Evropa është një nga kontinentet më të shtrenjta në botë për të udhëtuar, por ekzistojnë ende vende ku mund të shijoni diellin dhe detin pa shpenzuar shumë, sipas revistës spanjolle “Catalunya Press”.
Eksplorimi i destinacioneve të lira evropiane për pushime në 2024 është bërë një strategji e shkëlqyer për udhëtarët që kërkojnë përvoja cilësore dhe të paharrueshme.
Vende të tilla si Shqipëria, Mali i Zi dhe Bullgaria, së bashku me rajonet në Gjeorgji dhe Portugali, ofrojnë opsione të përballueshme për të eksploruar brigjet e tyre mahnitëse dhe kulturën e pasur.
Këto destinacione premtojnë pushime të paharrueshme pa kompromentuar kënaqësinë apo cilësinë e përvojës.
Pse të zgjidhni destinacione të lira në Evropë?
Eksplorimi i destinacioneve të përballueshme në Evropë është bërë një zgjedhje e zgjuar për ata që kërkojnë diversitet dhe pasuri kulturore pa sakrifikuar bukurinë natyrore.
Këto vende ofrojnë një ndërthurje unike përvojash që kënaqin dëshirën për aventurë dhe nevojën për relaks, të gjitha me një buxhet të përballueshëm.
Shumëllojshmëria e peizazheve dhe përvojave kulturore
Mesdheu me diell: Destinacione si Shqipëria dhe Kroacia ofrojnë plazhe parajsore me ujëra të pastër kristal.
Përvoja unike kulturore: nga monumentet historike në Shqipëri, Bullgari , Mal të Zi, çdo destinacion premton kulturën e pasur.
Shqipëria: Plazhet ‘parajsë’ me kosto të ulët dhe trashëgimia historike
Shqipëria shquhet për ndërthurjen unike të plazheve parajsore me një trashëgimi të pasur historike, të gjitha me një kosto çuditërisht të ulët. Ky vend ofron një shumëllojshmëri destinacionesh që premtojnë një eksperiencë të paharrueshme për udhëtarët që kërkojnë relaksin bregdetar dhe aventura kulturore.
Vende historike dhe kulturore
Kalaja e Gjirokastrës: Një muze dhe kështjellë me pamje spektakolare.
Amfiteatri i Durrësit: Një amfiteatër i lashtë romak
Shtëpia e Zekatëve: Tregon jetën e klasës së pasur në Gjirokastër.
Kalaja e Himarës: Ofron pamje të bukur dhe një kafene për një ndalesë relaksuese.
Destinacionet e plazhit
Plazhi i Durrësit: Një plazh i madh me rërë të butë.
Plazhi i Golemit: Një plazh i qetë me rërë të bardhë dhe të butë.
Plazhi i Dhërmiut: Me ujëra të pastra kristal i konsoderuar si plazhet e Karaibeve.
Plazhi i Ksamilit: Një pamje mahnitëse e ujërave të tij të kristalta.
Për ata që janë të interesuar të eksplorojnë më shumë rreth këtyre destinacioneve, rekomandohet një vizitë në Shqipëri.
Kjo qasje i lejon vizitorët të shijojnë bukurinë natyrore të Shqipërisë dhe trashëgiminë e saj të thellë kulturore, duke siguruar një përvojë të pasur dhe të larmishme udhëtimi. /atsh/KultPlus.com
Kolosi mediatik italian TG24 promovon Shqipërinë turisitike përmes një shkrimi që i dedikohet rivierës, nga Velipoja në Sarandë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e TG24 që promovon 10 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar.
“10 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar, sipas kolosit mediatik TG24 në Italinë fqinje që përshkon rivieren nga Velipoja në Sarandë, duke e shtuar promovimin e Shqipërisë turistike nga ana tjetër e Adriatikut”, shkruan Rama.
Po ashtu, Kryeministri informoi se mbi 310 mijë turistë italianë kanë frekuentuar Shqipërinë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, më shumë se asnjëherë më parë.
“Turistët shijojnë mikpritjen dhe ushqimin fantastik, plazhet dhe natyrën e mrekullueshme, me premtimin për t’u kthyer sërish”, tha Rama.
Ndërsa e cilëson Shqipërinë si Maldivet e Europës, TG24 ndan përshtypjet për 10 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar për pushime me çmime të lira.
TG24 sjell një përshkrim të detajuar të plazheve shqiptare nga Drimadhes, Dhërmi, Ksamil, Gjipe, Borsh, Sarandë e Vlorë në bregdetin jonian, te Velipoja, Shëngjini e Lalzi në bregdetin e Adriatikut./atsh/KultPlus.com
Një incident tragjik që ka ngjallur protesta në Tiranë, ka nxjerrë në rend dite sigurinë e jetës në plazhe dhe destinacione të tjera turistike.
Në fillim të këtij muaji Jonada Avdia, një vajzë shtatëvjeꞔare, që jetonte në Angli me familjen e saj shqiptare, u godit për vdekje nga helika e një skafi, të drejtuar nga një oficer policie, Arian Tase, që ishte jashtë detyrës, kur ajo po luante me të atin në zonën ekskluzive të notit, në një plazh në Himarë.
