Plani i menaxhimit të Butrintit, Gonxhja: Kryefjalë do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja

Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja deklaroi sot se do të ketë në vëmendje maksimale miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se “në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.

“Unë dhe ekipi vlerësojmë gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e Fondacionit të Menaxhimit të  Butrintit  (BMF) për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja”, tha Gonxhja.

I ndodhur në jug të vendit, gati 20 kilometra nga qyteti modern i Sarandës dhe me pamje drejt Kanalit të Korfuzit, Butrinti është siti më i rëndësishëm arkeologjik dhe atraksioni më i njohur kulturor i Shqipërisë.

Në korrik të vitit 2020, qeveria shqiptare miratoi një plan menaxhimi të integruar për të mbrojtur zonën dhe për të promovuar turizmin e qëndrueshëm me bazë komuniteti dhe të ndjeshëm ndaj mjedisit. Plani çoi në krijimin e një organi të ri autonom për mbikëqyrjen e zonës, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, i drejtuar nga Ministria e Kulturës e kohës./atsh/KultPlus.com