Platforma “Poetet shqiptare” një dritare e hapur për krijimtarinë letrare të grave

Jeta Zymberi

Me një angazhim vullnetar, poetja Vlora Konushevci për t’i dalë në krahë poeteve shqiptare, zgjodhi datën 8 Mars për të lansuar platformë online të poeteve shqiptare, shkruan KultPlus.

“Poetet shqiptare” është platformë online kushtuar krijimtarisë letrare të grave si rrjedhojë e mungesës së diversitetit në peizazhin letrar të hapësirës shqiptare.

Pabarazia gjinore është e theksuar edhe në fushën e botimeve, ndaj kjo platformë do të shërbejë për publikim online të krijimtarisë letrare të grave shqiptare.

Platforma përbëhet nga disa rubrika si: Muzat, Bulëzat dhe Yllëzat. Sipas bagazhit që ka poetja ashtu edhe ndahen në rubrika.

Në këtë platformë, aktualisht janë të përfshira 55 poete. Natyrisht, kjo në vazhdimësi do të plotësohet me autore të reja. Secila nga to janë të prezantuarave nga 4 poezi dhe nga një biografi të shkurtër.

Poetet  që janë përfshirë në këtë platformë, po ndihen të nderuara që tashmë ju është krijuar kjo hapësirë e munguar deri më tani.

Ndërsa themeluesja e kësaj platforme, Vlora Konushevci ka treguar për KultPlus se platforma është konceptuar si një përgjigje ndaj qasjes tradicionale në kontekstin kulturor kosovar, sipas të cilës hapësira e botimeve në njëfarë mënyrë i favorizon burrat.

“Ky raport duhet ndryshuar. Shoqërisë kosovare i duhet një ridefinim i marrëdhënieve ndërgjinore. Ajo duhet ta njohë më shumë anën shpirtërore të grave, duke mos i konceptuar ato si objekt, por si subjekt përmbajtësor. Gratë kanë çfarë t`i ofrojnë kontekstit kulturor tonit, ndaj e vetmja që duhet është ta kenë hapësirën për veprim. Kjo platformë është në këtë frymë. Është një dritare e hapur ku secila nga krijueset, pavarësisht moshës e ka mundësinë të prezantohet me krijimtarinë e vet. Puna e secilës i nënshtrohet vlerësimit të publikut, i cili ka mundësi pastaj të lexojë poezitë e grave e vajzave krijuese”, ka thënë Konushevci për KultPlus duke treguar tutje se kjo do të ndihmojë edhe në njohjen më esenciale të botës së grave e vajzave kosovare.

“Sa më shumë që i njohim vlerat e grave e vajzave do ta kemi një shoqëri më konkurrente ku barazia gjinore nënkupton edhe përpjekjen për rritjen e nivelit kulturor.”

Krijimtaria e poeteve shqiptare, tashmë mund të gjendet online (www.poetetshqiptare.com) , e qasshme për të gjithë, përmbledhur në një vend, në një adresë. 

Platforma për poetet shqiptare mirëpret paraqitjet nga gratë krijuese, qofshin ato me përvojë apo në fillet e karrierës. Kjo platformë ka për qëllim të shërbej si strehë e vargjeve të tyre. / KultPlus.com

Vlora Konushevci