Presidenti Meta vlerëson tenorin me famë botërore Plácido Domingo me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Plácido Domingo është vlerësuar sot nga Presidenti Meta me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Presidenti Meta ka vlerësuar sot tenorin me famë botërore, Plácido Domingo me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Ai u shpreh se Domingo ishte një ndër personalitetet më të shquara ndërkombëtarisht, si dhe një ikonë e gjallë e artit dhe muzikës botërore.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi tenorin e famshëm botëror, Plácido Domingo Embil me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” “Në nderim dhe mirënjohje ndaj tenorit të jashtëzakonshëm me famë ndërkombëtare, i cili ka shkëlqyer me intepretimet e tij virtuoze në skenat operistike të mbarë botës. Me përulje të thellë për shembullin frymëzues, fisnik dhe artistik, duke na nderuar me praninë dhe interpretimin e tij të paharrueshëm në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit dhe Ansamblit Popullor shqiptar.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar maestro Domingos, artistëve dhe personaliteteve të artit dhe muzikës të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta u shpreh:

“Ceremonia e sotme është një event i veçantë, pasi i kushtohet një prej personaliteteve më të shquara ndërkombëtarisht, një prej ikonave të gjalla të artit dhe muzikës botërore, tenorit të njohur Plácido Domingo.

Platoni ka thënë: “Muzika i jep shpirt universit, i jep krahë mendjes, i jep fluturim imagjinatës dhe i jep jetë gjithçkaje.”

Maestro Domingo e ka përcjellë këtë atribut dhe mision të muzikës, jo vetëm në skenat më prestigjioze të botës, por edhe për miliona e miliona artdashës anë e mbanë globit.

‘Publiku është pjesë e jetës sime reale. Atmosfera e teatrit është oksigjeni im.’ – ka thënë maestro Domingo, dhe ky njehsim kaq i fortë midis jetës dhe muzikës është shijuar edhe nga artdashësit shqiptarë, duke admiruar performancat e tij sublime dhe duke u mahnitur me zërin e tij të jashtëzakonshëm.

Ky artist i përmasave të tilla ka shërbyer edhe si frymëzim për sopranot dhe tenorët shqiptarë të cilët kanë nderuar dhe e nderojnë vendin tonë me suksesin e tyre botëror, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, e shumë të tjerë, me të cilët maestro Plácido Domingo ka bashkëpunuar ngushtësisht.

I mahnitshmi Plácido Domingo edhe pas gjashtëdhjetë viteve karriere si tenor, me një repertor prej më shumë se 150 rolesh e mbi 4 mijë shfaqjesh, si një artist i shumanshëm me ndikim të madh në historinë e operës, një dirigjent i mbi 500 veprave dhe administrator operistik i shkëlqyer, vazhdon edhe sot të përçojë mrekullinë e zërit të tij tek artdashësit në mbarë botën.

Ishte një privilegj i veçantë ta kishim këtë ikonë të muzikën edhe në skenën shqiptare e të ndiqej nga afër prej artdashësve tanë.

Është privilegj i veçantë edhe për mua si Presidenti i Republikës që të vlerësoj sot një figurë kaq madhore dhe të rëndësishme të muzikës dhe operës botërore duke i akorduar atij Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut.’

Nuk mund të gjenim një Titull më të mirë vlerësimi, që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, i cili vazhdon edhe pas kaq shekujsh të jetë frymëzim për rrugën europiane të Shqipërisë.”

Pas 5 viteve në rikonstruksion, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, është inaguruar me një program të pasur artistik. Tenori Placido Domingi ishte një i ftuar special i mbrëmjes./ KultPlus.com

Kryeministri ndan momente nga mbrëmja emocionuese (FOTO)

Mbrëmja e djeshme shënoi çeljen e ambienteve të reja të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ngritja e siparit përcolli jo vetëm një pamje të re të objektit 60-vjeçar të artit, por edhe emocion për artistët e artdashësit.

