Banesa që shihni mbrapa meje është shtëpia ku ka jetuar poeti i madh lirik Lasgush Poradeci. Përpara 37 viteve ai do të largohej nga kjo jetë e sot, ai nuk nderohet me një shtëpi muze, ashtu siç është premtuar për dhjetëra vite nga Bashkia e Pogradecit.
Më 12 Nëntor 1987 Lasgushi do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke lënë mbrapa një pasuri të madhe letrare për poezitë e letrat shqipe.
Poeti i madh pogradecar ende nuk ka një shtëpi muze, ku të vihen në pah për turistët e vizitorët vendi ku ka jetuar apo sende personale të tij.
Budjon Xhelo është njeri nga njerëzit që pati mundësinë ta njihte nga afër poetin, dhe sot e cilëson flagrante mungesën e një shtëpie muze.
“Është një turp i madh për gjithë qytetarët e Pogradecit por edhe me gjerë, ministrinë e kulturës që ende nuk kemi shtëpinë e poetit kombëtar Lasgush Poradeci. Është një mallkim komunist, kam 50 vite në këtë qytet, e kam njohur Lasgushi të gjallë, e kam nderuar të vdekur. Duhet ndërtuar shtëpia e Lasgushit, duhet rindërtuar nga themelet, jo si sot. E hapur për të gjithë, ku ka gjë më të mirë. Poeti që i këndoi atdhedashurisë është lënë pa shtëpi, ka më turp?” tha Xhelo.
Për nënkryetarin e Bashkisë Pogradec, ky premtim pritet të jetësohet së shpejti, me investimet që do të marrin lagjet historike të këtij qyteti.
“Nuk e quaj premtim të pambajtur, ka qenë një nga projektet që bashkia Pogradec ta bëjë e me pare. Ajo është godine private e dikujt tjetër, jo pronë publike apo e familjes së poetit. Në bashkëpunim me institutin e monumenteve është financuar projekti për rikonstruksionin e dy lagjeve. Brenda këtij viti fillon puna për rehabilitimin. Edhe shtëpia e Lasgush Poradecit përfshihet. Në bashkëpunim me pronarët ekzistues do transformohet për turistët vendas e të huaj”, u shpreh Paskalino Ziko, nënkryetar i Bashkisë Pogradec.
Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit nuk pati asnjë aktivitet në qytetin ku ai lindi e u rrit, për të cilin shkroi deri në frymën e fundit./euronews/ KultPlus.com
Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin e tij të shkrimit Migjeni, ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930.
Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Migjeni u lind më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.
Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.
Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.
Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare ishte i ndjeshëm në vitet kur shkroi. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.
Ai ka vdekur më 26 gusht 1938. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Po ashtu, Migjenit iu nda titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957. / KultPlus.com
Shkodrani Filip Shiroka ishte një nga poetët klasik të Rilindjes, poezia e të cilit do të bëhej e njohur më vonë. Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe, u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903. Poezia e Filip Shirokës, e frymëzuar nga poetë romantikë francezë e italianë të fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, si Alfred de Mysé (1810-1857), Alfons de Lamartin (17901853), dhe Tomaso Grosi (1790-1853), të cilët ai i lexoi në kohë të rinisë në Shkodër, nuk mbulon ndonjë gamë tematike apo leksikore të veçantë dhe nuk është e gjitha me nivel letrar, ndonëse kjo e fundit vlen pa dyshim të thuhet për shumë poetë të Rilindjes. Shiroka mbahet mend si lirik thellësisht emocional e si poet me gjuhë të pastër, i zhytur me mish e me shpirt në fatin vetiak e në atë të atdheut të largët. Bashkudhëtare në veprën e tij është tema e mallit për vendlindjen. Ndoshta më e mirënjohura e më tipikja nga vjershat e tij është Shko dallndryshë, një poezi e mbushur plot mall e trishtim:
U lind më 1859 në Shkodër, i biri i Ejll (Engjëll) Shirokës dhe i Rozes së Ndoc Heqimit. Mësimet fillore i mori tek etërit françeskanë, ndër mësuesit e tij qe edhe arbëreshi At Leonardo de Martino. Gjatë ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane L’osservatore triestino dhe Il Piccolo, përmes të cilave u bëri të ditur opinionit italik paudhësitë në pësonin në kurriz shqiptarët nga Mbretënija e Stambollës qi ndigjonte fjalët e anmiqve t’onë (dhe anmiqve të vet). Në letrat me Sotir Kolean, Shiroka pohonte se ka qenë “përgjegjësi i fletoreve L’Osservatore Romano dhe La voce della verità dhe se kishte shkruajtur shumë edhe tek Osservatore Triestino dhe Il Cittadino që botoheshin në Trieste.
Më 1880, pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi si inxhinier ndërtimi hekurudhash. Atje formoi familje me një grua të huaj dhe u trashëguan me djalë, të cilit i dha emrin e të atit, Engjëll dhe një vajzë, Alice. Megjithatë, me anë të letërkëmbimeve me të afërmit e tij interesohej për gjendjen e vendlindjes dhe risitë e emërimeve në dikasterit e shtetit të pavarur shqiptar. Nga letërkëmbimi i tij, mund të kuptohen vendqëndrimet e përkohshme sa në Liban, sa në Misir. Më 14 shtator 1892, nga një letër dërguar Faik Konicës, kuptohet se është në Beirut.[6] Më 1900 u kthye në Shkodër për pak kohë.
Më 8 gusht 1911 gjendej në Kairo, dhe po në atë periudhë në një letër dërguar Koleas në Aleksandri nga Asiuti, Shiroka përcjell se po merrej vesh me autoritetet hekurudhore që të vendosej me banim në kryeqytetin e sotëm egjiptian. Më 29 prill 1912 në një letër dërguar po Koleas, kumton se e kishin diagnostifikuar anemik Sipas letërkëmbimit të tij, Shiroka gjendej në Kairo së paku deri më 15 janar 1921. Atë vit emërohet kryetar i shoqërisë “Vllazëria e shqiptarvet në Misir”. Më 9 dhjetor 1930 në një letër dërguar Zef Sumës, kumton se gjendet në Hadet, pranë Beirutit.[4] Vend ku priti edhe letrat e tjera nga kushëriri i tij.
Vepra Poema e parë e botuar ishte All’Albania all’armi, all’armi!, një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit[8] kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t’i jepnin Malit te Zi, Hotin e Grudën, vendosën t’ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin. U shkrua në italisht dhe u publikua në Osservatore Cattolico të Milanos më 1878. Vjersha u ribotua më 15 shtator 1886 me emrin e pendës Karolip Shifip në të përkohshmen Fiamuri Arbërit botuar nga De Rada.
Shiroka kishte letërkëmbim të gjerë me bashkëatdhetarët, si të vendlindjes me djalin e dajës Zef Sumën ashtu edhe të idealit kombëtar. Ndër figurat me të cilat ka shkëmbyer letra të cilat gjenden në fondin e tij në Arkivin e Shtetit, janë Faik Konica, Nikollë Ivanaj, Nikolla Naço, Andon Zako Çajupit dhe Leonidha Naço.
Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903. Ajo doli në organe shtypi si Albania e Faik Konicës, në periodikë shqiptarë që botoheshin në Egjipt, dhe në të përmuajshmen fetare të Shkodrës Elçija i Zemers t’Jezu Krisctit. Shiroka, i cili përdorte edhe pseudonimet Geg Postrippa dhe Ulqinaku, është autor i të paktën gjashtëdhjetë vjershave, tre tregimeve të shkurtra, disa artikujve e përkthimeve, sidomos përkthime veprash fetare të liturgjisë katolike. Më 1921 botoi Moji i të dekunve, në prozë, në Shtypshkronjën e të Papërlyemes në Shkodër. Në këtë vëllim, me gjuhë të thjeshtë dhe të ëmbël, shtjellon se ç’duhet të dijë një i krishterë i mirë për t’i ndihur shpirtërat e Purgatorit. Ndjesitë e veta fetare Shiroka i radhit që nga zanafilla: edukata dhe mirërritja që kishte marrë në gjirin e familjes.
Përmbledhja e tij poetike, Zani i zemrës, Tiranë 1933, të cilën e hartoi në zgrip të shekullit, u botua nga Ndoc Nikaj dy vjet para vdekjes së Shirokës në Beirut.
Asht pak me than, se Arshi Pipa mbetet nji prej figurave ma t’njimendta të vetëdijes dhe veprimit demokratiek. Ai ishte shumë e shumë më shumë se kaq. Ai ishte dhe mbeti nji za i kurajshëm i vlerave. Ndoshta do ta kishit t’pamujtun për me e gjet nji personifikim të të përsosunes së disidentit në jetë dhe në vepër. Tue e kërkua e tue dasht me nxjerr prej kohet e sprovave, shtjellave përpirëse dhe zemëratave të diktaturës komuniste e mbas, e tash ja ku mundet pa droje me e gjithëpranu, ai asht Arshi Pipa. Punoi me mish e me shpirt, lufto me thonj e me dhëmbë për me mujt me dishmi njat univers t’përsosun t’ngadhnjimtarit, dishepullit të dijes e nxanjes, kreshtës së kushtrimeve e kumtimit, kungimit dhe krijimit. Tançka në të e me të kishte mujt me u ngjiz e me marr hov me u jetësu si një Ante antik, në çdo puls, në çdo mendim, në çdo dashtuni e veçanti shprehëse.
Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920- Washington, 20 korrik 1997), ç’nuk ishte, çmos bani e gjithqysh diti dhe mujti, ai u rrek e i’a doli për me ken nji poet kushtrues e nji lirik i tamëlt; nji gjuhëtar i zoti dhe gladiator i paepun i arenave t’gegnishtes; kritik, ndoshta me pak shokë mbas vedi, për nga thellësia dhe larmi e trajtesës; përkthyes dhe pedagog gjithëpoaq gjurmlans në trashigiminë tonë kombëtare. E tan jeta e tij ishte e mbushun me përpjekje, me vuajtje e me sfida, me gjithëçmos qi mujti me marr prej tij ma t’mirën vepër, ma t’vyemën vlerës, t’përgjithmonshmen dëshmi të shpirtit triumfues.
