Cila është arsyeja që e ktheu investitoren Ardijana Rexhaj nga diaspora në Kosovë?

Histori të ndryshme suksesi janë prezentë prej vitesh, si në Kosovë ashtu edhe në mbarë botën. Një rast i tillë është Ardijana Rexhaj e lindur në Kosovë dhe e rritur në Norvegji, e cila e la jetën e saj në Norvegji dhe u kthye në Kosovë për të hapur një biznes, konkretisht Kerkoj.com. Një biznes që ka të bëjë me shitjen, blerjen dhe dhurimin e gjërave të ndryshme, shkruan KultPlus.

Shumë prej personave që ishin të detyruar të largohen nga vendlindja e kanë gjetur veten duke përqafuar mundësitë që ofrojnë sistemet arsimore në vendet e tyre të adoptuara, duke arritur qëllime akademike që janë edhe më mbresëlënëse, duke pasur parasysh pengesat që kanë kapërcyer.

Historia e një familje refugjatësh nga Kosova në Norvegji

“Nëna dhe babai im janë nga Istogu dhe pak para se të fillonte lufta, babai im shkoi në Norvegji, i detyruar të lë nënën, vëllain dhe mua në Kosovë edhe për tre vite të tjera, kjo për shkak që ishte djali i vetëm në familje dhe të gjithë ishin të shqetësuar për shkak të situatës së luftës. Kur unë isha në moshën katër vjeçare patëm mundësinë të bashkohemi me babain në Norvegji. “Nëna dhe babai im kanë qenë gjithmonë njerëz shumë të aftë, megjithatë, presioni për t’u përshtatur me mjedisin e ri dhe për të ushqyer familjen ishte i madh.”

Fillimi i një karriere të bujshme

Me shpresën për të filluar një karrierë të suksesshme u largova nga shtëpia në moshën 18 vjeçare për të studiuar në Oslo, në degën e Administrimit të Biznesit, ku kam studiuar për 4 vjet dhe gjithashtu kam punuar 4 punë part-time përgjatë studimeve. Pasi mbarova fakultetin, jam kthyer në vendbanimin e mëparshëm për të punuar me babain tim, i cili kishte hapur një kompani në vitin 2007. Aty punova për 3 vite ku edhe e bleva apartamentin e parë në moshën 24 vjeçare. Mirëpo, migrimet e mia ishin të vazhdueshme, pas 3 viteve punë me babain, u transferova përsëri në Oslo, ku fillova të punoj si konsulente në një nga 5 kompanitë më të mira të konsulencës në botë.”

Lindja e natyrshme e idesë

“Babai im po kërkonte të blinte tokë në Kosovë ose në Ulqin dhe më tha se po haste në shumë vështirësi sepse nuk kishte ndonjë platformë e përshtatshme dhe serioze e cila përmbante informacionet dhe shërbimin e duhur. Kompanitë ishin jo serioze dhe nuk kishin përgjigje konkrete, babai më njoftoi për problemet që i hasi gjatë procesit, duke më propozuar kështu idenë për të krijuar një platformë në të cilën edhe njerëzit nga Kosova por edhe nga diaspora do ta kishin shumë të lehtë të qasen, të blejnë, të shesin apo dhurojnë. Unë jam mirënjohëse për besimin që ai kishte tek unë, megjithatë nuk isha e sigurt se si mund t’ia dilja, pasi e ndieja se ishte shumë ndryshe dhe e panjohur fillimi i një kompanie, për më tepër në një vend dhe industri që dija shumë pak, edhe pse kisha lindur këtu.

Vendosshmëria për të sjell diçka ndryshe

“Për ditë të tëra kam menduar se si kjo platformë do të dallohej në treg, fillova me krijimin e kornizave bazike sepse po ndjenja se ishin të nevojshme për një fillim të mbarë dhe për një bazë të fortë. Ishte dhe është ende e rëndësishme për mua që i gjithë krijimi i biznesit është nga shqiptarët për shqiptarët, nga programerët, dizajnerët, shkrimtarët e përmbajtjes, etj. E nisa këtë rrugëtim duke punuar me kohë të plotë në Norvegji, ishte shumë e vështirë të kontaktoja njerëz të ndryshëm dhe njëkohësisht të punoja punën e atëhershme, dhe pas përfundimit të orarit të punoja në Kërkoj. Kërkoj është e vetëfinancuar, prandaj kam punuar 12 orë në ditë në Norvegji sepse më duheshin financa për të zhvilluar biznesin. Pas një viti pune intensive, gjetja e personave që mund të punoja, dhe duke u ndjerë më e gatshme për të vazhduar me planet e mia, caktova një datë për ta lënë punën time në Norvegji, dhe për të ardhur në Kosovë. Plani fillimisht ishte që unë të qëndroja në Kosovë për 1 vit, jo të vendosem përgjithmonë këtu. Pra, mendova se unë mund të filloja biznesin tim, ta vendosja atë në një pozitë të qëndrueshëm dhe më pas të punoja në mënyre hibride – duke qëndruar këtu dhe me familjen time në Norvegji herë pas here, por më pas ndodhi pandemia dhe kjo prishi disa gjëra, por mund të them që rregulloi disa të tjera.”

