Hapet edicioni i tetë i PITF, kryeministri Kurti: Puna juaj artistike e vulosë Kosovën si shtet kontribuues

Është dhënë shfaqja e parë nga Bosnje e Hercegovina me titullin “Muhammad Ali, the one and only”, me regji të Dino Mustafić, duke hapur natën e parë të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” – PITF 2024, shkruan KultPlus.

Shfaqja e cila fliste për raportin mes babait dhe fëmiut ka impresionuar publikun që nga çastet e para. Aktorët janë duartrokitur nga publiku që ishte në numër të madh, duke përgëzuar dhe uruar ata për energjinëdhe atmosferën që sollën në skenë.

Kjo shfaqje delikate ishte një përzierje emocionesh për të gjithë të pranishmit, pasi ndërthurej me realitetin dhe aktualitetin për çdo familje.

Në hapje të festivalit ishte i pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili para të pranishmëve tha se Festivali PITF edhe këtë edicion vjen si pjesë e zhvillimit të gjerë të kapaciteteve artistike dhe teatrore në Kosovë.

“Puna juaj artistike, krahas shembujve të rrjetëzimit dhe modeleve të bashkëpunimit, e vulosë Kosovën si shtet kontribuues, e jo vetëm pjesëmarrës. Prania e larmishme në festivalin tuaj tregon që Republika jonë siç ka qenë edhe mbetet, mikpritëse për punët e mira dhe për miqtë tanë që besojnë thellësisht në vlerat sociale e kulturore të artit dhe në kulturën si shprehje të demokracisë e të shoqërisë”, tha Kurti.

Duke folur për artin dhe politikën, ai tha se ato njëmendë janë dy gjëra të ndryshme, që duhet të jenë të pavarura, por nuk mund të jenë të ndara, dhe se këtë na e mëson e vërteton jo vetëm historia e periudhës së antikitetit, ku i gjejmë dyja, por e gjithë historia në secilën periudhë të saj.

Në fund të fjalës, kryeministri u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë pranë nismave artistike që e përfaqësojnë fuqinë shpirtërore të Kosovës, si kontribuuese e denjë dhe krijuese në Ballkan, Evropë e më gjerë.

Festival përgjatë kësaj jave do të sjell shfaqje të ndryshme nga shtete të rajonit dhe të gjitha këto shfaqje do të prezantohen në Teatrin “Faruk Begolli” në kuadër të AAB-së, kurse sonte do të shfaqen dy shfaqje mysafire: “The Feral Ëomxn” nga Gjermania me regji të Jemima Rose Dean dhe “Bretkosa” nga Kosova me regji të Burbuqe Berishës./ KultPlus.com

Hapet edicioni i tetë i Prishtina International Theater Festival – Teatro nga e gjitha bota vinë në Prishtinë

Sot është mbajtur konferenca për shtyp e shfaqjes së parë “Muhammad Ali, the one and only” nga Bosnje e Hercegovina, që do të hap edicionin e sivjetmë të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” – PITF 2024.

Në konferencë morën pjesë: drejtoresha artistike e festivalit Doruntina Alshiqi, koordinatorja e festivalit Valentina Cenaj, regjisori i shfaqjes Dino Mustafić, aktorët Vedrana Božinović, Ermin Sijamija dhe Dino Bajrović.

Alshiqi, iu uroi mirëseardhje ekipit nga Bosnje e Hercegovina, duke shtuar se përmes këtij festivali edhe në edicionin e tetë tentohet që ekipet teatrale nga shumë vende të botës të sjellin në Kosovë shfaqjet e tyre më të mira.

Regjisori i shfaqjes “Muhammad Ali, the one and only “ Dino Mustafić, u shpreh i lumtur për pjesëmarrjen në festival. Ai në emër të Teatrit Kombëtar të Sarajevës, përshëndeti të pranishmit ndërsa shtoi se shfaqja duhet të mbetet suprizë, por e rëndësishme është që përmbajtja e saj flet për lidhjen mes babait dhe fëmijës, familjes dhe dashurisë.

