Me moton “Planeti ynë-shëndeti ynë” në Kosovë u shënua Dita Botërore e Shëndetit

Me moton: “Planeti ynë-shëndeti ynë”, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës u shënua sot 7 Prilli, Dita Botërore e Shëndetit, ditë e cila shënohet në gjithë botën nga viti 1950, përcjellë KultPlus.

Shënimi i kësaj dite ka për qëllim vetëdijesimin për një prioritet shëndetësor të përzgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që do të përqendrojë vëmendjen në veprimet urgjente të nevojshme për të mbajtur njerëzit dhe planetin të shëndetshëm.

Zëvendës-Ministrja, Linda Çavdarbasha gjatë konferencës u shpreh se është kënaqësi të jetë prezentë për të diskutuar për ditën botërore të shëndetit, një ditë kjo që festohet çdo vit me 7 Prill, e që ka për synim – qëllimet e mirëfillta, që janë gjithmonë në dobi të shëndetit publik.

KultPlus ju sjellë të plotë fjalimin e zëvendës-ministres Linda Çavdarbasha gjatë konferencës:

I nderuar Ministër i Shëndetësisë, z. Rifat Latifi,
I nderuari Shef i zyres së OBSH-së në Kosovë, z. Oleksandr Martynenko,
E nderuara kordinatore e Zyres së UNDP-së në Kosovë, znj. Ulrika Richardson,

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi të jem këtu me ju sot për të diskutuar për ditën botërore të shëndetit, një ditë që festohet çdo vit me 7 Prill, e që ka për synim – qëllimet e mirëfillta, që janë gjithmonë në dobi të shëndetit publik. Çdo vit për këtë datë, zgjidhet një temë që nxjerr në pah një fushë me prioritet, e që është shqetësuese për OBSH-në e të gjithë neve.

Përballë pandemisë aktuale, e një planeti të ndotur sot, tema e Ditës Botërore të Shëndetit 2022 është: Planeti ynë, Shëndeti ynë. Pa dyshim se kjo thirrje paraqet një mundësi unike për një rikuperim të gjelbër dhe të shëndetshëm nga pandemia covid-19, që vendos shëndetin e individëve dhe planetit në qendër të veprimeve dhe po ashtu nxit një lëvizje për të krijuar një shoqëri që është e fokusuar për mirëqenien dhe shëndetin publik.

Kjo temë sot, është një kujtesë e fuqishme për ne se zgjidhja e shumë prej këtyre çështjeve është përtej kompetencës ekskluzive të sektorit shëndetësor dhe, si pasojë, një përgjigje efektive do të kërkojë nga e gjithë qeveria, dhe qasja vetëdijësuese e të gjithë shoqërisë.

Ndërsa pandemia COVID-19 na tregoi fuqinë shëruese të shkencës, ajo gjithashtu theksoi pabarazitë në botën tonë. Pandemia ka zbuluar dobësi në të gjitha fushat e shoqërisë dhe ka nënvizuar urgjencën e krijimit të shoqërive me mirëqenie të qëndrueshme të përkushtuara për arritjen e shëndetit të barabartë , si dhe për brezat e ardhshëm pa shkelur kufijtë ekologjikë. Thyerja e këtyre cikleve të shkatërrimit për planetin dhe shëndetin e njeriut kërkon veprime legjislativ, dhe reforma te menjëhershme për të bërë zgjedhje të shëndetshme.

Siç e dimë të gjithë, të qenit të shëndetshëm nuk nënkupton vetëm mungesën e sëmundjes, por shkon përtej kësaj. OBSH e përkufizon shëndetin si “një gjendje e mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe sociale, e jo thjesht mungesë e sëmundjes (OBSH 1984). Pra, kjo përfshinë të gjitha aspektet e dhe dimenzionet qenësore të dindividit si aspekti fizik, psikologjik, shpirtëror, mjedisor dhe social-ekonomik (Ewles dhe Simnett 1992).

Prandaj, jemi shumë të vetëdijshëm se rritja e mirëqenies dhe shëndetit publik, para se gjithash kërkon një qasje sistemore, multi-disciplinare dhe shumë dimenzionale, ndërsa bashkëpunimi ndër-institucional mes bartësve të sektorëve të ndryshëm që lidhen me shëndetin publik është i domosdoshëm dhe jetik.

Shëndeti mjedisor është degë e rëndësishme e shëndetit publik dhe e cila fokusohet në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe mjedisit të tyre; promovon shëndetin dhe mirëqenien e njeriut; dhe nxit komunitete të shëndetshme dhe të sigurta. Shëndeti mjedisor është një pjesë kyçe e çdo sistemi shëndetësor gjithëpërfshirës publik. Në këtë kuptim, kjo fushë synon hartimin e politikave dhe programeve të ndryshme për të reduktuar ekspozimet kimike dhe ekspozimet tjera mjedisore në ajër, ujë, tokë si dhe ushqim, e gjithë kjo me qëllim për ti mbrojtur njerëzit dhe për t’u siguruar komuniteteve mjedise më të shëndetshme.

Nëse u referohemi statistikave globale, shohim se 24% e vdekjeve në nivel global janë të lidhura direkt ose indirekt me mjedisin. Prandaj, ne të gjithë, direkt apo indirekt, jemi përgjegjës dhe rrjedhimisht secili nga ne ka diçka për të bërë në përmirësim të situatës. Në këtë kuptim, bashkë punimi bashkëpunimi ndër-ministror është po aq i rëndësishëm sa bashkëpunimi i institucioneve qendrore me institucionet lokale.

