Përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë morën pjesë në Kuvendin VII Albanologjik Ndërkombëtar (Për studime kulturore gjermano-shqiptare) që u zhvillua në Mynih në 21 dhe 22 prill.
Në seancën e hapjes së Kuvendit VII Albanologjik Ndërkombëtar përshëndetën prof. dr. Ulrich Arnold, Rektor i Universitetit “Nehemia”; Armin Kroder, kryetar i këshillit administrativ të rajonit Mittelfranken; Bardhyl Demiraj, kryetar i degës së Albanologjisë në Universitetin LMU të Mynihut; Artan Hanku, Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Mynih; Afrim Nura, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Bavari, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi.
Në fjalën e tij, Gjinushi theksoi se Akademia e Shkencave është e do të jetë përherë e vëmendshme dhe respektuese ndaj bashkësisë dhe qendrave të albanologëve kudo që e ushtrojnë punën e tyre kërkimore.
“Përveç themelimit të një amze të përgjithshme për regjistrimin e të dhënave të kërkuesve dhe kërkimeve në albanologji, ne po punojmë për krijimin e një rrjeti gjithëpërfshirës në linjë, që do të përditësohet në vijimësi dhe do të na mundësojë një ndërveprim më të suksesshëm, njohje e krahasime, debate shkencore të denja, siç është në traditën më të mirë”, tha ai.
“Ne mund të kontribuojmë duke ofruar menjëherë dhurimin e koleksioneve të botimeve tona albanologjike; shkëmbime të profesoriatit e të ekspertëve, ndihmë për programe dhe tekste; bashkëorganizim kuvendesh e konferencash shkencore. Duam ta theksojmë këtë të fundit sepse, siç po rezulton nga përvoja, roli i degëve të albanologjisë gjithnjë e më shumë po shkon tek kërkimi dhe organizimi shkencor, krahasuar me mësimdhënien. Me nënshkrimin e një protokolli dypalësh edhe ministria e arsimit në Shqipëri ka marrë përsipër të ofrojë mbështetje e bashkëpunim me degën e albanologjisë këtu, dhe kjo është shenjë për optimizëm”, tha ndër të tjera Gjinushi.
Kuvendi organizohet nga Instituti i Gjuhësisë Krahasuese-Indoeuropiane dhe i Albanologjisë pranë Universitetit Ludwig Maximilian./atsh/KultPlus.com