Nga jeta
Leu në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhe Lloshit. Arshiu qe me prejardhje libohovite nga i ati dhe nga e ëma shkodrane me origjinë dibrane. I ati qe jurist i shkolluar në Stamboll, në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emëronte anëtar i Gjyqit të Diktimit. E ëma, Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye.
Kishte vëlla nga i ati Muzaferin, dhe katër motra të një barku: Nedreti, Fehimja, Bedrija dhe Bedi.
Vitet e para të arsimimit i mori tek Kolegji Ksaverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës në ndarjen me profil klasik më 1938. Me përkujdesjen e të atit për formimin në traditën fetare të familjes tyre, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë “Në lamën e luftës” fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja “Cirka”. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u laureua më 1942 me dizertacionin “Morali dhe feja tek Bergson”.
Kthehet në Shqipëri dhe nga viti 1941 deri më 1946 jep mësim ndër shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit. Kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Merr pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi S. Luarasi. Më vonë i kërkohet të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë lexon “Këngën e Pleshtit” të Goethes duke thumbuar kështu Sh. Totozanin, i cili u bë shkak që Pipën ta zhvendosnin me punë në Durrës. Atje lexon një tjetër poezi të titulluar “Bushtra”, dhe pas një tjetër mbrëmjeje poetike në Tiranë ku në krah kishte N. Spirun që nuk e njihte arrestohet me 27 prill 1946 dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet – dhe gjatë marrjes së dënimit merr vesh vdekjet e të vëllait – më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i një grupi social-demokrat bashkë me P. Kaçinarin, H. Ballhysën dhe P. Gjeçin. Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.
Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë gjer më 1959.
Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.
Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..
Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes.
Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.
Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.
Veprat
Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikë s, gjuhësisë, politikës, publicistikës.
Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).
Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.
Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush.
Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.
Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.
Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukunive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue.
“Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).
Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale të Arshiut, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.
Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.
Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.
Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).
Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).
Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).
Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.
Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.
Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.
Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.
Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.
Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe , në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).
Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.
Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.
Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.
Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.
Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.
Arshi Pipa vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.
Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyne, e ka të zorshme me pranue nji personalitet të tillë si Pipa, qi i ka demaskue nji jetë të tanë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë fillue me ba hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnji veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonji artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka xanë syni tjeter. Borxh i papaguem i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme. /KultPlus.com
Osip Mandelstam, poeti dhe eseisti rus, është nga poetët më të mëdhenj të letërsisë ruse të shekullit XX, një shekull i hidhur, i cili nuk resht së lëshuari sfida mizore kundrejt poezisë.
Lindi në Varshavë në vitin 1891, në një familje të kulturuar dhe vdiq i drobitur dhe i grimcuar prej shekullit “çakall” dhe persekutimet staliniane në vitin 1938, rrugës drejt kampit ku do ta prisnin pesë vjet punë e detyruar.
Kur u shpërngulën në Shën Petërburg poeti ishte vetëm pesë vjeç. Që fëmijë mësoi gjermanishten dhe frëngjishten. Ndoqi studimet në shkollën prestigjioze Tenichev në vitet 1900-1907. Më pas studioi në universitetin e Sorbonës në Paris, ku ndoqi kurset e Joseph Bedier dhe Henri Bergson. Po aty zbuloi edhe magjinë e poezisë së Verlenit. Shkon në Gjermani dhe kur rikthehet në Rusi, në moshën 20-vjeçare, vijon studimet për filozofi në universitetin e Shën Petërburgut, ku edhe regjistrohet dhe boton poemat e tij të para, në vitin 1913, në revistën “Apollon”.
Osip Mandelstam bën pjesë në gjeneratën e poetëve lindur në vitet 1890, së bashku me Ana Ahmatovën, Boris Pasternakun, Marina Cvetaevën, Majakovskin etj, që lanë gjurmë të pashlyeshme si krijues të rinj të letërsisë ruse. Jeta e trishtë dhe historia e Osip Mandelstam u bë e njohur falë botimit të kujtimeve të bashkëshortes së tij, në vitin 1972, në Francë: “Kundër gjithfarë shprese”. Pas shumë poshtërimesh, akuzash të padrejta, burgosjesh dhe syrgjynosjesh, vdiq nga uria dhe i ftohti, në moshën 47 vjeçe. Vetëm në 28 tetor 1987, nën qeverisjen e Gorbaçovit, emri i tij u pastrua plotësisht nga akuzat e vitit 1934.
Më 27 dhjetor 1938, do vdiste në thellësi të Siberisë, në një kamp tranzit në ferrin e Gulagut, duke e shndërruar stalinizmin, këtë kundërshtar gjakftohtë, një pasion negativ në përkorën e poetit, “mikun e të gjithëve”, – siç do shprehej vetë në vitin 1937, syrgjynosur në kampin e Voronezhit, ngaqë kishte shkruar një epigramë therëse “Alpinisti i Kremlinit” kundër Salinit.
Ky qe edhe provokimi i fundit i poetit ndaj tiranit në këtë duel të pamëshirshëm, i cili do vuloste fatin e tij.
Shumë i ri filloi të botonte dhe të merrte pjesë në diskutime të zjarrta midis poetëve. Me poezinë e tij sjell një përmasë të re të fuqisë dhe botës poetike, që shënoi një disidencë të fortë ndaj parime socrealiste në Rusi.
Më shpjer pra mesnatë, ku rrjedh Jenisej,
Ku pisha mbërrin gjer tek yjtë,
Se ujk unë nuk jam nga gjaku në dej,
Dhe veç i barabarti më mbyt.
“Osip Mandelstam është një mit. Në Rusi dhe në mbarë botën, e konsiderojmë si një martir të poezisë, që e pagoi veprën me jetën e tij. Mbi të gjitha është bërë i famshëm për faktin se qe viktimë e persekutimeve politike, si dhe ngaqë pati shkruar një poemë të pamëshirshme duke denoncuar Stalinin”, – shprehet Ralph Dutil.
“I butë, inteligjent, shpirtëror, elegant, madje edhe i hijshëm, i gëzueshëm, i zjarrtë, përjetësisht i dashuruar, i ndershëm, largpamës dhe i lumtur, edhe në terrin e sëmundjes nervore dhe të tmerrit politik, rinor, madje thuajse vocërrak, i çuditshëm dhe i kulturuar, besnik dhe krijues, i qeshur dhe i paepur, Mandelstam na ka ofruar një nga veprat më të lumtura të shekullit…”, – do shprehej Pier Paolo Paasolini.
Ai qe poet, teoricien, eseist, revolucionar i zhgënjyer, martir, por gjithnjë në beftë për të përgjuar mugullimin e kohës. Një dëshmi e jashtëzakonshme mbi vitet më prodhimtare të poetit të madh rus dhe mbi asfiksinë e kulturës që shoqëroi marrja e pushtetit nga Stalini.
Përbri emrave si Solzhenici dhe Pasternak, emri i Mandelstam ngjall rezistencën kundër regjimit të pamëshirshëm të Rusisë sovjetike. Ka shkruar “Zhurma e kohës”, “Timbri egjiptian”, “Udhëtim në Armeni”, “Poema të zgjedhura” etj.
Çiltërsia e theksit, thjeshtësia e tij tragjike, dinjiteti, humori, i japin kuptim të plotë emrit që autori e kishte shndërruar në devizën e tij: Nadejda që në rusisht nënkupton “shpresë”. Në veprat e tij kapim koherencën e një zëri që ka ditur ta zgjojë mahnitshëm të gjallin.
Në mjediset e Europe House, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, organizoi një mbrëmje letrare me të ftuar special poetin, dramaturgun dhe fotografin arbëresh, Mario Calivà.
Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastrati, e cila theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si inciativë e rëndësishme e dy institucioneve.
Ndryshe nga poezia e traditës që idealizon botën arbëreshe, poezia e Caliva-së e trajton universalitetin e aktualitetit arbëresh duke të shpënë drejt botës arbëreshe dhe pasuruar njëkohësisht edhe poezinë arbëreshe por edhe atë shqipe. Dr. Fabio Rocchi u ndal te kategoria e “romancës” arbëreshe mënyra e të shkruarit dhe narrativa e shkrimeve të autorit brenda universit arbëresh.
“Të shkruash do të thotë të ekzistojë një popull dhe një pjesë e historisë së arbëreshëve përkon me historinë e Shqipërisë”, u shpreh poeti Mario Calivà. Sipas tij, të qenit shkrimtar të ofron një liri të madhe, pa ndjekur rregullat që kufizojnë filologun apo historianin, por kjo ndodh nëse qëllimi letrar është i qartë duke ruajtur një lloj koherence brenda fakteve historike.
Në këtë aktivitet poetit Mario Calivà iu dha çmimi i tretë i fituar në konkursin “KrenArbëria” zhvilluar nga QSPA, me motivacionin: Për tregimin “Mushku” në të cilin ka arritur të japë prova të prekshme të qëndrueshmërisë së kulturës arbëreshe përmes përdorimit të arbërishtes, duke shpërfaqur edhe lidhje jetike me traditën letrare italiane./atsh/KultPlus.com
Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit sot, me datë 8 prill në orën 18:30 do të vijë në Tiranë një nga autorët më të njohur bashkëkohorë, Peter Stamm.
Me mbi 1.5 milionë libra të shitur dhe i përkthyer në rreth 40 gjuhë ai është padyshim një nga autorët më të suksesshëm dhe më të dashur sot.
Në shqip ai është përkthyer nga Anna Kove dhe sapobotuar nga shtëpia botuese “Aleph” me dy libra, përkatësisht “Agnesa” dhe “Shpërfillja e ëmbël e botës”.