Një mbrëmje gala ku ishin të ftuar personalitete të rëndësishëm të pritur nga zërat e mahnitshëm të sopranos Ermonela Jaho e legjendës së operës, Placido Domingo, ishte ngjarja e madhe pas rikonstruksionit total të strehës së artit. Në të, mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ndau disa foto nga shfaqja. Kryeministri u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Mirmëngjes dhe me disa momente nga mbrëmja emocionuese e ngritjes së perdes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku talentet e Shqipërisë lirike shkëlqyen mrekullisht përreth yllit të Ermonela Jahos e Placido Domingos, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi ai në Facebook./tv klan/ KultPlus.com

Teatrit i Operas dhe Baletit hap dyert pas 5 vitesh, sot mbrëmja gala e inaugurimit

Mbrëmja e sotme do të sjellë në Tiranë  dy kolosët e skenës operistike botërore, Ermonela Jaho dhe Placido Domingo , të cilët do të bëjnë inaugurimit e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Asamblit Popullor. Inaugurimi i sotëm do të bëhet me një mbrëmje gala  në orën 19:00 ku do të ngjiten në skenën e rikonstruktuar të Teatrit të Operas dhe Baletit edhe dy yjet botërorë.

Tetari i Operas do të hapë dyert pas rreth pesë vitesh, ndërsa Ermonela Jaho është shprehur më herët  e entuziazmuar dhe se mezi po pret të marrë pjesë në shfaqjen e madhe bashkë me legjendën botërore Placido Domingo. Tenori Placido Domingo do të performojë për herë të parë në skenën shqiptare, teksa iu bën thirrje të gjithë artdashësve të marrin pjesë në koncertin madhështor që do të fillojë në orën 19:00.

Në kuadër të masave kufizuese të pandemisë COVID-19, ata që do të marrin pjesë në mbrëmjen gala do të duhet të tregojnë certifikatën e vaksinimit ose një test negativ PCR të 48 orëve të fundit. Ndërkohë që mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme.

Rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit ka nisur në janar të 2017 për t’iu nënshtruar kushteve më bashkëkohore dhe moderne. Në një intervistë për ‘Report Tv’, ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka thënë se skena e teatrit është rikonceptuar me dy ballkonata, ndërsa është siguruar akustika maksimale. Projekti fillestar i rikonstruksionit është 1.2 miliardë lekë, por për arritjen e standardeve bashkëkohore është përdorur edhe buxhet shtesë. /shqiptarja/ KultPlus.com

Placido Domingo arrin në Shqipëri, nesër merr pjesë në hapjen e TKOB

Legjenda e operës, Placido Domingo ka ardhur në Shqipëri, pasi ditën e nesërme çel dyert teatri i Operas dhe Baletit, me një mbrëmje të veçantë gala.

Performues do të jenë shumë artistë të njohur, të cilët do të interpretojnë një duet nga Traviata dhe Domingo do të dirigjoi orkestrën.

Ka qenë sopranoja e operës, Eva Golemi që ka ndarë foton e parë me legjendën spanjolle të muzikës, duke e cilësuar si më të mirin e më të mirëve.

Kujtojmë që ftesa sipas drejtoreshës Zana Çela nuk u ka munguar as për emrat e famshëm ndërkombëtar si Saimir Pirgu, Inva Mula, Josif Gjipali apo Tedi Papavrami, të cilët kanë qenë me impenjime artistike.l.k/abcneës.al/KultPlus.com

Placido Domingo dhe Ermonela Jaho do të performojnë në sallën e re të Teatrit të Operas dhe Baletit

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet një mbrëmje gala më 15 shtator, në kuadër të rikonstruktimit të godinës së teatrit.

Në inaugurimin e teatrit do të ngjiten në skenë të famshmit Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërsa orkestra do të drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi bën me dije se shfaqja do të mbahet në orën 19:00, teksa thekson se mezi po pret që të ngrihet perdja e skenës.

“Mirëmëngjesi dhe me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

Placido Domingo dhe Ermonela Jaho, të ftuar specialë në inaugurimin e TKOB

Placido Domingo dhe Ermonela Jaho do të jenë të ftuar specialë në inaugurimin e Teatrit të Operas dhe Baletit më 15 shtator.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe drejtoresha Zana Çela në një konferencë për mediat ku po jep edhe detaje për eventin.

Gazetarja Leontina Nika bën të ditur se Ramë Lahaj dhe Gëzim Myshketa ende nuk e kanë konfirmuar prezencën ndërsa Saimir Pirgu nuk do të jetë i pranishëm pasi është i angazhuar në Londër.

