Veprimtari shkencore-letrare me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Basri Çapriqit


Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe PEN Qendra e Kosovës do të shënojnë 60-vjetorin e lindjes së poetit dhe studiuesit të letërsisë Prof. Dr. Basri Çapriqi (1960-2018) me një veprimtari shkencore-letrare, e cila do të mbahet në Ulqin, më 17-18 janar.

Në këtë kuadër do të mbahet Sesioni shkencor “Poeti i detit”, në të cilin do të marrin pjesë njohësit dhe studiuesit më të mirë të veprës së Çapriqit, nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria. Me këtë rast do të mbahet edhe Ora letrare “Dritaren lëre hapur”, ku do të lexohen vargje nga krijimtaria e Çapriqit

kushtuar atij nga aktorë, poetë, miq dhe kolegë të tij.Gjatë këtij viti po ashtu planifikohet të realizohet një film dokumentar për këtë autor dhe personalitet të shquar të letërsisë, kulturës dhe shkencës shqiptare, si dhe të botohet libri (përmbledhja) me kumtesa nga sesioni shkencor.

Prof. Dr. Basri Çapriqi ishte profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, njëri ndër themeluesit e SHAI “Art Club”, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Çapriqi ka lënë trashëgim një numër të madh të veprave, ku përfshihen disa përmbledhje me poezi, libra nga teoria e letërsisë, studime letrare, publicistikë etj. Ai u nda nga jeta më 14 janar 2018. / KultPlus.com

Ne nuk na mësuan dashninë

Poezi e shkruar nga Elona Çuliq.

Brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqën e dëmonëve.
Ne nuk na mësuan dashninë,
prandaj vrasim,
nuk na mësuan të flasim,
prandaj vrasim.
Fminia jonë, raketë prej letre
lazdrohet në qiellin e duerve të nanës
vetëm ajo ishte gjithmonë
duke na gatue të ardhmen,
duke na la e shpërla nga idhëtinat e kohës,
duke na veshë e zhdeshë në rritjen tonë,
duke na hedhë grushtin e ujit mbas çdo dite të parë të shkollës.
Vetëm nana ishte, gjithmonë,
baba që rrinte deri vonë në punë,
baba që vinte i lodhun në shtëpi e s’duhej idhnue,
baba që flente e tanë shtëpia bzante,
baba që kishte halle e s’duhej trazue,
baba që kishte të drejtë me e çue zanin se ishte shtylla e shtëpisë.
Nana ishte vetëm, gjithmonë.
Grue që lind e vritet,
grue që rrit e vritet,
grue që të mëson dashninë e vritet,
grue që të mëson faljen e vritet,
grue që martohet për dashninë e vritet nga dashnia e vet,
grue që lind fëmijë në emën të dashnisë e vritet në sytë e fëmijëve të vet,
grue që asht nana e baba i munguem i çdo fëmije e vritet nga mirësia e vet,
grue që lind e vritet,
nga burri që nuk diti,
që refuzoi,
që nuk mundi,
që dështoi së mësuemi forcën e dashnisë së saj.
Brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqën e dëmonëve.
Ne nuk na mësuan dashninë,
prandaj vrasim.

Shtator, 2017.