasur parasysh rrethanat me pandeminë natyrisht se duhet tepër punë që t’i kemi rezultatet e synuara”.

Megjithatë, ajo nuk ka pritshmëri të mëdha se Kosova do të jetë më e suksesshme këtë herë në testin PISA.

Ministrja e Arsimit një pjesë të madhe të fajit për rezultatin e Kosovës, që megjithatë synohet të jetë më pozitiv, ia lë pandemisë COVID-19.

“Mendoj se tani angazhimi i të gjitha palëve të përfshira – mësimdhënësit, menaxhmenti i shkollave, zyrtarët komunalë dhe ata të ministrisë së Arsimit – rreth seriozitetit dhe përkushtimit për pjesën organizative të pjesëmarrjes në testin PISA është në një nivel shumë më të lartë. Ka vëmendje dhe përkushtim që të gjitha obligimet që na takojnë neve të jenë të përmbushura në mënyrën më të mirë të mundshme. Përtej kësaj mendoj që edhe për mësimdhënësit ka qenë shumë e rëndësishme që të punojnë me nxënësit e tyre në mënyrë që të përmirësojnë rezultatet, sepse këtyre rezultateve të fundit iu janë referuar të gjithë kur kanë folur për gjendjen në arsim dhe me të drejtë se kjo është shqetësuese dhe nevojitet që të punojmë shumë për përmirësimin e rezultateve”.

“Nuk mund të them që jam shumë optimiste, edhe për shkak të situatës me pandeminë dhe edhe për shkak të vështirësive të cilat janë evidente edhe janë evidentuar edhe në testin e fundit. Përkundër vullnetit për të punuar dhe për të arritur rezultate më të mira e gjithë bota u godit nga pandemia dhe kjo solli vështirësi të reja, kështu që në përgjithësi nuk pres që në të gjitha vendet do të ketë një nivel më të lartë, por përtej kësaj është obligim i joni që të japim maksimumin tonë duke filluar që nga mësimdhënësit e deri te ne në ministri në mënyrë që të sigurohemi që nxënësit të arrijnë rezultate më të mira në këtë test”. / KultPlus.com

Testi “PISA” shtyhet për vitin 2022, Kosova s’tërhiqet nga pjesëmarrja

Pandemia Covid-19 ka bërë që Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ta shtyjë mbajtjen e testit PISA. Testi ishte paraparë të mbahej vitin e ardhshëm, por është shtyrë për vitin 2022. Dy muaj më parë Ministria e Arsimit e kishte konfirmuar se po e shqyrton mundësinë që Kosova të pauzojë pjesëmarrjen deri në vitin 2024 për shkak të rezultateve jo të mira dy herët e shkuara.

Por, burime të KOHËS në MASHT kanë thënë se pas vendimit që të shtyhet mbajtja e testit nuk do të tërhiqen. Për shtyrjen e testit, MASH-i është njoftuar në fund të muajit qershor.

“Për shkak të pandemisë, OECD ka marrë vendim që të pezullojë aktivitetet dhe ‘PISA 2021’ të shtyhet për një vit për të gjitha shtetet pjesëmarrëse në këtë vlerësim ndërkombëtar të nxënësve. Pra, pilotimi i testit PISA do të bëhet në vitin 2021, ndërsa testi do të mbahet në vitin 2022”, thuhet në një përgjigje të MASH-it.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, që të ketë Kosova rezultate të mira në 2022 fillimisht duhet të bëhen përmirësime në sistemin e arsimit, meqë thotë se në këtë drejtim nuk është punuar. Ai beson se ndikim negativ në PISA do të ketë edhe fakti që tash e disa muaj mësimi është mbajtur nga distanca e jo në shkolla.

