Pjesëmarrja e poetit kosovar Lulzim Tafa, në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Miahi Eminescu”, që po mbahet në Rumani, ka nxitur reagime në komunitetin artistik të Serbisë.
Ky festival prestigjioz që ka mbledhur në edicionin e tij të sivjetmë poetë nga 40 vende të ndryshme të botës, ka ftuar nga Kosova edhe poetin kosovar Lulzim Tafa, ndërsa nga Serbia janë ftuar të marrin pjesë pesë poetë serbë.
Por, ftesa për pjesëmarrje të Lulzim Tafës si dhe triumfi i tij në këtë festival, ka nxitur reagime nga poetët serbë.
Poeti serb Adam Puslojiq, i cili njëherësh është edhe anëtar i Akademisë Rumune, u ka dërguar notë proteste organizatorëve të festivalit, sepse në mesin e dyzet vendeve pjesëmarrëse është ftuar të marrë pjesë edhe Lulzim Tafa nga Kosova. “Si poet serb dhe anëtar i Akademisë rumune, nuk mund t’ ia lejoj vetes një gjë të tillë. Kjo për mua është makth dhe dramë njerëzore”, ka shkruar Puslojiq.
“Nuk e kam pritur një gjë të tillë, sepse Rumaninë e kam atdheun e dytë”, ka cituar poetin Puslojiq, Gazeta serbe Veçernje Novosti.
Reagimi i Puslojiq për pjesëmarrjen e Tafës në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Mihai Eminesku”, ka shkuar edhe më tej duke akuzuar organizatorët se nuk kanë të drejtë ligjore dhe sipas tij “nuk e kanë pasur dritën jeshile” të Ministrisë së Kulturës, sepse Rumania nuk e ka njohur ende Kosovën.
Kujtojmë se poeti Lulzim Tafa, përveç pjesëmarrjes, u shpall edhe fitues i edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Mihai Eminescu” që po mbahet në Krajovë të Rumanisë./ KultPlus.com