Vitet e 80-ta dhe të 90-ta nuk ishin vite të lehta për të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë, kjo situatë goxha e vështirë i kishte kapluar edhe shqiptarët e krahinës së Plavës dhe Gucisë, të cilët mbetën nën udhëheqjen e Malit të Zi.
Sistemi i atëhershëm sllav ishte jodemokratik ku mbretëronte synimi për t’i asgjësuar shqiptarët, të cilët fillimisht nuk kishin shkolla në gjuhën amtare, pastaj mbiemrat sllavizoheshin duke i’u shtuar prapashtesat ‘iq’, e deri te muzika dhe historia kombëtare që nuk guxohej as të përmendej e lëre më të dëgjohej publikisht, shkruan KultPlus.
Në rrethana të tilla, ideali kombëtar ishte një ndjenjë e fuqishme e mveshur pothuajse në brendësinë e secilit shqiptar. Ky ideal ishte udhërrëfyes për profesorin e parë të Plavës dhe Gucisë Bali Rugova.
Ai pasi kreu Fakultetin e Historisë në vitin 1986 në Universitetin e Prishtinës edhe pse iu ofrua një mundësi e mirë punësimi në Kosovë, e ndjeu obligim që të kthehej në vendlindje, për t’i shërbyer popullit dhe me veprimtarinë e tij të sfidojë realitetin e dhimbshëm antishqiptar.
Se mësimdhënia ishte dhe mbetët një mision, mund të kuptohet më së miri përmes rrëfimit plot emocion të historianit në fjalë.
‘Duke pasur parasysh sistemin sllav i cili sundonte në ato vite, të ishe mësimdhënës e sidomos historian shqiptar ka qenë një ndër sfidat më të mëdha. Përveç kësaj, t’ua mësosh nxënësve historinë shqiptare dhe tu përmendësh figurat e mëdha historike si: Ali Pashë Gucinë, Jakup Ferrin, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Kadri Bajrin etj., në kohën kur ishte rreptësisht e ndaluar, shteti e konsideronte si kërcënim’, ka thënë Bali Rugova për KultPlus.
Në planprogramin mësimor të gjithë nxënësit, përfshirë edhe shqiptarët ishin të obliguar për të mësuar vetëm historinë sllave, assesi atë shqiptare.
Andaj, kur frika shndërrohet në guxim dhe ideali kthehet në trimëri, pasojat qe vijnë nuk mund të zënë vend në mendjen e një idealisti. Profesori Rugova ishte ndeshur me pushtetin pasi që ishte lajmëruar nga të tjerët se është duke ligjëruar historinë kombëtare.
‘Dikush nga kolegët shqipfolës kishte kontrolluar fletoret e nxënësve me shënime që ua kisha diktuar unë dhe kështu kishin lajmëruar organet shtetërore. Papritmas, inspektorët e policisë më marrin dhe më dërgojnë në inspektorat, të cilët kërkonin nga unë për të pranuar se po injoroja historinë sllave dhe po shpjegoja atë kombëtare. Për të më bindur, nuk munguan as sulmet fizike me grushta, dhe si dëshmi patën sjellë një faqe të një fletoreje të njërit prej nxënësve ku ishin shënimet e diktuara për Luftën e Nokshiqit, luftë e cila ishte zhvilluar kundër malazezëve gjatë viteve 1879/80 për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Për fat të mirë nuk më arrestuan, por më suspenduan nga puna ku u riktheva disa vite më vonë’, ka vazhduar rrëfimin Rugova.
Përveç si historian, ai dallohet edhe si aktivist për çështje kombëtare ku bashkë me një grup iniciues kishte themeluar partinë e parë politike shqiptare në Mal të Zi, Lidhjen Demokratike Shqiptare.
Në këto kohë, tubimet apo kuvendet popullore që organizoheshin në hapësira ishin mbledhje të rëndësishme të popullit, aty ku rrëfeheshin idealet dhe problemet me të cilat përballëshin kombësia shqiptare.
‘Për nder të 20 vjetorit të Besëlidhjes së Malësisë me 1 korrik të vitit 1990-të në Traboin, u organizua një tubim ku ishin të ftuar akademikët nga Kosova, si Zekri Cana, Ali Aliu dhe Gjergj Gjokaj nga Malësia. Ndërsa edhe ne si delegacion nga Plava dhe Gucia ishim pjesëmarrës, ku të gjithë u përballëm me forcat e dhunshme jugosllave. Ata tentuan të pengonin fjalimin e akademikëve nga Kosova duke thënë se çdo fjalë mund t’ju kushtojë me jetë’, shprehet Rugova.
Si Nënkryetar i Partisë dhe përfaqësues për rajonin e Plavës dhe Gucisë, filloi rrugëtimin politik i cili mund të sjellte pasoja të reja, por më e vështirë ishte të qendronte dhe të shikonte popullin e uritur për një fjalë shqipe, për një këngë apo për një të drejtë kombëtare.
Andaj, nëse më parë Dita e Flamurit kremtohej brenda hapësirave të mbyllura, tutje u organizua në hapësirë të hapur ku mund të jehonte çdo fjalë, çdo tingull dhe valle shqiptare.
‘Festën e Flamurit çdo herë e pritja me një emocion të veçantë. Më kujtohet 28 Nëntori i vitit 1995, kur unë së bashku me Kryetarin e Lidhjes Demokratike, z. Sali Balidemaj dhe me kryesuesen e Ansamblit Kombëtar, znj. Hasime Bruçaj, organizuam një tubim për këtë ditë të shenjtë të Shqipërisë. Po atë ditë u rrethuam nga policia malazeze, të cilët na tërhoqen vërejtjen’, ka kujtuar Rugova.
Historiani Bali Rugova gjithë veprimtarinë e tij deri në ditët e sotme ia kushtoi një misioni të vetëm duke cituar Sami Frashërin, ‘Atdhetaria dhe humanizmi bëhet me punë e jo me fjalë, kush tregohet i tillë me fjalë, është një mashtrues’. / KultPlus.com