Emri kërkoj erdhi duke ‘kërkuar’

Unë kam menduar, pyetur dhe kërkuar një emër të duhur me javë të tëra. Madje e mora edhe fjalorin shqip dhe e lexova faqe për faqe duke u munduar të gjeja diçka që tingëllonte si e duhur për atë që kompania do të ofronte. “Kërkoj” si platformë është për shitje, blerje, dhe vendosje me qera, e cila ka shumë kategori dhe shumë nënkategori. Synimi është që “Kërkoj” të jetë vendi i bizneseve dhe individëve, që “Kërkojnë”, dhe duke e menduar fjalën Kërkoj disa herë, u ktheva dhe vendosa ta zgjedhja këtë emër, ku më pas e bleva domenin e faqes së internetit dhe në vitin 2019 e themelova biznesin tim në Istog.

Themelimi i një biznesi, arsye për të qëndruar në Kosovë

“Kërkoj” është 100% pjesa kryesore që më ka bindur të qëndrojë në Kosovë. Me kalimin e kohës, sigurisht, ka pasur edhe arsye të tjera që kanë kontribuar në dashurinë time për vendin dhe njerëzit këtu. Megjithatë, zhvillimi i “Kërkoj” ka qenë shumë përmbushëse për mua. Zhvillimi i një vendi ku mund të shisni, blini ose dhuroni diçka për njerëzit dhe bizneset e vogla më ka dhënë një qëllim edhe më të madh për të krijuar diçka të dobishme dhe kuptimplotë. Në Kërkoj, kemi edhe kategorinë e punës, ku si individ mund të plotësoni CV-në tuaj dhe të kërkoni punë. Në gjithçka që kemi krijuar dhe kemi zhvilluar, qëllimi im – dhe misioni i biznesit është të zgjidhë problemet që babai im dhe persona të tjerë kanë kur kërkojnë një vend të përbashkët për shërbime dhe artikuj të ndryshme.

“Rinjohja” me Kosovën pas kthimit në vendlindje

Nuk dija asgjë për Prishtinën, as ku ishte Grandi, e lëre më diçka tjetër, më duhej të mësoja gjithçka nga fillimi, të njihesha me Kosovën dhe të njihja anëtarë të ndryshëm të familjes që nuk kisha pasur mundësi t’i njihja si fëmijë. Kur karantina mbaroi dhe ne filluam jetën pas pandemisë, fillova dalëngadalë të krijoj kontakte dhe të njohë më shumë njerëz. Tani që pandemia ka mbaruar, ende nuk është e lehtë, veçanërisht në fushën e programimit, nevoja për programer të talentuar është e lartë – e po ashtu është edhe më sfiduese për një kompani të vetëfinancuar si Kërkoj, të përmbushë të gjitha kërkesat në një fazë kaq të hershme.

Çka pas 5 viteve?

“Qëllimi ynë kryesor pas 5 vitesh, është të bëhemi tregu kryesor për njerëzit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Të jemi në shtëpinë e të gjithëve dhe të drejtojmë si individët ashtu edhe bizneset online duke u ofruar atyre mundësinë për të shitur artikujt e tyre, për të gjetur punën ose për të rritur biznesin e tyre. Diçka që është po aq e rëndësishme për mua është mjedisi dhe të sigurohemi që vendi ynë të kontribuojë në mënyrën më të mirë të mundshme për një të ardhme më të gjelbër për brezat tanë të rinj. Mendoj se kjo pjesë e imja është shumë e ndikuar nga edukimi im në Norvegji ku natyra është gjithmonë e ruajtur dhe e rëndësishme. Unë dua që kjo të jetë po aq e rëndësishme edhe për njerëzit tanë në Kosovë. Kjo është gjithashtu arsyeja pse fokusi ynë nuk është të qenit një E-commerce, por është të shesim gjëra që mund t’i konsideroni si të panevojshme dhe të përdorura. Dhënia e një jete të re artikujve të ndryshëm, shitja e tyre tek dikush që ka nevojë ose edhe të ia dhurojmë ato. Qëllimi ynë është që të kemi kontejnerë në të gjitha qytetet e Kosovës ku njerëzit mund ti dhurojnë sendet e tyre që nuk i duan ose nuk i përdorin, kështu që ne mund t’ia dhurojmë njerëzve në nevojë, si dhe të reduktojmë mbushjen e deponive dhe të hedhim gjërat që janë të ripërdorshme. Për të mos përmendur që dëshira ime për Kërkoj është që t’u jap njerëzve dhe bizneseve kudo që janë në Kosovë një mundësi për të shitur gjërat e tyre, nëse dikush është në një fshat duke bërë xhampera me grep, mund t’i shes ato në Kërkoj.
 
