Dasmat shndërrohen në makth nga të shtënat me armë zjarri (VIDEO)

Gjatë verës, me organizimin e më shumë dasmave dhe festave të ndryshme familjare, del në pah se qytetarët në Maqedoni e keqpërdorin lejen për armëmbajtje, duke shtënë në vende publike.

Madje, organizatat joqeveritare thonë se një pjesë e të shtënave në festat familjare bëhet me armët që i posedojnë qytetarët pa leje.

Nga dikasteri i Policisë së Maqedonisë për Radion Evropa e Lirë kanë bërë të ditur se “vetëm gjatë javës së fundit janë të regjistruar 11 raste të dëmtimeve nga të ashtuquajturit ‘plumba qorr’, me ç’rast një plumb i ka shkaktuar lëndime trupore një personi, ndërkohë në dhjetë raste të tjera, qytetarët ankohen se plumbat qorr kanë dëmtuar makinat e tyre”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka drejtuar dhe një apel deri te të gjithë qytetarët të përmbahen nga gjuajtja me armë nëpër dasma dhe ahengje tjera familjare. Me këtë rast kanë përkujtuar se në bazë të ligjit, gjuajtja me armë zjarri paraqet thyerje të rendit publik.

Për këtë vepër, në bazë të ligjeve ekzistuese parashihet gjobë prej 200 deri 500 euro. Madje ligjet parashohin dhe dënim me burg prej 6 muaj deri në 10 vjet, varësisht nga pasojat që mund të sjellin të shtënat që definohen si kërcënim për rrethin e përgjithshëm.

Nga ana tjetër, Qebir Avziu ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, i cli ka qenë zyrtar i lartë në dikasterin e Policisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se kompetencat e Policisë janë të kufizuara sa i përket kontrollit të armëmbajtjeve pa leje. Kjo, shton ai, mund të bëhet vetëm me vendim gjyqësor, ndërkohë që të shtënat paraqesin rrezik për gjithë të pranishmit në festë familjare dhe jo vetëm për atë që është duke shtënë në ambiente festive.

“Sikur edhe të zgjeroheshin kompetencat e Policisë, sërish do të ishte e vështirë që Policia të realizojë kontrolle individuale. Përkatësisht, Policia e ka vështirë të ndalojë kolonën e dasmave dhe të kontrollojë qytetarët për posedim të armëve. Kështu që, ndaj mendimin që për parandalimin e dukurisë së festimit me të shtëna armësh në festat familjare, të organizohen më shumë fushata për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve nga rreziku i shtënies me armë në festa familjare”, thotë Avziu.

Përderisa Xhabir Deralla nga organizata joqeveritare Civil, e cila ishte e përfshirë në monitorimin dhe organizimin e fushatave për grumbullimin e armëve pa leje, për Radion Evropa e Lirë konsideron se në duart e qytetarëve akoma ka shumë armë pa leje, duke theksuar se askush në Maqedoni nuk është në gjendje të thotë se cili mund të jetë numri real armëve që i posedojnë qytetarët pa leje.

Deralla thotë se qytetarët nuk janë të vetëdijshëm se sa rrezik paraqet gjuajta me armë në vende publike, veçanërisht në ambiente festive.

“Në shoqëri këtu te ne në Maqedoni, ajo që është më e rëndësishmja është se duhet të krijohet klimë e tillë e cila do ta refuzojë festimin e çfarëdo gëzimi përmes të shtënave. Sepse jo rrallë kemi rastin që në këto festa lëndohen nga plumbat qorr vetë familjarët. Pastaj duket qartë se organet kompetente, përkatësisht Prokuroria, nuk ngre lëndë ndaj reagimit të zhurmës së të shtënave në vendbanimet urbane. Njëherësh duhet parë se sa nga ata që posedojnë leje për armë e keqpërdorin këtë të drejtë. Thjesht gjithçka është e ndërlidhur”, thotë Xhabir Deralla nga organizata Civil, e cila është pjesë e rrjetit ndërkombëtarë kundër posedimit të armëve pa leje.

Ndryshe, është duke vazhduar fushata e Ministrisë së Punëve të Brendshme për dorëzimin vullnetar të armëve pa leje që qytetarët posedojnë. (REL)