“Kemi të bëjmë me një ngjarje ku një person krejt i papërgjegjshëm ka thyer çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe bërë manovra të rrezikshme, i cili meriton ndëshkim maksimal,” tha për DW, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Megjithatë arrestimi i autorit të incidentit dhe shkarkimi i menjëhershëm nga Policia e Shtetit i 15 punonjëve të policisë lokale, që duhet të ruanin plazhin, nuk e kanë ulur shqetësimin e qytetarëve për sigurinë e jetës. Krahas luleve dhe qirinjve në kujtim të vogëlushes së vrarë, protestuesit kërkojnë drejtësi dhe pëgjegjshmëri nga instituciomet shtetëtërore.
Ngjarja kriminale, ku humbi jetën Jonada Avdia, është paraprirë muajin e kaluar nga 2 incidente të tjera, që fatmirësisht nuk shkaktuan viktima. Sipas burimeve zyrtare në korrik të këtij viti, në plazhin e Jalës, po në bashkinë e Himarës, një çift të rinjsh u goditën nga një skaf që lëvizte me shpejtësi në det, drejtuesi i së cilit humbi kontrollin e tij. Skafi përfundoi në breg dhe goditi çiftin e të rinjve, njëri prej të cilëve u shtrua në spital prej plagëve të rënda. Një fëmijë në plazhin e Vlorës u godit në breg të detit nga një skaf dhe mori mjekim në spital.}
“Ne po bëjmë gati paketën e rregullave të reja për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare. Kemi kërkuar nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare monitorim të rreptë të hapësirës ujore në plazhe si edhe ndëshkime maksimale për kundravajtësit”, thotë për DW, ministrja Kumbaro.
Mospërmbushja e detyrimeve ligjore
“Policia e Shtetit nuk mund të përmbushë detyrimet e palëve të tjera shtetërore dhe jo shtetërore që kanë detyrim licensimin dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore si edhe kontrollin e përmbushjes së tyre nga subjektet që i kanë licensuar,” thotë për DW, Genti Mullaj, Drejtor i Komunikimit, në Policinë e Shtetit.
Burime zyrtare thanë për DW se autori i incidentit fatal, ish-oficeri i policisë, Arian Tase, kishte licencë për të drejtuar skafin, por incidenti tragjik vë në pikëpyetje mënyrën sesi e ka marrë licencën si dhe dijet e tij.
Sipas tyre ai duhet të kishte filluar të ulte shpejtësinë 200 metra para se t’i afrohej bregut dhe ta fikte motorin e skafit, kur shpejtësia të ishte minimale dhe jo në atë të lundrimit në det. Por ka ndodhur e kundërta. Të njëjtat burime thanë për DW që kur ish-oficeri i policisë Tase ndaloi skafin pa ulur shpejtësinë, ngarkoi në breg pjesëtarët e familjes së tij dhe ndezi motorin dhe mori kthesën në vend për të lundruar në det, skafi mori në mënyrë automatike shpejtësinë e lartë, në të cilën ai e kishte fikur. Skafi doli jashtë kontrollit dhe shkaktoi me helikën e motorit vdekjen e vajzës shtatëvjeꞔare.
“Menjëherë pas ngjarjes tragjike Policia e Shtetit bëri kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit të 200 mjeteve lundruese dhe argëtuese detare. Sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik hetoi nëse ka raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, Interpoli dhe sektori i trafiqeve të paligjshme ka hetuar nëse këto mjete rezultojnë të vjedhura ose jo, jashtë Shqipërisë,” thotë për DW Genti Mullaj.
Ai thekson se “që nga fillimi i sezonit turistik Policia Kufitare ka kontrolluar 900 mjete lundruese detare nga të cilat 65 janë ndëshkuar me masa administrative dhe 25 të tjera janë bllokuar ngaqë nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt”
“Policia e Shtetit nuk synon të bllokojë mjetet lundruese detare që kanë dokumentacion të rregullt dhe zbatojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit në det por synon rritjen e sigurisë së jetës për pushuesit në vijën bregdetare,” thotë për DW, Genti Mullaj.
Erdit Gega, President i Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” një organizatë joqeveritare, anëtare e organizatës botërore “International Life Saving” (ILS) thotë për DW se “vrojtuesit e plazheve janë trainuar dhe çertifikuar nga kjo federatë me një kurikul të standardit më të lartë, të miratuar nga ILS.
„Skafet, motoskafet dhe të gjitha mjetet lundruese motorike janë shumë të rrezikshme dhe përdorimi i tyre në zonat e notimit duhet të jetë rreptësisht i ndaluar. Por persona të papërgjegjshëm rrezikojnë jetën e plazhistëve, si pasojë edhe e mosndëshkimit prej autoriteteve perkatëse” thotë për DW, Endrit Gega.
Sipas tij ”sa më i madh numri i vrojtuesve, aq me e madhe edhe siguria për jetën në plazhe”
“Rëndësia e pranisë së vëzhguesve në stacionet e plazhit nuk po kuptohet aq sa duhet nga strukturat përgjegjese. Bregdeti ynë ka ende një mungesë të organizimi mes strukturave në zbatim të normave ligjore ne fuqi. Monitorimi i këtyre stacioneve bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, (AKB) e cila duhet të evidentojë mungesën e vrojtuesve dhe të zbatimit të kritereve ligjore lidhur me sigurinë e jetës. Roli i AKB është shumë i vakët dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me federatën tonë pothuajse nuk ekziston,” thotë për DW, Endrit Gega.