Prezente nuk do të jetë në këtë mbrëmje gala as Inva Mula./KultPlus.com

Placido Domingo u hospitalizua nga komplikimet e shkaktuara nga koronavirusi


Legjenda e Operës, Placido Domingo, është hospitalizuar në Acapulco të Meksikës si pasojë e komplikimeve të shkaktuara nga koronavirusi. Kështu kanë bërë të ditur zëdhënësit e tenorit.

“Ai është më mirë dhe po i përgjigjet me sukses trajtimit mjekësor,” ka deklaruar zëdhënësi i Domingos për CNN-in.

Javën e kaluar, tenori i famshëm botëror përmes Facebookut e bëri të ditur lajmin se është diagnostikuar me COVID-19. Ai u kërkoi fansave të tij t’i lajnë duart shpesh dhe t’i ndjekin më kujdes këshillat e mjekëve dhe rregullat e qeverisë, transmeton Koha.

“Së bashku ne mund ta luftojmë këtë virus dhe ta ndalojmë krizën aktuale mbarëbotërore. Kështu, shpresojmë që shumë shpejt do t’i kthehemi jetës sonë normale,” kishte shkruar Domingo.

Tenori spanjoll 79-vjeçar, vitin e kaluar hoqi dorë nga pozita e drejtorit gjeneral të Shtëpisë së Operës në Los Angeles, pasi ishte akuzuar nga dhjetëra femra për ngacmim seksual.

Derisa, Domingo i ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij, Shtëpia e Operës në L.A. e filloi një hetim të pavarur rreth këtij rasti, dhe besohet se akuzat e më shumë se 10 femrave ndaj tenorit po dalin të jenë të vërteta.

Placido Domingo i bashkohet listës së të famshmëve të cilët kanë rezultuar pozitiv me koronavirus të tillë si: aktorët Idris Elba, Tom Hanks dhe bashkëshortja e tij Rita Wilson, Olga Kurylenko, kantautori John Prine, Kevin Durant dhe Daniel Dae Kim. / KultPlus.com

Ylli i operës, Placido Domingo del pozitiv me koronavirus

Ylli i operës, Placido Domingo, ka deklaruar të dielën se është infektuar me koronavirus.

Domingo, 79 vjeçar, i cili ishte në Meksiko, lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“E ndjej si detyrë morale të ju njoftoj se jam testuar pozitiv me Covid-19”, ka shkuar ai, transmeton KOHA.

Ai ka thënë se ai dhe familja e tij janë në vetizolim. Domingo ka deklaruar se ka vendosur të testohet pasi kishte disa simptoma të virusit.

Ai tutje ka bërë thirrje që njerëzit të kenë kujdes dhe t’i ndjekin këshillat. / KultPlus.com


Placido Domingo pendohet dhe anulon koncertet

Këngëtari i njohur lirik, Placido Domingo njoftoi sot nëpërmjet një deklarate se nuk do të performonte më në Teatrin Mbretëror të Madridit dhe se do të tërhiqej nga të gjitha rolet në opera, pas pranimit të akuzave kundër tij për ngacmim seksual.

“Nuk jam sjellur kurrë në mënyrë agresive me dikë”, u shpreh ai, i penduar që ndjesa e tij kishte dhënë një përshtypje të gabuar.

Prej kohësh mohues i akuzave për ngacmim seksual, këngëtari i famshëm i operas, Placido Domingo u kërkoi falje të martën 20 grave në SHBA, të cilat e kishin akuzuar.

“Dua që ato të dinë se më vjen sinqerisht keq për dhimbjen që u kam shkaktuar. Unë pranoj përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia”, tha këngëtari 79-vjeçar, në Los Anxheles.

Pasi iu desh të hiqte dorë nga karriera e tij në SHBA, Placido Domingo mori një goditje edhe nga vendi i tij i lindjes, Spanja, që për herë të parë anuloi dje pjesëmarrjen e tij në një shfaqje, pas pranimit prej tij të akuzave për ngacmim seksual.

“Kur ai tha se ajo që ka ndodhur, ka ndodhur me të vërtetë, në lidhje me fakte serioze që kanë prekur shumë gra, ne vendosëm se nuk ishte më e nevojshme prania e tij”, deklaroi ministri spanjoll i Kulturës, José Manuel Rodríguez Uribes./ atsh / KultPlus.com

Placido Domingo u kërkon falje grave për ngacmimet seksuale

Placido Domingo u ka kërkuar falje femrave që i lëndoi, të cilat e akuzuan për ngacmim seksual.