Edhe Rinor Qehaja nga instituti “Edguard” vlerëson se Kosova nuk mund t’i gëzohet shtyrjes së testit, meqë, sipas tij, nuk është bërë ndonjë hap konkret, që do të mund të sillte rezultate më të mira se në të kaluarën.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të nxënësve (PISA) është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson aftësitë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë, dhe mbahet çdo 3 vjet. Për herë të parë Kosova mori pjesë në “PISA 2015”, ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse. Renditje pothuajse të njëjtë pati edhe në “PISA 2018”, ku nga 79 shtetet pjesëmarrëse, në lexim zuri vendin e 77-të derisa në matematikë dhe shkencë të 76-n, duke lënë prapa vetëm Panamanë, Republikën Dominikane e Filipinet.

Kosova e përsërit dështimin në testin PISA, renditet në fund

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë.

 Madje në disa fusha ka edhe regres. Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Testi PISA mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë. KALLXO.com ka siguruar raportin e rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA, e cila organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

PISA gjithashtu bën matjen e rezultateve në  6 nivele ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.Sipas raportit, 66 për qind të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët. Ndërsa vetëm 0.1 për qind e të testuarve ishin në nivelet 5-6  (mbi mesatare).

Sot pritet që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë edhe zyrtarisht të bëjë publikimin e këtyre rezultateve

Testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test është organizuar në mënyrë digjitale.

Yll Rugova: Mësuesit nuk e kanë përgatitjen e duhur për mësim

Drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka reaguar përmes një statusi në Facebook rreth rezultateve të dobëta të nxënësve në PISA, përcjellë KultPlus.

Por, ai përmes këtij statusi njëkohësisht ka bërë edhe fushatë për partin politike të cilës i takon, duke thumbuar dhe i akuzuar për këto rezultate të dobëta ata që janë në pushtet.

“Nxënësit kanë rezultate të dobëta në PISA, sepse mësuesit nuk e kanë përgatitjen e duhur për të dhënë mësim.

Mësuesit nuk e kanë përgatitjen e duhur për mësim, sepse politikat nuk po mirren me arsim.

Politikat nuk po mirren me arsim, për shkak të koalicioneve të intereseve personale që po krijohen nga politikanët.

E koalicionet e intereseve do të ndërpriten.”, ka shkruar Rugova në Facebook. /KultPlus.com

MASHT bën dallime etnike në PISA, nuk do t’i nënshtrohen testit nxënësit e komuniteteve pakicë

Në një konferencë të Ministrisë së Arsimit për lansimin e fushatës në lidhje me Testin PISA 2018 që po organizohet bashkë me GIZ-in gjerman, ministri Shyqiri Bytyqi tregoi kur do të nisë dhe kur do të përfundojë ky test sivjet.

“PISA do të fillojë me 11 prill dhe do të përfundojë më 5 maj”, tha Bytyqi.

Ai konstatoi se Kosova këtë herë do të jetë shembull në Testin PISA.

“Ne do të jemi shembull këtë radhë në Testin Pisa 2018. Nuk ka shkollë në Kosovë që nuk flitet për PISA 2018”, tha ministri Bytyqi.

Ruben Faller nga GIZ-i gjerman përgëzoi ministrinë për vazhdimin e pjesëmarrjes në Testin PISA edhe pas rezultatit shumë të dobët të treguar në këtë test.

“Më lejoni të uroj ministrinë për gatishmërinë për të vazhduar pjesëmarrjen në PISA. Ne duhet ta vendosim edukimin dhe studentët në frontin e reformës për edukim”, tha Faller.

Ndërsa ministri Bytyqi tha se arsimi duhet të jetë prioritet i qeverisë.

“Janë mbledhur 25 mijë nënshkrime me kërkesë që arsimi vërtet të jetë prioriteti kryesor i qeverisjes në Kosovë”, tha ministri Bytyqi.

Edhe Skender Susuri, kryesues i Komisionit për Testin PISA tha se sivjet rezultati do të jetë më i mirë se në 2015-ën.
“Hapi i parë që e ka bo komisioni është që ta krijojmë një plan dhe udhëzim administrativ që përcakton përgjegjësitë për PISA”, tha Susuri

Ai tregoi se në Testin PISA 2018 do të marrin pjesë 5375 nxënës nga 211 shkolla.

