Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi ka reaguar ndaj përmbajtjes së pllakës përkujtimore që u inaugurua dje në Prishtinë bashkë me bustin e senatorit amerikan, Bob Dole, shkruan KultPlus.
Një tjetër gabim që është vënë re në këtë pllakë është që ajo në radhë të parë është shkruar anglisht e më pas në gjuhën shqipe e që duhej të ishte e kundërta.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Bislimi ka thënë se teksti i pllakatës përkujtimore përmban të pavërteta dhe tentim klandestin, i ulët dhe i gërditshëm për tjetërsim dhe personalizim pa bazë të historisë.
Faton Bislimi e konsideron shtrembërim të historisë faktin që në pllakat shkruhet se vizita e Dole dhe kolegëve të tij nga Senati Amerikan u bë për arsye të diasporës shqiptaro-amerikane të udhëhequr nga Jim Xhema. Sipas tij vizita e Dole dhe Senatit Amerikan ishte organizuar dhe përgatitur nga DioGuardi dhe Liga.
Tutje deputeti i LDK-së ka shtuar se historia se para hotelit Grand ka pasur përleshje të policisë kriminele serbe të asaj kohe me shqiptarët e tubuar aty është e ngatërruar me vizitën paraprake të një delegacioni të Kongresit të SHBA-ve të udhëhequr nga Kongresisti Tom Lantos dhe Joe DioGuardi e realizuar në Maj 1990.
Sipas tij ishte pikërisht kjo vizitë arsyeja se pse DioGuardi ishte shpallur person non-grata dhe i ishte ndaluar hyrja në Jugosllavi, prandaj ky i fundit dhe mungoj në vizitën e delegacionit të Dole në fund të Gushtit 1990.
Faton Bislimi i ka bërë thirrje ministres Haradinaj- Stublla që të përmirësoj gabimin që sipas tij është trashanik dhe keqbërës.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Personalizimi i rrejshem i historisë nuk na bënë nder — Ministrja Haradinaj-Stublla të mësojë faktet, të permirësojë menjëherë gabimin që të evitojë skandalin e turpshëm!
Teksti i Pllakës Përkujtimore i shpalosur sot në qendër të Prishtinës në nderim të 30 vjetorit të vizitës historike të delegacionit të Senatit Amerikan të kryesuar nga i madhi Bob Dole përmbanë të pavërteta dhe është tentim klandestin, i ulët dhe i gërditshëm për tjetërsim dhe personalizim pa bazë të historisë! Kjo pllakatë është vendosur nën patronatin e MPJ-së!
Të thuhet se vizita historike e Dole me kolegë tjerë nga Senati Amerikan u bë për shkak të diasporës shqiptaro-amerikane “të udhëhequr nga Jim Xhema” është shtrembërim i historisë që nuk kapërdihet dot! Çdo respekt për kontributin e madh dhe të pamohueshëm (edhe financiar bile) të z. Xhema, por ai në atë periudhë kohore ka qenë anëtar i Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane të udhëhequr nga Kongresisti Joe DioGuardi. E verteta sikur e bardha në të zezë është se vizita e delegacionit të Senatit në krye me Dole ishte organizuar dhe përgatirur nga DioGuardi dhe Liga. Ajo vizitë ka ardhë si rezultat i punës së mëherëshme të paktën pesë vjeçare të DioGuardit me Dole që nga viti 1985 kur të dy ishin në Kongres!
Po ashtu, storja se para Grandit pati përleshje të policisë kriminele serbe të asaj kohe me shqiptarët e tubuar aty është e ngatërruar me viziten paraprake të nje delegacioni të Kongresit të SHBA-ve të udhehequr nga Kongresisti Tom Lantos dhe Joe DioGuardi e realizuar në Maj 1990. Që nga kjo vizitë DioGuardi ishte shpallë “persona non-grata” dhe iu kishte ndaluar hyrja në Jugosllavi, prandaj edhe ai mungoi në vizitën e delegacionit të Dole në fund të Gushtit 1990!
I bëj thirrje urgjente Ministres Haradinaj-Stublla që ta përmirësojë menjëherë këtë gabim trashanik dhe keqbërës në tekstin e pllakës përkujtimore dhe të kërkojë falje publike për denigrimin që ka tentuar t’ia bëjë historisë së marrëdhënieve tona me SHBA-të, me apo pa qëllim! Mosreflektimi eventual i zonjës në fjalë do bëhet barrë edhe për Kryeministrin Hoti dhe të gjithë Qeveria e Kosovës!
Injorimi i të vërtetës faktike është skandal që nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë, për asnjë çmim, ndaj askujt! Boll mo me bajraktarizëm të rrejshëm! / KultPlus.com