Ai është ftuar gjithashtu dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në sallën “Europa” me datë 9 në orën 11:00 dhe në Shkodër me datë 11 (ora 11: 00) në bibliotekën shkencore të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Peter Stamm është një nga autorët që ja vlen kohën dhe energjinë për ta dëgjuar./Tema/KultPlus.com
Gjithçka në jetën e poetit lirik, Frederik Rreshpja, nisi si një psherëtimë e zëshme përkoreje në qytetin e Shkodrës 74-vite më parë, më 19 korrik 1940. Erdhi në jetë si një amanet dhe përfundoi si një anatemë.
I ngjizur me dashuri dhe forcë besimi katolik, kurmi i këtij njeriu do të ecte në të zakonshmen, deri kur një shkreptimë fatkeqe dashurie e goditi në zemër duke i thyer shpirtin.
Gjithçka në jetën e tij do të ndryshonte kur ai do të ishte ende i ri. Një zjarr dashurie që shpërtheu si një vullkan do të bëhej për këto vullnete të stuhishme ndjenjash të hyjshme, një ferr, ndoshta pikërisht ai për të cilin Dante mëton në “Komedinë Hyjnore”. Pati një trashëgimtar, të cilit nuk i’a ktheu asnjë Odiese. Lënda tragjike e jetësores që mëtoi, e ngjeshi këtë magmë, duke e ngurtësuar në humusin e fateve tragjike, në dëshmimin e ngjizur me dhimbje dhe trishtim.
Frederik Rreshpja erdhi për të mbetur një zë kushtrues në lirikë, një përjashtim në lëndën e ngjizjes, një vetvete e tallazuar trazimesh në jetë. Nuk kishte më fatkeq ndër ata që kanë rendur në kujtesën e kohës dhe në mirënjohjen e gjeneratave, se sa ai. Jetoi gjithnjë në tehun e rrezikut dhe kumtoi në poezi thelbin tragjik. Jetoi me dhimbjen dhe absurdin, gjithëçmosin, si në një marrëdhënie të vetme ekzistimi, deri në atëkohjen që nuk kishte gëzim që ta gazmonte atë shpirt të shterrur nga dritat dhe ngjyrat, e atë kurm të drobitur nga hekat dhe vetmia.
Në këtë botë të rrethuar me mure, ngado me mure, të lartë e të trashë, Frederiku ndërtoi atë liri heroike si një titan nën peshën e fatit tragjik. Gufimi i zemëratës dhe trazimit, është tashmë fjala, poezia, vargu, është gjithçka përbën përpjekjen e tij prej një spartani. Si pakkush tjetër u lëshua potershëm në honin e vetmisë si në një përballje, e nuk e ndali luftën përkundër asgjëje. Përmes çdo akti të ndeshjes ai hyn e del me një solemnitet sfidues.
Me kohën kundër dhe fatin thundër, në këtë kurm tragjik asgjë nuk reshti së provuari, së jetuari. Kësisoj, ngaherë nën qiellin kërcënues të fatit dhe vetmisë që e cytin si një zë nimfash, ai kacavirret me thonj e me dhëmbë për të mbërritur gjithnjë në një tokë të pashkelur. Ikën nga një detyresë Sizifi, për të përmbushur një tjetër. Gjithnjë mbi supet i rëndon një gurë i stërmadh që vetëm rritet. Në tokën që gjithnjë rrëshqet për nën këmbë ai është një Ante.
Vitet e një stine të ndëshkimi, mohimi, harrimi dhe mospërfillje do ta përndjekin këtë angështi njerëzore, këtë kurajo të tjetërllojtë të njeriut që ngrihej përmbi kohën, dhe e mësyn përplot mraz atë, si të vetmin armik që duke i thyer zemrën, ai i theu enën e fatit, copëzat e së cilës i shpojnë këmbët e çjerrin qiellin. Gjithqysh ai ishte këtu. Është ende këtu në mungim.
Pavarësisht nëse ai deshi, apo dikush u përpoq ta anatemonte duke e martirizuar, ai u bë ndër zërat më dëshmues të kohës. Ai rijetoi në vullnesën e çdo force, që mëson të ndërtojë vetveten, duke u përleshur gjithmonë dhe me gjithçka.
Në tehun e vetëtimava ai e ka mprehur mendimin, në tharmin e zemërimit të tokës, në llavën e vullkanit, ai ka ngjyrë penën, për të dëshmuar atë që i duhej brezit për të bërë atë që bënte më mirë, për të qenë poet. Ai është në zërin dhe zemrën e secilit prej nesh që jeton në vetminë e tij, që ndjen pulsin e e betejave të tij që janë edhe tonat. Ai la një testament dhe një shpirt. La një fat tragjik dhe një vetmi të përkorë, la tek ne të gjithë pak Frederik. / KultPlus.com
Dritëro Agolli lindi (13 tetor 1931- 3 shkurt 2017) ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip, përcjell KultPlus.
Mësimet e para i kreu në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës , një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i ‘Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë’.
Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në perëndim e në lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e tij, Agolli e vendosi veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Si shkrimtar i madh i një ‘gjuhe të vogël’, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombës, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, ai gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij, Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë.
Vepra e tij poetike më e njohur është “Nënë Shqipëri”, ku krijohet figura e atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta me të cilat u përballen. Me vëllimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorkat e mesnatës” autori shpall sfidën e tij të re të mjeshtërisë. Ne këto vëllime shpërfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj. Në prozë, bëri emër sidomos romani ‘Komisari Memo’, në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës Nacional – Çlirimtare.
Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Evropian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”. / KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi sot poetin dhe shqipëruesin Faslli Haliti, i cili u nda nga jeta më 16 tetor të vitit 2020.
“E kujtojmë me nderim sot, për gjithë kontributin e dhënë në historinë e letërsisë shqipe, me përkthimin në shqip, të një prej poetëve të tij të dashur, Nazim Hikmet”, shkroi QKLL duke publikuar një prej poezive të sjella në shqip nga Faslli Haliti. Faslli Haliti, poeti, shqipëruesi, një nga zërat e rëndësishëm të historisë sonë letrare, u shua në moshën 85-vjeçare. Ai ishte autori i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.
Haliti lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935 dhe mbaroi Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe iu hoq e drejta e botimit.
Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Ai është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare dhe është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.
U shpalll qytetar nderi në qytetin e Lushnjës. Në 2017-ën ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” , dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”./atsh/KultPlus.com
Poeti italo/arbëresh nga Kalabria, Pierfranko Bruni, është shpallur fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit Jubilar të 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.
Ky çmim iu dha poetit italo/arbëresh me motivaconin se “Pierfranco Bruni është një personalitet shumëdimensional. Përveçse studiues në fushë të arkeologjisë dhe drejtor në Ministrinë e Trashëgimisë Kulturore të Italisë, ai është mjaft i njohur për lexuesin italian e më gjerë si poet, kritik letrar dhe eseist.”
Ky është vendim u mor nga juaria në përbërje me studjuesit e letërsisë, Ymer Çiraku (kryetar), Vebi Bexheti dhe Ndue Ukaj (anëtarë).
Më 2004, Drejtoria e Festivalit poetin Pierfranko Bruni e ka shpallur Anëtar Nderi të Festivalit.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 19 – 21 tetor 2023, në qytetin e Tetovës dhe në Kosovë.
Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur të letërsisë, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), George Wallace (SHBA), Visar Zhiti (Shqipëri), Fiona Sampson (Angli), Kama Kamanda (Kongo), Kristoffer Leandoer (Suedi) etj.
Përndryshe poeti Pierfranko Bruni ka botuar disa përmbledhje me poezi. Kontributi i tij është i vlerësuar edhe në një sërë studimesh mbi letërsinë italiane, europiane dhe mesdhetare të shekullit të njëzetë, ku shquajnë shkrimet për autorë të shquar të përmasave botërore si Pirandelo, Kuazimodo, D`Annunzio, Ungareti e Pavese.
“Veçmas poezia e tij, përmes sistemit të pasur figurativ dhe ideor, mbart një vlagë të fuqishme humanizmi dhe besimi të palëkundur në vlerat egzistenciale të njerëzimit. Ai beson se edhe në natën më të thellë, duhet gjetur një yll i vogël, që do të ndriçojë udhëtimin e njeriut. Kredo e tij si shkrimtar përmblidhet në sentencën aq kuptimplotë se të shkruash, në fakt, është të jetosh brenda fjalës. Pra, misioni i shkrimtarit është që ai të identifikohet e mishërohet me gjithëshka – në veprën e tij. Si të thuash, të ketë pra një besëlidhje të pandashme në raportin shkrimtar e vepër, ku të mbizotërojë veç sinqeriteti dhe e vërteta pa kushte.
Pra, tek ky poet, prozator dhe eseist letrar, është tipar i dukshëm qasja estetike nëpër një rrjet të dendur referencash filozofike, çka u sjell këtyre krijimeve një dimension mjaft sintetizues e universal”, thuhet në komunikatë.
Më tej në motivimin e Jurisë u tha se, “Si një krijues i lindur në mjediset kalabreze të Italisë së Jugut, janë të pranishme në këtë poezi edhe disa motive me kujtesën për Teutën ilire, apo me shpendin simbolik të shqiponjës. Sipas pikëvështrimit të tij, legjenda është një mister, që jeton tek e vërteta, prandaj edhe i drejtohet pa mëdyshje mbretëreshës së lavdisë ilire, kur sheh aq ngjajshmërisht: “sytë e tu me ngjyrën e grave të Shkodrës”.
Në vlerësimet që i janë bërë kësaj krijimtarie, dy janë segmentet themelore që karakterizojnë rrugëtimin e tij letrar: kujtesa dhe nostalgjia. Pra, poetika e veprës së tij, endet dhe merr vlera në këto hapësira letrare dhe estetike”.
Drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, tha se këtë vit janë ftuar 20 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Porto Riko, Itali, Palestinë, Zvicër Francë, Meksikë, Korea e Jugut, Irak, Belgjikë, Kroaci, Greqi etj., dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare dhe daspora. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do të promovohen libra të Sh.b.”Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike, etj./KultPlus.com
Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa do të jetë i ftuar si mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, shkruan KultPlus.
Ky kongres, i 42-ti me radhë, sivjet për herë të parë mbahet në një anije gjigante dhe do të marrin pjesë poetë nga mbarë bota.
Kongresi do nisë në Romë-Itali dhe do të lëvizë bashkë me vargjet e poetëve nëpër ujërat e Mesdheut, në Maltë, në Greqi dhe përsëri do të kthehet në Itali.
“Poezia mbi ujë”, shprehet poeti Lulzim Tafa teksa tregon që është i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj eksperience e njëkohësisht për faktin që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia shqipe.
“Jam i lumtur që do t’i takoj shumë nga miqtë e mi poetë nga të gjitha anët e globit, po ashtu jam i lumtur që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia jonë”, shprehet Tafa.
Kongresi Botëror i Poetëve do të mbahet më datë 22 deri më 29 shtator. / KultPlus.com
Juria e Akademisë Gjermane për Gjuhën dhe Poezinë shpalli poetin e shndërruar në romancier, Lutz Seiler, fitues të çmimit “Georg Büchner”.
Shkrimtari 60-vjeçar është i njohur për romanet e tij, Kruso dhe Star 111, të dy të ndikuar nga jeta e tij rinore në ish-Gjermaninë Lindore.
Kush është Lutz Seiler?
I lindur në qytetin Gera, Turingia, Seiler fillimisht filloi të interesohej për letërsinë ndërsa mbaroi shërbimin e tij kombëtar në ushtrinë e Gjermanisë Lindore dhe vazhdoi të studionte gjuhë, letërsi dhe histori.
Publikimet e tij të para ishin koleksione me poezi, duke përfshirë debutimin “Berührt-Geführt”, si dhe të mirënjohurat “Pech & Blende”, “Vierzig Kilometer Nacht” dhe ” Schrift für Blinde Riesen”.
Në vitin 2007, ai ishte fituesi i çmimit “Ingeborg Bachmann” për përmbledhjen e tregimeve të shkurtra “Turksib”, por ishte romani “Kruso” që e shtyu atë drejt një fame më të gjerë.
Historia u frymëzua nga vetë jeta e Seiler duke punuar si punonjës sezonal në ishullin Hiddensee, në brigjet verilindore të Gjermanisë, i cili u bë një strehë për mendimtarët e lirë dhe gjermanët lindorë të zhgënjyer që dëshironin të iknin përtej detit në Danimarkë.
Kruso (një referencë për Robinson Crusoe) dokumenton komunitetin e “njerëzve të mbytur në anije” në Hiddensee gjatë muajve të fundit të ekzistencës së shtetit të Gjermanisë Lindore.
Romani, i cili fitoi çmimin gjerman të librit 2014, u përkthye në 25 gjuhë dhe u përshtat për teatër dhe film.
Romani i dytë i Seiler Stern 111 (Ylli 111) tregon përrallën e një të riu që bashkohet me një grup pushtuesish në Berlinin Lindor pas rënies së Murit të Berlinit. Ai fitoi çmimin prestigjioz të Librit të Leipzigut në 2020.
Çfarë është çmimi Georg Büchner?
Çmimi, i dhënë nga Akademia Gjermane e Gjuhës dhe Letërsisë për autorët në gjuhën gjermane, shoqërohet me 50,000 euro dhe konsiderohet si çmimi më i rëndësishëm letrar në gjuhën gjermane.
I emëruar sipas dramaturgut dhe shkrimtarit të shekullit të 19-të Georg Büchner, ai nderon shkrimtarët në gjuhën gjermane, të cilët janë shfaqur në mënyrë të dukshme përmes veprës së tyre si kontribues thelbësor në formësimin e jetës kulturore bashkëkohore gjermane.
Çmimi do t’i jepet Seiler në qytetin gjerman perëndimor të Darmstadt më 4 nëntor./rtv21/KultPlus.com
E shkruar në vitin 1946 nga poeti shkodran Zef Pali dhe e kompozuar nga Simon Gjoni, kënga “Eja, eja lule borë” mbetet ndër këngët më të bukura shqiptare, shkruan KultPlus.
Një këngë që i ka rezistuar kohës, shtatë dekadave jetë, edhe sot këndohet e dëgjohet me ëndje.
Po e sjellim sonte një performancë të këngës e cila nuk është vetëm shkodrane, por një vlerë e të gjithë shqiptarëve.
KultPlus ju sjell profilin e shkrimtarit Sabri Hamiti nga profesori universitar Muhamet Hamiti, të shkruar në vitin 2020. Ky profil publikohet për lexuesit e mediumit KultPlus për nderë të ditëlindjes së tij të 73-të.
Nga Muhamet Hamiti
Autor i më shumë se 40 veprave, Sabri Hamiti sot mbush 70 vjet (viti 2020).
Bëhet këtu përpjekje për të përvijuar profilin e tij krijues, të shkrimtarit që ka fuqinë e madhe krijuese edhe sot, siç e dëshmon libri i tij më i ri poetik Kukuta e Sokratit (2018) me 70 poezi.
Në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes së Hamitit, që ka gjysmë shekulli pranie dhe njohjeje në skenën letrare, ky shkrim fokusohet te poezia dhe studimet e tij letrare, vlerat e tij kulmore në gjirin e letërsisë e të kulturës shqiptare.
Kanoni i veprës së Sabri Hamitit është i hapur.
Jeta, shkollimi, puna
Sabri Hamiti lindi më 10 maj 1950 në Dumnicë të Podujevës. Më 1968 mbaroi gjimnazin, nisi studimet dhe botimet letrare. Më 1972 diplomoi për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës; botoi përmbledhjen e parë të poezive, Njeriu vdes i ri.
Kreu studimet pasuniversitare për letërsi të përgjithshme në Zagreb më 1975. Për një vit akademik (1980-81) specializoi teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales në Paris dhe mori Diplomën e Shkallës së Lartë për letërsi frënge e qytetërim frëng në Universitetin e Sorbonës. Doktoroi në letërsi shqipe në Prishtinë më 1987.
Në vitet 1973-1993 Hamiti punoi te “Rilindja“; 15 vjet redaktor në Shtëpinë Botuese. Nga viti 1993 është Profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 2008 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Sabri Hamiti ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në shtatë legjislatura (në vitet 1992-2017), një kohë nënkryetar i Kuvendit. Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2008.
Poeti
Që në rini, Sabri Hamiti shkroi poezi që dilte dukshëm jashtë kornizës së poezisë aktiviste shqiptare që kishte dominuar çerekun e shekullit mbas Luftës së Dytë Botërore, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Poezi lirike, metafizike. Ai na fton në përmbledhjet e veta me titujt që u ka vënë: Njeriu vdes i ri, 1972, Faqe e fund, 1973, dhe Thikë harrimi, 1975. Kjo e fundit e shpërblyer si libri më i mirë i vitit nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës (SHSHK). Njohje e risisë së saj, e veçantisë së saj.
(Le të përmendet, në parantezë, se për romanin e tij të vetëm, Njëqind vjet vetmi, Hamiti mori Shpërblimin vjetor për librin më të mirë të autorëve të rinj në ish-Jugosllavi në vitin 1976).
Në vitin 1979 Hamiti botoi librin Trungu ilir, që u bë libër kult për shpejt, i dashur dhe i lexuar. U njoh si ngjarje letrare e kulturore e vitit dhe krijoi bujë të madhe. Iu dhanë dy shpërblimet kryesore atë vit, i SHSHK-së dhe i “Rilindjes”. Libri ka njohur pesë botime në këto 40 vjet, me tirazhe mijëra kopjesh secili.
Trungu ilir, libër poetik vëllimor (171 faqe) në dy libra (pjesë), “Trungu” dhe “Koha”, të mëvetësishëm e të ndërlidhur njëherësh, ka pasur sukses edhe në një dramatizim në Teatrin e Kosovës, në regjinë e Agim Sopit. U shpërblye në një festival teatrosh në Sarajevë më 1981 para se ta përlante censura që e ndaloi shfaqjen në Prishtinë për shpejt, mbas Ngjarjeve të marsit të atij viti në Kosovë. Shfaqja dhe libri u sulmuan nga rrjeti i policisë letrare-politike të kohës në ish-Jugosllavi.
Në dy dekada Sabri Hamiti botoi përmbledhjet Leja e njohtimit 1985, 1985, Kaosmos, 1990, ABC: Albetare për fëmijë të rritur, 1994, Melankolia, 1999, dhe Sympathia: Testamente për Urtakun, 2004. Kaosmosi u shpërblye si libër i vitit nga “Rilindja”, ndërsa tre librat vijues nga SHSHK si librat më të mirë për vitet përkatëse.
Leja e njohtimit 1985, libër binjak me pararendësin Trungu ilir, përfshin edhe poemën dramatike Kutia e zezë, që do të luhet në Teatrin e Kosovës njëzet e sa vjet më vonë.
Kaosmos kap dramatikën e marshit barbar, temë universale e përthyer ndërmjetshëm në ambient kombëtar, ndërsa ABC-ja dëfton një katalog të dhembjeve etnike shqiptare. Melankolia, e botuar më 1999, në vitin e tragjedisë dhe të mrekullisë shqiptare të Kosovës, figuron pasojat e njeriut që kalon nëpër botën e egërsive, duke përfshirë ndeshjen me vdekjen. Edhe prej vetë shkrimtarit, që më 24 shtator 1998 mezi i kishte shpëtuar vdekjes pas atentatit që iu bë në Prishtinë.
