Hapet në Muzeun Kombëtar ekspozita “Plein Air”

Ekspozitat e çelura nga grupimi i piktorëve “Artistët e Plein Air” kanë arritur në edicionin e tyre të 8-të.

Ekspozita është çelur mbrëmë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur të peizazhit në Shqipëri.

Anëtarët e kësaj shoqate, edhe pse secili me individualitetin e tij krijues që ndjehet për nga këndvështrimi, mjetet shprehëse si dhe nga dashuria për natyrën, janë mbledhur së bashku për të sjellë këtë ekspozitë të veçantë, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.

Në “Plein Air 8” marrin pjesë piktorët Agim Kadillari, Agron Polovina, Buron Kaceli, Kujtim Buza, Pashk Përvathi, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Vangjo Vasili, Xheneta Kadillari e Zaim Elezi. Ata do të ekspozojnë secili nga 4 peizazhe të punuara përgjatë vitit 2022./atsh/ KultPlus.com

12 artistë pikturojnë gjatë pandemisë Shqipërinë nga Jugu në Veri

Ekspozita “Plein air” është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 12 piktorë janë bërë bashkë për të sjell përmes tablove të tyre peizazhin e Shqipërisë nga Jugu në Veri. Piktori Agron Polovina rrëfen përpjekjet e artistëve për të promovuar natyrën shqiptare përmes artit figurativ.

“Rrugëtimi i artistëve të Plein air ka qenë në të gjithë Shqipërinë, por unë do të veçojë krijimet e realizuara në Veri të vendit, në Liqenin e Prespës dhe në bregdet. Kjo ekspozitë është një ftesë për njerëzit për të udhëtuar, për të njohur vendin, por përse jo edhe për ta zbukuruar jetën e tyre”, shprehet piktori Agron Polovina.

Piktorët Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Xheneta Kadillari edhe të tjerë artistë, prezantojnë veprat e krijuara në këtë periudhë të vështirë pandemie, si një ushqim shpirtëror për artdashësit

“Unë personalisht kam shëtitur, si asnjëherë tjetër. Kam plotësuar boshllëqet që ka krijuar ambienti gjatë pandemisë. Mendoj se kjo ekspozitë është një ftesë për publikun, sepse të parët direkt një vepër arti nga afër është e pakrahasueshme me çdo mënyrë tjetër”, thotë Xheneta Kadillari.

Ekspozita vazhdon të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar./Shqiptarja.com/ KultPlus.com