Aktorët Vedrana Božinović, Ermin Sijamija dhe Dino Bajrović folën për pjesët e tyre në këtë shfaqje, duke thënë se presin që publiku ta shijoj shfaqjen, kurse sa i përket çmimit u shprehën se do të ishte i mirëpritur.

Shfaqja “Muhammad Ali, the one and only” do të luhet sonte në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, nga ora 20:00./ KultPlus.com

Të hënën fillon edicioni i 7-të i ‘Prishtina International Theater Festival’

Festivali i vetëm ndërkombëtar i teatrove në vendin tonë, “Prishtina International Theater Festival – PITF”, sivjet mbush 7 vjet.

E të hënën PITF2023 do të shënojë hapjen e edicionit të sivjetëm që do të mbahet në Teatrin Kamertal AAB në Kolegjin AAB.

Në vijim gjeni programin e ditës së parë.

– Konferenca për media me rastin e hapjes së PITF2023, e hënë, 22 maj 2023, nga ora 12:00

– Ceremonia Solemne e hapjes së PITF2023, e hënë, 22 maj 2023, nga ora 19:30

Me këtë rast, në programin garues, në natën e parë të festivalit do të mund të ndiqni edhe shfaqjen “Rusalka”, nën regjinë e Ivica Šimić nga Mala Scena Theater, Kroaci./ KultPlus.com

Shfaqja “Bretkosa” hapi mbrëmë festivalin PITF, ngjalli një emocion të paharruar për publikun

Xhemile Hysenaj

Arthur Milleri, e konsideronte teatrin si diçka shumë të ngjashme me jetën, diçka që është pafundësisht mahnitëse, thoshte ai. E ku më mirë se në teatër shfaqen e thuhen të pathënat e brengat që në një kohë qoftë ajo kohë aktuale qoftë e shkuar, e ka preokupuar një shoqëri te caktuar, shkruan KultPlus.

Në Kosovë, teatri zë një vend të rëndësishëm në kulturën dhe artin e vendit. Duke bërë kështu që festivalet e teatrove, të jenë shpesh herë të pranishme para publikut tonë kosovarë dhe jo vetëm.

Mbrëmë u hap zyrtarisht edicioni i tretë i festivalit të nivelit ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, Prishtina International Theater Festival, i cili zë vend në Teatrin ”Faruk Begolli”, të Kolegjit AAB.

Hapjen e bëri regjisorja Burbuqe Berisha, e cila shprehi falënderimet më të larta për organizatorët e këtij festivali. ”Faleminderit qw keni krijuar një komunitet artistik, me një komoditet aq të mirë që bota artistike të frymojë brenda Universitetit AAB. Kjo është diçka shumë e veçantë”, tha ajo para publikut, duke e shpallur kështu zyrtarisht të hapur festivalin.

Fjalën e mori edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti, e cila shprehi kënaqësinë e saj që ishte pjesë e hapjes së këtij edicioni. ”Mendoj që është një edicion i rëndësishëm. E kemi për obligim të mbështesim ngjarje të tilla që i sjellin publikut shumë vlera”, tha ajo.

Pas hapjes së festivalit, publiku vazhdoi drejt teatrit për të shikuar shfaqjen ”Bretkosa”, shfaqje kjo nën regjinë e Burbuqe Berishës, e cila shprehej të jetë tejet e kënaqur që ”Bretkosat” po shfaqej prapë për publikun kosovarë.

”Unë i dua shumë këto tema dhe ka qenë shumë kënaqësi realizimi i shfaqjes. Aktorët kanë qenë shumë të mirë dhe ka qenë njëra ndër sfidat më të mira dhe më të guximshme për mua”, potencoi ajo për KultPlus.