Në ndërkohë, më 2002, në Prishtinë u botua vepra komplete e Sabri Hamitit në 10 vëllime; vepra e tridhjetë vjetëve. Sympathia (2004) është libër që tematizon elementaritetin fizik dhe shpirtëror që dëfton frymë bashkëndjenjeje (sympathia e titullit). Libri më i ri poetik i Hamitit, Kukuta e Sokratit, lirik e metafizik, u botua para një viti e gjysmë në Tiranë, në fund të vitit 2018. Mbas 14 vitesh prej kur kishte botuar librin pararendës, poeti riafirmon fuqinë krijuese, energjinë përtëritëse të poezisë së tij.
Kritiku, interpretuesi e poeticieni i letërsisë
Librat e Sabri Hamitit me studime dhe ese letrare Variante, 1974, Teksti i dramatizuar,1978, Arti i leximit, 1983, Vetëdija letrare, 1989 (libri më i mirë i vitit nga “Rilindja”), me ndikim të madh në studimet letrare shqiptare, dhe Letra shqipe, 1996, që lidhen nyje si “Sprova për një poetikë” 1-5, janë studime kritike e teorike të letërsisë shqipe të të gjitha periudhave, nga poetika e autorëve te poetika e periudhave dhe tutje te poetika e letërsisë shqipe. Dhe në fund të fundit poetika personale te Bioletra, 2000, e shfaqur si një teori e shkrimit dhe e leximit letrar.
Librat sistematizues për fenomene letrare e kufitare me letërsinë: Bioletra: një teori e shkrimit dhe e leximit (2000), Tematologjia (2005), Albanizma(2009), bëjnë trininë Poetika shqipe, siç është mbiquajtur në një botim tërësor të tre librave në vitin 2010. (Nderuar me Çmimin e Madh për Letërsinë për vitin 2010 nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.) Më tej, Utopia letrare(2013) studion veprat përfaqësuese utopike dhe distopike shqiptare në përqasje me letërsinë e përgjithshme utopike dhe distopike. Testamenti (2018), libri më i ri studimor i Hamitit, me ide e procedime letrare lidhet në një sistem me këta libra pararendës, siç e thotë edhe vetë autori.
Studiues i hershëm, ndoshta më i thelli, tash e 45 vjet, i poetit të madh Lasgush Poradeci, Hamiti ka botuar libra monografikë për Lasgushin, për Faik Konicën, Hivzi Sulejmanin, Bilal Xhaferrin, Nazmi Rrahmanin. Sabri Hamiti ka botuar edhe libra të tjerë, libra monografikë për dy figura të mëdha kombëtare, shkrimtarë e misionarë: Presidenti Ibrahim Rugova: Memento për Rugovën(2007) dhe Zef Pllumi (2013), sikur edhe për shkrimtarin klasik Ndre Mjedja (2016) dhe shkrimtarin modern Anton Pashku (2017).
Sabri Hamiti shkrimtar – përgjithësime
Në letërsinë e vet dhe në shkrimet për letërsinë, Sabri Hamiti ka dëshmuar fuqitë shprehëse të shqipes, pjellorinë e invencionit verbal, dhe dijen e madhe. Figurimin në të dyja mënyrat e shkrimit. Edhe shkrimet e tij për letërsinë bëhen letërsi, qoftë kur interpretojnë, qoftë kur sistematizojnë.
Poezia e tij është një thesar i dëftimit të gjendjeve emocionale dhe intelektuale dhe i gjendjeve e i formave gjuhësore. Gjithsesi edhe i mjeshtërisë formale. Herë më e vështirë (test lakmusi i shkrimit të naltë, por edhe i lexuesit të kultivuar, se pa lexues poezi nuk ka, do të thoshte Borgesi), herë më lehtësisht e kuptueshme. Puna është si të bëhet poezia e qartë, pa e flijuar ndërliqësinë. Dhe Hamiti ia del në këtë ndërmarrje. I mbetet besnik sensibilitetit të vet.
‘Vështirësia’ është prej ngjeshjes (kompaktësisë), prej mënyrës si ndërlidhen fijet e shtresohen palët në hapësirë të vogël të poezisë. Sigurisht edhe prej ndërlojës së shtresave zanore e kuptimore, të referencave, por edhe të aluzioneve.
Në betejën e jetës të përthyer në letërsi, Sabri Hamiti ia del ta kondensojë realitetin në një poezi, në një strofë, në një frazë apo madje në një fjalë të vetme. Kjo fjalë bëhet ruajtëse e kujtesës epike. Ai di si të pajtojë temën epike të historisë me çastin lirik, të ngjeshë kohën epike në kohën lirike.
Te krijimtaria e Hamitit shpërfaqet natyra e ndryshme e letërsisë: në lirikë koncentrike, në dramatikë dialektike, në prozë lineare (terma të Helen Vendlerit, kritikes-intepretueses më të mirë të poezisë në Amerikë). Edhe poezia e tij e shkurtër ndonjëherë funksionon si dramë. Ai e nisi me poemë dramatike dhe shkroi tri drama (Futa, 1988, Misioni, 1997, Pasioni, 2018; e luajtur, por ende e pabotuar) me inde poetike. Pasioni një dramë kujtese.
Struktura dhe gjuha e poezisë së Sabri Hamitit mbajnë peshën emocionale, ruajnë kujtesën personale; edhe topikën e vendit. Gjuha e tij është intime dhe impersonale, besnike ndaj vetes, e besueshme dhe e vërtetë për të tjerët. Ai freskon gjuhën arkaike, ripërtërin fuqinë e dialektit, për ta bërë poezi. Lëndën e parë e kthen në krijim që jep kënaqësi estetike dhe intelektuale. Fjala që vjen e vetme si grimcë bëhet valë në ndërveprim me të tjerat, në frazë, në varg, apo në strofë.
Paleta gjuhësore e poezisë së tij është pasuruar vazhdimisht. Fjala e duhur kërkohet e nderohet prej Hamitit.
Ai është mjeshtër i formës, të cilën s’e bën assesi uniformë, siç e bëjnë poetët kur u shterr fuqia e invencioni krijues ose u humb apetiti për poezi. Sabri Hamiti e di se shkrimtari traditën nuk e trashëgon, por e fiton (merr) me punë, me lexime e rilexime. Tradita është e gjallë, organike, siç e ka dëshmuar T. S. Eliot, poet dhe studiues i letërsisë, në eseun e vet “Tradita dhe talenti individual“ para njëqind vjetësh.
Poezia e Sabri Hamitit është në dialog me poezinë e kaluar, me trashëgiminë, si kombëtare ashtu edhe botërore. Ai bëhet poet me kujtesën kulturore e historike të dijetarit. Hamiti ka ruajtur impulsin lirik. Muza është pjekur me poetin, ende në kërkim të jetës së fshehtë të gjuhës. Kumbimet e jetës e zërat e dijes orkestrohen në poezinë e tij.
Gjithë letërsinë e tij e lidh fuqia e tij e figurimit në poezi, në prozë e në dramë, por edhe në studimet letrare. Parashtresat e gjera sintetike për letërsinë e bëjnë Sabri Hamitin mendimtar. Mirëpo kjo nuk e pengon të jetë interpretues e kritik para së gjithash. Interpretues ka shumë, të mirë ka pak. Dijetarët janë të rrallë. Sabri Hamiti nuk i nënshtrohet asnjë teorie, asnjë metode studimi, ndonëse i ka studiuar rrënjësisht dhe i njeh mirë. Nëse ka një metodë, ajo është metoda e tij, vetanake. Në kohën kur Teoria (me germë të madhe!) ka zëvendësuar studimin e letërsisë në Perëndim në dekadat e mbrama të shekullit XX, Hamiti i ka mbetur besnik të dytës, studimit, kritikës, interpretimit, atëherë e tani. Gërshetimi i kritikës me interpretimin, puna e ngulmët me tekstin që analizon, është kredoja e tij si studiues letërsie.
Natyrisht, ai vetë, bashkë me kolegë të tij në Prishtinë, ka bërë punë të madhe për rimarrje të fijeve të këputura të letërsisë shqiptare, mbasi dogma e Realizmit Socialist në Shqipëri kishte shkretuar letërsinë dhe studimet për letërsi atje; kishte gjymtuar Historinë e Letërsisë Shqipe.
Edhe kur duket se thotë fjalën e mbramë për ndonjë autor, vepër, apo fenomen letrar, Sabri Hamiti nuk vë pikë. Mbetet aty, nëse edhe të tjerët e lënë aty.
Shkruan bukur, hirshëm për letërsinë.
Sabri Hamiti është kuptues i letërsisë, përdallues i të veçantave dhe i përhershmërive. Këtë kuptim të letërsisë ai e ka vënë në punë jo vetëm në fushën dijetare/studimore, por edhe në veprimtarinë pedagogjike, si profesor e autor librash për mësim të letërsisë tash e një çerek shekulli.
Si anëtar i Komisionit Kombëtar punoi më 1995, në kohën kur Kosova ishte nën okupim, për njësimin e programeve shkollore të lëndëve nacionale dhe për hartimin e teksteve të përbashkëta për të gjitha shkollat shqipe në Kosovë e në Shqipëri.
Për veprën e tij, për letërsi e veprimtari kombëtare, Sabri Hamiti është dekoruar me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit” nga Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova më 2003. Në 60-vjetorin e lindjes, më 2010, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi i ka akorduar “Urdhrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Po atë vit, Hamiti mori Çmimin kombëtar “Azem Shkreli”, për vepër jetësore në fushën e letërsisë, nga Ministria e Kulturës e Kosovës.
Jeta e njeriut dhe e shkrimtarit Sabri Hamiti është dëshmi se jeta e njeriut të dijshëm e të ndjeshëm është vetëflijim i vazhdueshëm. Sabri Hamitit është dëshmi për jetën e jetuar e të përmbushur me pasion e moralitet. / KultPlus.com
Grigor Përliçev (1830/31-1893) ishte një poet bullgar i lindur në Ohër. Mësimet e para i mori në shkollën greke të lindjes.