Baza ligjore për funksionimin e stacioneve të plazhit hyri në fuqi në Shqiperi 10 vite më parë, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE. Përafrimi i saj me legjislacionin përkatës të vendeve të Mesdheut dhe BE mbështetet nga qeveria gjermane përmes programit të GIZ.
“Nëse autoritetet vendore dhe qendrore do të kishin bërë detyrën e tyre sikurse e përcakton ligji për stacionet e plazhit, ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së Jonadës nuk do të kishte ndodhur. Ka një mungesë të theksuar vëmendjeje ndaj vlerës së jetës dhe masave parandaluese për ta mbrojtur atë,” thotë për DW, Endrit Gega. Megjithë numrin e kufizuar të vrojtuesve të federatës, numri i viktimave në det është ulur.
“Vetëm gjatë vitit të kaluar vrojtuesit kanë shpëtuar 100 vetë nga mbytja. Nga 46 të mbytur në 2016, vitin e kaluar ka pasur vetëm 12. Sivjet kemi patur viktima edhe si pasoje e mungesës së sinjalistikës ujore, respektimit të rregullave të qarkullimit në ujë dhe mungeses së kontrollit nga ana e autoriteteve”, thekson për DW, Erdit Gega.”
Ndërkohë Shipëria është bërë një destinacion turistik që ofron shumë më tepër sesa peizazhe mahnitëse të Rivierës, diell dhe ujra smerald të detit Jon. Alpet në veri dhe male në Jug, lumenj, liqene, trashëgimi kulturore dhe vende arkeologjike të lashtësisë tërheqin jo vetëm në verë turistë nga Evropa dhe përtej Atlantikut.
Sipas shifrave zyrare në periudhën janar-korrik 2022 në Shqipëri erdhën 3,95 milionë turistë të huaj, krahasuar me 3,3 në vitin 2019, që konsiderohet si viti më i mbarë para pandemisë Covid-19. “Shqipëria ofron një shumëllojshmëri atraksionesh turistike në një sipërfaqje kaq të vogël dhe ka çmime të lira në raport me vendet fqinjë, Greqinë, Italinë, Kroacinë apo Malin e Zi, që janë gjigandë të turizmit evropian dhe botëror,” thotë për DW, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Ajo vë në dukje që “potenciali i Shqipërisë është për një sezon turistik në 12 muajt e vitit. “Synimi është që avantazh turistik të mos jenë çmimet, por oferta e një turizmi elitar, tërheqja e turistëve jo vetëm për detin, diellin dhe plazhet, por edhe për turizmin malor, natyror dhe kulturor apo për festivalet ndërkombëtare që po zhvillohen në Shqipëri, ” thotë ministrja Kumbaro.
Por që kjo të ndodhë Shqipëria duhet të përballojë disa sfida përveç asaj të garantimit të sigurisë së jetës.
Lufta në Ukrainë, reduktimi i turistëve ukrainas, rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve kërcënojnë zhvillimin e një turizmi për 12 muajt e vitit. Jo më pak kërcënuese është edhe mungesa e fuqisë punëtore në Shqipëri. Sipas INSTAT mbi 42 mijë persona emigruan vitin e kaluar dhe mijëra të tjerë kanë kërkuar azil. Hotelet, restorantet dhe bizneset e tjera turistike janë në vështirësi për fuqi punëtore. Cilësia e shërbimeve ka nevojë për përmirësime substanciale. Lakmia për të fituar sa më shumë rezulton të jetë mbi logjikën e biznesit dhe në fund të fundit po e dëmton turizmin. Çmimet e larta të transportit, akomodimit dhe ushqimit kanë mbajtur larg këtë verë pushuesit vendas që kanë anuluar planet për pushime.
Pozicioni gjeografik, natyra dhe historia janë shumë bujare me Shqipërinë për të ngritur një industri të lulëzuar turizmi dhe zhvilluar ekonominë. Kjo mund të ndodhë vit pas viti, nëse zbatohen ligjet me dorë të hekurt, ndëshkohen kundravajtësit dhe fitohen sfidat./DW / KultPlus.com
Çmimet e larta në jug të Shqipërisë po bëjnë që numri i turistëve të jetë i vogël dhe plazhet të boshatisen.
I pyetur në lidhje me këtë, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse është e vërtetë, ky do të jetë një mësim për bizneset që abuzojnë me çmimet ndërsa ndodhen në një treg shumë konkurrues, ku kanë afër Turqinë, Greqinë, Malin e Zi e Kroacinë.
Rama gjithashtu u shpreh se Qeveria e tij ka ndryshuar për mirë kartëvizitën e Shqipërisë.
