Portreti i rrallë i Pjetër Budit në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit

Biblioteka Apostolike e Vatikanit është një ndër bibliotekat më të pasura në botë përsa i përket historisë së trojeve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politiko-administrativë. Në të gjenden të gjitha veprat monumentale që ndihmojnë për të shkruar një histori të plotë të trojeve shqiptare, dhe pothuajse të gjitha librat e shkruar për krishtërimin e këtyre trojeve.

Nuk e teprojmë aspak po të themi që nuk ka vend tjetër në botë, ku të gjitha veprat monumentale të shtypshkruara që nga shekulli i XV-të e deri më sot, të gjenden të gjitha në një vend dhe në rafte të hapura për përdorim të lirshëm për studiuesin.Njëra ndër veprat e shumta albanologjike, është edhe “Paschyera et refyemit” e Pjetër Budit e cila ruhet në signaturën: Racc. Gen. Liturgia. V. 35, int. 3. [Dh. Shuteriqi, K. Ashta, B. Gjoka]. Në këtë vepër, e cila është e lidhur së bashku me dy vepra të tjera të Budit, “Rituale Romanum…” dhe “Cuscthote Mesce…” në faqen 1v ka një portret të Pjetër Budit, të datuar më 24 korrik 1621. Portreti [gravura], është një punim fin, me elementë të shumtë, të cilat paraqesin simbolikë domethënëse dhe të shumëfishtë. Dimensionet e portretit janë: 8.5 x 13.7cm.

Në këtë portret, Budi paraqitet në moshën 55 vjeçare, i ulur në gjunjë duke u lutur, para një scrivanie, në të cilën ndodhen të gjitha mjetet e shkrimit, por edhe engjëjt, që sjellin frymëzim dhe gjykim për krijimtarinë dhe veprën e tij. Portreti i Budit është i vetmi imazh që është i njohur dhe na është ruajtur deri sot. Është shumë konkret, duke na ofruar pamjen e tij fizike, fytyrën, veshjen, por edhe begatinë e elementeve kulturore, të pasuruar me elemente fetare dhe laike, gjë që e lartëson edhe më shumë këtë emër të nderuar të kulturës shqiptare. Tani e tutje nuk ka pse të vrasim mendjen për të imagjinuar Budin, sepse ai në këtë portret na paraqitet krejt i kapshëm, i afërt dhe real, me petkun e një ipeshkvi, njeriut të Zotit, por edhe të krijuesit, poetit e prozatorit, njeriu i cili sfidoi kohën dhe njerëzit, duke kultivuar gjuhën shqipe, duke ruajtur kulturën dhe traditën e lashtë të shkrimit shqip në veçanti dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, po në të njëjtën kohë duke treguar se nuk ishte autodidakt, siç shkruhet e njihet deri sot, por ishte me përgatitje të lartë profesionale, pasi kishte mbaruar studimet e larta në Romë.

Hulumtimet arkivore të bëra vitet e fundit, në Arkivin Skeret të Vatikanit (sot Archivio Apostolico Vaticano), Bibiliotekën Apostolike dhe Arkivin e Propagandës Fide në Vatikan, kanë plotësuar shumë mozaikun e figurës komplekse dhe shumëdimensionale të Pjetër Budit.Pjetër Budi lindi në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit në vitin 1566.

Studimet e para i mbaroi në Collegium Illyricum, të Zonjës Sonë, në Ankonë. Në moshën njëzetëjëvjeçare shugurohet për prift, [më 1587] dhe i vëhet kryeipeshkvisë së Tivarit në shërbim, për teritoret e Kosovës dhe Maqedonisë [Dardanisë së Lashtë]. Për dymbëdhjetë vjet shërbeu në këto teritore, ndërsa në vitin 1599 emrohet Vikar i përgjithsëm i Serbisë, kurse në vitin 1610 përmendet si kapelan në Shkup, ndërsa në vitin 1615 si kapelan në Prokuple, ku këto territore ishin të banaura me shqiptarë të besimit të krishterë.

Në vitet 1616-1618 qëndroi në Romë, ku studioi teologji dhe filozofi dhe në të njëjtën kohë përgaditi për botim veprën e tij “Dottrina Christiana.” Në fund të vitit 1618 dhe gjatë tërë vitit 1619, ishte për pelegrinazh tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela, në Spanjë. Nga fundi i vitit 1619 e deri më 20 korrik 1621 qëndron në Romë, kur emrohet ipeshkëv i Sapës dhe Sardës, përkatësisht i tërë krahinës së Zadrimës. Disa ditë para Krishtëlindjeve, duke kaluar lumin Drin, mbytet në ujërat e ftohta, duke lënë vend për hamendësime se ishte një komplot i pregaditur ndaj tij nga kundërshtarët e shumtë.