Iu kushtua gjuhës shqipe dhe luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e heroit Skënderbe. Punoi si mësues i greqishtes në qytete të ndryshme të Maqedonisë e më pas në Tiranë, ku u njoh me historinë e popullit shqiptar dhe mësoi gjuhën shqipe.
Kjo e frymëzoi të shkruajë greqisht poemën “Skënderbeu” (1861), që mbeti dorëshkrim. Aty i këndon heroizmit të luftëtarëve shqiptarë dhe prijësit të tyre, Skënderbeu, i cili jepet edhe si mbrojtësi i popujve të tjerë të Europës.
Poema Përliçevit është e frymëzuar nga vepra e Barletit. Aty tregon të mëdhenj edhe strategun dhe ushtarin. Këta të fundit ai i quan bij gjigantësh. Vepra përshkohet nga ide të fuqishme çlirimtare e demokratike.
Valle hyjnore ngritur kanë burra heronj, në mendjen time Skënderbeut, stuhi e gjëmë, dua t’i këndoj,
në krye luftëtarësh kryetrima, që osmanllinj dërmoi miriada. Ashtu si një tufan që vjen nga jugu, përkul pemët e vogla të një kopshti
edhe si kallamishte i shkul nga rrënja pemët e moçme-edhe Skënderbeu vërsulej duke korrur majtas djathtas
ara që ngelin prapa, o nga pesha e mishit që pengon këmbët e, shkathta, o ng’ ajo frik’ e madhe që ngrin
gjakun, o nga një jet’ e butë reehatie. Siç digjet një qytet i madh nga zjarri,
që flakëron veriu i furishëm dhe burrat qajn’ e pleqtë ulërijnë, ndihet vajtimi içjerrë i fëmijëve dhe gratë leshlëshuar bredhin
udhëve duke përplasur duart-ulërinin dhe turqit, duke ikur djersëmbytur; dhe mjaft prej tyre, duke dhënë,
shpirt, i përqafonin shokët që largoheshin e qanin për fëmijët e për gratë,
duke kërkuar vdekjen sa më parë.
Në çast iu kënaq zemra Skënderbeut, ashtu siç e kënaq shiu që bie arën që përcëllon flaka e diellit. / KultPlus.com
Të enjten, më 30 mars 2023, në orën 11, në Shtëpinë Studio Kadare në Tiranë, u organizua një aktivitet i veçantë letrar, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Sadik Bejkos, njëri ndër poetët më të njohur dhe më të rëndësishëm të poezisë së sotme shqipe.
Manifestimi u organizua nga PEN Qendra e Shqipërisë, në cilin aktivitet morën pjesë shkrimtarë të nga Shqipëria, profesorë, gazetarë, miq të autorit, si dhe anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu dhe Sali Bashota.
Nën moderimin e Entela Kasit, kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë, fjalët kryesore për jetën dhe krijimtarinë e Sadik Bejkos, i paraqitën Rudolf Marku dhe Sali Bashota.
Gjithashtu, diskutuan edhe Josif Papagjoni, Bujar Leskaj, Ymer Çiraku, Natasha Lako, Pandeli Koçi, Zyhdi Dervishi, Piro Loli, Çerçiz Loloçi, Brisi Trajko etj., ndërsa aktori Timo Flloko lexoi poezi të zgjedhura nga krijimtaria poetike e Sadik Bejkos.
Poeti Sadik Bejko u nderua me Mirënjohje të Veçantë, për kontributin e çmuar në promovimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. Në emrin e PEN Qendrës së Kosovës dhe PEN Qendrës së Shqipërisë, mirënjohjen ia dorëzoi Binak Kelmendi.
Në drekën e organizuar nga familja ishin të pranishëm edhe shkrimtari Ismail Kadare, znj. Helena Kadare dhe Bujar Hudhri./KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot poetin martir, Vilson Blloshmi.
Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj, ndonëse me rezultate të shkëlqyera, nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.
Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “kulakësh”. Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”. Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar.
Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Rrethit Librazhd dënoi poetin Vilson Blloshmi dhe poetin Genc Leka me “vdekje me pushkatim”, vendim i cili u zbatua në datën 17 korrik 1977.
Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” dhe në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i rrethit të Librazhdit.
Në nder të dy poetëve është ngritur një memorial bronxi në qytetin e Librazhdit.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Shkëputur nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”, e konsideruar si vepër penale, “agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”. Aktakuza e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi për përqasjen e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë./atsh/KultPlus.com
Ai i pararendi kohës. Jetoi dhe u kacafyt ngadhnjyeshëm. U ndez dhe u shua si një flakë Prometeu në ato të pakta vite jetë, të cilat i mbushi përplot. Erdhi dhe iku, për të mbetur përgjithnjë depërtues me kungimin e tij poetik dhe andën krijuese të një shëmbëllimi përshkënditës të një shpirti flakatar. U ngul si një përmendore në historinë dhe memuarin e Granadës dhe Spanjës. Në të gjithë rrugën që përshkoi, mbeti ai. Nuk u pajtua kurrsesi me atë që i sëmbonin shpirtin dhe i lëndonin plagët. Përkundrazi, u përlesh, luftoi dhe u blatua në altarin e asaj çfarë ai besoi.
Pena në dorën e tij, ishte më shumë se një vetëtimë, kungimi i së cilës, zjarmoi fuqishëm natën e dyzimeve strukun në kthinat e trazuara të shpirtit. Krejt zemëratat e kohës së tij, kulmet e asaj brendie të tallazuar ndjenjash dhe pasionesh të stuhishme, janë mishërimi i përgjithmonshëm që la në shpirtrat tanë. Gjithherë me një hov revolte të ndezur në zemër dhe në vullnet.
Fredriko Garsia Lorka, si poet dhe dramaturg, por përmbikrejt, atë që ai ishte, atë që ai bëri, përfshi dhe luftën, poezia, vargu, fjala, metafora, fuqia shprehëse e atij kraharori gjëmimtar, mbetet akti më sublim i këtij kumtuesi, këtij kunguesi të kurajos për t’u sakrifikuar për çfarë beson.
Poezia ka bashkërendur me të krah për krah, duke iu bërë fill drite që përshkon këtë yrysh të mraztë, rol të cilin ai e veshi, jo se deshi, por se koha në të cilën fati e hodhi, ishte një gjithëpamje e marrë zjarr dhe ai kurrsesi nuk mund të hiqej mënjanë, apo të mëtonte përkorjen e përulësisë së nënshtrimit si një akt tragjizmi.
Ai nuk preferoi të ngrohej kur Granada, vendlindja e tij, lëngonte e digjej në zjarr dhe urrejtje, kur gjaku i revolucionit vadiste pemën shtatlartë të krenarisë, në kreshtën e së cilës, ai ishte dega që ngaste rrufetë dhe përleshej. Ai la gjurmë te thella në ndërgjegjen e kokës, mëtoi si pakkush tjetër gjithçkishte për atë që aspironte. Nuk heshti derisa u nda nga jeta. Edhe vetë vdekja e tij ishte më shumë se e tillë, sepse vetë jeta dhe shpirtëzimi, me të cilin ai ushqeu kohën në zgrip, mbartën përmasat e pavdekësisë.
***
Lorca ishte duke punuar me Aurelia-n dhe Bernarda Alba-n, në verën e vitit 1936, kur shpërtheu Lufta Civile Spanjolle. Më 16 gusht, ai u arrestua në Granada nga forcat nacionaliste, të cilat e urrenin homoseksualitetin dhe pikëpamjet e tij liberale, dhe u burgos pa gjyq. Natën e 18 ose 19 gushtit (data e saktë nuk është verifikuar kurrë), ai u çua në një kodër të largët jashtë qytetit dhe u qëllua. Federico Garcìa Lorca u qëllua nga një trupë frankoiste që i përkiste CEDA (një parti e krahut të djathtë e mbështetur nga Kisha Katolike) në moshën tridhjetë e tetë vjeçare. Poeti dhe dramaturgu i famshëm u bë viktimë e pafaj e një mekanizmi çnjerëzor. Ai ishte “fajtor” se guxoi të mendojë dhe të kishte orientim seksual ndryshe.
Dëshmitarët thonë se poeti shkoi drejt vdekjes duke qarë, një klithmë që ndoshta lindi nga hidhërimi i thellë që e kishte torturuar gjithmonë pjesën më të madhe të jetës së tij të shkurtër, i mbytur nga gjendja e tij e brendshme për të qenë i përjashtuar nga një shoqëri kastruese ndaj homoseksualëve dhe të tjerëve.
***
Behim në ndërmendjen për poetin e dramaturgun e madh, si në një kremte, për ta rikthyer dhe ribërë në sa të jetë e mundshmja përfytyrimin e kësaj madhështie dhe veçantie.
Ai u lind më 5 qershor 1898 në Fuente Vaqueros, një Fshat në Granda të Spanjë Fredriko Garsia Lorka për t’u shuar tragjikisht në ikjen e tij si një martir i lirisë, më 19 Gusht 1936. Një vdekje me shumë të panjohura dhe plot hamendësime, në një farë mënyre ishte sintezë e vetë të gjallëve të Lorkas. Ai mbamendet si poet, shkrimtar, dramaturg, gjithashtu në jetëshkrimin e tij shënohet edhe veprimtaria si drejtor teatri. Fredriko Garsia Lorka është i njohur ndërkombëtarisht për pjesëmarrjen e tij në luftën civile spanjolle ku udhëhoqi forcat anti-fashiste për të penguar forcat Gjeneralit Francisco Franco.