Ne sapo kemi filluar, Kërkoj është ende në fazat e para, mirëpo ne jemi rritur si staf, me programera, dizajnera dhe asistentë të shitjes. Shpresojmë që njerëzit të shijojnë përdorimin e platformës Kërkoj po aq sa ne jemi duke shijuar krijimin e saj, dhe të na japin komentet e tyre përgjatë eksperiencës së tyre, pasi që ne duam të bëhemi më të mirë dhe të plotësojmë të gjitha nevojat që nuk plotësohen si tek njerëzit këtu, ashtu edhe tek diaspora.

Shpresoj të shoh “Kërkoj” në të gjithë Ballkanin në vitet e ardhshme. Emri “Kërkoj” mund të ndryshojë, por koncepti do të jetë gjithmonë i njëjtë në secilin vend, si në Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci e shumë vende të tjera”, ka thënë ajo.

Disa njerëz janë të determinuar që të arrijnë suksesin pavarësisht vështirësive që dalin në pah gjatë rrugëtimit të tyre. /KultPlus.com

Dafina Prokshi lanson platformën e parë në Kosovë për këshilla psiko-edukative, ngritje profesionale dhe vetëvlerësime

Zhvillimi i fëmijëve si proces është shumë kompleks dhe duhet patjetër të bëhen konsulta me ekspertët. Shumë shpesh, fëmijët mund të kenë ndonjë ç’rregullim ose të reagojnë përtej pritshmërive, e të cilat mund të tejkalohen vetëm me ndihmën e psikologëve.

Ndërkaq, sfiduese mbeten kontrollet fizike, për të cilat duhet patjetër të frekuentohet një vend i caktuar. Mirëpo, puna e psikologes Dafina Prokshit bashkë me ekipin e saj e ka lehtësuar shumë këtë punë, duke qenë afër me këshilla, workshope, mësime në formë digjitale, të qasshme kudo, kurdo dhe sa herë do.

Iniciativa e saj dhe e epikes së saj është kurorëzuar me një web të përbashkët në të cilin fokusi kryesor janë fëmijët, ndërkaq target grupet përfituese janë prindërit të cilët dëshirojnë ta kuptojnë dhe t’i qasen më drejtë fëmijëve të tyre; studentët e psikologjisë dhe të edukimit të cilët dëshirojnë të ngriten akademikisht dhe qendrat e edukimit të hershëm të cilat përmes praktikimit të drejtë të këtyre instruksioneve aftësohen profesionalisht.

Dafina bashkë me ekipin e saj ofrojnë vlerësime psikologjike për fëmijë dhe të rritur, terapi individuale, kurse online për punonjës ose studentë të fushave të psikologjisë, edukimit; konsultime me prindër, punëtori për edukimin e hershëm, planifikim të programit të edukimit të hershëm, punëtori dhe trajnime online.

Ndërkaq qasja në këto materiale është shumë e lehtë. Në web faqen e krijuar nga Dafina dhe ekipi i saj janë të prezantuara një mori leksionesh e workshopesh, të cilat mund të posedohen me një parapagim të një shume modeste. Kështu, cilido që do ta blej materialin, do ta posedoj atë përherë.

Ky ekip prej ekspertësh të psikologjisë, edukimit e fushave tjera që ndërlidhen me fëmijët ofrojnë këshillime për shkathtësitë e të nxënit (vëmendja, organizimi), sociale (vetë rregullimi-aftësia për të luajtur dhe ndërvepruar me rrethin), emocionale (vetëbesimi), akademike (të lexuarit, të shkruarit), të jetës (ushqyerja, veshja, gjumi, punët dhe detyrat e tjera), të kuptuarit dhe komunikimi.

