Në 49 vjetorin e vrasjes së poetit Alush Canaj: Poetët s’vdesin as kur i vrasin

Nga Avdush Canaj

Alush Canaj poet tragjik. Figurë e dhimbshme në letërsinë tonë për fëmijë e të rinj. Një talent i guximshëm në artin e poezisë. Përmes lirikës së tij atdhetare, në vitet e gjashtëdhjeta e shtatëdhjeta, po i ushqente të rinjët me atdhetarizëm. Kjo lirikë kishte trokitur në zemrat e të gjithëve dhe ato mësoheshin përmendësh e këndoheshin kudo Ishte poet që i këndonte fatit të kombit, të atdheut të copëtuar. Zë i fuqishëm kundër robërisë. Zë që kërkonte liri për popullin e vet, ta shihte Nënën, Motrën, që i kishin ndarë përjetësisht me një mur të hekurt në mes.

“Atë dimër na ndanë\ e lisat na vranë.” Armiqtë po e përcillnin këmba këmbës me lakenjtë e vet, i kishin lëshuar pas tij. Ai e dinte, por s`ndalej, kryente misionin e vet prej poeti dhe atdhetari. Në një letër që i kishte dërguar nga Beogradi, shokut të klasës, Mehmetali Rexhepi, këtë qytet, ku studionte Shkencat Politike, e quante “qytet i zi”, dhe vërtet i këtillë ishte për shqiptarët që ishin vetëm për krahë pune, asgjë më shumë.

“Për dru me pre”. Po kjo letër, kishte filluar të lexohej nga nxënësit dorë më dorë, në Gjimnaz, kishte frymëzuar ata, dhe nga dora e profesorit të gjuhës shqipe, Haxhi Vokshi, siç thuhet, kishte përfunduar te ferri i UDB-së. Dhe tashti, ata po e dinin edhe më mirë kush ishte poeti, Alush Canaj. Alushi e dinte ç’kishte ndodhur, por s`u gjunjëzua. Kokën e mbante lartë me gjithë krenarinë që kishte. Dhe më s`pritën vrasësit. Natën e 15 shkurtit të vitit 1972, e vranë. Vetë ia mbushën kupën e helmit. Po atë natë, në hotelin Evropa të Gjilanit, ata, gjithë sa ishin, ngritën dolli, festuan vdekjen e poetit deri në orën e mëngjesit, kur shpirti i tij u bashkua me yjet. S` kishte as njëzetë pranvera të plota, nëntëmbëdhjetë vjet e gjashtëmuaj e nëntë ditë. Për të fshehur gjurmët e krimit, gjatë ditës krrokatën si korbat: “Poeti u vra për një dashuri të dështuar”. Askush nuk besoj. E dinin kush ishte ai. I njihnin edhe ata që e kishin bërë krimin me në krye Selim Broshën.

Pas njëzetë vitesh, pikërisht në pranverën e vitit 1992, në përurimin e vëllimit poetik të Alushit, “Vals veror” që e kishte lënë në dorëshkrim, shkrimtari Beqir Musliu pati ngritur zërin: “Alushin e vrau pushteti për shkak të këngës së tij të zjarrtë atdhetare”.

Poetët s`vdesin as kur i vrasin. Ata janë të pavdekshëm. Alush Canaj është i gjallë, mes nesh është ai. Unë e shoh dhe e takoj përditë. Më flet në veprën e tij të plotë “ Mbrëmë e putha lirinë”. / KultPlus.com