Sipas Susurit, komuniteti serb nuk ishte bashkëpunues, ndërsa në Testin PISA nuk do të marrin pjesë komuniteti boshnjak dhe turk.

Në Testin PISA 2015 nxënësit kosovarë kaluan shumë keq./ KultPlus.com

Risitë e ‘PISA 2018’ për Kosovën, nuk ka më test me shkrim

Pas Debaklit Botëror në nivelin e njohurive të nxënësve, Kosova ka filluar përgatitjet për një raund të dytë me një qasje të re teknike që nga Ministria e Arsimit kërkon improvizim.

Kanë mbetur edhe pak muaj nga koha kur Kosova do të ‘vë në test’ sistemin e saj arsimor përmes Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA), që teston zbatimin praktik të njohurive në tri fushat kyçe që janë leximi, matematika dhe shkenca.

Testi PISA do të organizohet për herë të dytë në prill të vitit të ardhshëm, me më rreth 6000 mijë nxënës që do ta arrijnë moshën 15 vjeçe në atë kohë.

Megjithatë, për herë të parë, kësaj radhe testimi do të bëhet në kompjuterë, dhe jo me laps e letër si në testimin PISA 2015.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Mustafë Kadriu, menaxher për projektin PISA 2018.

Ai tha se në fazën e pilotimit ka pasur vështirësi në sigurimin e kompjuterëve ndërsa sipas tij për testimin final do të improvizohet në mënyrë që secili nxënës t’i nënshtrohet testit në kompjuter.

“Pavarësisht se cila shkollë përzgjidhet, nëse shkolla që është përzgjedh ka kompjuter atëherë vlerësohet në shkollën e vet, nëse nuk ka kompjuter gjendet një shkollë tjetër që ka kompjuter, më pastaj DVSM/MASHT ka 80 laptopë dhe administruesi i merr ata dhe realizohet testimi”, tha Kadriu.

Ai po ashtu theksoi se kanë vërejtur se nxënësit nuk kanë pasur probleme me pyetjet gjatë fazës së pilotimit në prill të këtij viti.

“Kodimi i pyetjeve të Testit pilot është realizuar (pilotimi ka për qëllimi rrjedhjen e procesit – nuk ka publikim të rezultatit , por vetëm se si kanë funksionuar pyetjet dhe se si nxënësit i kanë plotësuar pyetësorin)”, tha ai.

Historia e Kosovës me PISA-n

Vitin e kaluar Kosova u bë vendi i 72-të i përfshirë në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), në kuadër të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD
Rezultatet e këtij testi të shpallura vitin e kaluar e radhitën Kosovën të tretën nga fundi sipas rezultateve të nxënësve në lexim, shkencë dhe matematikë.

Rezultatet e dobëta kishin nxitur reagime të shumta nga analistë, politikanë e të tjerë që fajësonin Ministritë e Arsimit ndër vite, për mospunë.

Megjithatë, ministri paraprak, Arsim Bajrami nuk kishte marrë përsipër përgjegjësinë e rezultateve duke thënë se testi reflektonte punën e ministrave të kaluar.

“Kjo situatë reflekton gjendjen 2010, 2014, periudhën para ardhjes time si ministër dhe jam i sigurt se vlerësimi PISA 2018 do ta rangojë Kosovën jo vetëm në nivelin e njëjtë me rajonin por edhe në nivel të Bashkimit Europian”, kishte thënë Bajrami.

Tani, Kosova ka një ministër tjetër të arsimit, Shyqeri Bytyqi i sapo zgjedhur i cili që nga marrja e mandatit në shtator të këtij viti nuk ka folur lidhur me PISA-n.

Kadriu po ashtu nuk deshi të komentojë lidhur me rezultatet e mundshme të vitit 2018 duke thënë se pritet të shohin nëse do të ketë ngritje të rezultateve. / KultPlus.com