Rama: Plazhi i Pishporos në Fier, një perlë tjetër e Adriatikut

Me 18 kilometra vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Pishporos në Fier, të cilin e cilësoi një perlë tjetër të Adriatikut.

I shtrirë në një gjatësi prej 9.5 kilometra mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pishporo është edhe vendi i flamingove, që kanë gjetur oazin e tyre të qetësisë në ligatinat e plazhit, duke dhuruar spektakle të paparë.

Në stinën e verës plazhet ranore me shtrirje të konsiderueshme në territorin e bashkisë së Fierit, të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 kilometra në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 kilometra. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13.7 kilometra dhe plazhi Ndërnënas 8 kilometra.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e vizitorëve në Fier.

Flamingot pushtojnë rezervatin natyror të Pishporos

Me një peizazh të mrekullushëm nga grykëderdhja e Vjosës, ku Flamingot kanë pushtuar rezervatin natyror të Pishporos në Fier, Drejtuesi politikë i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla, ka zgjedhur t’i uroj mirmëngjesin ndjekësve të tij, në rrjetin social Facebook.

Përmes një video të publikuar prej tij, Balla pasqyron qindra Flamingo, të cilat zbukurojnë edhe më shumë Rezervatin natyror, që tashmë është kthyer në një oaz edhe për shpendin lozonjar, i cili më herët habitatin e tyre të prereferuar e kanë patur në Nartë apo Divjakë Karavasta, por vitet e fundit, kanë gjetur dhe një destinacion të ri, Pishporon.

“Mirëmëngjes! Dhe me këto pamje fantastike të flamingove, që kanë pushtuar Rezervatin Natyror të Pishporos në Fier pranë grykëderdhjes së Vjosës ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Balla.

Flamingot janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë. Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2–3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët./ atsh / KultPlus.com