“Nëse ka një problem me çmimet e larta është për tu parë dhe analizuar në fund, jo tani. Nëse dikush vendos çmim të lartë dhe nuk i vjen njeri, dëm vetes së vetë i bën. Nëse në fund do të kemi këtë konstatim, do të jetë një mësim shumë i mirë, në treg konkurrues, duhet menduar mirë para se të vihen çmimet. Po qe kështu, ky do të bëhet një mësim i madh. Mos harrojmë se ku ndodhemi. Ndodhemi mes konkurrentëve të fortë të Mesdheut. Meqë u hap nami i Shqipërisë për të ardhur si një vend me të gjitha magjitë e veta, hajde t’u biem me top çmimeve. Investimet e Qeverisë kanë ndryshuar kartëvizitën e vendit. Në Lungomare nuk kishe ku kaloje se kishte jashtëqitje delesh, dhe në anën tjetër ndërtime pa leje, sot është ndryshe”, tha Rama. / KultPlus.com
Ato janë të vendosura në katër anët e botës dhe ofrojnë peizazhe spektakolare dhe përvoja vërtet të pazakonta : ato janë plazhet më të veçanta në botë dhe, secila në mënyrën e vet, është unike dhe e papërsëritshme.
Midis ngjyrave të çuditshme, tekstura të veçanta, shkëmbinj unikë dhe madje edhe prani historike, gjithçka që mbetet është t’i admirojmë të gjitha dhe më pas të zgjedhim të preferuarin tonë.
Istockphoto – Plazhi i Akullit: Jökulsárlón, Islandë
Istockphoto – Një gamë ngjyrash: e bardhë nga Siesta Key, Florida, SHBA
Istockphoto – Rërë e gjelbër: Plazhi Papakōlea, Hawaii
Istockphoto – Rërë e zezë buzë detit: Reynisfjara në Islandë
Istockphoto – Rërë e zezë sërisht pranë Detit: Kilauea, Hawaii
Pushimet e britanikëve janë bërë të pasigurta në mes të paqartësive dhe rregullave që ndryshojnë pothuajse çdo ditë, sipas faqes online të gazetës së njohur britanike express.co.uk, transmeton KultPlus.
Megjithatë, eksperti i njohur i udhëtimeve, Simon Calder ka zbuluar një destinacion ku britanikët mund të pushojnë.
“Unë jam duke vëzhguar disa destinacione ballkanike, siç janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku nuk kërkohen teste PCR apo karantinë”, deklaroi Calder.
“Këto dy vende janë sugjerimet e mia kryesore për listën e gjelbër, edhe pse britanikët mund të preferonin që edhe ndoshta një vend të madh dhe me shumë lidhje me Britaninë e Madhe si Polonia, me plazhet e saj në detin Balltik, të futej në këtë listë”, theksoi ai./ KultPlus.com
Mendimet për ujë të kristaltë dhe plazhe me rërë janë gjithçka që ju nevojitet për të filluar ëndërrimet, ose ndoshta për të planifikuar pushimet tuaja të rradhës.
Pas një viti COVID-19 dhe disa bllokimeve, kufizimet e udhëtimit kanë filluar të lehtësohen në disa money.co.uk ka analizuar mbi 26 milion hashtags në Instagram të lidhur me plazhet në të gjithë botën.
Të dhënat u mblodhën në qershor të këtij viti për të mbledhur rezultatet më të fundit. Kompania përdori të dhënat për të llogaritur sa postime në Instagram ishin ndarë për metër rërë.
Plazhet me më shumë postime në Instagram për metër u renditën më pas për të krijuar një listë të plazheve më piktoreske në botë. Ndër 20 rezultatet që dolën nga kjo analizë e të dhënave, Evropa është shtëpia e gjysmës së brigjeve më të bukura.
Plazhet më të bukura në botë janë:
20. Sitges Beach – Barcelonë, Spanjë
19. Durdle Door – Dorset, Angli
18. Plazhi Bal Harbour – Miami, SHBA
17. Plazhi Lanikai – Hawaii, SHBA
16. Plazhi Kitsilano – Vankuver, Kanadë
15. Cala Gat – Cala Ratjada, Spanjë
14. Plazhi Freedom – Phuket, Tajlandë
13. Cala Goloritzè – Baunei, Itali
12. Plazhi Margate – Kent, Angli
11. Cala Saona – Formentera, Spanjë
10. Plazhi Blue Point – Ungasan, Bali
9. Boulders Beach – Cape Town, Afrikë e Jugut
8. Praia do Camilo – Lagos, Portugali
7. Tenby North Beach – Pembrokeshire, Uells
6. Hanauma Bay – Hawaii, SHBA
5. Plazhi Navagio – Zakynthos, Greqi
4. Plazhi Tropea – Kalabri, Itali
3. Railay Beach – Krabi, Tajlandë
2. Plazhi Bondi – Sidnej, Australi
1. Plazhi Kelingking – Nusa Penida, Bali./ KultPlus.com
Tani që vera po afron, planet më të shpeshta janë ato për në plazhe, mirëpo këtë vit – me kujdes të shtuar.
Pesë nga to vlerësohen si më të bukurat:
Kroaci – Dugi Otok është një prej ishujve më përrallorë, me një rërë të imët dhe pamje piktoreske. Zonat më të preferuara nga turistët janë Bozava, një plazh i bukur me rërë të bardhë dhe Soliscica dhe Pantera, por edhe fari Veli Rat, i ndërtuar në mes të shekullit XIX.