Vetëm pas vdekjes së Frankos, për García Lorcan mund të diskutohen hapur në Spanjë. Kjo për shkak jo vetëm të censurës politike, por edhe të ngurrimit të familjes e cila dispononte dhe nuk lejonte publikimin e krijimeve të tij, një pjesë e cila ishte e papërfunduar. Ky ishte fati i një revolucionari, i një vullneti me tharm lirie, i një poeti dhe dramaturgu.
Libri i parë i poezive Garcia Lorkas u botua në vitin 1921, ku janë të përfshira krijimet që zanafillojnë qysh në vitin 1918, të zgjedhura me ndihmën e vëllait të tij Francisco që njihej me nofkën “Paquito” Ky rrugëtim fillimor shtrihej në një tematikë të larmishme, por që vlen të citohet interesimin dhe lëvrimi fetar që Lorka i bëri gufimit poetik. Për t’u pasuruar dhe hyjnizuar prej një zjarri krijues te poezitë për dashurinë dhe natyrën.
Kështu nisi kushtrimi i tij krijues. Ai i pararendi kohës. Jetoi dhe u kacafyt ngadhnjyeshëm me të. U ndez dhe u shua si një flakë Prometeu në ato të pakta vite jetë, të cilat i mbushi përplot jetë dhe veprim. Erdhi dhe iku, për të mbetur përgjithnjë depërtues me kungimin e tij poetik dhe andës krijuese të një shëmbëllimi përshkënditës të një shpirti flakatar. U ngul si një përmendore në historinë dhe memuarin e Granadës dhe Spanjës. Në të gjithë rrugën që përshkoi, mbeti ai. Nuk u pajtua kurrsesi me atë që i sëmbonte shpirtin dhe i lëndonte plagët. Përkundrazi, u përlesh, luftoi dhe u flijua. Pena në dorën e tij, ishte më shumë se një vetëtimë, kungimi i së cilës, shkënditi fuqishëm netët e dyzimeve të strukun në kthinat e trazuara të shpirtit. Krejt zemëratat e kohës së tij, kulmet e asaj zemre të tallazuar ndjenjash dhe pasionesh të stuhishme, janë mishërimi i përgjithmonshëm që la në shpirtrat e brezave, gjithherë me një hov revolte në brendi. Fredriko Garsia Lorka, si poet dhe dramaturg, por përmbikrejt asaj që bëri ai, përfshi dhe luftën, poezia mbetet akti më sublim i këtij kumtuesi. Ai ishte dhe do të mbetet përgjithmonë në memuarin e gjeneratave një poet. Edhe në dramë, ai ishte mëse i tillë. Poezia ka bashkërendur me të krah për krah, duke iu bërë fill drite që përshkon këtë yrysh të mraztë, rol të cilin ai e veshi, jo se deshi, por se koha në të cilën fati e hodhi, ishte një gjithëpamje e përfshirë nga flakët. Ai nuk preferoi të ngrohej kur Granada digjej. Ai nuk mund të mënjanohej kur vendlindja e tij, lëngonte, gjaku i revolucionit vadiste pemën shtatlartë të krenarisë, në kreshtën e së cilës, ai ishte dega që ngaste rrufetë dhe përleshej. Ai la gjurmë te thella në ndërgjegjen e kokës, mëtoi si pakkush tjetër gjithçkishte për atë që aspironte. Nuk heshti derisa u nda nga jeta. Edhe vetë vdekja e tij ishte më shumë se e tillë, sepse vetë jeta dhe shpirtëzimi, me të cilin ai ushqeu kohën në zgrip, mbartën përmasat e pavdekësisë.
Kryevepra e tij ishte ai vete, Federico, pohon Luis Bunuel.
Benedetto Croce thoshte se njeriu i sotem është me tepër pjellë e një ubi, sesa e një epoke, se emri i Granadës është i lidhur përgjithmonë me jetën dhe me veprën e poetit Federico Garsia Lorka, thotë Antonio Gallego Morell.
Duke u zhytur më thellë në zgafellat e mëtimeve për Fredriko Garsia Lorka, ndeshim në shtresime të çmuara dhe të befta. Qysh në fillimet e karrierës së tij, Federico Garsia Lorka pranoi të bëhej hero, simbol kombëtar. Poet besnik ndaj truallit të tij deri në pasojën e skajshme, ai mori pamjen e një Don Kishoti të ri, të kthyer nga aventurat, që kishte në damarë një gjak mizor, një ëndje të thellë, shpesh prej kalorësi, me një vdekje që niset përditë në udhëtime dasme. Klasik, por alogjik, shton Alain Bosquet, tradicional, por fantastik. Ai është gjenia e një vendi, e përqëndruar në një qenie të vetme – mospërfillëse, ekstremist, kontradiktor.
Që në moshën 30-vjeçare, Lorka u bë legjendë, ashtu si Servantesi në sytë e fshatarëve të Mances, një mishërim i kalorësit me fytyrë të vrerosur. I çmisheruar nga kjo legjendë, ishte e natyrshme që ai të zhdukej, kur nisi lufta vëllavrasëse: do të ishte fyerje për Spanjën që po sakrifikohej, të mos bënte theror poetin e saj të madh.
Garsia Lorka u bë martir i luftës dhe hyri ne radhën e fatlumëve si gjeniu unik i brezit të tij që ishte brez gjenish. Libri “Poeti në Neë York” shprehet si një kumt syrealist, por ai është më kozmopolit, po kështu, edhe përmbledhja “Romancero” nuk i përket letërsisë regjionaliste apo ekzotike, shton për të Francisco Umbral.
Ndërmendje për poetin
Përmendorja me e bukur për Lorken jane dy qiparisa në dyert e Granades. Ata i kishte mbjellë poeti dhe vellai i tij, Huerta de San Vincente, shtepia e mbuluar me lulevile ku banonte familja e tyre dhe kishte përballë Sierra Nevaden. Sot, këta drurë kanë një pamje vangogeske, pohon Jean-Francois Fogel, pa lidhje me mjedisin mizor: Një arë e vogël me misër, e rrethuar nga ndërtesa e lagjes së jashtme.
Garsia Lorka shquhet për një imagjinatë mitike. Ian Gibson, është i mendimit se kjo gjë shpjegon suksesin e tij në një bote të humanizuar. Ai na kujton lidhjen e dikurshme midis njeriut dhe natyrës.
Poezia e tij ishte dhe është dramatike dhe teatri i tij është gjithëpërfshirës në tragjiken ku rrokullisen jo vetëm fate individesh por dhe popujsh. Ai, me parmendën e shpirtit ka mjellë në historikun e letrave, atë fjalë të mbushur me mendim, muzikalitet dhe kërcim. Sepse ai është një dëshmi autentike i vendlindjes. Nuk mund të ishte ndryshe.
Po të kishte një zgjidhje, poezia do të mbetej në dashuritë prej të cilës do të ishte e pamundur të ndaheshe. Sinteza që bën më popullore dhe ultramodernen, krijon një simbioze të pazakontë. Kritika nuk njeh ndonjë rast tjetër të ngjashëm me të. Përzierja e muzikores dhe e poetikës, e antikes dhe e modernes, kurrë ndonjëherë nuk qe bërë kështu te një person i vetëm. Arti i Lorkës mbetet gjithnjë “ligjërim”, refuzim aktiv i ndarjes midis qenieve, dëshirë për të komunikuar. Te kjo dëshirë, ai shihte burimin e çdo arti, arsyen e shprehjen lirike.
Veprat e tij poetike kryesore jane: “Kënge” 1921; “Romanca cigane” 1928; “Poeme e kanto kondos” 1931; “Vajtim për Injacio Sances Mehijas” 1935; “Poeti ne Nju – Jork” 1940.
Gjithë krijimtaria e tij është ndërgjegjia dhe vetëdija e kohës dhe aspirata e krejt brezit. Ai ishte një sy vëzhgues dhe zemër reaguese. Ndjenja dhe pasioni, dashuria dhe liria, natyra dhe vendlindja, ishin idealet dhe tharmi që ngjizi atë vepër, të cilën e shpalojmë më shumë se si një regëtimë shpirti, si një dëshmi e kohë, të cilës ai i përkiste dhe për të cilën u desh të mos kursente asgjë, edhe atë që kishte më të shtrenjtë, jetën.
Erëtreguesi
Erë e jugut. E nxirrë dhe përvëluese, vjen mbi trupin tim, e sjell farëza të shkëlqyeshme vështrimesh, lule portokalli.
E kthen të kuqe hënën I bën të ulërijnë robërit plepa, por vjen shumë vonë! Unë e mbështolla natën e rrëfenjës sime në raft!
Pa asnjë erë, Qartë shiko! Xhiro, zemër; Zemër, xhiro.
Ajër i veriut, ari i bardhë i erës! vjen mbi trupin tim drithëruar me aurora boreale, me të kepit të fantazmave kapidanë, që qeshin me të madhe me Danten. Oh shkëlqyes yjesh! Por ti vjen shumë vonë. Çështja ime është mykur Dhe unë e humba çelësin.
Pa asnjë erë, Qartë shiko! Xhiro, zemër; Zemër, xhiro.
Puhi, xhuxha dhe erëra, prej askundi, mushkonjëri trëndafilash me petale piramidale, vrunduj shkëmbyes në trungjet e ashpër, flautë të shtrëngatës, largohuni! Ndër pranga mbërthyer kujtesa ime, është robëruar zogu që skicoi me këngë mbrëmjen.
Gjërat që shkojnë nuk kthehen kurrë, gjithë bota e di, në flladet e kthjellët të erërave është padobi e qara. Vërtet, plepo, mjeshtër i puhisë? Është padobi e qara!
Pa asnjë erë, Qartë shiko! Xhiro, zemër; Zemër, xhiro.
Zemër e re
Zemra ime, si një gjarpër e ndërron lëkurën e saj, e mbaj ja mu në dorë plot me plagë dhe me mjaltë.
Mendimet që u mëkëmbën në çerdhen tuaj, ku shkuan? Po trëndafilat që dhanë aromë Për Jezu Krishtin dhe Satanan’?