Ndërkaq, ato që mund të porositni i takojnë leksioneve të fushave si: udhëzime për prindër rreth disiplinës pozitive; terapia njohëse e sjelljes për depresion, ankth, fobi dhe sulme paniku; vlerësim i vetes nëse ke fobi; ndikimi i ushqimit të shëndetshëm në zhvillimin e fëmijëve; psikoterapia; zhvillimi intelektual i trurit të fëmijëve nga lindja deri në moshën 12 vjeçare; roli i gjenetikës dhe mjedisit në zhvillimin e fëmijëve; zhvillimi njohës i fëmijëve dhe piketat e zhvillimit nga mosha 0-5 vjeç; zhvillimi i gjuhës dhe komunikimit nga lindja deri në moshën 5 vjeçare; kuptimi dhe trajtimi i sjelljeve autike; zhvillimin social përgjatë jetës së fëmijëve; tranzicionin e fëmijëve nga shtëpia në kopsht-fazat e adaptimit; njohja e zhvillimit të fëmijëve-edukimi i hershëm; ADHD dhe zgjedhja e duhur.

Ky është webi në të cilën mund të kontaktoni me profesionistet e psikologjisë dhe edukimit, në mënyrë që ta njihni dhe të keni qasje të duhur ndaj fëmijëve, nxënësve, rasteve të studimeve tuaja: https://www.dafinaprokshi.com/ / KultPlus.com

Platforma “Poetet shqiptare” një dritare e hapur për krijimtarinë letrare të grave

Jeta Zymberi

Me një angazhim vullnetar, poetja Vlora Konushevci për t’i dalë në krahë poeteve shqiptare, zgjodhi datën 8 Mars për të lansuar platformë online të poeteve shqiptare, shkruan KultPlus.

“Poetet shqiptare” është platformë online kushtuar krijimtarisë letrare të grave si rrjedhojë e mungesës së diversitetit në peizazhin letrar të hapësirës shqiptare.

Pabarazia gjinore është e theksuar edhe në fushën e botimeve, ndaj kjo platformë do të shërbejë për publikim online të krijimtarisë letrare të grave shqiptare.

Platforma përbëhet nga disa rubrika si: Muzat, Bulëzat dhe Yllëzat. Sipas bagazhit që ka poetja ashtu edhe ndahen në rubrika.

Në këtë platformë, aktualisht janë të përfshira 55 poete. Natyrisht, kjo në vazhdimësi do të plotësohet me autore të reja. Secila nga to janë të prezantuarave nga 4 poezi dhe nga një biografi të shkurtër.

Poetet  që janë përfshirë në këtë platformë, po ndihen të nderuara që tashmë ju është krijuar kjo hapësirë e munguar deri më tani.

Ndërsa themeluesja e kësaj platforme, Vlora Konushevci ka treguar për KultPlus se platforma është konceptuar si një përgjigje ndaj qasjes tradicionale në kontekstin kulturor kosovar, sipas të cilës hapësira e botimeve në njëfarë mënyrë i favorizon burrat.

“Ky raport duhet ndryshuar. Shoqërisë kosovare i duhet një ridefinim i marrëdhënieve ndërgjinore. Ajo duhet ta njohë më shumë anën shpirtërore të grave, duke mos i konceptuar ato si objekt, por si subjekt përmbajtësor. Gratë kanë çfarë t`i ofrojnë kontekstit kulturor tonit, ndaj e vetmja që duhet është ta kenë hapësirën për veprim. Kjo platformë është në këtë frymë. Është një dritare e hapur ku secila nga krijueset, pavarësisht moshës e ka mundësinë të prezantohet me krijimtarinë e vet. Puna e secilës i nënshtrohet vlerësimit të publikut, i cili ka mundësi pastaj të lexojë poezitë e grave e vajzave krijuese”, ka thënë Konushevci për KultPlus duke treguar tutje se kjo do të ndihmojë edhe në njohjen më esenciale të botës së grave e vajzave kosovare.

“Sa më shumë që i njohim vlerat e grave e vajzave do ta kemi një shoqëri më konkurrente ku barazia gjinore nënkupton edhe përpjekjen për rritjen e nivelit kulturor.”

Krijimtaria e poeteve shqiptare, tashmë mund të gjendet online (www.poetetshqiptare.com) , e qasshme për të gjithë, përmbledhur në një vend, në një adresë. 

Platforma për poetet shqiptare mirëpret paraqitjet nga gratë krijuese, qofshin ato me përvojë apo në fillet e karrierës. Kjo platformë ka për qëllim të shërbej si strehë e vargjeve të tyre. / KultPlus.com

Vlora Konushevci