“Metro”: Plazhi i Durrësit kryeson mes destinacioneve evropiane të këtij viti

Në kërkim të diellit dhe pa turma turistësh? Plazhi më pak i mbushur me vizitorë në Evropë tashme është zbuluar – dhe ndodhet në një vend relativisht të panjohur, shkruan Eleanor Noyce në të përditshmen britanike “Metro”.

Plazhi i Durrësit në Shqipëri ofron një hapësirë më të madhe për vendosjen e peshqirave nga plazhistët. Në fund të fundit, nuk ka asgjë më të keqe sesa të ndihesh ngushtë në një vend të mbipopulluar gjatë pushimeve.

Hulumtimi, i kryer nga Wizz Air, analizoi mbi 50 vende evropiane dhe plazhet e tyre më të mira për të përcaktuar vendpushimet më pak dhe më shumë të populluara.

Llogaritja përfshinte matjen e plazhit, ndarjen e zonës së tij me madhësinë e një peshqiri plazhi, dhe më pas me numrin mesatar të vizitorëve ditorë – për të bërë një vlerësim se sa hapësirë ofron çdo plazh për person.

Plazhi i Durrësit – rreth 10,5 kilometra i gjatë – u rendit në vendin e parë – duke mposhtur vende të njohura në Francë, Portugali dhe Spanjë.

I ndjekur nga plazhi Camber Sands në Sussex-in Lindor, Britani e Madhe – i cili la pas plazhet si Praia da Falésia e Portugalisë dhe Playa d’en Bossa të Spanjës – që u renditën respektivisht në vendin e shtatë dhe të dhjetë.

Playa Sa Caleta në Ibiza, Spanjë, rezultoi plazhi më i mbipopulluar.

Aktivitet që mund të bëni pranë Plazhit të Durrësit, Shqipëri

Plazhi i Durrësit mund të jetë cilësuar si “i bukur” nga platforma Reddit, por edhe si një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, këtu ka shumë histori për t’u zbuluar.

Amfiteatri i Durrësit është një trashëgimi e epokës romake dhe dikur kishte 20,000 njerëz. Ndërtimi filloi gjatë shekullit të II pas Krishtit, dhe ky mbetet amfiteatri më i madh i ndërtuar ndonjëherë në Gadishullin Ballkanik, kështu që ia vlen të vizitohet.

Aty pranë ndodhet edhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i cili, si muzeu më i madh arkeologjik në vend, tregon historinë e Shqipërisë përmes objekteve prehistorike.

Përveçse është plazhi më pak i mbipopulluar i Evropës, Durrësi ofron shumë diell, det dhe rërë në plazhin Copacabana dhe në plazhin Ohana.

Gjithashtu, Durrësi është i njohur për kulturën e tij të verës.

Si të shkoni në Plazhin e Durrësit, Shqipëri

Mënyra më e lehtë për të arritur në Durrës është të fluturoni drejt Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, e cila është rreth 38 minuta larg me makinë.

Ofrohen fluturime nga Aeroporti Luton i Londrës nëpërmjet Wizz Air, të cilat zgjasin më shumë se 3 orë, ndërsa me linjën ajrore Ryanair nga Stansted zgjat 2 orë e 55 minuta.

Kur të shkoni në Plazhin e Durrësit, Shqipëri

Nëse jeni duke kërkuar pushime të minutës së fundit për t’i dhënë lamtumirën verës, lajmi i mirë është se temperaturat mbeten të larta në këtë periudhë të vitit në Shqipëri – duke arritur mesataren prej 21 gradë Celsius në shtator dhe 16 gradë Celsius në tetor.

Megjithatë, Shqipëria përjeton temperaturat më të ngrohta gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit, me temperatura që variojnë midis 22 dhe 24 gradë Celsius. 

Rama: Plazhi i Pishporos në Fier, një perlë tjetër e Adriatikut

Me 18 kilometra vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Pishporos në Fier, të cilin e cilësoi një perlë tjetër të Adriatikut.

I shtrirë në një gjatësi prej 9.5 kilometra mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pishporo është edhe vendi i flamingove, që kanë gjetur oazin e tyre të qetësisë në ligatinat e plazhit, duke dhuruar spektakle të paparë.

