Arbër Selmani
Po të ma çante në mes trurin
Po të ma çante në mes trurin
mësuesja e biologjisë
kur në klasë të pestë më përplaste për tabelën e zezë,
fije të vogla do të rrëfenin për një fëmijë të përvuajtur
do të bënin dritë copat e thyera të kafkës sime
do të shihnit skena filmi ku mbizotëron trauma, rrahja, terrori, dora e hekurt e një edukatori
do të ngulfateshit që një djalë të vogël e shqyet në fëmijëri.
Po të ma çante në mes trurin
rrugaçi i lagjes
kur më goditi me shufër në mes të udhëkryqit afër shtëpisë,
qelizat do të shpërthenin si fishekzjarret në natën e lumtur
cipa e hollë do të ishte një tepih i kuq i shpalosur në gjak
do të shihnit, në rrugën e betonuar, një qenie që e vratë
do të shihnit një palcë kurrizore të lënduar, gërrithur si me shpatë.
Po të ma çante në mes trurin
komshiu i dy kateve më poshtë
kur më trullosi nëpër shkallë, në mes të një bisede,
do të shihnit mendime të mia të qelbura si shirita kasetash,
mendët e mia do ta mallkonin mirësinë, shoqërinë, fqinjësinë
do të vërenit dhimbjet e mëdha që i pata…
në copa pllakash të verdha
telat e kapur e të zënë peng,
lotët që atë ditë, dy orë më herët, nuk i derdha.
Po të ma çante në mes trurin
vetura e zezë që më hodhi tre hapa larg,
se i gjori harroi ta shtypte fraksionin e frenimit
lëvoret e nervave të mia do ta mallkonin secilën adrenalinë
do të shihnit hundë, sy, gojë, masakër, një poet të varfër
mërzitë e mia, gajlet, të shtrydhura, do t`ju kërkojnë përjetë llogari
do ta kuptonit se jetova me vullnet, se kërkova veç shëndet
e prapë, u bëra një tjetër çorbë pikante për kafshët në këtë qytet.
Po të ma çante në mes trurin
vetja ime, kur u rrëzova, në Tetovë, prej katit të dytë
të një ndërtese ende në mungesë banorësh,
nuk do të ndodhte asgjë, as ky libër, as kjo poezi
do të isha një shtatëvjeçar i shpërbërë, i mavijosur, ngjyrë hi
neuronet do të mi mbledhnit prej vendit të ngjarjes
do të shihnit sa shumë doja të jetoja, mëngjeset t`i sfidoja
po të më çahej ndonjëherë truri, nga një tjetër njeri,
se qenkam unë i çmenduri. / KultPlus.com