Rama: “Rana e Hedhun”, një prej plazheve më të bukura të veriut

“Rana e Hedhun” është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj vitet e fundit në Shëngjin.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje magjepsëse nga “Rana e Hedhun”, ndërsa e cilësoi një prej plazheve më të bukura të veriut.

“Rana e Hedhun” është një plazh i mbrojtur që vazhdon të mbërthejë kuriozitetin e vizitorëve dhe pushuesve pasi duket sikur rëra ka nisur udhëtimin e saj drejt malit.

Ndodhet 2.5 km nga qyteti i Shëngjinit në Bashkinë Lezhë dhe vlerësohet si një gjeomonument i rrallë.

Ky plazh rrëzë malit të Rrencit të jep një pamje që nuk e ndesh askund përgjatë bregdetit Adriatik. Aty takohet rëra gri me detin e kaltër, ndërsa nuk mungojnë edhe shkëmbinjtë që zbresin nga mali dhe derdhen në det./m.m/

4 persona plagosen nga sulmet e delfinëve në plazhin e Japonisë

Katër notarë janë plagosur nga sulmet e delfinëve në një plazh në Japoninë qendrore, thonë zyrtarët, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Një burrë, rreth të 60-tave, pësoi thyerje të brinjëve dhe kafshime në duar pasi një delfin e përplasi atë disa metra larg plazhit Suishohama në qytetin Mihama, prefektura Fukui, herët të dielën.

Një burrë tjetër, rreth të 40-tave, u kafshua nga krahu në një incident të veçantë në plazhin popullor të njëjtën mëngjes.

Dy persona të tjerë u plagosën nga gjitarët më vonë gjatë ditës.

Fukui ka regjistruar tani gjashtë sulme të tilla këtë vit, thotë policia lokale.

Janë vendosur shenja që u thonë notarëve që të shmangin afrimin ose prekjen e gjitarëve.

Ndërsa delfinët zakonisht nuk janë agresivë ndaj njerëzve, armiqësia ndaj notarëve nuk është e padëgjuar.

Shkencëtarët kanë sugjeruar që delfinët e egër me hundë shishe e shohin notin përkrah njerëzve “tepër stresues”, duke gjetur prova që prish rutinat e tyre të sjelljes.

Në Republikën e Irlandës, dy gra u plagosën në harkun kohor të dhjetë ditëve në vitin 2013 nga i njëjti delfin , duke përfshirë njërën që vuante nga një brinjë e thyer.

Një vit më vonë, pesë notarë u shpëtuan në brigjet e Irlandës, kur një delfin i rrethoi në mënyrë agresive .

Përveç armiqësisë ndaj njerëzve – delfinët dihet ndonjëherë se sillen jashtëzakonisht dhunshëm ndaj krijesave të tjera të detit.

Në Cornwall, Anglia jugperëndimore, një delfin me hundë shishe u pa duke rrokullisur një derr në ajër si pjesë e një sulmi agresiv./bbc/KultPlus.com

Rama: Velipoja më e pastër se asnjëherë më parë

Velipoja, një ndër plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri, frekuentohet çdo vit nga mijëra pushues vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale përshtypjet e pushuesve për këtë sezon veror në Velipojë.

Rama tha se pushuesit “këtë vit e gjejnë më mirë të organizuar, si edhe më të pastër se asnjëherë më parë”.

“E mbajnë pastër më mirë se vjet. Plazhi është plot nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë”, tha një qytetar.

Një qytetare u shpreh se “jemi të kënaqur është përmirësuar shumë zona është e lirë, ka pastërti”.

“Siguria në plazh është e mirë ne po kalojmë shume mirë”, tha një tjetër qytetar.

Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës është ndër më të preferuarit në veriperëndim të vendit edhe për shkak të cilësive kurative të rërës.

Rëra me efektin e saj kurativ, ndërthurja me hijeshi e detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, bëjnë për vete çdo vit pushues të shumtë.

Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti. /atsh / KultPlus.com

Shëtitorja e re e plazhit të Durrësit, gati për banorët dhe turistët

Shëtitorja e re e plazhit është tashmë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve të shumtë që frekuentojnë bregdetin e Durrësit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako përcolli pamje nga shëtitorja e re, vepër e rëndësishme që i shërben turizmit, por edhe banorëve që jetojnë në këtë zonë.

Kjo shëtitore që ndryshon tërësisht imazhin e bregdetit të plazhit të Durrësit ka jo vetëm pistën e këmbësorëve, por edhe atë të biçikletave, hapësira argëtuese për fëmijë, ndriçim dhe gjelbërim.

Projekti parashikon edhe rikonstruksionin e fasadave të godinave si dhe zgjerimin e brezit të rërës.

Lungomarja e re është 3 kilometra vijë bregdetare, me gjelbërim, parqe dhe hapësira sportive.

Në gjithë vijën bregdetare janë rreth 58 godina hotelerie me 3100 shtretër.

Shëtitorja merr rëndësi të madhe duke pasur parasysh se gjatë sezonit turistik, popullsia në këtë zonë rritet me 600 mijë banorë./atsh/KultPlus.com