Në stinën e verës plazhet ranore me shtrirje të konsiderueshme në territorin e bashkisë së Fierit, të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 kilometra në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 kilometra. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13.7 kilometra dhe plazhi Ndërnënas 8 kilometra.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e vizitorëve në Fier.

Rama ndan pamje nga plazhi i Velipojës, i frekuentuar nga pushuesit

Velipoja, rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës, edhe këtë sezon veror ka tërhequr një numër të lartë pushuesish.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, ku mund të shijosh detin e pastër, rërën e imët dhe të pasur me jod.

Kjo zonë e pasur me një hapësirë të gjelbër, ofron një kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën. Nën hijen e pemëve të larta dhe të rrethuar nga një bimësi e shumëllojshme do të keni mundësi të vëzhgoni natyrën dhe bukurinë e saj.

Për të gjithë të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë, kjo perlë e zonës ju ofron një aventurë interesante në ajrin e pastër, ku do ta gjeni veten të zhytur në një oaz të gjelbër.

Kjo zonë shquhet për tradita dhe histori të hershme, me fermerë dhe peshkatarë të zot, mikpritës të njohur në të gjithë Shqipërinë. Velipoja përfshihet në zonën që quhet Peizazhi Ujor-Tokësor i Mbrojtur dhe në të do të gjeni edhe rezervatin natyror, i cili kohët e fundit po shihet si një opsion për zhvillimin e turizmit.

Grykëderdhja e Bunës, pjesë e këtij peizazhi, ofron një natyrë të pasur, uji dhe bimësia i japin një panoramë këtij plazhi të vogël që e bëjnë edhe më të veçantë.

‘Rana e hedhun’, magjia e natyrës që frymëzon turistët

 Në bregdetin e bukur të Shqipërisë, midis ujit kristaltë të Detit Adriatik dhe mrekullive të natyrës, qëndron një ndër atraksionet më tërheqëse dhe të mahnitshme: “Rana e hedhun”.

Ky monument natyror është një pikë për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë bukurinë dhe pasurinë e kësaj zone të mrekullueshme.

Shëngjini, vendi ku ndodhet “Rana e hedhurn”, është një ndër destinacionet më të preferuara nga vizitorët  dhe turistët.

Siç edhe emri vetë tërheq vëmendjen, “Rana e hedhun” është një shfaqje e natyrës që tregon mënyrën unike se si uji i detit formon një pasqyrë të shkëlqyeshme në formën e një rane të ndezur, që duket sikur po hedh një cep të këmbës së saj në ujë. Ky fenomen i rrallë është rezultati i ndikimeve të ndryshme gjeologjike dhe hidrodinamike që kanë krijuar një hapësirë ku uji bie me forcë, duke krijuar një efekt vizual të mrekullueshëm.

Çdo vit, mijëra turistë vizitojnë këtë vend të jashtëzakonshëm për të ndier magjinë e natyrës dhe për të kapur fotografi të rralla që do t’i mbeten kujtimeve të tyre për gjithë jetën.

Kjo zonë nuk është vetëm një atraksion për të shijuar pamjen, por është gjithashtu një vend ku mund të kryeni aktivitete të ndryshme të argëtuese. “Rana e hedhun” është një destinacion i përshtatshëm për aventurat e ujit dhe zhytja. Në fakt, vizitorët mund të marrin pjesë në ekskursione të organizuara me anije të vogla, ku mund të eksplorojnë bregdetin, të shijojnë pamjet e pafund të horizontit detar dhe të mbërrijnë përballë “Ranës së hedhun”.

“Rana e hedhun” ka ndikim të madh edhe në ekonominë e zonës. Ky vend është bërë një burim i rëndësishëm të ardhurash për vendasit, të cilët krijojnë biznese të ndryshme të lidhura me turizmin, si restorante, dyqane suvenirësh, dhe shërbime udhëtimi.

Në një botë të ngarkuar me teknologji dhe zhurmë, “Rana e hedhun” është një shfaqje mgjaike dhe e papërsëritshme e natyrës që na bën të ndalemi, të mësojmë dhe të ndjehemi të lidhur me botën që na rrethon. Ky monument natyror, jo vetëm që frymëzon turistët të shohin bukurinë dhe fuqinë e natyrës, por gjithashtu na bën të reflektojmë mbi rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit tonë të çmuar./atsh/KultPlus.com

Flukse pushuesish në plazhin e Tales (VIDEO)

Plazhi i Tales, vetëm 7 km larg rrugës nacionale Tiranë – Lezhë, frekuentohet jo vetëm nga pushuesit vendas, por edhe nga ata nga Kosova, të cilët e kanë zbuluar si destinacion të ri, familjar dhe të qetë, për këtë sezon veror.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet opinione të pushuesve që kanë zgjedhur këtë verë bregdetin e Tales, me hapësirat e bollshme, ujin e pastër, rërën cilësore dhe shërbimet e shtuara.