”Bretkosa” shpaloste një realiteti të hidhur, që ndeshej me njerëzoren, një anë njerëzore që binte ndesh me parimet personale duke bërë kështu që jeta e personazheve të merrte kahje tjetër, një kahje të padëshirueshme prej së cilës humbiste filli e zhytja në llum ishte më e thellë sesa njeriu mund ta përballonte.

Tri personazhe, tri jetë të shkatërruara, tri jetë që kërkonin me ngulm një ndryshim që me shumë gjasë nuk do të vinte kurrë.

Ilir Tafa, në rolin e një berberi, i cili në rininë e tij të hershme kishte qenë pjesë e luftës së fundit në Kosovë, me trauma të ngjitura fort pas qenies së tij prej luftëtari krenar, kishte humbur gruan dhe djalin e tij si pasojë e krizave psikike që kishte pësuar. Në tjetrën anë, vëllai i tij, rolin e të cilit e luante Donat Qosja, vuante varësinë nga alkooli dhe bixhozi i cili poashtu kishte humbur punën dhe nuk gjente guximin t’i tregonte gruas së tij të vërtetën. Shoku i tyre, një taksist që luhej nga Basri Shala, tradhtonte gruan me një vajzë të re dhe personazhi i katërt, nën interpretimin e Valmir Krasniqit, i cili vinte në formë shprese për personazhin kryesor, berberin.

Berberi (Ilir Tafa), vuante pamundësinë për ndryshim dhe vazhdimisht shtynte të vëllain dhe shokun e tyre taksist për të ndryshuar, për të filluar një jetë më ndryshe. Ndërsa, këta të dy, një gjë të tillë e konsideronin të pamundur deri në pikën që edhe talleshin me të.

Dashuria e madhe për kombin, një jetë e dëmtuar si pasojë e humbjeve dhe sakrificave, vinin nën interpretimin e një kasti prej katër aktorësh, që publikut i falën emocione të pakrahasueshme. Ku përmes këtyre katër personazheve, trajtohej e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e secilit që ka qenë viktimë e luftës dhe traumave të saj.

”Bretkosa”, ngjalli një emocion të paharruar për publikun duke përfunduar me shumë duartrokitje e brohoritje nga ana e tyre.

Të pranishëm ishin edhe disa aktorë, ndër ta edhe Vlora Merovci, e cila për KultPlus u shpreh të jetë tejet e kënaqur me shfaqjen dhe performancën e aktorëve. ”Ka një kohë të gjatë që nuk kam parë shfaqje kaq të mirë, aktorët na falën shumë emocione”, potencoi ajo për KultPlus.

Ndërkaq, Ilir Tafa i cili ishte në rolin kryesor, pohoi të jetë shumë i kënaqur që ishte pjesë e kësaj shfaqjeje. ”Është hera e 12-të apo e 13-të, që po luhet kjo shfaqje. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një kasti kaq të mirë aktorësh, që i kanë dhënë frymë dhe jetë shfaqjes”, deklaroi ai për KultPlus.

Festivali do të zgjasë deri më 9 nëntor 2019, në dy skenat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ku aty do të ngjiten shtatë trupa artistike në programin konkurrues, të cilat vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria e Kroacia. /KultPlus.com

Sonte nis edicioni i dytë i “Prishtina International Theater Festival – PITF 2018”

Në Teatrin AAB “Faruk Begolli’’, sonte nis “Prishtina International Theater Festival – PITF 2018”, festival ky që mbart me vete një program garues të përbërë prej 7 shfaqjeve teatrore që vijnë nga Italia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Përveç programit garues, do të jepet premierë në natën finale shfaqja “Bretkosa”, një prodhim i Teatrit AAB “Faruk Begolli”, shfaqje kjo që është jashtë programit garues.

Festivali do të zgjasë 8 ditë, prej datës 29 nëntor deri më 6 dhjetor dhe pritet të ketë audiencë mjaft të madhe.

Festivali PITF synon të na afrojë me botën, të promovojë vlerat tona dhe mbi të gjitha t’i mundësojë publikut kosovar të njihet me rrjedhat bashkëkohore në lëminë e artit, në këtë kohë kur vazhdojmë të mbetemi të izoluar.

