Arbër Selmani pjesëmarrës në festivalin “Gjon Mili International Video Art” me poezinë ‘Po lahem në detin e nënës’

Shkrimtari Arbër Selmani, një ndër personat më aktiv të qytetit të Prishtinës sa i përket jetës kulturore, vazhdon ta rifreskoj faqen e tij në rrjetin social Facebook me lajme fantastike të sukseseve të tij të njëpasnjëshme, shkruan KultPlus.

Së fundmi, nëpërmjet një postimi ai ka bërë të ditur se është pjesëmarrës në festivalin “Gjon Mili International Video Art”.

Selmani do të marrë pjesë me poezinë ‘Bathing in Mother’s Sea’ (Po lahem në detin e nënës), që pati ardhur në formatin video-poezi më 11 korrik.

Festivali do të nisë nesër në Tiranë ndërsa do të vazhdoj edhe në Korçë e Nju Jork. Kurse, realizimin e video-poezisë do ta keni mundësi ta shihni më 6 shtator në Tiranë, në Sallën e Koncerteve ‘Tonin Harapi’, duke filluar nga ora 12:00.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Arbëri, duke u shprehur se video-poezia e tij është pranuar në programin zyrtar të festivalit.

“Nesër në Tiranë, Korçë e tutje në Nju Jork fillon Gjon Mili International Video Art Festival. Sivjet jom i nderum me pjesëmarrje në festival me video-poezinë ‘Bathing in Mother’s Sea’ (Po lahem në detin e nënës). Ju që jeni në Tiranë, me 6 shtator, prej orës 12:00, në Sallën e Koncerteve Tonin Harapi do të mundeni me e pa videon e realizume prej meje dhe Nok Selmani, bashkë me videot tjera eksperimentale që janë pranu në programin zyrtar të festivalit. Faleminderit shumë Yllka Gjollesha!”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Vjen në formatin video-poezi, ‘Po lahem në detin e nënës’ nga Arbër Selmani

Poezi nga Arbër Selmani

Po lahem në detin e nënës

Këtu fle bekimi
këtu notojnë krejt patat e rosat më të kthjellëta
më të pashmet në horizont
këtu ujis trupin tim,
këtu ku ka iguana, plot nëna, plot ujë shërues.

Nëna se ka ndërtu vet këtë det, këtë gejzer e unë s’jam i vetmi lundërtar
nëna i ka ba vend krejt fëmijëve të botës
janë thirrë, janë lajmëru flokëkuqet dhe djemtë me mollëza.

Po lahem në detin e nënës,
këtu notojnë delfinët, balenat që vetë janë nëna
nëpër dheun poshtë, guacat me ngjyra ylberi
këtu, flladis shpirtin që ma dha ajo.

Ujin e sollën pak të gjitha nënat e kësaj bote.

Një kove me ujë secila,
nënat e gjalla, të vdekurat, nënat në karrocë invalidësh,
nënat rome, nënat e zeza, nënat me fëmijë që u vdiqën në lindje, nënat që nëna nuk u bënë kurrë
nënat që u vranë në luftë, nënat të cilave në luftë ua vranë të vegjëlit,
detit ia dha shtratin ajo, nëna ime, mbretëresha.

Po lahem në detin e nënës,
kilometra e kilometra i gjerë, i gjatë,
i thellë e bukur i ftohtë ky det.

Afër nënave, ne fëmijët notojmë gati në përqafim
unë jam ylli me penda të kaltra, motra ime është gaforre përherë e dielluar
jetimi afër nesh përpëlitet sikur një kastravec deti,
shoqja e tij është perime jeshile rrethuar me alga.

Fëmijët e vdekur këtu frymojnë, kanë ngjyri argjendi dhe shkëlqejnë
vogëlushja e verbër, këtu është një kafshë detare me dy sy e një zemër
djali në karrocë, një krokodil i kriposur me dy duar e dy këmbë të lëvizshme.

Po lahem në detin e nënës,
buzëqeshim të gjithë, bile edhe breshkat janë sikur të mbytura në gëzim,
me duar, me këmbë, rrokullisemi në këtë hapësirë të kaltër.

Nënat e mira janë këtu, kjo është jeta
kush ka vdekur atje, këtu është gjallë dhe hidhet nga anija
po derdhen mbi ne oqeanet më hyjnore të gjeografisë, digat më të mprehta
rrugës janë edhe nëna të tjera
miliona nëna e fëmijë po vijnë, po shërohemi.

Po lahemi,
larg kriminelëve, larg burrave që dëmtojnë, larg krijesave që pickojnë,
vëllau im është një gjarpër prej ulliri, i gjelbër
një nënë e shoh tek shndërrohet në pinguine shumëngjyrëshe
shoqja e saj është një peshk me shtyllën kurrizore të ngjyrosur në vjollcë.

Po lahem në detin e nënës,
po lahem në detin e mirësisë, në detin e fatmirësisë, në detin ku qulliten e zhduken dhimbjet,
po lahem mes peshkaqenëve, zebrave tropikale, pelikanëve që bëjnë muzikë si me kitarë
në një moment jam strukturë korale, në tjetrin bëhem kurorë
po lahem në detin e nënës, mes bimëve, mes instiktit amësorë.

Po lahem në detin e nënës,
po lahem sikur të jetë e fundit larje, e fundit zhytje, e fundit ditë e jetës sime,
po lahem në detin e nënës,
po lahem, në të Diellit agime e perëndime.

Videoja është realizuar nga Nok Selmani. / KultPlus.com