“Këto kanë nxitur flukse të larta turistësh në këtë sezon veror që vlerësohet maksimalisht edhe prej bizneseve të sektorit”, tha Rama.

Pastërtia e ujit dhe rërës, hapësirat e bollshme publike dhe çmimet e favorshme janë arsyet pse pushuesit po e kërkojnë plazhin e Tales gjithnjë e më shumë.

“Plazhi i Tales nga viti në vit është duke rritur imazhin te pushuesit vendas e të huaj. Mirëmbajtja, pastrimi, çmimet konkurruese dhe qetësia mbi të gjitha janë arsyet që ky plazh frekuentohet në masë”, tha përfaqësuesi i një biznesi që operon në zonë.

“Kemi shumë turistë nga Zvicra, Gjermania, Kosova ka shumë”, tha përfaqësuesi i një biznesi që operon në zonë.

“Për familjarët është i shkëlqyer si për detin, si për rërën, si për qetësinë që ofron, për shërbimet”, tha një pushuese.

Plazhi i Tales shtrihet në një vijë bregdetare rreth 7 kilometra, me një gjerësi rëre që shkon nga 100 në 150 metër.

Ky plazh shtrihet nga cepi i lagunave Kune-Vain deri në fillim të deltës së lumit Mat dhe vlerësohet si një plazh familjar për qetësinë që ofron.

Nga një zonë e virgjër, gati-gati e panjohur për shumëkënd, vitet e fundit plazhi i Tales ka filluar të frekuentohet dendur nga pushues edhe përtej Shqipërisë.

Në jug të zonës gjendet plazhi Tale 2, ende i pazbuluar nga shumica e turistëve. Ngjyra e rërës është e zezë dhe kjo tregon për vlerat kuruese të saj dhe faktin e mosshfrytëzimit.

Akoma më në jug, delta e lumit Mat prezanton një ambient natyror mjaft të këndshëm dhe atraktiv dhe të përshtatshëm për sportet e aventurës./atsh/KultPlus.com

Sipas një studimi, shëtitjet në plazh përmirësojnë shëndetin mendor

Një studim i kryer së fundmi tregon se kalimi i kohës në hapësira blu është i dobishëm për mirëqenien mendore. Ashtu si hapësirat e gjelbra, hapësirat blu paraqesin përfitime për shëndetin fizik dhe mendor.

Studimi tregon se të kalosh kohë pranë detit ndikon drejtpërdrejt në lumturinë e një individi. Studiuesit e Institutit të Shëndetit Global në Barcelonë kanë zbuluar se edhe vetëm një shëtitje e shkurtër në plazh mund të forcojë shëndetin mendor dhe të ndihmojë në trajtimin e depresionit, shkruhet në artikullin e përkthyer nga Tv Klan.

Autorja e studimit, Cristina Vert u shpreh: “Studimi ynë vlerëson efektet e menjëhershme të një shëtitje të shkurtër përgjatë një hapësire blu. Ekspozimi i vazhdueshëm dhe afatgjatë ndaj këtyre hapësirave mund të ketë efekte pozitive në shëndetin kardiovaskular. Përfitimet psikologjike të aktivitetit fizik ndryshojnë në varësi të llojit të mjedisit ku kryhet. Vëzhgimi ynë tregon se hapësirat blu ndihmojnë në largimin e depresionit’”.

Ndërsa koordinatori i kërkimit, Mark Nieuëenhuijsen shtoi: “Ne pamë një përmirësim të ndjeshëm në mirëqenien dhe gjendjen shpirtërore të pjesëmarrësve menjëherë pasi ata shkuan për një shëtitje në hapësirën blu, krahasuar me ecjen në një mjedis urban”. /KultPlus.com

Durrësi bëhet gati për të pritur pushuesit

Plazhi i Durrësit po bëhet gati për të pritur pushuesit, që pritet ta “pushtojnë” sapo të hiqen masat ndaj pandemisë.

