“Muhammad Ali, one and only” dhe “Babai dhe Babai” me më së shumti çmime në edicionin e tetë të PITF

“Muhammad Ali, one and only” me tekst të Almir Imshireviq dhe  regji të Dino Mustafiq nga Bosnja dhe Hercegovina është shpërblyer me çmimin e shfaqjes më të mirë në edicionin e tetë të Prishtina International Theater Festival që u mbajtë në Kolegjin AAB, shkruan KultPlus.

Çmimin për shfaqjen më të mirë në këtë ceremoni e ka ndarë kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i cili ka thënë se: vende si ky e festivale si ky, ngjarje të tilla e bëjnë artin kulturë.

“Falënderoj përzemërsisht dhe shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kanë punuar në këtë ngjarje. Kanë filluar të më pyesin pse po shkoj në shfaqje, sepse me gjasë po shkoj shpesh, kur po u them se po shkoj për qejf nuk po më besojnë. Kështu që në edicionin e nëntë mos më dërgoni ftesë fare, sepse vij vetë”, ka thënë Kurti me këtë rast.  

Ndërkohë, po e njëjta shfaqje është shpërblyer edhe me çmimin e publikut, sikurse edhe për rolin dytësor.

Po me tri çmime është shpërblyer edhe shfaqja nga Kosova “Babai dhe Babai” me tekst të Jeton Neziraj e regji të Kushtrim Koliqit.

Çmimin si shfaqja më e mirë “Babai dhe Babai” e ka marr nga juria e medias, ku në emër të jurisë çmimin e ka ndarë drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila mes të tjerash ka falënderuar organizatorët e këtij festivali për prurjen e gjithë këtyre shfaqjeve nga rajoni.

“Ky festival çdoherë po merr formë, festival që mban emrin e Burbuqe Berishës”, ka thënë Pajaziti, duke shtuar se Burbuqe Berisha duhet të jetë në paqe me gjithë këtë prurje artistike në këtë festival, festival që mban emrin e saj.

“Babai dhe Babai” është shpërblyer edhe për rolin kryesor, çmim që i është ndarë Ilire Vincës, sikurse që është shpërblyer edhe për regjinë më të mirë.

Ndërkohë është ndarë edhe çmimi i studentëve, çmim që ka shkuar për shfaqjen nga Maqedonia e Veriut “ Here, Kitty Kitty”.

Çmimi special i është ndarë shfaqjes nga Mali i Zi “Bloody Moon”.

Më poshtë është lista e plotë e çmimeve që janë ndarë në këtë festival.

• Çmimi “Best Play: Students choice” – “Here, Ktty Kitty” – Maqedonia

• Çmimi “Best Play: Media choice” – “Babai dhe Babai” – Kosova

• Çmimi “Best Play: Public award” – “Muhammad Ali, the one and only” – Bosnja dhe Hercegovina

• Special Mention – Teatri Kombëtar i Malit të Zi

• Çmimi “Best Supporting Role” – Dino Bajrovic “Muhammad Ali, the one and only” – Bosnja dhe Hercegovina

• Çmimi “Best Actor” – Ilire Vinca “Babai dhe babai” – Kosova

• Çmimi “Best Director” – Kushtrim Koliqi “Babai dhe babai” – Kosova

• Çmimi “Best Play” – “Muhammad Ali, the one and only” – Bosnja dhe Hercegovina./ KultPlus.com

“Bloody Moon” shfaqja e fundit në PITF, sonte ceremonia e çmimeve

“Mbretëreshat e klubit të natēs” nga Shqipëria u prezantua në mbrëmjen e së shtunës në kuadër të PITF, ku kjo shfaqje solli historinë e aktorit Aleksander Moisiu, por në një formë krejt ndryshe, duke tentuar të përputhet me realitetin në Shqipëri.

Kurse sonte do jetë nata e fundit e Prishtina International Theater Festival, e cila sjell shfaqjen “Bloody Moon” nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi.

Shfaqja “Bloody Moon” do luhet sonte nga ora 19:00 në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ndërsa menjëherë pas saj do ndahen çmimet për këtë edicion të PITF.

Këtë edicion shfaqjet janë duke u vlerësuar nga juria profesionale e përbërë nga: Fatos Berisha, Ana Vukotić dhe Amernis Nokšić, sikurse edhe juria e medieve: Ardianë Pajaziti- KultPlus, Teuta Arifaj – ATV Live dhe Lumira Kelmendi – RTK./ KultPlus.com

Sonte në PITF vjen shfaqja “Mbretëreshat e Klubit të Natës”

Sot ekipi i aktorëve nga shfaqja “Mbretëreshat e klubit të natës” nga Shqipëria, kanë marrë pjesë në konferencën për media, për të ndarë detaje rreth asaj që publiku pritet ta shohin nga ora 20:00 në Teatrin Kamertal.

Në konferencë morën pjesë dy regjisorët e shfaqjes Lennart Boyd Schürmann “Bruch” dhe Klaudja Piroli, të cilët folën për përmbajtjen e shfaqjes e cila bazohet në Aleksander Moisiun dhe përpjekjet e tij në Shqipëri për ta rikrijuar vetveten si artist në një realitet që nuk e njeh.

Klaudja Piroli, u pyet për pritshmëritë që kanë rreth çmimeve në PITF, ku tha se këtë vit presin të kenë përfaqësim të denjë dhe të përcjellin te audienca atë që kanë dashur ta sjellin në këtë shfaqje.

Kurse Lennart Boyd Schürmann, e cilësoi si nder të madh pjesëmarrjen në këtë festival, duke thënë se deri tani ka marrë pjesë në festivale të shumta, por PITF del të jetë i jashtëzakonshëm si në pritje, organizim, aktorë, shfaqje dhe gjithçka tjetër.

Kurse mbrëmë, në këtë festival është prezantuar shfaqja nga Kroacia “Embers”, të cilët prezantuan një lojë mjaftë emocionuese për audeincën e Prishtinës./ KultPlus.com

Mbrëmë u shfaq “Here, Kitty Kitty” në kuadër të PITF, sonte do të shfaqet “Embers”

Në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, në kuadër të PITF është prezantuar shfaqja “Here, Kitty Kitty” nga Maqedonia e Veriut me regji të Filip Petkovski.

Kjo shfaqje që kishte një dinamikë të madhe të aktorëve në skenë ka sjell emocion te audienca, të cilët me tekst minimalist por me shumë skena vallëzimi kanë sjell një qasje më ndryshe për audiencën e këtij festivali.

Ndërkohë, sonte do të prezantohet trupa e Kroacisë,  të cilët do të prezantohen me shfaqjen  “Embers” me aktorët: Sinisa Popovic, Goran Grgic dhe Iva Mihalic. / KultPlus.com