Nga Prof. Dr. Musa Ahmeti (Center for Albanian Studies – Budapest) /Dielli/ KultPlus.com

1622, Pjetër Budi i dhuron “Doktrina e Krishterë” Bibliotekës së Vatikanit

Më 29 janar 1622, ipeshkvi e shkrimtari shqiptar, imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës së Vatikanit kopjen e veprës së parë të tij “Doktrina e Krishterë“ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit, që u botua në Romë në vitin 1618. Në fund të faqes së veprës shkruan “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622” . (Autori ia dha këtë kopje dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622.

Dy breza pas dom Gjon Buzukut, vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë, ajo e Imzot Pjetër Budit (1566-1622), autorit të katër veprave fetare, me përmbajtje të doktrinës së krishterë, në gjuhën shqipe.

Imzot Pjetër Budi lindi në fshatin Gur i Bardhë, në krahinën e Matit. Studioi në Kolegjin Ilirik të Loretos (Collegium Illyricum), afër Ankonës, në Itali, ku studiuan shumë të rinj e priftërinj shqiptarë, si të viseve tjera të Ballkanit e të Evropës Qendrore.

Në moshën 21-vjeçare Pjetër Budi shugurohet meshtar katolik, dhe dërgohet menjëherë me shërbim në Maqedoni e Kosovë. Më 1610 përmendet si ‘kapelan i të krishterëve’ në Shkup’, kurse më 1617 si kapelan në Prokuple, në Serbinë jugore.  Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, dom Pjetër Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër pushtuesve otoman.

Më 1599 Dom Pjetër Budi u emërua Vikar i Përgjithshëm (vicario generale) i Kishës katolike në Serbi, vend që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, dom Pjetër Budi jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të vështirw.

Imzot Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por ipeshkvi imzot Pjetër Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë.

Më 1616 imzot Pjetër Budi shkoi në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikëqyrur botimin e veprave të veta.  Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një shtegtim tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë, te shenjtërorja e njohur e Shën Jakut Apostull. Kur u kthye në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e Kuries Romake, çka do të thotë të Selisë së Shenjtë të Romës kundrejt  gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë.

Më 20 korrik 1621 u emërua ipeshkëv i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), do të thotë i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe njëkohësisht fetare e Kishtare dhe e natyrës kombëtare e politike.

Një nga synimet e imzot Pjetër Budit ishte që  të rriteshin thirrjet meshtarake vendore, pra shqiptare, të rritej kleri vendas për të plotësuar nevojat  shpirtërore e posaçërisht edhe ato kombëtare, pasi për veprimtaritë ungjillëzuese e apostolike, përkujdeseshin edhe misionarët e huaj, edhe pse jo gjithmonë arrinin t’i plotësonin nevojat e shqiptarëve vendas, veprimtari kjo që nuk do të arrihet të realizohet për shkakun e shumë vështirësive që ekzistonin, nga mungesa e strukturave si Seminaret, Kishat dhe shkollat filozofie e teologjike, deri tek mjetet për mirëmbajtjen e studentëve e tjera.

Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjes, ipeshkvi imzot Pjetër Budi u mbyt duke kaluar lumin Drin.

Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur këtë figurë të rëndësishme kombëtare e kishtare, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta.

Të dhënat biografike për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër Budi ia drejtonte kardinalit Gozzadini në Romë, në të cilën ai parashtron planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve. Në këtë letër ai theksonte edhe: “… gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona.”

Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, ipeshkvi imzot Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave me përmbajtje fetare të krishterë, tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh?

Vepra e parë e imzot Pjetër Budit është ‘Dottrina Christiana’ ose ‘Doktrina e Kërshtenë’, një përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe një ndër kopjet origjinale ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna: “Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de’ Superiori.”

(Vepra “Doktrina e Krishterë”, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve.) E shënuar me dorë në fund të faqes është “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622” (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).

Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte Kardinal dhe Jezuit, i kanonizuar dhe i shpallur doktor i Kishës më 1930, vepra Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin dhe në mbrojtje të të vërtetave të doktrinës së krishterë, sipas Kishës katolike romake. Vepra ‘Doktrina e Kërshtenë’ e vogël e tij, një vepër që kundërreforma kishtare e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër gjuhësh tjera. Përkthimi shqip i ‘Doktrinës Kristiane’ prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.

‘Doktrina e Kërshtenë’ në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregata  e Selisë së Shenjtë Propaganda Fide në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Kongregatës Propaganda Fide kishte ende gjithsej 960 kopje të librit.

Me interes të madh letrar e fetar, si katekizëm, përmbajtje e ‘Doktrina e Kërshtenë’, vepra ka edhe pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare apo shpirtërore në shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrina e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.

Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin: “Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv.”

(Rituali Roman dhe Pasqyra e të Rrëfyemit, përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)/Vaticannews/ KultPlus.com