Greqi – Porti Limnionas Beach, në ishullin Zante, është një plazh i fshehur që arrihet nga zona malore e Agios Leon, duke zbritur drejt detit. Peisazhi është si prej kartoline me det të kaltër dhe një transparencë uji që të lë pa fjalë. Këshillohet edhe një vizitë në Porto Roxa, një tjetër plazh përrallor.
Spanjë – Playa de Cofete në Fuerteventura është një plazh me rërë të butë dhe me pamje të egër, ku deti është me një ngjyrë blu të thellë dhe që mund të shkohet në të me fuoristradë, Oeusazhu është përrallor, madje në këtë vend lejohet dhe nudizmi.
Portugali – Rreth 40 kilometër larg Lisbonës, ndodhet Meco, një vend i përfshirë në parkun natyral të Serra da Arrabida, një prej zonave më të kuruara të vendit. Jo shumë larg ndodhet fshati i peshkatarëve, ku dominojnë ngjyrat e shekullit të kaluar dhe restorante tipike.
Itali – Shteti fqinj spikat me plazhet Alicudi, një nga më të bukurat e ishujve Eolie. Në këtë vend plazhet ndodhen pranë zonës së banuar të Alicudi Porto, ndërsa deti është i kristaltë, shkruan noa.al. Për ta vizituar zgjidhja ideale është një tur me varkë përreth ishullit, i cili është vetëm 5 kilometër, përcjell albinfo.ch. /KultPlus.com
Vendi ynë vlerësohet e rekomandohet si vendi i traditave antike, plazheve të bukura dhe të lira mesdhetare, kulturës e historisë nga prestigjiozja “The Washington Post” në një artikull kushtuar Shqipërisë.
Mes magjisë së vendit bregdetar dhe lashtësisë, “The Washington Post” nënvizon fort mikpritjen që ka mbetur e pandryshuar nga kohët.
MIRËMËNGJES, dhe me këtë artikull të shkruar bukur nga “The Washington Post” dedikuar Shqipërisë dhe atraksioneve të jashtëzakonshme turistike të saj, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama duke publikuar artikullin e plotë kushtuar vendit tonë.
”Në vijë të drejtë – siç e konfirmon edhe Google – bregdeti ishte vetëm çështje miljesh larg. Një udhëtim i lehtë me makinë dhe ne do të ndiheshim mirë në Mesdhe. Në vend të kësaj, makina lëvizte përgjatë rrugëve të papastra duke ndaluar nga ndonjë dhi e vetmuar apo karrocë, ndërsa shoferi buzëqeshte nga reagimi ynë.
Papritmas temperaturat u ulën, ndërkohë që filluam ngjitjen në malet e mbështjella nga mjegulla, me maja të veshura që dukej se fusnin hundën në re. Përshëndetje, harta Google?! Makina ngadalësoi shpejtësinë, ndërsa kalonim bletërritësit, të cilët shisnin kavanoza me mjaltë në anë të rrugës. Dhe më pas vazhdojmë nën retë e dendura dhe detin që shkëlqen nga poshtë. Duke bërë gjeste triumfuese, shoferi e ndaloi makinën në një vend me pamje të bukur. Dolëm nga makina për ta shijuar.
Unë dhe ime motër ishim në kërkim të një destinacioni mesdhetar për një pushim të shkurtër veror. Kriteri i vetëm? Jo pushime në një vend të rrahur nga era, por një aventurë që do të mundësonte shumë plazhe të bukura, not në det të hapur dhe kulturë.
Albania, apo Shqipëria siç e quajnë vendasit, ka turistë të shumtë. Ndërsa dreka për dy vetë në Korfuzin e afërt, një destinacion popullor pushimi në Greqi, mund të kushtonte fare mirë 60 dollarë, në Shqipëri hëngrëm drekë si për festë për më pak se 20 dollarë.
Dhe më vonë kishim ato udhëtime epike – krejtësisht të papritura në një vend me përmasat e Merilendit. Do të mësonim se Qafa e Llogorasë, ku ishim tani, është një nga rrugët e shtruara më të larta të Europës – një udhëtim emocionues nëpër kushte të ndryshme klimaterike – nga nxehtësia e peizazheve mesdhetare deri te mjegulla dhe pyjet me gjelbërim të përhershëm. Më poshtë, ne mund të shihnim një brez të rërës të bardhë në bregun e detit Jon. Këto plazhe të pazhvilluara në formën e gjysmëhënës janë disa nga gjërat më të bukura që mund të gjeni në një hapësirë të kaltër.
Jashtë, gjinkallat gumëzhinin dhe aroma e rigonit të pjekur nga dielli përhapej në makinën tonë. Ne zbritëm nga retë në Rivierën Shqiptare. Një varg si perlë e qyteteve bregdetare shtrihej në jug drejt kufirit grek. Shqiptarët mund të jenë një grup njerëzish i dashuruar me muzikën elektronike të klubit që i tund klubet e plazhit deri në orët e vona.
Edhe nëse nuk je një buf nate, mund të gjesh kënaqësi përgjatë këtij shtrati idilik të vijës bregdetare. Ne e gjetëm atë në Qeparo, një fshat i përgjumur, i rrethuar midis maleve dhe detit. Ne u bashkuam me pushuesit shqiptarë vendas në shezlongët e plazhit (pesë dollarë në ditë) dhe pamë të gjitha ujërat ku – sipas legjendës së shkëlqyer të Homerit – Odiseja doli në breg në Korfuz.