Ylli i operas dha dorëheqjen si menaxher i përgjithshëm i Los Angeles Opera pasi akuzat ndaj tij dolën në dritë.

Gjithsej 20 gra e kanë akuzuar Domingo për ngacmim seksual dhe sjellje të pahijshme.

Por ai i ka mohuar të gjitha pretendimet.

“E respektoj faktin që këto gra më në fund ndihen komode për të folur,”– tha ai për Los Angeles Times. “Dua që ato ta dinë se më vjen vërtet keq për lëndimin që u shkaktova.”

Ndërsa më pas Domingo shtoi: “Pranoj me përgjegjësi të plotë veprimet e mia dhe jam rritur nga kjo eksperiencë.”

Deklarata e tij u lëshua pas një hetimi ndaj Placido nga një sindikatë amerikane që përfaqëson interpretues të operës.

Hetimi zbuloi se ai ishte përfshirë në sjellje të papërshtatshme, duke filluar nga flirtimi deri tek ngacmimit seksuale, brenda dhe jashtë ambienteve të punës.

Akuzat, që shkojnë pas në kohë deri në vitet ’80, u bënë për herë të parë publike në gusht nga Associated Press.

Sipas pretendimeve, Domingo u kishte bërë shpesh presion grave për marrëdhënie seksuale dhe shpeshherë i ndëshkonte profesionalisht nëse refuzonin.

Në deklaratën e tij të fundit, Domingo tha se kishte marrë kohë gjatë muajve të fundit për të reflektuar mbi akuzat që kolegë të ndryshëm bënë ndaj tij.

79 vjeçari është një nga yjet më të mëdhenj të operës. Ai është i martuar me gruan e dytë, sopranon Marta Ornelas, që nga viti 1962.

Placido Domingo jep dorëheqje si drejtor i përgjithshëm i LA Opera

Ylli i operës Placido Domingo, ka dhënë dorëheqje si drejtor i përgjithshëm i Operës së Los Angeles pas deklaratave të shumta për ngacmime seksuale të raportuara nga Associated Press.

Domingo tha se deklaratat kanë “krijuar një atmosferë në të cilën aftësia ime për të shërbyer në këtë kompani që e dua kaq shumë është prishur“.

Bordi i drejtorëve të operës tha në një deklaratë të ndarë se ai performoi më shumë se 300 herë në 31 role të ndryshme. Domingo ka shërbyer si drejtor i përgjithshëm që nga viti 2003./21Media/ KultPlus.com

Placido Domingo akuzohet për ngacmime seksuale, reagon Ramë Lahaj

Placido Domingo po përballet me akuza të ngacmimit seksual, por publiku amerikan e kishte dënuar edhe para se të fillonin hetimet ndaj legjenda së operës.

AP ka publikuar deklarata e tetë këngëtarëve, valltareve dhe individë të tjerë që e akuzuan tenorin spanjoll për ngacmim, puthje të pahijshme dhe sjellje të tjera të padëshiruara. Megjithatë, deri më tani, askush nuk duket se ka paraqitur prova të qarta për pretendimet e tyre.

Në të njëjtën kohë, lajmi ka bërë një bujë të vërtetë dhe vetëm disa orë pas lajmeve, Opera e San Francisko ka anuluar performancën e tij në shtator. Ata ishin pak më të kujdesshëm në lidhje me Operën e Los Angelesit, duke thënë se do të hapnin një hetim.

Megjithatë, ndryshe nga publiku amerikan, shtëpitë e operave në Evropë nuk po arrijnë në përfundime të shpejta. Deri më tani, askush nuk ka marrë vendim që të anulojë performancat e Domingos duke përfshirë edhe qytetet si Milano, Cyrih e Londra. Disa nga kolegët e Domingos në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk janë të befasuar nga këto akuza dhe se duhet të “lihet të sharroj”. Nga ana tjetër, evropianët janë më të kujdesshëm dhe disa prej tyre i kanë dalë në mbrojtje.

Ndryshe, kujtojmë se spanjolli është mik i mirë edhe me tenorin tonë, Ramë Lahajn, ku në disa raste edhe kanë performuar së bashku në operat ndërkombëtare. Për këtë rast Lahaj ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke i dalë në mbrojtje mikut të tij. Ai pohon se të gjithë ata që e njohin Domingon e dinë që një gjë e tillë nuk është e vërtet sepse ai është babai i mirë, që në mënyrë specifikë kujdeset për të gjithë.

