Sado argëtuese dhe e mezipritshme të tingëlloj rrezitja në plazh, kur veçse ndodhemi atje, fillojmë të mërzitemi dhe na nevojitet diçka që koha të kalojë më shpejtë, përderisa jemi duke pritur që lëkura të marrë ngjyrën e bronztë. Përveç telefonit, që është argëtimi jonë primar në plazh e kudo, gjëja tjetër që mund të bëjmë në plazh është leximi i librave.
Duket sikur me kohën është krijuar një zhanër i veçantë i librave, kryesisht novela me përmbajtje të lehtë dhe me histori intriguese që kanë fuqinë të na mbajnë vëmendjen e përqendruar në ngjarje pavarësisht temperaturave të nxehta, bisedave apo të çjerrave që vinë nga çadrat fqinje.
Librat e verës janë tema që nis që prej qershorit dhe promovohet në shumicën e mediumeve si shembull “10 librat që duhen lexuar patjetët këtë verë”, “Novela për plazh”, etj.Pavarësisht kësaj, shumë lexues të pasionuar, do të shikojnë me dyshim nëse i’u kërkon ndonjë libër duke e përmendur fjalën “libër për plazh”, e bile ndoshta edhe do e marrin si ofendim. Të ashtuquajturit, libra të plazhit duket sikur mbartin me vete diçka sipërfaqësore e të lehtë, ngjajshëm me magazinat e modës.
Shumë studiues e konsiderojnë madje brengosëse faktin që industria e librave përkushtohet me mish e shpirt për t’i shitur këto produkte me një marketing që ngjajshëm si me ushqimin e shpejtë, bie shumë në sy dhe të merr vëmendjen, por në të njejtën kohë, mbart rrezikun e përhapjes së vulgaritetit që zakonisht përbajnë këto histori.
Megjithatë, leximi i librave në plazh nuk do të thotë të jetë argëtues pa pjesën e edukimit apo hapjes së mendjes. Ndoshta më shumë duhet tentuar të ndryshojmë qasjen se si na ofrohen këto libra dhe me pak vullnet, edhe vera mund të jetë stina ideale, për libra me përmbajtje përtej argëtueses, me informata që do ta zgjerojnë horizontin tonë, duke arritur të na mbajnë të përqëndruar me pasionin që ngjallin./ Insajderi/ KultPlus.com