Kur jemi tek bashkë punimi ndër-institucional të nivelit të njëjtë, bashkëpunimi i ministrisë sonë me Ministrinë e Shëndetësisë është i nevojshëm madje i domosdoshëm për të mundësuar hartimin e politikave dhe projekteve konkrete që adresojnë çështjet si mjedisi i shëndetshëm dhe shëndeti publik. Prandaj, bëj thirrje qëtash e tutje, bashkëpunimi ynë të marrë një kahje dhe dimension të ri drejt bashkëpunimit të përditshëm dhe i orientuar kah zhvillimi i politikave dhe implementimi i projekteve të përbashkëta.

Ndersa sa i përket ministrisë sonë; politikat për parandalimin e ndryshimeve klimatike dhe reziliencë, Politikat e transportit të qëndrueshëm dhe infrastrukturës miqësore ndaj mjedisit, zhvillim i balancuar urban-rural, zhvillim i qëndrueshëm urban si dhe rritja e mençur, të gjitha këto janë tema kyçe të cilat e karakterizojnë fokusin dhe orientimin e MMPHI-së në këtë mandat. E gjithë kjo, me qëllim të koordinimin dhe bashkërendimit të hapave në të gjithë këta sektorë, për t’i arritur objektivat e një zhvillimi të balancuar e të qëndrueshëm.

Sa i përket Ndryshimeve Klimatike dhe Reziliencës, me ristrukturimin e brendshëm të MMPHI-së jemi duke e ngritur nivelin dhe seriozitetin e trajtimit të kësaj çështje me themelimin e një divizioni të veçantë brenda Departamentit për Mbrojtje të Mjedisit.

Sa i përket Transportit të Qëndrueshëm dhe Infrastrukturës miqësore ndaj mjedisit, në thelb të idesë së bashkimit dhe fuzionimit të dy ministrive (Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës) ka qenë vendosmëria e sigurimit të një qasje të integruar dhe të balancuar të të dy sektorëve, në favor të ruajtjes së mjedisit.

Kur flasim për zhvillim të qëndrueshëm urban, jemi duke e ngritur nivelin e hartimit të politikave urbane si dhe jemi duke i rritur kapacitetet për ndihmë direkte ndaj komunave, për planifikim të shëndoshë dhe më pastaj zhvillim të qëndrueshëm urban. Jemi duke vazhduar përkrahjen direkte për Investime Kapitale, në bashkëpunim me MAPL dhe UN-Habitat, ndërsa qëllimi i kësaj përkrahje është implementimi i projekteve që lidhen direkt me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Rritja e Mençur para së gjithash ka të bëjë me koordinim dhe bashkërendim të hapave si dhe menaxhim të mençur të resurseve për zhvillim të qëndrueshëm. Ndërsa dixhitalizimi është vetëm njëra nga komponentet e rëndësishmë të këtij koncepti. Megjithatë, kur jemi tek pjesa e dixhitalizimit, ne tashmë kemi dixhitalizuar një pjesë të shërbimeve tona (Permit Tracking etc.), ndërsa jemi në proces të dixhitalizimit edhe të shërbimeve tjera (Procesi i Aplikimit për marrjen e Pëlqimit për PZHK, HZK, VSM etj.), funksionalizimi i plotë i data bazës hapësinor etj.. Ndërsa me kapacitet e reja të ndërtuara jemi duke filluar ndihmën direkte edhe ndaj komunave për dixhitalizim më të madh të shërbimeve, krejt kjo në mënyrë që të reduktohet nevoja për lëvizje, të shtohet efiçenca në ofrimin e shërbimeve, si dhe të kursehet koha dhe xhepi i qytetarëve, të gjitha këto me impakt pozitiv në mirëqenien dhe shëndetin e qytetareve.

Agjenda e Gjelbërt dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, jo vetëm sepse përfshijnë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse kemi nevojë të gradualisht të fillojme me adaptimin e praktikave te mira sic është ulja e përdorimin e qymyrit duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike, ndryshimet klimatike, ruajtja e shendeti publik, krijimi i qyteteve dhe komunitetit të qëndrueshëm, mbrojtja e jetës në ujë dhe tokë e shumë të tjera.

Ulja e emetimeve të CO2 dhe furnizimi i përgjithshëm me energji që ndihmon në plotësimin e kërkesës sonë në rritje, veçanërisht pas krizës energjetike që patëm këtë dimër, si dhe investimi në burimet e ripërtëritshme janë prioritetet e Qeverisë së Kosovës, që dukshëm do të ndikojnë në shëndetin e qytetarëve tanë.

Për më shumë, këtë vit është bërë sigurimi i lokacionit për një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë “Solar4Kosovo”, i cili po fillon të jetësohet në Kosovë.
Ky është projekti i parë diellor në shkallë të gjerë në sektorin publik të Kosovës, dhe i pari projekt që ka për qëllim diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike.

Nga ky bashkëpunim i ndërsjellë do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e vendit tonë, me ç’rast:

Do të ju sigurohet kyçje në rrjetin e ngrohjes qendrore për 12.000 familje apo rreth 60.000 banorë;
Do të reduktohet emitimi i dioksidit të karbonit për 40.000t në vit;
Do të shtohen kapacitetet me rreth 70MW në sistemin e ngrohjes në Prishtinë;
Do të reduktohet kërkesa për energji elektrike për qëllime të ngrohjes;
Do të ndërtohen kolektorë diellorë prej përafërsisht 69.000 m2.

Shkurtimisht, arrita të përmendi vetëm disa nga gjërat të cilat kanë impakt në shëndetin e njeriut dhe që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është duke punuar. / KultPlus.com