“Jetojmë në një kohë të çuditshme, ku mjafton t’i mbledhësh, 2 apo 3 shoqe e të akuzosh dikë për gjëra të pabazuara, edhe krejt farë lehtë mund të vësh në mëdyshje personalitetin e dikujt. Kjo po ndodh edhe me Maestro Domingon. 
Nuk di nëse ka artist në botën e operës të këtë pas sado pak talent e të mos jetë mbështetur nga Maestro Domingo. 
Për të gjithë, që kishim fatin ta takojmë e të punojmë me të, e dimë mirë se çfarë personaliteti ka ai dhe kush është ai. Lirisht mund të them për të gjithë ne artistët e rinj, ai është Baba i mirë, që në mënyrë specifike është kujdes për secilin prej nesh. 
Maestro, ti je heroi ynë, ti je shembull dhe po ashtu modeli më i mirë i të gjitha kohërave. 
Ne të duam dhe e dimë mirë se kush je, do të të mbështesim deri në frymën e fundit”, ka shkruar Rame Lahaj. / KultPlus.com

Duartrokitje të gjata për Placido Domingon e Ermonela Jahon në Pekin

Sopranoja Ermonela Jaho është ngjitur në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin në rolin e Thaïs, personazhit kryesor të operës me të njëjtin titull. Ajo është paraqitur në krah të baritonit me famë botërore Placido Domingo, që në veprën e kompozitorit francez, Jules Massenet, u prezantua me rolin kryesor të murgut, Athanael, shkruan KultPlus.

Ngjarjet zhvillohen në Egjiptin bizantin të shekullit të IV para erës sonë. Murgu Athanael që jeton në Aleksandri, përpiqet të konvertojë kurtizanen e quajtur Thais në krishterim, por zbulon mëkatin trupor dhe e gjen veten të nënshtruar ndaj hijeshisë së saj.

Forca krijuese që fshihet pas prodhimit të ‘Thais’-it nga Qendra Kombëtare e Arteve e Pekinit, është regjisori argjentinas Hugo de Ana. Ai është gjithashtu skenografi dhe kostumografi i shfaqjes.
Opera ‘Thaïs’ është vepra e parë e Qendrës Kombëtare të Arteve të Pekinit për kalendarin e vitit 2018, kurse audienca e atjeshmë është mrekulluar me performancën e kësaj shfaqje, ku duartrokitjet e tyre shihen edhe nëpërmjet videos më poshtë./KultPlus.com

Ermonela Jaho dhe Placido Domingo, verën tjetër së bashku në Peralada

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është ndër të parat këngëtare klasike që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Festivalin Peralada.

Ermonela Jaho do të jetë krahas Placido Domingos në festivalin e madh spanjoll, duke performuar operën “Thais” nga Jules Massenet. Koncerti do të ndodhë verën e ardhshme, me 29 korrik.

Një ditë më parë, me 28 korrik, tenori Jonas Kaufmann do të shoqërohet nga Orkestra e Teatrit Mbretëror të Spanjës.
Ermonela Jaho, në anën tjetër, ka bashkëpunuar edhe në të kaluarën me Placido Domingon ndërsa në Spanjë do të sjellin operën më të mirë të francezit, e cila tani po kalon në një periudhë lulëzimi në disa skena të mëdha botërore, shkruan KultPlus.

Jaho vjen në rolin e kurtizanes, ndërsa Domingo në rolin e Athanael. Artistët do të shoqërohen nga Michele Angelini, Jean Teitgen, Lidia Curtis dhe Elena Copons. Performanca fillon në ora 22:00 në The Castle Gardens Auditorium në qytetin Peralada.

Libretoja e operës bazohet në novelën me të njëjtin titull nga Anatole France. Premiera e operës është dhënë në Paris me 16 mars 1894. / KultPlus.com

Shqiptarja Ermonela Jaho, në koncertin e karrierës së Placido Domingos (FOTO)

Sopranoja e njohur botërisht, Ermonela Jaho, ka qenë mbrëmë e pranishme krahas Placido Domingos në përvjetorin e këtij të fundit, për të festuar 50 vjetorin e karrierës së tenorit Placido Domingo.