Pas rënies
Por, më lejoni t’ju rrëfej për Shqipërinë, “vendin e shqiponjave”, një vend me legjenda të vjetra dhe personazhe përfshirë një trim luftëtar të shekullit XV, Skënderbeun, një mbret i shekullit XX, i quajtur Zog dhe një diktator komunist, Enver Hoxha, i cili vulosi kufijtë e vendit për 40 vjet, ndërsa ngriti bunkerë betoni në çdo cep të vendit. (Ndoshta, ai nuk ishte paranojak, Hoxha thuhet se u mbijetoi 50 tentativave për atentat.) Kur regjimi i tij komunist ra në vitet ’90, qytetarët ikën masivisht nga vendi. Sot, Shqipëria është një vend me tradita të lashta të përziera me ambicie moderne.
Nga plazhi në Qeparo, ne lidhim çantat e shpinës për një ngjitje në kodrat që duket se kanë përqafuar vijën bregdetare të detit Jon. Ne ndalemi me ngurrim në rrugën që ndahet në dysh. Një treshe zotërinjsh të moshuar, ulur jashtë në një kafene, na nxisin, duke bërë me gisht përpjetë. Duke shprehur falënderimet tona, ne fillojmë ngjitjen që do të na çojë në peizazhin e egër me diell të Mesdheut, këngën e vazhdueshme të gjinkallave që ndërpritet vetëm nga thirrjet e një bariu. Era sjell aromën e livandos, nenexhikut dhe lulemines; zhurma e largët e këmbanës së kishës së fshatit dëgjohet nëpër luginë. Dhe pastaj fshati i vjetër i Qeparoit afrohet: një bastion shekullor prej guri që kapet në një majë kodre, deti që shkëlqen shumë më poshtë.
Këtu, ndërsa kalojmë përmes rrugicave, nën hijen e hardhive, kalojnë disa zonja të moshuara të veshura tradicionalisht me të zeza. Qyteti “i ri” i Qeparoit është vendosur në bregdet shumë më poshtë, por ky fshat i vjetër, i harruar, ende ekziston në gjithë lavdinë e tij të lashtë. Zukatja e bletëve, ”fluturimet” e rrobave nga telat ku janë nderur, lulet e trëndafilave bëjnë kontrast me muret e lyera… Ne kemi ecur në kohë.
Ne tronditemi përsëri ndërsa shohim një makinë të parkuar, të pikturuar si një flamur i madh, i kuq, shqiptar, me krahët e shqiponjës së zezë të shtrirë në të gjithë kofanon e makinës. Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbeu mbajti një flamur të një shqiponje me dy koka në betejë kundër osmanëve në shekullin XV. Flamuri i shqiponjës është një simbol i krenarisë kombëtare. Vetë vendi është krejtësisht unik; gjuha shqipe nuk është e lidhur me gjuhët sllave ose gjuhët romane që rrjedhin nga latinishtja dhe zë degën e vet të familjes indoeuropiane. Një nga vendet më të vogla në botë, Shqipëria nuk ishte pjesë e Jugosllavisë së Titos.1 nga 3
Më vonë atë pasdite, ne marrim një tjetër mësim historik për mirësjelljen e menaxherit ortodoks grek të një restoranti përpara detit. Në restorantin ”Barbarossa”, shumë elegant, shërbehen ushqime deti të shijshme dhe pjata tradicionale si spinaq me erëza.
Familja e menaxherit u largua nga Shqipëria pas rënies së regjimit komunist dhe ai mori zanatin e kuzhinierit duke punuar në ishullin grek të Parosit.
“A e dini lidhjen e Shqipërisë me Enean? Ne shqiptarët dëshirojmë të gjejmë figurat tona historike nga Antikiteti”, shpjegon ai me një buzëqeshje duke na ofruar një pjatë bujare me shalqin për ëmbëlsirë. Qyteti i lashtë i Butrintit, në Shqipërinë e Jugut, u themelua nga trojanët, të cilët ikën pas rënies së Trojës. Siç përshkruhet te “Eneida” e Virgjilit, Butrinti u ndërtua për t’u dukur si një miniTrojë.
Disa ditë më vonë, ne e gjejmë veten duke ecur ngadalë mbi rrënojat arkeologjike të Butrintit, që në vitin 1992 u shpall Trashëgimi e UNESCO-s. Duke datuar që nga shekulli XIII përpara Krishtit, Butrinti është një vend me bukuri të pashoqe, një park natyror i pyllëzuar, i mbushur me ekualipte dhe që laget nga baticat e detit. Madje, edhe turmat e vizitorëve njëditorë që marrin anijet nga Korfuzi nuk mund ta zvogëlojnë misticizmin e tij. Aty ka rrugë të ndërtuara nga helenët, një teatër dhe banjo romake, një bazilikë të madhe nga periudha e hershme kristiane (shekulli VI) dhe një kështjellë veneciane të shekullit XIV.
Pas disa orësh në vapën e mesditës, ne freskohemi në qytetin e afërt të Ksamilit, ku çdo centimetër i bregdetit të tij është i mbushur me lokale plazhi. Prej këtu ju mund të notoni drejt tre ishujve të vegjël, që pluskojnë në Mesdhe, pas komardareve të mëdha në formën e kuajve njëbrirësh dhe varkave me pedale.
