Pluhuri saharian sërish rëndon gjendjen e ajrit në Kosovë

Pluhuri saharian që brenda javës po kaplon për herë të dytë vendin, ka rënduar gjendjen edhe me cilësinë e ajrit.

Kështu bën të ditur “Mendimi për Motin”, njofton Klankosova.tv.

“Koncentrimet e larta të pluhurit që kanë zbritur edhe pranë sipërfaqes kanë çuar indeksin e cilësisë së ajrit në vlera të dobëta në disa nga stacionet matëse të IHMK-së, si nga Prishtina, por dhe në Pejë e Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e MM-së.

Indeksi është në vlera të dobëta edhe në stacionin malor në Brezovicë, që në këto kushte të prezencës më të lartë të pluhurit saharian shënon edhe vlera më të larta të ndotjes, ngase ky pluhur është më i dendur në pjesë më të larta të troposferës, në 1000 metra e 2000 metra lartësi.

Në Kosovë nivelet e larta të pluhurit gjithashtu i japin qiellit një pamje më të zbehtë dhe zvogëlojnë dukshmërinë horizontale, në raste edhe më pak se 10 km.

Pluhuri dhe rëra e Saharasë mbulojnë Evropën Juglindore

Erërat jugore sollën sasi të mëdha rëre të imët nga Saharaja në Evropën Juglindore, me nivele të grimcave të matura mbi 500 mikrogramë në Greqinë Perëndimore.

Sipas Universitetit të Athinës, nivelet e larta të grimcave pritet të vazhdojnë për disa ditë.

Më tej, në ishullin e Kretës temperaturat arritën në 32 gradë Celsius, ndërsa në Athinë deri në 24 gradë Celsius.

Mjekët kanë këshilluar personat që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes ose të zemrës që të mos kalojnë shumë kohë jashtë.

”Puna e mundimshme fizike gjithashtu duhet të shmanget”, thanë ata dhe paralajmëruan se ”nivelet prej 50 mikrogramësh grimcash dhe më të larta mund të çojnë në probleme të frymëmarrjes”./atsh/KultPlus.com