Hapja solemne e PITF 2018 bëhet në orën 18:30, kurse në orën 19:00 do të shfaqet ‘’Gratë’’ nga Maqedonia, një produksion i Teatrit Kombëtar Shqiptar në Shkup./ KultPlus.com

Drama e një dashurie pas dhjetë vitesh, nga Shkupi erdhi në ‘PITF’

Një natë para përfundimit të edicionit të parë të “Prishtina International Theater Festival 2017”, erdhi shfaqja ‘’Darka e thërrimeve’’ me produksion të Teatrit Shqiptar nga Shkup, në skenën e teatrit ‘’Faruk Begolli’’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e realizuar nga autori, Refet Abazi dhe nën regjinë e Qëndrim Rijanit, në skenë fuqishëm erdhi përmes aktorëve Luran Ahmeti dhe Armenis Nokshiqi Jovanovska.

Personazhet sikur shkelin në tokën e tyre të dashurisë, të cilën e kishin braktisur për dhjetë vite. Në këtë pikëkthim ata takojnë gjurmët e dashurisë së tyre, duke shpjeguar arsyet e largimit, e cila lidhej me një frikë të fëmijërisë. Kalojnë në pyetje të njëjta për njëri-tjetrin, përgjigjet e të cilave vetëm se e japin vulën e një dashurie të pamposhtur nga koha.

Personazhet ikin me urrejtje nga njëri-tjetri, e herë kthehen me pasion për dashurinë të cilën nuk arritën ta luftojnë, as kur e braktisen. Në pikën ku ata takohen, vajza që dikur për pesë vite ishte e dhënë në atë lidhje dashurie tashmë ishte bërë grua dhe nënë e fëmijëve të një doktori i cili e kishte kthyer në jetë pasi ajo ishte shtrirë në spital nga përdorimi i substancave dhe tentative të vetëvrasjes. Përmes doktorit, ajo kishte marrë dashurinë të cilën ajo e mbante për dikë tjetër kurse ai e kishte pranuar dhimbjen e brishtësinë e saj edhe kur ajo s’kishte më forcë ta pranonte vetën.

Në anën tjetër, në këtë bisedë djaloshi që nuk bëri asgjë për ta ngre dashurinë e tyre një hap më tutje, ishte larguar atëherë kur pas katër vitesh kishte filluar ta ndjejë praninë e fortë të saj. Kulmi i bisedës së tyre pas kaq vitesh ndalej nga një bubullimë e fuqishme, e që e shtonte frikën e tij, e kthente në natën kur zbuloi tradhtinë e nënës së tij ndaj babait, atë natë kur në sytë e saj nuk takoi as turpin që e priste. Kjo histori, i drejtoi atij gjithë rrugën e jetës dhe i mbolli mosbesimin e frikën e tradhtisë, pasi që në çdo skenë e paramendonte vetëm në pozitën e babait të tradhtuar, e të dashurën e shihte në pozitën e nënës që do t’i sillte tradhtinë. E derisa ajo pëshpëriste “të kam dashur edhe para se të takoja, e të kam dashur edhe para se të njihja”, ai shfaqte natyrën e tij histerike ndaj dashurisë se fjalë të tilla i përkisnin vetëm telenovelave. Të dy, në një kohë dhe moshë tjetër, të mbetur si thërrima të diçkaje që ka ekzistuar sollën përballjen me jetën dhe dashurinë, duke transmetuar kështu mjaft emocione për publikun përmes lojës së jashtëzakonshme të aktorëve..

Ky festival sonte do të përmbyll edicionin e tij të parë me shfaqjen “Armiku i Popullit” nga Kosova. Po ashtu sonte do të zgjedhën edhe fituesit e këtij festivali, ku do të ndahen çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol kryesor, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë. Çmimet do të ndahen nga juria qendrore, juria e mediave dhe juria e studentëve./ KultPlus.com