Në këtë koncert nuk kishte si të mungonte sopranopja shqiptare Ermonela Jaho e cila e ka shprehur emocionin e mbrëmjes përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Jam shumë e lumtur dhe e nderuar të jem në festimin e 50 vjetorit të karrierës së të Madhit Maestro Placido Domingo në Los Angeles dhe të ndaj skenën me kolegët e mi të mrekullueshëm të dirizhuar nga Dirigjenti James Conlon”, ka shkruar ajo.

Hera e parë e Placido Domingos në Los Angeles ishte në nëntor të vitit 1967, ndërsa tenori ka thënë se asokohe nuk ka pritur se sot do të festonte me kaq lumturi e sukses jetën dhe suksesin e tij në skenë.
Arturo Chacón-Cruz, Ana María Martínez, Nino Machaidze, Nancy Fabiola Herrera, Janai Brugger, Michael Fabiano dhe Mario Chang i janë bashkuar poashtu tenorit, ndërsa ai njihet për bashkëpunimin me artistët shqiptarë, përfshirë këtu Ermonela Jahon dhe Ramë Lahajn.

Aktorja e “Orange is the Neë Black”, Uzo Aduba, ishte poashtu e pranishme në këtë koncert, duke performuar “I could have danced all night”, shkruan KultPlus.

Aktorja Helen Mirren poashtu ishte e pranishme në këtë festim të karrierës së Placido Domingos, i cili është edhe drejtor i Operës së Los Angelosit që nga viti 2003. / KultPlus.com

Placido Domingo: Tenori Ramë Lahaj i ka të gjitha mundësitë për një karrierë fantastike (VIDEO)

Tenori legjendar Placido Domingo flet për Ramë Lahajn.

Vetë tenori shqiptar e ka postuar një video ku dëgjohen disa nga mendimet e Domingos për punën e Lahajt. Lahaj ka kohë që bashkëpunon me Placido Domingon.

“Jam më se i nderuar për gjithë përkrahjen që më jep në çdo hap te karrierës sime” ka shkruar Lahaj duke e shoqëruar edhe një video ku Domingo tregon se Lahaj është një tenor që i ka të gjitha mundësitë për të bërë një karrierë fantastike, shkruan KultPlus.

“Ai ka performuar në teatrot më të mëdhenj botërore dhe është në kohë të përkryer për të gjitha paraqitjet e tij” thotë mes tjerash Domingo.

Shumë shpejtë do të dalë versioni komplet i videos.

Tenori Ramë Lahaj ka lindur në Istog. Vitin e kaluar ai ishte njëri prej fituesve të Çmimit operistik OPERALIA. Lahaj së fundmi ka performuar kahas Domingos kur në Meksikë salla operistike morri emrin e legjendës Placido Domingo. / KultPlus.com

Salla operistike në Meksikë merr emrin e Placido Domingos, në koncertin gala edhe tenori shqiptar Ramë Lahaj (VIDEO)

Është inauguruar salla 1 e Shtëpisë Operistike në Meksikë, ku në koncertin gala, bashkë me tenorin e famshëm Placido Domingo, janë ngjitur në skenë edhe finalistë të Operalias, ku i pranishëm ishte edhe tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj, shkruan KultPlus.

Një paraqitje të shkëlqyer kanë prezantuar këta artistë para audiencës në Meksikë, dhe të njëjtit, për të falënderuar tenorin e madh me famë botërore Placido Domingon, ata po këtë sallë kanë emërtuar me emrin e Placido Domingos. Performancën e Ramë Lahaj dhe të tjerëve mund ti ndiqni në videon më poshtë./KultPlus.com

Ramë Lahaj përkrah Placido Domingos me koncert në Meksikë

I famshmi Placido Domingo, bashkë me disa nga fituesit e Operalia do të jenë artistët që do të përurojnë sallën 1 të Shtëpisë Operistike në Guadalajara, që do të mbahet më 21 tetor, shkruan KultPlus.

Në mesin e artistëve që do të performojnë në këtë mbrëmje është edhe tenori shqiptar Ramë Lahaj, i cili bashkë me mexosopranon Nancy Fabiola Herrera, tenori meksikan David Lomeli, baritoni meksikan Juan Carlos Heredia…do të bëjnë edhe përurimin e kësaj salle operistike.

Ndërkohë, në faqen zyrtare për këtë ngjarje kulturore bëhet e ditur se tashmë biletat janë në shitje, dhe ato sillen prej 500 deri në 4000 mijë dollarë./KultPlus.com