Mbështjellësi i gjorë e mbyti Yllin tim mbrekullor! Pergamen i dhimbshëm gri I asaj që dashuroja por s’e dashuroj.
Shoh në ty fetus i shkencave, mumje vargjesh dhe skelete të pafajsive time antike dhe romancave sekrete.
A t’ju var në murin e muzeut tim të ndjesive, tok me të ftohtin edhe terrin, bebe gjumashe të ligësisë sime?
A t’ju përhap ndër pishat -libër vuajtjesh i dashurisë time- kështu të mësoni tringëllimat që në agim i merr bilbili?
Këngë miturake
Ka pikla vese në krahët e bilbilit, pikla të kthjellta hëne rrjedhur prej fytyrimit.
Mbi mermerin e burimit puthja e ujrave, ëndrra e yjeve kokëulur.
Vajzat e kopshtijeve më thonë të gjitha ‘upafshim kur kaloj. Këmbanat dhe ato më thonë ‘upafshim. Dhe pema puth në mugëtirë. Unë lotoj nëpër rrugë, groteske, pa zgjidhje, me trishtimin e Cyrano-s dhe Qyijote-s rifitoj mundësi të pafunda sa ritmi i orës. I shoh bebëzat të thahen me ti prekur zëri im njollosur me dritë të përgjakur, dhe në këngën time lirike vesh zbukurimet e një kllouni faqebardhë. Dashuria, e bukura dhe e ëmbla fshihet nën një merimangë. Dielli si merimagë tjetër më mbulon nën këmbët e tij të arta. Nuk e gjej dot fatin tim, se jam si vetë Dashuria, shigjetat e të cilës janë lotë, dhe torba e tyre zemra.
Do ti jap gjithë ç’kam dhe lotoj dëshirën time si fëmijë i braktisur në rrëfenjën e harruar.
Pemë
Pemë! Ç’qenë shigjetat tuaja ranë nga kaltrimi? Ç’luftëtarë të tmerrshëm ju lançuan? Vallë ishin yjet?
Muzika juaj buron nga shpirti i zogjve, prej syve të Zotit, prej dëshirës së përkorë. Pemë! E njohin rrënjët tuaja të forta zemrën time në tokë?
Madrigal
Unë të vështrova në sy kur isha i mirë dhe djalë. Duart e tua me ledhatuan një puthje më pate falë.
(Orët mbajnë të njëjtën rënie, dhe netët kanë të njëjtët yje.)
U hap zemra ime si një lule nën qiell, me petale dëshire dhe thekë ëndrrash.
(Orët mbajnë të njëjtën rënie, dhe netët kanë të njëjtët yje.)
Në këndin tim ngashërova porsi princi i rrëfenjës për të Artën Estrelita që u largua nga ndeshjet.
(Orët mbajnë të njëjtën rënie, dhe netët kanë të njëjtët yje.)
Unë prej teje jam larguar I dashuruar pa e kuptuar. Nuk e di si janë sytë tua, Duart e tua as flokët e tua. Vetëm më ka mbetur në ballë Flutura e puthjes.
(Orët mbajnë të njëjtën rënie, dhe netët kanë të njëjtët yje.)
Natësor
Kam shumë frikë nga gjethet e vdekura, në mes të fushave mbuluar me vesë. Do të fle tani; dhe nëse nuk më zgjon, do lë ndanë teje zemrën time të ngrirë.
“Kush fëshfërin ashtu, aq larg?” “Dashuri, është era në dritare, e dashura ime!”
Të stolisa gjerdanë Me gurët e agimit. Përse më braktis Në këtë udhë? Nëse ti shkon larg Zogu im do qajë Dhe vreshti i gjelbër Nuk do të bëjë verë.
“Kush fëshfërin ashtu, aq larg?” “Dashuri, është era në dritare, e dashura ime!”
Ti kurrë s’do ta kuptosh Sfinks bore, Sa shumë që unë Do të të dashuroja Mëngjeseve Kur rrebesh të binte Dhe në degën e thatë Të prishej foleja.
“Dashuri, është era në dritare, e dashura ime!” / KultPlus.com
Vitin e kaluar, Valeriy Kostyuk ndihmoi në hapjen e një ekspozite gjithëpërfshirëse kushtuar artistit ukrainas të shekullit të 19-të Taras Shevchenko. Ishte menduar të ishte një festë e tre dekadave të pavarësisë së Ukrainës, një kauzë që Shevchenko, një piktor dhe artist, u mbështet me forcë gjatë jetës së tij.
Vetëm gjatë ditës së sotme, më 15 mars, “Shevchenko Immersive: Shpirti i Ukrainës” është planifikuar të prekë në gjashtë qytete të SHBA, duke përfshirë Bostonin dhe gjashtë qytete tjera të mëdha.
Taras Shevchenko ishte poet, artist dhe një figurë politike ukrainase e shekullit të XIX, i cili punoi për të promovuar kulturën, historinë dhe gjuhën unike të Ukrainës në një kohë kur ajo ishte pjesë e Perandorisë Ruse.
Ekspozita e titulluar ‘Shevchenko Immersive: Soul of Ukraine’ ka si qëllim të prezantojë botën me një artist që njihet dhe nderohet në vendin e tij të lindjes. Veprat e tij zakonisht shfaqen në Kiev, por ato janë sjellë këtu për t’i mbrojtur nga shkatërrimi.
“Immersive Shevchenko” do të shfaqë interpretime të më shumë se 200 veprave të artit, sipas faqes së internetit të ekspozitës.
Të ardhurat e biletave të ekspozitës do të shkojnë për të ndihmuar Ukrainën. Ekspozita u hap fillimisht në Odesa për të festuar 30 – vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës vitin e kaluar. /KultPlus.com
Fahredin Gunga lindi në Mitrovice më 1936. Ai ishte njëri nga poetët më të shquar të poezisë bashkëkohore shqiptare, të brezit që u shfaq nga fundi i viteve të ’50-ta dhe brenda viteve të ’60-ta, shkruan KultPlus.
Brezi të cilit i takonte poeti Fahredin Gunga, ishte i përbërë nga Azem Shkreli, Ismail Kadare, Rrahman Dedaj, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Adem Gajtani, Hivzi Sylejmani e të tjerë.
Gunga e ka nisur vargimin poetikë që nga libri i parë me poezi “Pëshpëritjet e mëngjesit” (1961), duke i mbetur besnik deri te librat e fundit “Mallkimet zgjuara” dhe “Kepi i shpresës së mirë” të viteve të 80-ta.
Sot bëhen 24 vite nga vdekja e poetit Fahredin Gunga, i cili vdiq më 1 prill të vitit 1997./ KultPlus.com
Özdemir Asaf është një nga poetët turk i lindur në vitin 1923 në Stamboll. Ai ndoqi Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Gazetarisë për një vit.
Ndërkohë, ai punoi dhe përktheu në gazetat Tanin dhe Zaman. Disa nga veprat e Asafit janë: “Yalnızlık Paylaşılmaz” (Vetmia nuk ndahet), “Benden Sonra Mutluluk” (Lumturia pas meje), “Çiçek Senfonisi” (Simfonia e Lules), etj.
KultPlus ua sjell disa prej thënieve të tij:
Martesa është vetmia e përbashkët e dy njerëzve.
Eja në vete! Aty po të pres.
Mos më fut në luftë me mungesën tënde, humbas!
Nuk është e rëndësishme nëse nuk vjen. Nëse do të vie do të bëhej më rëndësi!
Frikësohem mos të tjerët do të shohin atë çfarë unë shoh te ti.
Jo çdo kush që frikësohet ik. Por secili që ik është frikacak.
Vetmia nuk vie nga jashtë, ajo është në brendinë e njeriut!
Ndërkaq sa shumë kam qajtur, pa derdhur asnjë lot.
Po të më thoje prit, edhe po ta dija që s’do vish, do të prisja.
Një ditë do të mungoj gjithçka që ankohesh nga unë.
Më bëj të besoj në një gënjeshtër të tillë që i zgjat vërtetësia tërë jetën.
A ishte ky qytet për një person? Kur shkove ti mbeti bosh.
Të gjithë paskan dashuruar së tepërmi. Ndërkaq unë kam dashuruar edhe me mungesa. / KultPlus.com
Së fundmi, poeti Driton Zenku nga Gostivari ka publikuar librin e pestë me poezi të përkthyer në gjuhën maqedone si botim i Shtëpisë Botuese Flaka. Libri me titull “Niansat”, paraqet librin e pestë me poezi të poetit Zenku, shkruan Agjencia e lajmeve Flaka
Libri paraqet një gamë të poezive të përzgjedhura nga katër librat paraprake të përkthyera në gjuhën maqedone.
Zenku lindi në vitin 1997 në Gostivar. Në viti 2005 mbaroi studimet në UEJL-Tetovë. Deri tani ka të botuara librat me poezi: “Dielli në Natë”, – viti 2000, “Rruga e Rrugëve” – viti 2008, “Haremi i Fjalëve”, – viti 2010, “Dielli i Janarit” në vitin 2016, dhe së fundmi librin e përkthyer në gjuhën maqedonase “Ninsat”, proekt i finansuar nga Ministria e Kulturës me programin e vitit 2018.
Është bashkëautor i monografisë “Flaka e Janarit”, “Enciklopedia – Reagime”, botim i gazetës Koha, si dhe redaktor i librit “Reka e Epërme dhe Fshati Kiçinicë”, i autorit Branko Manojllovski.
Paralelisht me periudhën e studimeve u inkuadrua në media si gazetar dhe tani e 15 vite ushtron profesionin e gazetarisë. Ka qenë kryeredaktor në Tv2 – Gostivar, zëvedëskryeredaktor në të përditshmen e dikurshe “Shqip”, dhe korronspodent i gazetës Koha. Më herët ka qenë zëdhënës në komunën e Gostivarit. /KultPlus.com