Baleti shqiptar “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” rivihet në skenën e TKOB

Në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit është rivënë në skenë legjenda e Gjergj Elez Alisë.

“Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” u soll në natën e saj të parë nga balerinët Kevin Lila, Adela Muçollari, Ervis Koçeku, Anxhelo Muçollari, Lurdi Dodgjini, Ambra Troplini dhe Eltion Merja, ndërsa në natën e saj të dytë, interpretuan edhe Odeta Dishnica, Dion Gjinika, Elda Logo etj.

Baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” është një nga ato vepra që i kanë rezistuar kohës. Baleti mban firmat e kolosëve: kompozitorit Feim Ibrahimi, të Ismail Kadaresë që shkroi libretin dhe të baletmaestros Agro Aliaj.

Libreti bazohet mbi rrëfenjat e Eposit të Kreshnikëve, duke përcjellë bëmat e heroit, dashurinë e përpjekjet për atdheun e sakrificat për njerëzit e dashur.

Legjenda nis me Gjergjin që dergjet në shtat prej 9 vjetësh nga plagët e marra dhe përfundon me duelin e famshëm me bajlozin. Ndonëse me nëntë plagë në trup, Gjergji e vret atë, por edhe vetë mbyll sytë përgjithmonë nga plaga e dhjetë që ka marrë.

Për herë të parë në skenën shqiptare baleti u shfaq në 30 mars të vitit 1986 me dirigjim nga Rifat Teqja dhe në atë kohë Gjergj Elez Alia u interpretua nga Ilir Kerni, Llaqi Nako dhe Arben Kuçaj, ndërsa personazhi tjetër kryesor, Dardina u interpretua nga Albana Sulejmani dhe Julika Islami.

Pas vitit 1986, vepra e cilësuar si një nga baletet më të bukur shqiptarë, është rikthyer shumë herë të tjera në skenë./atsh/KultPlus.com