Mikpritja dhe folklori
Një vështrim i shpejtë te librat e autorit shqiptar, Ismail Kadare, i cili fitoi për herë të parë çmimin ndërkombëtar ”Man Booker International Prize”, në vitin 2005, është një zhytje në folklor, traditë dhe shprehje të çuditshme si – ”dhi e zgjebosur dhe bishtin përpjetë” – për të mos përmendur gjakmarrjen dhe krenarinë mashkullore. Kadare bën referenca të shumta me Kanunin e Lekë Dukagjinit, kodin antik të ligjeve shqiptare të bazuara mbi nderin dhe mikpritjen.
”Shtëpia jonë i takon Zotit dhe mikut”, thotë një sentencë e vjetër.
Kjo mikpritje manifestohet në Berat, i njohur si ”qyteti i një mbi një dritareve”, një trashëgimi e mrekullueshme e Perandorisë Otomane, që ndodhet në qendër të Shqipërisë. I njohur si Trashëgimi e UNESCO-s, Berati është i njohur për shtëpitë e tij të bardha të stilit otoman, që i ngjiten një faqe kodre mbi lumin Osum. Qyteti ra nën kontrollin e turqve osmanë në vitin 1450, por kështjella e tij daton që nga shekulli IV përpara Krishtit. Ndërthurja kulturore është e dukshme në ansamblin e kishave bizantine dhe xhamive.
Kur mbërritëm në hotelin ”Mangalemi”, që drejtohet nga një familje, i ndërtuar mbi një shtëpi të madhe të shekullit XVIII, ne u pritëm me pije dhe buzëqeshje, pikërisht si motoja e re e turizmit shqiptar ”Buzëqeshje nga Shqipëria!” (”Smile from Albania!”). Hotel ”Mangalemi” ofron një pritje të ngrohtë, pa përmendur një restorant dhe një tarracë panoramike të jashtëzakonshme, vetëm për 45 dollarë nata.
Si për të provuar se mikpritja është ligj në këtë vend, më vonë ne ngecëm në një restorant që gjendej brenda shtëpisë së një djali që quhej Lili. Ai na shoqëroi në një tavolinë në kopshtin e shtëpisë, ndërkohë që bashkëshortja e tij përgatiste specialitete tradicionale si byrek me spinaq dhe fërgesë, për t’u ”shpëlarë” me verën e prodhuar nga babai i tij. Ne nuk parashikuam as gotat me raki të fortë që Lili na dha pasi hëngrëm.
Përpara se të iknim për në Korfuz, ne qëndruam në Sarandë, resorti popullor i pushimeve dhe një pikë kyçe e bregdetit jugor të Shqipërisë. Me të mbërritur, na u shfaq një pamje e vrullshme ndërtimesh të larta mbi plazh. Por, ky port ka një atmosferë fantastike. Në pikë të mëngjesit, sarandjotët notonin përgjatë bregut pa çarë kokën për trafikun e anijeve. Çadra të shumta shumëngjyrëshe ndodhen në rërën me guralecë, ndërkohë që restorantet që ofrojnë ushqime të shijshme gumëzhijnë.
Në mbrëmje, një turmë e zhurmshme na çon drejt ballkoneve për të parë se çpo ndodh. Duke vëzhguar me kujdes nga shëtitorja përgjatë bregut, ne pamë një paradë njerëzish – gjyshër, fëmijë, adoleshentë të dashuruar – duke bredhur ngadalë pranë detit, ndërkohë që dritat e verës veniteshin në errësirë. Në Shqipëri, ”xhiroja”, apo shëtitja e mbrëmjes, është një ritual i shenjtë dhe aktivitet rekreativ.
Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka mbetur një destinacion i panjohur nga të tjerët.
Me pamje nga Mesdheu dhe që laget nga dy dete, Jon dhe Adriatik në një vijë bregdetare të vetme, ofron vende të pakonceptuara dhe plazhe të mrekullueshme.
Me këto fjalë e nisi shkrimin për Shqipërinë revista italiane ”greenMe”.
Plazhet e Shqipërisë së veriut, të cilat lagen nga deti Adriatik, janë ranore dhe me ujëra të cekëta prandaj janë edhe të preferuarit për familjet me fëmijë.
Ekzistojnë laguna dhe ekosisteme natyrore, prandaj ky bregdet është shumë i popullarizuar edhe mbetet i preferuar dhe nga turistët.
Le të shohim se cilat janë 10 plazhet më të bukura në Shqipërinë e Veriut.
1. Velipoja
Plazhi i Velipojës është plazhi më verior i vendit që ndodhet 22 km nga qyteti i Shkodrës dhe është një nga destinacionet më të preferuara për atë që duan detin. Katërmbëdhjetë kilometra vijë bregdetare karakterizohen nga një plazh i pasur me jod. Një vend i dashur nga ata që duan të praktikojnë sportet ujore.
2. Shëngjini
Plazhi i Shëngjinit është një tjetër plazh ranor pranë rrethit të Lezhës, i vendosur 8 km nga qyteti historik i Lezhës. I njohur për rërën e tij dhe faktin që këtu do të gjeni diellin 300 ditë në vit. Një zonë shumë e populluar, veçanërisht në verë, zona e Shëngjinit është e njohur në të gjithë Shqipërinë si për detin, gjithashtu dhe për kuzhinën e saj të famshme.