Punonjës dhe makineri të rënda janë duke punuar përgjatë gjithë vijës bregdetare.

“Kemi disa ditë që po merremi me heqjen e leshterikut, jemi në përfundim të punës. Besoj se ditët e hënë përfundojmë komplet dhe plazhi pas dezinfektimit të ditës së hënë është gati për të pritur pushuesit”, ka thënë Alfred Dhuli, drejtori i Shërbimit komunal, për “TV Klan”.

Drejtoria e mirëmbajtjes thotë se i ka kapacitetet për të menaxhuar të gjithë vijën bregdetare nga Përroi i Agait deri tek Ura e Dajlanit, që është gati gjashtë kilometra e gjatë.

“Më 1 Qershor hapet sezoni dhe ne jemi thuajse gati e kemi infrastrukturën gati për të përballuar çdo lloj fluksi njerëzish. Ne i kemi marrë mjetet fondet, jemi në gatishmëri”, ka thënë kjo drejtori.

Në Durrës këtë vit plazhet private do të kenë vetëm hotelet, sipas numrit të dhomave që disponojnë. Ndërsa pjesa tjetër do t’i kthehet publikut, i cili do të duhet të respektojë distancën në vendosjen e çadrave.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte bërë të ditur se në fund të majit do të hapen kufijtë për kosovarët. Në anën tjetër, institucionet e Kosovës ende s’kanë bërë të ditur se kur mund të hapen kufijtë tokësorë. /KultPlus.com

Shëtitore e re për turistët në plazhin e kristaltë të Jalit

Plazhi i Jalit, rreth pesë kilometra larg nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë, në dalje të fshatit Vuno, është një prej destinacioneve të preferuara turistike për shumë shqiptarë dhe të huaj gjatë sezonit të verës.

Uji i detit Jon në këtë plazh jo shumë larg Dhërmiut, me ngjyrat e papërsëritshme të ujit, si bluja e thellë, jeshilja smerald, portokallia e ndezur në perëndim, janë një spektakël i vërtetë në këtë peizazh tipik mesdhetar.

I strukur thellë, mes kodrinave me ullinj e me shtëpitë e bukura të Vunoit mbi kokë, gjelbërimit të përhershëm të shkurreve, i rrethuar me shkëmbinj të lartë, që krijojnë gjire të vegjël e të mahnitshëm, plazhi i Jalit frekuentohet më shumë sidomos nga të rinjtë.

Falë një investimi të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB) dhe të realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, këtë sezon turistik plazhi i Jalit do të ketë edhe shëtitoren e re, ku pushuesit vendas e të huaj do të kenë mundësi të shijojnë spektaklin e perëndimit të diellit në shëtitjet e pasdites.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se “kjo shëtitore do të përfundojë para muajit qershor të këtij viti, në mënyrë që të vihet në dispozicion të pushuesve”.

“Ky investim së bashku me projektin për kthimin si fshatra historikë të Dhërmiut dhe Vunoit, si dhe shëtitoren e Dhërmiut, kap shifrën e rreth 7-8 milionë euro”, theksoi Goro, shkruan atsh.

Sipas tij, këto investime do të bëjnë që plazhet e jugut të tërheqin sa më shumë turistë pranë tyre.

Plazhi i Jalit është nga vendet më të bukura dhe të veçanta për ujin, rërën, klimën dhe jodin e detit. Një parajsë natyrore e vizatuar si nga dora e njeriut, plazhi i Jalit, është një nga atraksionet kryesore të të gjithë krahinës, falë peizazhit mahnitës, plazheve të pastra me rërë të bardhë dhe ujërave të kristalta.

Famën dhe emrin plazhi i Jalit e krijoi që kur u zgjodh nga elita ushtarake gjatë viteve 70-të, për t’u ndërtuar qendra e pushimeve për ushtarakët, e cila vazhdon të funksionojë edhe sot si e tillë.

Bukuria e gjirit do t’iu bëjë për vete që lart në kodër, vend i cili i bën të gjithë të ndalojnë për të shkrepur fotografi. Kjo është edhe arsyeja se pse në internet fotot më popullore të Jalit, janë pikërisht ato të gjirit nga maja e kodrës./ KultPlus.com