3. Rana e Hedhun
Në veri të Shëngjinit, gjendet plazhi i mrekullueshëm i quajtur Rana e Hedhun, i cili është i mbrojtur mirë nga erërat e asaj zone. Ky plazh është quajtur kështu, për shkak të peizazhit të tij me kodra të larta me pamje nga deti dhe të mbuluara me rërë. Sporti më i praktikuar? Rrëshqitni në dunat e rërës!
4. Gjiri i Lalzit
Një nga plazhet më tërheqëse të bregdetit shqiptar të Adriatikut është padyshim dhe Gjiri i Lalzit në veri të Durrësit. Uji kristal i pastër, rërë e hollë dhe një pyll i dendur me pisha, e bëjnë këtë vend të përshtatshëm për ata që duan të relaksohen me detin. Plazhi është vetëm 25 kilometra nga kryeqyteti i Tiranës dhe është lehtësisht i vizitueshëm.
5. Kepi i Rodonit
Kepi i Rodonit është një kryevepër natyrore e mrekullueshme prej 7.5 km dhe është një tërheqje e madhe për ata që e duan zhytjen. Në vitet e fundit ai është bërë shumë turistik dhe po vazhdon të ruajë bukurinë e tij.
6. Durrësi
Plazhi i Durrësit, i vendosur vetëm 39 km larg Tiranës, është plazhi më i madh dhe më i vizituar në vend. Nuk është rastësi që vija bregdetare është gjithmonë e mbushur me njerëz, pasi ofron një kuzhinë të shkëlqyer dhe shumë argëtim. Thellësia e detit gradualisht rritet, gjë që e bën plazhin të sigurt për familjet dhe fëmijët. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe porti kryesor i vendit.
7. Currilat
Në veri të Durrësit, plazhi i Currilave është më i thellë dhe mbrohet nga era e nxehtë. Duke qenë shumë afër plazhit kryesor, ofron shumë atraksione turistike. Është një vend i përshtatshëm për familjet, sepse është shumë i mbrojtur.
8. Golemi dhe Mali i Robit
Në jug të Durrësit gjenden Golemi dhe Mali Robit, të cilët ndodhen pranë njëri-tjetrit. Këtu ka rërë të bardhë dhe det të kristaltë. Ka edhe disa monumente natyrore, mundësi për shëtitje, ose argëtim me sporte ujore.
9. Vlora
Vlora është porti i dytë më i madh në vend dhe është një nga qendrat e turizmit shqiptar, por plazhi ka shumë vende turistike, veçanërisht sepse është një qendër për ata që duan të zhyten në plazhet e vogla dhe shkëmbore të gjirit të Vlorës, ose të vizitojnë portin e Orikumit.
10. Spille
Plazhi i Spillesë është një parajsë e vërtetë e Shqipërisë. E mbyllur në mes të natyrës dhe pishave, ky plazh që është pranë Durrësit është një nga më të pastrit dhe më pranë natyrës.
I famshëm për plazhet e saj të kristalta, ishulli mesdhetar i Sardenjës, ka vendosur rregulla të ashpra për pushuesit që mund t’u shkojë ndër mend që të marrin me vete në shtëpi ndonjë grusht rërë prej tij.
Sipas një ligji të hyrë në fuqi nga 1 gushti, katër turistë janë dënuar me gjoba prej 1 mijë eurosh, sepse janë përpjekur të marrin me vete rërë, gurë apo guaska deti. Ata janë zbuluar nëpërmjet rrezeve X ndërsa largoheshin përmes aeroportit Elmas.
E gjithë kjo mund të duket e ekzagjeruar, por prej vitesh, banorët e ishullit ankohen për grabitjen që po u bëhet aseteve të tyre natyrore. Në 1994, aksesi në plazhin e rinovuar ngjyrë rozë, në ishullin Budelli, në veri lindje të Sardenjës, u ndalua për shkak të shqetësimeve për të ardhmen e tij.
Vetëm në tre muajt e verës së 2015, rreth 5 tonë rërë ka kaluar nga aeroporti Elmas, thonë raportet lokale.
Rërë është konfiskuar po ashtu edhe në aeroportet e tjera të ishullit, Alghero dhe Olbia. Një faqe në facebook është hapur, nën titullin Sardenja e grabitur dhe e plaçkitur, ku njerëzit postonin foto të shisheve plastike apo çantave të mbushura me suvenire plazhi.
Vjedhja e rërës u bë krim pas presionit mbi autoritetet lokale dhe politikanët për të reaguar ndaj asaj që konsiderohej si emergjencë ambientaliste. Sipas ligjit, tani, kushdo merr, mban apo shet sasi të vogla pa leje, përballet me gjoba që variojnë nga 500 deri në 3 mijë euro.
Në fund të fundit, marrja e një shisheje të vogël me rërë nga plazhet e Sardenjës mund të mos duket diçka e madhe, por nëse miliona turistët që e vizitojnë atë, bëjnë të njëjtën gjë, atëherë qindra e mijëra tonë rërë do të zhdukeshin çdo vit./KultPlus.com